Standard.al

Nëpunësi civil/ Sot në Kuvend, mazhoranca në provën e 84 votave

 

Florenc Drizari

basha-sequiMazhoranca pritet të përballet sot me provën e parë të 84 votave në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit aleanca e majtë mori 83 vende në Kuvend, ndërkohë që me kalimin e deputetit të PR-së, Luan Duzha, pak ditë më parë tek LSI, e majta ka kapur pragun e shumicës së cilësuar të votave.

Qeveria ka kaluar për votim në seancë plenare aktin normativ për shtyrjen e afateve të hyrjes në fuqi me 6 muaj të ligjit për nëpunësin civil. Votimi i këtij akti normativ me fuqinë e ligjit kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash në Kuvend, ndërkohë që kjo pritet të jetë edhe prova e parë e mazhorancës së majtë.

Që pas fillimit të kësaj legjislature Kuvendi i Shqipërisë nuk ka miratuar projektligje me shumicë të cilësuar votash, edhe pse Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori përtej votave me shumicë të thjeshtë.

Projektligjet

Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet paraditen e së enjtes rreth orës 10:00 në seancë plenare, ku përveç aktit normativ të qeverisë, në rend të ditës janë disa projektligje si nga qeverisja e djathtë ashtu edhe nga Këshilli i ri i Ministrave. Kështu Kuvendi pritet të votojë projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”. ky ligj prej dy vitesh ka hapur debate mes qeverisjes së mëparshme dhe shoqërisë civile. Aktualisht vendimi i qeverisë ndalon importin e mbetjeve. Një tjetër projektligj që pritet të votohet sot në Kuvendin e Shqipërisë është edhe drafti “Për masat kundër financimit të terrorizmit”.

Gjithashtu në Kuvend pritet të votohet edhe kandidatura e Sokol Çomos si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky propozim vjen nga Kuvendi për kupolën e drejtësisë.

Projektligje të tjera që pritet të shqyrtohen në seancën e së enjtes janë: Projektvendim “Për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për kryerjen e shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit vendas dhe të huaj”. Projektvendim “Për zgjedhjen e kryetarit të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë” (propozim i ekipit përzgjedhës). Të dy nismat kërkojnë shumicë të thjeshtë votash në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Takimi me kreun e BE-së në Tiranë, Sequi

Bojkoti i Kuvendit për “nëpunësin civil”, Basha: Nuk është zgjedhja jonë, por e mazhorancës

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e quajti një lëvizje të detyruar nga mazhoranca bojkotin e Kuvendit, dhe jo një zgjedhje të grupit parlamentar të PD-së dhe aleatëve të saj. Pas takimit që zhvilloi me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, dhe aleatët e djathtë, kreu i PD-së tha se u rikonfirmuan qëndrimet për aktin antikushtetues të ndryshimit të ligjit për nëpunësin civil. Duke iu përgjigjur interesit të medias, z. Basha tha se opozita do të vazhdojë përballjet me qeverinë në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Ndërkaq, akti normativ i qeverisë që shtyn efektet vepruese të ligjit për nëpunësin civil me 6 muaj kohë, pritet të votohet paraditen e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë. Miratimi i aktit normativ të qeverisë kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash, shumicë me të cilën drafti u votua me konsensus më datën 30 maj të këtij viti në Kuvend.

Lulzim Basha

Kryetari i PD-së, Basha: “Qëndrimi ynë në raport me aktin normativ është një refuzim i investimit të mazhorancës për të prishur klimën politike në vend, i investimit të mazhorancës për të shënuar precedentin e parë në 23 vjet pluralizëm të dhunimit të konsensusit. Nuk është zgjedhja jonë, është zgjedhja e tyre. Çdo shqetësim që kanë pasur, n.q.s. e kanë pasur të përligjur, mund ta kishin hedhur në tryezën e dialogut dhe të konsensusit, zgjodhën koburen e ndryshkur të aktit normativ për të asgjësuar konsensusin, dhe para kësaj natyrisht, opozita do të qëndrojë fuqishëm si mbrojtëse e denjë e interesave të vendit dhe demokracisë, interesa të cilave nuk mund t’u shërbehet as me arbitraritet as me abuzivitet, aq më pak me shkelmim të konsensusit dhe unanimitetit me të cilat u miratuan këto ligje”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Pas takimit me kreun e prezencës së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, Basha tha se pjesë e diskutimeve ishin pikëpamjet për të ndalur një përpjekje të përkeqësimit të klimës politike në vend, parë kjo si pjesë e një tabloje të përgjithshme që po ravijëzohet dita ditës.

“Edhe me lajmet e sotme, ku qeveria po sillet si një qeveri e zhbërjes jo thjesht e mosqeverisjes, por e zhbërjes së gjithçkaje dhe e mohimit të gjithçkaje të arritur kjo parë edhe në kuadrin e mungesës së transparencës së emërimeve, shkarkimeve abuzive, emërimeve antiligjore të bëra apo të pritshme në ditën e sotme në organizata të rëndësishme të shtetit siç është Policia e Shtetit, bëhet pra një shqetësim shumë i madh, jo për opozitën si përfaqësuese parlamentare, të vullnetit të çdo qytetari shqiptar për demokraci funksionale, por bëhet shumë shqetësues për të gjithë shqiptarët të cilët kërkojnë që pavarësisht se për kë kanë votuar, në çdo rotacion apo tranzicion, Shqipëria të shënojë hapa përpara dhe jo hapa pas”, – deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Lidhur me prishjen e konsensusit për ligjin e nëpunësit civil, Basha tha: “Ajo që e pret nesër Shqipërinë, dhunimi i konsensusit të 30 majit në mënyrë unilaterale, antikushtetuese nëpërmjet aktit normativ është një hap i qartë pas dhe një hap i cili do të trajtohet me vendosmëri të plotë nga opozita shqiptare që ka një qëndrim të unifikuar, qëndrim që u bë i qartë po ashtu edhe përfaqësuesit e Brukselit në vendin tonë, ambasadorit Sequi”.

 

Votimi i nëpunësit civil në Kuvend, Topalli: Ai që përmbys marrëveshjen, ka shpallur luftë

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e quajti shkelje të Kushtetutës në mënyrë flagrante votimin e aktit normativ të qeverisë për nëpunësin civil. Sipas Topallit, neni 83/3 i Kushtetutës ndalon Parlamentin të përdorë procedurën e përshpejtuar për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar dhe jo më qeverinë të hartojë akte normative për këto ligje.

“Drejt orës zero vërtet! Nuk njohin me ligjin, as institucione, as kompromise, as Shtetin!

Nesër votohet permbysja e konsensusit! Nesër votohet prishja e marreveshtjes ! Ne demokraci kjo eshte të kthehesh në pikën zero! Ai që permbys marreveshtjen ka shpallur luftë!

Neser ne Kuvend do shkelin Kushtetuten ne menyren me flagrante! (Neni 83/3 i Kushtetutes ndalon Parlamentin te perdore proceduren e pershpejtuar per miratimin e ligjeve me shumice te cilesuar dhe jo me Qeverine te hartoje akte normative per keto ligje).

Neser rilindja shkel vendimin e gjykates kushtetuese (vendimi nr 1/2013).

Neser qeveria merr pa te drejte funksionet ligjvenese te Kuvendit!! (vendimi nr 24, date 10/11/2006 gjykata kushtetuese)”, – shkoi një ditë më parë ish-kryeparlamentarja Topalli në rrjetin social “Facebook”.

 

 

 

 

Comments are closed.