5 ndërhyrjet më brutale në historinë e futbollit

0
150

Jurges Veizaj

Bota e futbollit, përveç spektaklit që jep dhe bukurisë së lojës, ka edhe anët negative të saj. Ndërhyrjet në futboll janë edhe një ndër problemet më të mëdha me të cilat përballen sot lojtarët. Ramsei, Eduardo janë disa nga viktimat e këtyre ndërhyrjeve

 

article-0-0A688777000005DC-205_468x442Që në fillimet e tij futbolli është i njohur jo vetëm për bukurinë si lojë, por edhe për luftën e ashpër fizike. 22 lojtarë në fushë që dy luftojnë për një top. Një detyrë jo e thjeshtë ku shpeshherë ata detyrohen të dalin nga vetja për të marrë atë që duan. Ndërhyrjet fizike janë edhe një element kyç mbi të cilin bazohet futbolli. Por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet në këto ndërhyrje. Kjo, pasi lojtarët edhe për shkak nervash, por edhe për shkak të lojës, detyrohen që të bëjnë konfrontime fizike që dëmtojnë kundërshtarin. Me qëllim apo jo, këto cilësohen si brutale dhe lënë shumë herë pasoja te viktimat e këtyre ndërhyrjeve. Në këtë shkrim do t’ju paraqesim disa prej ndërhyrjeve më të rënda në historinë e futbollit. Nga viktima si Diego Maradona deri te Ksavi Alonso në ditët e sotme. Pasioni i njeriut për diçka shpeshherë të detyron të kryesh veprime që ti nuk i dëshiron. Në të njëjtën natyrë janë edhe këto faulle që shpeshherë kanë marrë dënimin e merituar.

 

Shaukros – Ramsei

27 shkurt 2010

Stoke – Arsenal

Ramsei sot po diskutohet shumë. Kjo, për shkak të formës së mirë që po shfaq lojtari me skuadrën e Arsenalit. 22-vjeçari cilësohet si talent dhe po ndihmon shumë në ecurinë e skuadrës. Mirëpo kur ishte vetëm 19 vjeç, lojtari pësoi një dëmtim nga ato që shikojmë nëpër filmat horror. Gjatë një ndeshjeje në vitin 2010 kundër Stoke në një aksion në mesfushë, mbrojtësi Ramsei zotëronte topin, por afër është mbrojtësi Shaukros. Lojtari kërkon që të gjuajë topin, mirëpo hapja e këmbës së tij përfundon në këmbën e Ramseit. Goditja i nxjerr nga vendi një pjesë të kockës së këmbës, duke tmerruar lojtarët në fushë, por edhe tifozët. Mbrojtësi dënohet direkt me të kuq, ndërsa gjithçka duket se ka marrë përmasat e një drame. Lojtarit iu deshën tri vite që të kthehej në fushë në formën e tij, pasi pati edhe shumë probleme mentale, porsa i përket hyrjes në fushë përsëri.

 

 De Jong, kung-fu ndaj Ksavi Alonsos

Një ndër ndërhyrjet më të rënda ishte ajo e De Jongut kundër Ksavi Alonsos. Një ndërhyrje që është komentuar shumë jo vetëm në ndeshje, por edhe pas saj duke u cilësuar si jo brutale. Faulli i rëndë i holandezit ndodhi gjatë finales së botërorit në vitin 2010. Gjatë një aksioni në mesin e fushës mesfushori holandez për të kapur topin që nuk ishte në një lartësi të madhe ngre këmbën dhe godet në gjoksin e Ksavi Alonsos që po kërkonte gjithashtu të zotëronte topin. Një ndërhyrje nga ato tipiket që kryhet vetëm në “wrestling”. Goditja e përplasi në tokë spanjollin që përveç goditjes pëson dhe një tronditje në rënie duke dale jashtë fushave. Fatmirësisht lojtari i Real Madrid u rikthye dhe Spanja fitoi kupën e botës. Një ndërhyrje brutale, por që fitorja në fund i shëroi të gjitha.

 

Goikoçea – Maradona

Barcelona – Atletik Bilbao 1983

Diego Armando Maradona shpeshherë ka qenë viktimë e ndërhyrjeve të rënda ndaj tij. Kjo, pasi argjentinasi kishte aftësi dribluese shumë të mira dhe nuk linte top që t’i shkëputej nga këmba. Betejat e tij me Xhentilen apo Mateusin tregonin aftësinë e lojtarit që kishte në lojë. Mirëpo edhe magjistari ka pasur problemet e tij. Gjatë sfidës në vitin 1983, Barcelona kryesonte në rezultat. Maradona driblon lojtarët e Atletikos, mirëpo aty do të gjendej Goikoçea që duke parë edhe rezultatin bën një ndërhyrje të egër ndaj argjentinasit në këmbë, duke i shkelur me rrëshqitje kaviljen dhe duke rrëzuar në tokë. Kjo ndërhyrje e nxori lojtarin me barelë jashtë fushe, ndërsa arbitri i jep dënimin e merituar lojtarit të Atletikos për këtë faull.

 

Teilor – Eduardo

Noruiç – Arsenal

Viti 2008

 

Një ngjarje që nuk harrohet lehtë ishte edhe ndërhyrja që është bërë ndaj Eduardos. Braziliani në atë kohë luante te Arsenali dhe atëherë mbahej si një talent dhe që tregonte vazhdimësi në skuadrën e Vengerit. Mirëpo shumë gjëra do të prisheshin kur gjatë një ndeshje me Noruiçin lojtari do të pësonte një ndërhyrje. Mbrojtësi Teilor, duke parë Eduardon që ishte duke marrë topin, ndërhyn në mënyrë të paqëllimshme drejt topit. Mirëpo shpejtësia e topit ishte e madhe dhe këmba e shtatlartit shkon drejt e në këmbën e lojtarit. Ndërhyrja e rëndë i thyen këmbën lojtarit dhe për një vit braziliani nuk aktivizohet në fushë për shkak dëmtimi. Kështu mbyllet edhe aventura e tij te klubi anglez. Tashmë Eduardo është rikuperuar dhe luan te Shakhtari, por ndërhyrja e mbrojtësit Teilor ishte një skenë “horrori” që i solli shumë probleme.

 

Materaci – Ibrahimoviç

Juventus – Inter

Viti 2005

Kur bëhet fjalë për Zllatan Ibrahimoviçin gjithmonë ka konflikt. Mirëpo kësaj radhe suedezi është viktima. Gjatë kohës kur luante te Juventusi, kishte një rivalitet shumë të madh midis Juves dhe Interit. Në një aksion afër zonës së Interit, lojtari i Parsi Sen Zhërmenit merr topin dhe bëhet gati të driblojë. Por Materaci gjendet afër dhe i ndërhyn drejt e në këmbë për ta dëmtuar. Duke e gjykuar dhe nga temperamenti i italianit ishte një ndërhyrje që meritonte të kuq, por që gjyqtari mjaftohet me të verdhë. Mirëpo lufta midis dy lojtarëve nuk do të përfundonte me kaq, pasi Zllatani do të kërkonte hakmarrjen. Kësaj radhe sulmuesi ishte te skuadra e Milanit. Pothuajse në të njëjtin pozicion gjendej suedezi, ndërsa Materaci gjendej përballë. Duke parë topin në ajër Ibrahimoviç ngre këmbën, duke e qëlluar në bark Materacin, që dëmtohet keq duke rënë në tokë dhe u detyrua të dilte jashtë fushave. Ish-sulmuesi i Barcelonës e bëri hakmarrjen e tij, edhe pse u duk si e paqëllimshme.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency