Elton Qyno
Zbardhet skema e vjedhjes në Ministrinë e Punës. Dy në pranga, ish-sekretari dhe drejtori i kabinetit në kërkim
Ish-sekretari i Përgjithshëm, Murat Mehmeti, ish-shefi i kabinetit Klevis Bitro, dhe dy ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Punës, janë arrestuar për akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Zyrtarët e lartë të këtij dikasteri mendohet se kanë abuzuar me 200 milionë lekë të vjetra, duke organizuar festa fiktive të 8 Marsit, festa me fëmijë dhe evenimentesh të tjera me persona në nevojë dhe të gjitha paratë që paraqiteshin sikur të ishin shpenzuar në këtë festa, në fakt vidheshin nga zyrtarët e ministrisë. Një praktikë e tillë është përdorur në dhjetëra raste, ku ish-drejtori i kabinetit Kleves Bitro, ish-sekretari Murat Mehmeti dhe dy zyrtarë të tjerë të financës, Besmir Dema dhe Ilir Ibrahimi, organizonin festa fiktive dhe më pas të gjitha të ardhurat ia kalonin në shërbim të vetvetes.
Takimet imagjinare
Pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, njësia hetimore ka nisur hetimet për personat e dyshuar. Për rastin në fjalë, njësia hetimore task-forcë ka nisur hetimet rreth 6 muaj më parë dhe se dyshimet janë se personi që është kallëzuar ka përdorur një skemë, për të vjedhur lekët e buxhetit të shtetit. Kështu, del se Kleves Bitro organizonte festa imagjinare, si festën e fëmijëve, të nënës dhe takime të tjera, duke mos përpiluar asnjë listë të ftuarish apo dhe foto me pjesëmarrjen dhe zhvillimin e aktivitetit. Shumë nga këto raste janë kryer në mënyrë fiktive, që më pas i kanë hapur rrugën depozitimit të dokumenteve në degën e financës së ministrisë, për tërheqjen e parave. Shumat variojnë në shifra të ndryshme, por ajo që dyshohet është se Kleves Bitro ka bashkëpunuar me persona të tjerë, me qëllim marrjen e këtyre shumave financiare. Në fillim të hetimeve i vetmi i dyshuar për vjedhjen e lekëve nga buxheti i shtetit është shefi i kabinetit Kleves Bitro, ndërkohë që pas hetimeve të kryera kanë rezultuar se në këtë skemë kanë marrë pjesë dhe persona të tjerë, ku aktualisht dy prej tyre si Besmir Dema dhe Ilir Ibrahimi, janë arrestuar nga policia e Tiranës, ndërkohë që dy njerëzit kryesorë Kleves Bitro dhe Murat Mehmeti janë shpallur në kërkim.
Katër të pezulluar
Për abuzimet me fondet publike, Gjykata e Tiranës ka vendosur të pezullojë nga detyra dhe katër persona të tjerë të Ministrisë së Punës, pasi dyshohet se janë pjesë e skemës të abuzimit. Mes këtyre të katërve bëhet fjalë dhe për një femër e cilat organizonte në shumicën e rasteve takimet. Aktualisht hetimet për këtë çështje, janë duke vijuar me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aferë, ndërkohë që akuzat ndaj tyre janë ngritur për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimit të dokumentacionit”.
Jurgen Masati shpalli vdekjen e Berishës në “Top Channel”
Arrestohen 5 anëtarë të “Albanian Hackers Group”, kryen klonimin e 130 kartave bankare
Pesë anëtarë të grupit të ashtuquajtur “Albanian Hackers Group”, që kryen veprimtari kriminale në fushën kompjuterike, janë arrestuar nga policia e Tiranës falë një hetimi disa mujor. Mes të arrestuarve është dhe shtetasi Jurgen Masati, i cili është kapur në 12 shtator të këtij viti si autori i sulmit të faqes së internetit të “Top Channel”, ku kishte shkruar “Vdes Sali Berisha”. Arrestimet e mësipërme janë realizuar gjatë operacionit policor me emrin e koduar “Dark web”, që u organizua në të njëjtën kohë në rrethet Tiranë, Fier, Elbasan dhe Vlorё. Në përfundim të operacionit u arrit të arrestoheshin Arif Kasa, vjeç 21, banues në Elbasan; Enea Xhani, 18 vjeç, banues në Domje të Tiranës, Aldo Ymeraj, 20 vjeç, banues në Fier. Po ashtu janё shpallur në kërkim shtetasit e mitur me inicialet M. Sh. 17 vjeç dhe F. H. 17 vjeç. Veprimtaria hetimore për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të kryer nga personat e dyshuar, ka zgjatur për një periudhë më shumë se 1 vit dhe është shtrirë në katër qarqe të vendit, Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Fier. Në interes të hetimit janë administruar zyrtarisht fakte që lidhen me aktivitetin e paligjshëm, nga kompani ndërkombëtare të shërbimeve në internet si “Facebook”, “PayPal”, “Gmail” etj. Bazuar në këto hetime Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për ndërprerjen e aktivitetit kriminal të kryer prej tyre. Në funksion të këtij hetimi më datë 12 shator 2013 u arrestua edhe shtetasi Jurgen Masati, si pjesëtar i këtij grupi. Të akuzuarit si pjesëtarë të grupit të ashtuquajtur “Albanian Hackers Group” dyshohet se në bashkëpunim me njёri-tjetrin janë implikuar në thyerjen e paligjshme të faqeve elektronike të subjekteve të ndryshme shtetërore apo private dhe vjedhjen e bazave të të dhënave të administruara në këto sisteme kompjuterike, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen në sistemin kompjuterike të disa subjekteve televizive në vend. Thyerjen dhe vjedhjen e paligjshme të të dhënave të aksesit nëpërmjet teknikave të paligjshme kompjuterike për të realizuar hyrjen e paautorizuar kompjuterike në profilet e përdoruesve të ndryshëm të rrjeteve sociale dhe kompanive të shërbimit të postës elektronike si “Facebook”, “YAHOO”, GMAIL” etj, me qëllim përfitim personal. Vjedhjes nëpërmjet teknikës “phishing” dhe përdorimin e paligjshëm me qëllim përfitimi personal e të dhënave, të të paktёn 130 kartave bankare, të cilat janë lëshuar nga banka shqiptare dhe të huaja për klientët e tyre, duke kryer blerje në dyqane elektronike në Internet, të mallrave dhe shërbimeve, bileta udhëtimi, etj. Shuma e pёrfituar nga kёto veprime arrin deri nё 12 500 euro. Klonimin e kartave bankare duke pёrdorur pajisje artizanale pёr kryerjen e saj.