Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Korçës/ KQZ mbështet kërkesën e PD-së, rrëzohet kandidatura e FRD-së për zgjedhjet në Korçë

0
102

Florenc Drizari

 

PD: Kandidatura e FRD-së nuk plotëson kushtet sipas ligjit për t’u regjistruar në këtë garë

FRD: Kemi kërkuar më shumë kohë nga KZAZ, pasi Kodi ka një vakuum në këtë aspekt

PS: Partitë që nuk gëzojnë mandat në Kuvend e kanë të vështirë mbledhjen e firmave

 

shqiperia-Institucione-kqz_754553771Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi kërkesën e Partisë Demokratike për çregjistrimin e kandidates së FRD-së në Bashkinë e Korçës. Pas dorëheqjes që kryebashkiaku Niko Peleshi dha disa javë më parë nga ky post, për t’u emëruar zv.kryeministër, aktualisht Bashkia e Korçës drejtohet nga nënkryetari.

Zgjedhjet e pjesshme vendore në këtë qytet priten të mbahen në datën tre nëntor, ndërkohë që subjektet zgjedhore vazhdojnë përballjet në KQZ për procedurat e ndjekura lidhur me mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti, kërkoi nga anëtarët e komisionit çregjistrimin e kandidates së Frymës së Re Demokratike, Brikena Zeneli, pasi nuk plotëson kushtet sipas ligjit për tu regjistruar dhe për të marrë pjesë në këtë garë. Pas debateve mes anëtarëve në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor, KQZ vendosi mosregjistrimin e kandidates së subjektit zgjedhor FRD, për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Korçë.

Niazi Kosovrasti

“S’mund të bëhet interpretim me fakt që duhen 714 mbështetës dhe jo 713, se po të kishte me 713 mbështetësish KZAZ-ja nuk duhet ta regjistronte. Mirë që lista me 714 mbështetës ka ardhur, por ligji thotë sill dhe 714 fotokopjet e kartave. Kjo duket sheshit që nuk kanë ardhur dhe anëtarët e Komisionit nr. 71 e panë këtë dhe thanë: e dimë ne këtë punë, katër anëtarë dhe morën vendimin dhe e regjistruan kandidaten që për mendimin tonë është në kundërshtim me ligjin. ne kërkojmë që KQZ, në përputhje me nenin 143 ne kërkojmë ndryshimin e vendimit të KZAZ-së dhe çregjistrimin e kandidates Brikena Zeneli, e mbështetur nga FRD për të mos qenë pjesë e kandidaturës në fletën e votimit, pasi nuk plotëson kushtet sipas ligjit për tu regjistruar dhe për të marrë pjesë në këtë garë”, – deklaroi përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti.

Ndërkaq, sekretari i FRD-së për zgjedhjet, Ervin Karamuço, kërkoi më tepër kohë për të plotësuar dokumentacionin përkatës, ndërkohë që në mbështetje të tij dolën edhe përfaqësuesit e mazhorancës në KQZ.

FRD

Kodi Zgjedhor nuk parashikon asnjë nen që flet për afatet kohore për zgjedhjet e pjesshme dhe ne ndodhemi para një afati shumë të ngushtë. Ju na keni lënë 10 ditë kohë për të plotësuar këtë dokumentacion që për ne shfaqte vështirësi të mëdha. Nuk janë 129, por janë 250 dhe po ecet me një ritëm të lartë për të arritur maksimumin e kërkuar. Ne kemi kërkuar më shumë kohë nga KZAZ, pasi Kodi ka një vakuum në këtë aspekt”, – deklaroi Karamuço një ditë më parë.

Kërkesën e tij e mbështeti edhe përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ, Genc Gjonçaj, i cili tha se kandidatët që ndodhen jashtë Kuvendit, e kanë më të vështirë ndjekjen e të gjitha hapave ligjore për mbledhjen e firmave.

Genci Gjonçaj

“Meqenëse përfaqësuesi i FRD-së i kërkoi KQZ-së akt më shumë kohë, nëse ai i sjell brenda 24 orëve ose 48 orësh 729 fotokopje të kartave të shoqëruar me nënshkrime, unë mendoj se kandidati s’ka pse të çregjistrohet, sepse kemi një kandidate të regjistruar. Duhet të kuptojmë që demokracia dhe zgjedhjet janë garë, dhe aq më tepër për zgjedhjet vendore kur individi është shumë më i rëndësishëm me cilësinë e jetës se qytetarëve që shkojnë dhe bëjnë zgjedhjen e tyre. Të mos qëndrojmë shabllon në këtë drejtim. KQZ të rrëzojë në këtë kërkesë, pasi jemi në një situatë jo të favorshme për shkak të afateve të ngushta. Nga pikëpamja e kandidatëve të pavarur dhe partive që nuk gëzojnë mandat në Kuvend këto janë procese shumë të vështira për shkak të mbledhjes së firmave”, – deklaroi Gjonçaj.

Vendimi i KQZ-së

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi Kërkesën Ankimore nr. 43, të subjektit, Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila kishte si objekt, kundërshtimin e vendimit të KZAZ-së nr. 71, “Për regjistrimin e kandidates znj. Brikena Zeneli, propozuar nga subjekti zgjedhor FRD, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë së Korçës”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 4 vota pro, vendosi pranimin e Kërkesës Ankimore nr. 43 për ndryshimin e vendimit nr. 5, të datës 4.10.2013 të KZAZ-së nr. 71, në Korçë dhe mosregjistrimin e kandidates së subjektit zgjedhor FRD, për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Korçë të datës 3.11.2013”, – thuhet në njoftimin për shtyp të KQZ-së.

 

Deklaratat e Ramës për ekonominë, Bode: Ogur shumë i keq për perspektivën e financave të vendit

Ish-ministri Bode: Rama sulmon financat, për të justifikuar mosmbajtjen e premtimeve

Ish-ministri i Financave Ridvan Bode akuzoi Kryeministrin Rama se po hap panik me qëndrimet e tij nda situatës ekonomike në vend me deklaratat e fundit të mbajtura në media. Sipas ish kreut të financave të vendit, mungesa e një programi të qartë nga ana e qeverisë që erdhi dhe zhvillimet kaotike, janë një ogur shumë i keq për perspektivën e ekonomisë shqiptare dhe kjo gjë duhet të mënjanohet sa më shpejt. Më herët Kryeministri Rama ka thënë se vendi ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike dhe kjo falë qeverisjes së djathtë.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, ish-ministri Bode paraqiti përmes grafikëve e tabelave atë që e cilësoi si punë të mirë të qeverisë “Berisha” në lidhje me financat e vendit, ndërsa akuzoi socialistët se po sulmojnë qeverinë paraardhëse për të justifikuar mosmbajtjen e premtimeve të fushatës. Lidhur me borxhin publik, Bode thekson se gjatë qeverisjes së demokratëve ka pasur rënie të përvitshme të kostos së borxhit dhe suficit të balancës primare të buxhetit.

“Rama sulmon financat e vendit për të larë duart përfundimisht me premtimet elektorale që e sollën në pushtet dhe për të krijuar parajsën e grupeve që e rrethojnë”, – deklaroi Bode.

Sipas ish-ministrit të Financave, “nga viti 2005 huamarrja është bërë për të financuar 100% investimet publike në ekonominë shqiptare. Kemi suficit të balancës primare të buxhetit”.

Ministri Bode tha se qeveria socialiste do të duhet të marrë 100 milionë dollarë hua, vetëm për të paguar shpenzimet qeveritare.

“Fryrja e administratës qendrore kërkon fonde shtesë. Që në këtë vit i themi përfundimisht lamtumirë periudhave të qeverisjes me suficit të balancës primare të buxhetit, pasi do të rritet deficiti buxhetor”, – deklaroi Bode.

Sipas Bodes, nuk ka borxh publik të fshehur, por Rama fsheh mungesën e një programi ekonomik. Sipas tij, deri në muajit Gusht huamarrja shkoi 8 miliardë, deri në fund të vitit 2013 ajo shkon në 9 miliardë. “Në fund të periudhës 8 mujore, kjo huamarrje ishte e nevojshme të shkonte kaq, pasi ishte vit elektoral, pati vonesa në thesar dhe po të zgjidhej ky problem, deficiti nuk do të kalonte 55 miliardë lekë”, – deklaroi Bode.

Sipas ish-ministrit, në fund të vitit të ardhurat do të jenë realizuar nën 90 për qind, rrjedhimisht deficiti do të rritet me rritjen e borxhit publik. “Mosrealizimi i 23 miliardë lekë të ardhurave dëshmon kaosin në administrimin fiskal, dëshmon gjendjen kaotike dhe mos marrjen e masave. Impakti në buxhet do të ishte më i ulët dhe vështirësitë do të kapërceheshin me një program të qartë, por ndryshimet janë bërë për të kënaqur interesat e oborrit të zotit Rama”, – tha Ridvan Bode.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency