Akti normativ, në fund të shtatorit ka pasur bllokim të pagesave nga Thesari

0
130

 Ervin Kaduku

 

 Si do të ndërhyhet në favor të zgjidhjes së problemeve shtet-biznes

 

leke-ne-dore_0Relacioni i draft-buxhetit 2013 parashikon një sërë ndërhyrjesh emergjente për të zgjidhur situatën e vështirë të financave shqiptare, që  e kanë bërë të domosdoshëm rishikimin e buxhetit 2013.

Sipas relacionit, gjatë këtij viti, gjendja e financave publike është rënduar në përmasa mjaft shqetësuese. Deri në muajin gusht, të ardhurat totale rezultuan me një mungesë prej rreth 16.2 miliardë lekësh nga parashikimi i buxhetit fillestar të vitit 2013. Ndërsa totali i atyre të ardhurave të cilat kanë ndikim në qëndrueshmërinë e buxhetit (tatime e dogana, fondet speciale dhe jotatimore), rezultuan me një mungesë prej rreth 13.3 miliardë lekësh kundrejt planifikimit për këtë periudhë të vitit. Duke iu referuar statistikave operative të administratave tatimmbledhëse, për muajin shtator pritet që ky hendek vetëm për të ardhurat nga tatimet e doganat të zgjerohet me rreth 5 miliardë lekë. Për të gjithë vitin 2013 në tërësi pritet që të ardhurat totale të jenë rreth 38.7 miliardë më pak sesa niveli i buxhetuar fillimisht, ndërsa grupi i të ardhurave me efekt në qëndrueshmërinë e buxhetit pritet të jetë rreth 32.5 miliardë më pak se parashikimi fillestar.

 

Nevoja emergjente për të ndërhyrë

Sipas relacionit, nevoja për të ndërhyrë kushtëzohet nga këto argumente:

Së pari: Situata ekonomike në të cilën gjendet Shqipëria dhe treguesit makroekonomike dhe fiskalë në rënie.

Së dyti: Në fund të muajit shtator pati një bllokim të kryerjes normale të pagesave në sistemin e thesarit, ndërkohë që janë ezauruar thuajse tërësisht mundësitë e shtetit për huamarrje të re. Kjo, si rezultat i mosarkëtimit të të ardhurave në përputhje me treguesit fillestarë të miratuar në ligjin e buxhetit të vitit 2013. Kjo situatë ka filluar të rëndohet që në muajt korrik-gusht, duke arritur në nivele tepër të larta aktualisht. Pagesat e bllokuara variojnë në intervalin rreth 8-9 miliardë lekë.

Po ashtu edhe elementi urgjencë është i diktuar nga rrethana në të cilat gjenden financat shqiptare, sidomos në keqfunksionimin e tyre përgjatë vitit 2013, si vit elektoral, dhe sidomos në mosrealizimin e mbledhjes së të ardhurave tatimore. Kjo ka bërë që shumë shërbime publike të ndërpriten apo të keqfunksionojnë. Bllokimi i pagesave ka përfshirë edhe fatura që lidhen me furnizimin me ushqime, karburant, medikamente etj.

 

Rishikimi i buxhetit 2013

Bazuar në informacionet dhe analizat e deritanishme, financat parashikojnë që rritja reale ekonomike për këtë vit në tërësi të jetë në nivelin prej rreth 1.9 për qind. Kjo rritje do të udhëhiqet përgjithësisht nga kërkesa e huaj (përmirësim i ndjeshëm i eksporteve neto të mallrave dhe shërbimeve), por edhe kontributi i kërkesës prej Qeverisë (kontributi i politikës fiskale) për këtë vit në tërësi do të jetë pozitiv. Stimuli fiskal ishte i konsiderueshëm gjatë gjysmës së parë së viti 2013, por veçanërisht në tremujorin e dytë të këtij viti.

Parashikojmë që rritja ekonomike të rimarrë njëfarë përshpejtimi gjatë vitit 2014, krahasimisht me nivelet e regjistruara për dy vitet e fundit. Konkretisht, sipas parashikimeve tona të deritanishme presim që rritja reale për vitin 2014 të jetë rreth nivelit 2.3 për qind, rreth 3 për qind për vitin 2015, 3.8 për qind për 2016 dhe rreth 4.6 për qind në vitin 2017 ku dhe pritet që disa prej projekteve madhore në vend, të tilla si TAP, të kenë kulmin e fazës së tyre ndërtimore.

Mbështetur në analizën e performancës së të ardhurave dhe shpenzimeve për 8 mujorin e vitit 2013, si dhe për t’ju përgjigjur risqeve të planit të buxheti 2013, është përgatitur rishikimi i ligjit të buxhetit 2013. Njëkohësisht, nëpërmjet rishikimit të këtij ligji synohet përshtatja e buxhetit 2013 me përbërjen e re të Qeverisë dhe reflektimi i disa emergjencave të programit të saj.

 

Buxheti i rishikuar 2013 mendohet të sigurojë:

 

•       Rishikimin e të gjithë treguesve makroekonomikë e fiskalë, duke ndërtuar një skenar realist për buxhetin 2013 që pritet të realizohet në fund të vitit.

•       Korrigjimin e treguesit të të ardhurave të buxhetit në total me rreth 38.7 miliard lekë, duke i pozicionuar ato në nivelin 23.8 për qind të PBB, e cila është rezultat i:

i)       Reduktimit me 38.2 miliard lekë të të ardhurave tatimore të cilat shkojnë në nivelin 21.4 për qind të PBB;

ii)      Reduktimit prej 4.1 miliard lekë të granteve;    si edhe

iii)      Rritjes së të ardhurave jotatimore të institucioneve me 3.6 miliard lekë.

•       Rishikimin e planit të të ardhurave dhe të shpenzimeve të fondeve speciale, të të ardhurave dhe shpenzimeve të pushtetit vendor, si pjesë harmonike e buxhetit të shtetit.

•       Reflektimin e të ardhurave nga privatizimi i katër HEC-eve, si pjese e financimit të deficitit dhe përdorimit të tyre si shpenzime kapitale në masën 9.9 miliard lekë, dhe si grante konkurruese (pjese e buxhetit vendor) në masën 2 miliard lekë.

•       Reduktimin me rreth 16.2 miliard lekë të shpenzimeve totale, si rrjedhojë e reduktimit prej 10.2 miliard lekë të shpenzimeve korrente. Shpenzimet korrente në këtë projekt shkojnë në nivelin 24.2 për qind e PBB dhe shpenzimet kapitale në 5.5 për qind e PBB.

•       Përdorimit të fondeve të kursyera nga shërbimet ndaj borxhit në vlerën 6.2 miliard lekë, si dhe reduktimit prej rreth 712 milion lekë të shpenzimeve operative.

•       Rialokimin e fondeve nga projekte me performancë të ulët në projekte me përformancë më të lartë, si për projektet me financim të brendshëm dhe ato me financim të huaj.

•       Sigurimin e financimit për ministritë e reja të krijuara dhe zhvendosjen e programeve te shpenzimeve, në përputhje me përbërjen e qeverisë së re.

Për sa më sipër, deficiti buxhetor rritet me 22.6 miliard lekë, përkatësisht nga 60.9 miliard lekë në 83.5 miliard lekë, duke sjellë kësisoj një rritje të huamarrjes, pra të borxhit me rreth 24.8 miliard lekë. Në këtë mënyrë, deficiti i përgjithshëm buxhetor arrin në 6.16 për qind e PBB.

 

Zërat buxhetorë

Nëpërmjet këtij buxheti të rishikuar sigurohet mbyllja e vitit fiskal 2013, për shpenzimet më të domosdoshme dhe prioritare.

Të ardhurat totale për vitin 2013 parashikohet të arrijnë nivelin 321.9 miliard lekë. Krahasuar me realizimin faktit të vitit 2012, të ardhurat totale për vitin 2013 parashikohet të ulen me 2.6 për qind. Krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2013, ky parashikim i të ardhurave totale konsiston në një reduktim prej rreth 38.7 miliardë lekë.

 

Ekspertët

Ndryshimet në buxhetin e shtetit të vitit 2013, të miratuara së fundmi nga qeveria më një Akt Normativ, duhet të kenë një shpjegim të hollësishëm për bazën e realizuar, pasi japin një efekt negativ tek biznesi vendas dhe investitorët e huaj. Eksperti i ekonomisë, Agim Kukeli, u shpreh për median dje se programimi në ulje i të ardhurave dhe shpenzimeve do të ketë efekt negativ zinxhir në ekonomi, pasi mund të kemi ulje të investimeve publike.

Ndërsa, në lidhje me auditimin e financave publike nga kompania “Deloitte”, Kukeli shprehet se, krijimi i një komisioni të posaçëm me ekspertë vendas për të realizuar këtë proces do të rriste besueshmërinë e publikut tek institucionet.

Rënia e ndjeshme e të ardhurave gjatë muajve të fundit dhe rritja e deficitit mbi planifikimin, bënë që të jetë e pashmangshme ndërhyrja në ligjin e buxhetit të këtij viti. Në këto kushte, sikurse është paralajmëruar gjatë gjithë këtyre ditëve, deficiti buxhetor thuajse do të dyfishohet, duke kaluar nga afro 48.9 miliardë lekë, që parashikohej në ligjin fillestar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2013, në 83.4 miliardë lekë.

 

==================

Optimizëm nga qeveria për realizimin e objektivave për këtë vit

 

Qeveria e re është më optimiste se FMN për sa i përket rritjes ekonomike në planin afatgjatë, duke qenë në të njëjtën linjë me qeverinë e mëparshme, që gjithmonë i kishte parashikimet më optimiste në raport me institucionet ndërkombëtare.

Vetëm pak ditë më parë, në parashikimin ekonomik botëror, në pjesën për Shqipërinë, FMN parashikonte që rritja për vitin 2013 parashikohet në 1.7%. Për vitin 2014 pritet që rritja të përshpejtohet lehtë në 2.1%. Bie në sy gjithsesi pesimizmi për rritjen afatgjatë të vendit, që deri në vitin 2018 nuk pritet të jetë më shumë se 2.5%.

Në parashikimet e qeverisë shqiptare, të publikuara në relacionin e projektbuxhetit të rishikuar 2013, pritet që rritja reale ekonomike për këtë vit në tërësi të jetë në nivelin prej rreth 1.9 për qind. Kjo rritje do të udhëhiqet përgjithësisht nga kërkesa e huaj (përmirësim i ndjeshëm i eksporteve neto të mallrave dhe shërbimeve), por edhe kontributi i kërkesës prej Qeverisë (kontributi i politikës fiskale) për këtë vit në tërësi do të jetë pozitiv. Stimuli fiskal ishte i konsiderueshëm gjatë gjysmës së parë së viti 2013, por veçanërisht në tremujorin e dytë të këtij viti.

Parashikohet që rritja ekonomike të rimarrë njëfarë përshpejtimi gjatë vitit 2014, krahasimisht me nivelet e regjistruara për dy vitet e fundit. Konkretisht, sipas parashikimeve të deritanishme pritet që rritja reale për vitin 2014 të jetë rreth nivelit 2.3 për qind, rreth 3 për qind për vitin 2015, 3.8 për qind për 2016 dhe rreth 4.6 për qind në vitin 2017 ku dhe pritet që disa prej projekteve madhore në vend, të tilla si TAP, të kenë kulmin e fazës së tyre ndërtimore.

Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rritja ekonomike e vendit ka qenë mesatarisht rreth 1.4%.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency