Florenc Drizari
“Ky projekt u arrit që pas 11 vitesh mungesë vullneti të ish-kryebashkiakut Edi Rama dhe po ky projekt prishet po nga Rama”
Projekti për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë ka vënë sërish përballë kreun e mazhorancës, Edi Rama, dhe atë të opozitës, Lulzim Basha. Vendimi i së martës i Këshillit Kombëtar të Territorit për ndryshimin e vendimit nr. 2 të datës 29.5.2013, lidhur me xhaminë e Namazgjasë për lejen zhvillimore komplekse për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë dhe ndërtesës shumëfunksionale 3, 4, 6, 8 kate dhe 3 kate nën tokë, në kryqëzimin e rrugës “Xhorxh Bush” me bulevardin “Zhan Dark”, ka sjellë edhe reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryebashkiak i Tiranës. Sipas z. Basha, ky vendim anulon lejen e ndërtimit të xhamisë së madhe, për faktin se në këtë projekt janë përfshirë edhe interesat e pronarëve të truallit.
LULZIM BASHA
Gjatë një konference të mbajtur mbrëmjen e djeshme, pak orë pasi Kryeministri Rama deklaroi për anulimin e një pjese të projektit për ndërtesën shumëfunksionale, kreu i PD-së, Basha, tha se duke anuluar këtë pjesë të zhvillimit, ligjërisht është anuluar leja e ndërtimit të xhamisë së Madhe.
“Ky është de fakto dhe de jure, anulim i projektit të xhamisë së madhe. Godina polifunksionale ngrihet mbi truallin privat të pronarëve të truallit, të cilët në shkëmbim të lejes së zhvillimit të një pjesë të truallit, dhanë pjesën tjetër të truallit, atë 2000 metra katror për ngritjen e xhamisë së madhe të Tiranës. Duke anuluar këtë pjesë të zhvillimit, ligjërisht është anuluar leja e ndërtimit të xhamisë së madhe dhe faktikisht është pamundësuar ndërtimi i xhamisë së madhe ashtu siç ishte parashikuar. Pra, është anulim i projektit të xhamisë së madhe. Gjithçka tjetër është broçkull dhe gënjeshtër që u serviret shqiptarëve”, – deklaroi Lulzim Basha.
Sipas kreut të PD-së, ky projekt u arrit që pas 11 vitesh mungesë vullneti të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama dhe po ky projekt prishet, sipas tij, po nga Rama, por këtë herë me pushtetin e Kryeministrit. “Fatkeqësisht sot, de fakto dhe de jure është anuluar nga i njëjti person, tashmë i veshur me pushtin e Kryeministrit”.
PËR EKONOMINË
Më tej, në deklaratën e tij z. Basha foli për situatën ekonomike në vend, duke kritikuar qëndrimet publike që Kryeministri Edi Rama ka mbajtur për këtë çështje. Sipas Bashës, Rama me deklaratat e tij po shkakton panik te qytetarët, por kjo është më shumë e dëmshme tani sesa kur ishte në opozitë, tha Basha, për vetë rolin që kreu i PS-së ka tani në pushtetin ekzekutiv.
“Ka disa ditë që Kryeministri Rama po rreket të krijojë një imazh të degraduar të ekonomisë së vendit, të financave publike, pikërisht nëpërmjet mashtrimeve, shifrave të paqena, fakteve të fabrikuara.
Zoti Rama thotë se ekonomia shqiptare është në kolaps dhe më keq do të jetë.
Ne u themi qytetarëve shqiptarë se ekonomia e tyre, ndonëse nën shtrëngesën e fortë të darës së krizës evropiane dhe veçanërisht efekteve të ekonomive të vendeve fqinje, të Greqisë dhe Italisë, nuk ra asnjëherë në recesion gjatë viteve 2009-2012 e në vijim.
Edhe këta 6 muaj të vitit 2013 pati rritje pozitive dhe ishte vetë partneri i qeverisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili deklaron se rritja deri në fund të vitit 2013 do të jetë afro 2%, pra më e lartë vendet e tjera të Ballkanit.
Edi Rama thotë se të ardhurat fiskale kanë rënë në mënyrë drastike, për shkak të keqadministrimit nga qeveria mëparshme, veçanërisht në 8 muajt e vitit 2013.
Ne u themi sot qytetarëve shqiptarëve se të ardhurat fiskale (tatime+dogana) për këta 8 muaj të vitit 2013 kanë pasur një rënie prej 4,3%, krahasuar me njëjtin 8-mujor të vitit 2012. Kjo rënie ka ardhur si rezultat i një rritjeje ekonomike më të vogël këtë vit sesa vitin që shkoi, i efekteve në buxhet të lehtësirave fiskale të miratuara para zgjedhjeve dhe vazhdimit të rritjes së eksporteve shqiptare në krahasim me importet, çka sjell zvogëlim të TVSH-së neto në tregtinë ndërkombëtare të vendit”, – deklaroi kreu i opozitës nga selia e PD-së.
Zbardhet strategjia e PD-së ndaj mazhorancës
PD nis një proces transparence ndaj qytetarëve dhe ndërkombëtarëve për situatën ekonomike
Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lidhur me situatën ekonomike të vendit dhe qëndrimet publike të Kryeministrit Rama për këtë çështje, tha se ditët në vijim, përfaqësuesit e PD-së do të komunikojmë sistematikisht dhe do të komunikojmë drejtpërdrejt me qytetarët shqiptarë për faktet dhe shifrat, të detajuara për secilën nga çështjet e trajtuara më sipër në këtë komunikim.
Sipas Bashës, Edi Rama po zbaton strategjinë e tij të vetme, të nxirjes përmes gënjeshtrës.
“Duke manipuluar shifrat dhe duke ngatërruar konceptet elementare ekonomike dhe fiskale, Edi Rama, me qëllimin e qartë që të përshkruajë situatën shumë të keqe në krahasim me gjendjen e vërtetë synon:
•Së pari: të shesë për sukses për njëfarë kohe përmirësimin virtual të gjendjes, ndërkohë që ajo sot për sot është shumë më stabël sesa tabloja e kobshme, por false që ai pikturon çdo ditë para shqiptarëve.
•Së dyti: të krijojë një rezervë të padukshme dështimesh me probabilitet 95% siç i thanë ekspertët ndërkombëtarë që vetë i ftoi në konferencën e Partisë Socialiste, pra të krijojë brezin e sigurisë së dështimit.
•Së treti: më shqetësuesja për shqiptarët, të krijojë një mekanizëm për mundësi abuzimi me fondet publike, me taksat, me doganat e shqiptarëve në favor të klientelës dhe nëpërmjet këtij mekanizmi të mbajë peng bizneset dhe mediat”, – deklaroi dje Lulzim Basha. Duke e mbyllur fjalën e tij, kreu i PD-së tha: “Do të bëjmë çmos ta ruajmë ekonominë nga paniku që po shkakton vetë Kryeministri, por s’marrim dot përsipër të kurojmë vesin e gënjeshtarit, psikikën e frikacakut dhe paaftësinë evidente të zotit Kryeministër”.
Pesë kryeparlamentarët e Ballkanit Perëndimor takohen në Budapest, mes tyre edhe Meta
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, merr pjesë në konferencën e gjashtë të kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, e cila po zhvillohet në Budapest, me nismën e Kryetarit të Parlamentit të Hungarisë, László Kövér.
Pjesëmarrës në këtë konferencë janë Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko; Kryetari i Parlamentit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi; Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski; Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Nebojsa Stefanovic; Kryetari i Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Ognjen Tadic, si dhe të ftuar të tjerë nderi.
Integrimi i vendeve të Ballkanit perëndimor në BE, rezultatet dhe aspiratat, si dhe bashkëpunimi i vendeve të rajonit mbi politikat e sigurisë së rajonit janë dy temat në të cilat do të fokusohen punimet e konferencës. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë do të jetë folës kryesor në seancën e dytë të punimeve me temë “Bashkëpunimi mbi politikat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor: Kontributi për stabilitetin evropian”. Gjatë punimeve të konferencës, pritet që Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, të zhvillojë një sërë takimesh me homologët e tij të rajonit të Ballkanit Perëndimor.