Gjykatë/ Dënohen 2 të rinj, kryenin vjedhje të çantave me motor

0
241

vjedhjeDy të rinj janë dënuar nga Gjykata e Tiranës, pasi vidhnin çanta duke përdorur një motor, ndërsa janë dokumentuar dhe provuar të paktën katër episode. Gjykata dënoi me 1 vit e katër muaj të pandehurin Saimir Popshini, ndërsa me tetë muaj burg të pandehurin tjetër Zhenklaudio Sallaku. Sipas vendimit të gjykatës, procedimi ndaj dy të rinjve është regjistruar në mars të këtij viti, ndërsa ishin kthyer prej disa kohësh në tmerr të vjedhjeve të çantave me motorë. Dy të rinjtë i kanë vjedhur çantën një shtetasi danez, në rrugën midis Bulevardit “Dëshmoret e Kombit” dhe Pallatit të Kongreseve. Të dy të pandehurit kanë qenë të hipur në një motor tip “Honda” dhe pasi i janë afruar danezit Olst, i cili ishte në ecje e sipër, i kanë tërhequr çantën e dorës duke ja marrë atë dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. I dëmtuari ka pasur në çantë një pasaportë daneze, një kartë viza, një sasi prej 100 koronash daneze, 16 copë kuponë 10 litërshe për furnizim me naftë pranë firmës “Elda”, si dhe sende të tjera personale. Ndërkohë që vetëm dy ditë më pas, dy personat u zbuluan pasi tollonat i kishin shitur dhe personi që i kishte blerë kishte shkuar për te karburanti për të furnizuar makinën. Gjatë realizimit të vjedhjes, motorin e ka përdorur i pandehuri Popshinin, ndërsa shtetasi Sallaku kryente vjedhjet. Po të njëjtin veprim vjedhjeje me motor kanë realizuar edhe në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, përballë Hotel “Dajti”, duke i vjedhur çantën e dorës shtetasit Fetah Bytyçi. Kanë qenë dy efektivë policie dhe vetë i dëmtuari që kanë identifikuar motorin dhe veshjet e dy autorëve. Gjithashtu, po këta dy të pandehur, në rrugën “Bardhok Biba”, sikurse edhe në dy rastet e mësipërme, i kanë vjedhur çantën e dorës shtetasit Gentian Kasmi. Dy të pandehurit kanë tentuar të tërheqin para nga një bankomat, pamje që janë tërhequr nga njëra prej bankave të nivelit të dytë, por që edhe janë pranuar si fakte nga vetë të pandehurit. Rasti më i fundit i përket një tjetër vjedhje pranë tregut “Fruta-perime”, ku dy të pandehurit i kanë vjedhur çantën e dorës shtetasit Veli Haklaj. Për çdo rast, sipas vendimit të gjykatës, dy të pandehurit sendet e vjedhura i kanë ndarë midis tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency