Standard.al

E djathta? Destinacioni: e ardhmja

Alba Kepi

Është koha për të kuptuar se historia është histori dhe politika është politikë, por pa harruar asnjëherë se ka vlera të tilla të shenjta me të cilat e djathta shqiptare nuk mund të negociojë kurrë. “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për brezat e ardhshëm”, – shprehej shpesh Alcide de Gasperi, politikani italian, mbështetësi më i madh i planit “Schuman” e një prej themeluesve të idesë së Bashkimit Evropian. Thonë se ia ka huazuar amerikanit James Paul Clarke, fakt është se mbi të, De Gasperi ndërtoi trashëgiminë e një politike të kryer mirë, politikë e cila kontribuon e preokupohet se ç’do t’i përcjellë së ardhmes.

Thuhet gjithashtu se e djathta shqiptare është në vështirësi, e vërtetoi edhe vota e 23 qershorit, por sigurisht që nuk është rezultati elektoral që do të përcaktojë fatin e saj, është koshienca e të djathtëve që do mund ta kualifikojë atë. Na e kanë lënë amanet prindërit e ua kemi detyrim fëmijëve.

Lidershipi mund të ndryshojë e të ndërrohet qetësisht, çështja kryesore e së djathtës sot është e ardhmja.

E djathta shqiptare nuk ka më kohë për pritje, ka të domosdoshme një rrugë përshkrim të së ardhmes, kryer me arsyetim politik e vlera. Ndihet nevoja e një politike të kryer mirë, natyrisht këtu nuk flitet veç për të djathtën, por për krizën e një sistemi në përgjithësi. Ndihet nevoja e një politike, aftësia e së cilës të mos bindë të votojë vetëm gjysma e popullsisë e mes tyre jo pak skllevër të interesit (kjo nuk është politikë). Duhet rikthyer vëmendja e të flitet më shpesh për meritokracinë, për t’u dhënë një sinjal brezave të rinj, për t’u dhënë një shpresë të djathtëve të ardhshëm.

Në kohët kur e djathta qe e padiskutueshme (flas për vitet e para të demokracisë), madje edhe në kohët e një ekstremizmi ekstrem, përgjigjet që jepte politika e mirë e së djathtës ndalonte që konfrontimi ideologjik të shndërrohej në një luftë sociale. E sot ka një rrezik të kësaj tendence. Është koha për të kuptuar se historia është histori dhe politika është politikë, por pa harruar asnjëherë se ka vlera të tilla të shenjta me të cilat e djathta shqiptare nuk mund të negociojë kurrë e as për një votë në Parlament. E, ndoshta edhe një nga arsyet që zgjedhjet degjeneruan në humbje.

E djathta shqiptare sot ka nevojë për kurajo, kurajo për të mbrojtur një politikë të kryer mirë, pa scoop-in e një kartele elektorale apo për të mbështetur ambiciet e një parlamentari. Kurajo për të pranuar gabimet, kurajo për të pranuar limitet personale, por edhe për t’u dorëhequr, drejtor, ministër o deputet qofsh.

Veteranët e së djathtës e kanë të domosdoshme të konfrontohen për të kuptuar vullnetin e përbashkët në të mirë të kësaj force politike. Kontributi i tyre është vënia në dispozicion e përvojës personale e që duhet të shërbejë vetëm për t’u përcjellë dëshminë brezave të ardhshëm e jo për të rregulluar hesape elektorale. Rrugëpërshkrimi i së ardhmes së të djathtës shqiptare ka nevojë për qartësi, transparencë e mbi të gjitha aftësi. Aftësi për të mbledhur rreth vetes njerëz me vlera që mund t’u japin një shpresë të përditshme të gjithë atyre që sot nuk ndihen të paprezantuar nga asnjë forcë politike.

E djathta e së ardhmes duhet të gjejë thjeshtësinë me të cilën u krijua, deri në përulje ndaj militantëve, elektoratit. Kush lind i djathtë, mbetet i djathtë e kjo është një tjetër vlerë e panegociueshme, nuk janë fjalët, idetë e një lideri që i konservojnë shpirtin e tij politik. Çdo i djathtë shqiptar ka një histori të tij, pasuri autentike e kësaj lëvizjeje politike e që duhet të prezantojë, pa dyshim, një frymëzim për çdo demokrat të ri, duke ia dorëzuar domosdoshmërisht si trashëgimi.

E djathta shqiptare nuk duhet absolutisht të jetë më kurrë një rast për t’u sistemuar mirë dikush. Sigurisht dyert nuk i mbyllen askujt, por gjithkush duhet ta fitojë me impenjim e kontribut pasaportën për të bërë politikë.

E ardhmja e së djathtës shqiptare duhet të ketë një përparësi absolute, kulturën e kombit. Duhet të frymëzojë një subjekt politik, me frymëmarrje kombëtare, rrënjëzuar në territor, demokratike, reformiste në fushat social-ekonomike e konservatore në vlerat e saj.

Koshienca na kërkon një të ardhme për të djathtën. Na e kanë lënë amanet prindërit e ua kemi detyrim fëmijëve.

Comments are closed.