Procesi / Gjykata i afron Dajtit të zgjedhë një avokat, do të paguhet nga Komisioni i Ndihmës Juridike

0
116

Sonja Caka

I pandehuri e quan mashtrim, ndërsa kërkon t’i vihet në dispozicion marrëveshja. Lëshon akuza ndaj trupës gjyqësore për dështim të procesit

 

Dritan-Dajti-320x240-1Avokati që do të zgjedhë Dritan Dajti për ta mbrojtur në vijimësi do të paguhet nga Komisioni i Ndihmës Juridike, i cili ka ofruar një vleftë financiare për një nga lista e avokatëve penalistë. Por, vetë i pandehuri e ka komentuar këtë vendim, duke akuzuar trupën gjyqësore për mashtrim dhe duke e akuzuar se nuk ka dijeni për një marrëveshje të tillë. Ai kërkoi nga togat e zeza t’i vihet në dispozicion kontrata e nënshkruar dhe vlera monetare e ofruar. Ndërkohë që, Dajti ka vijuar edhe me akuza të tjera, duke akuzuar gjykatën si përgjegjëse për dështimin e procesit gjyqësor. Sipas tij, në asnjë nen të ligjit nuk i atribuohet e drejta e zgjedhjes së mbrojtësit, të pandehurit.

Gjykata

“Gjykata mbi bazën e marrëveshjes së bërë me Dhomën Kombëtare të Avokatëve Penalistë i ka vënë në dispozicion të pandehurit listën e avokatëve për të zgjedhur. Ky vendim është marrë në fund të shkurtit dhe për këtë shkak janë shtyrë edhe dy seanca gjyqësore. Pas zgjedhjes që do bëhej nga i pandehuri, do hartohej dhe kontrata në lidhje me pagesën që do të bëhej nga Komisioni për Ndihmë Juridike”, – është përgjigjur gjykata. Ndërkohë që, i pandehuri e ka kundërshtuar këtë fakt, duke u shprehur se nuk është në dijeni të një kontrate të tillë dhe ende nuk ka informacione sesa është vlefta financiare. Dajti ka sjellë shembullin e mbrojtësit Ndue Pjetra duke i kërkuar shpjegime gjykatës pse u rrëzua kërkesa e avokatit për shpërblim. Sipas të pandehurit, veprimet e gjykatës janë të qëllimshme duke krijuar një proces gjyqësor abuziv. “Nuk ka asnjë marrëveshje dhe nuk kam bërë një të tillë. Ju thoni se komisioni ka ofruar para për avokatët, por nuk kam dijeni sesa lekë ka ofruar dhe as sesi është marrëveshja. Ka qenë avokat Ndue Pjetra që ka ardhur dhe iu ka kërkuar shpërblim, por ju e rrëzuat kërkesën e tij dhe avokati u largua. Në këtë rast, nuk u ofruan para nga komisioni për pagesën e tij. Ju qëllimisht e bëni këtë sjellje për të fshehur të vërtetën se ky proces po dështon. Ju po mbani anën e prokurorisë duke rrëzuar çdo kërkesë timen. Më lind e drejta të mendoj se ky proces është abuziv edhe pse i jam i pandehur, ju merrni vendime dhe prokuroria nuk zbaton ligjin. Prokuroria më akuzoi se po bëj kërkesa të paligjshme, ndërkohë që për çdo rast unë citoj nenet. Vendimi i kontratës nuk është i bazuar në ligji dhe ju më tregoni nenin ku unë si i pandehur duhet të zgjedh avokat kryesisht”, – është shprehur Dajti, duke replikuar dhe kundërshtuar fjalën e kryesuesit të trupit gjykues.

Reagimi

Më pas i pandehuri është larguar, duke shkëmbyer replika me prokurorin, i cili e ka ftuar të qëndrojë dhe të dëgjojë edhe përgjigjet për kërkesat e tij. “Ti mund të rrish dhe të dëgjosh çfarë do të thuhet duke vendosur vazhdimin e procesit”, – është shprehur prokurori. “Po patjetër, ja po kthehem po dëgjoj”, – iu përgjigj i pandehuri Dajti. “I pandehur deklarove se do të largoheshe”, – ka qenë reagimi i gjykatës, e cila i kujtoi se kishte deklaruar më parë se do largohej nga seanca. “Mund të kthehem sa herë që unë dua. Ju falënderoj për vëmendjen, shihemi në seancën tjetër”, – është shprehur i pandehuri duke u larguar nga salla e gjyqit. Pas largimit të të pandehurit, nga ana e prokurorit është kërkuar që të njoftohet Dhoma e Avokatisë, pasi po bëhet shkak për shtyrjen e seancave gjyqësore. “Nga ana juaj, i pandehuri lejohet të bëjë deklarata dhe ju ia lejoni. Ndërsa pa pyetur askënd, ai ikën duke bërë lajme vetëm për median. Të vihet në lëvizje Dhoma e Avokatisë, pasi avokatët po bëhen shkak për shtyrjen e seancës”, – replikoi me trupën gjyqësore prokurori i çështjes.

 

 

Ministria e Drejtësisë

Hipoteka e Burgje, ministri emëron në krye Ilirian Muhon dhe Artur Zoton

Ministri i Drejtësisë ka shkarkuar nga funksionet drejtues ish-krerët e ZRPP-së dhe Burgjeve, duke emëruar në krye të tyre Ilirian Muhon, si kryeregjistrues i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Artur Zoto, si kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kryeregjistruesi Muho njihet së fundmi si një prej anëtarëve të KQZ-së, i zgjedhur si përfaqësues i LSI-së dhe si shkaku për të cilin lindi debati në këtë institucion, pas largimit të tij si anëtar. Ndërkohë që edhe Zoto, kreu i ri i burgjeve njihet për karrierën e gjatë në nivele drejtuese në Policinë e Shtetit, si dhe për kualifikimet e bëra në Mbretërinë e Bashkuar ndër vite. Gjatë viteve 2006-2013, Zoto ka punuar si koordinator Kombëtar i Luftës kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike; specialist për Hetimin e Aseteve Kriminale; specialist në Sektorin e Planifikimit Strategjik; shef i Sektorit kundër Trafikimit; specialist në sektorin kundër Lëndëve Narkotike, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërsa në vitet 2005-2006, ka qenë anëtar i grupit të punës për zhvillimin e strategjisë 7-vjeçare të Policisë së Shtetit (2007-2013), atashuar pranë misionit PAMECA.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency