“Deloitte & Touche” dhe “Crown Agent”, auditues pa tender

0
125

Ervin Kaduku

 “Deloitte” ka përvojë në Shqipëri, pasi ka kryer auditimin e piramidave financiare, “Crown” asiston qeverinë në procese të ndryshme arbitrazhi

 

Deloitte & ToucheJanë përzgjedhur pa asnjë lloj tenderi apo gare publike nga qeveria shqiptare paraprakisht “Deloitte & Touche” dhe “Crown Agent” si dy kompani të njohura ndërkombëtare që do të asistojnë qeverinë për realizimin e auditimit të borxheve që shteti u ka kompanive, të cilat kanë kryer punë publike, si dhe për shërbimin e asistencës në fushën e doganave dhe tatimeve. Nga Ministria e Financave nuk bëhet e ditur që të jetë zhvilluar asnjë lloj procesi të tipit të garës publike për përzgjedhjen e tyre.

“Deloitte” ka përvojë në Shqipëri, pasi ka kryer auditimin e piramidave financiare, ndërkohë që “Crown” është pajtuar edhe nga qeveria “Berisha” për procese të ndryshme arbitrazhi. “Deloitte” në fakt është përfolur për vlerësime jorealiste të aseteve të piramidave financiare që falimentuan në vitin 1997, por ajo ua ka ngarkuar përgjegjësinë për të gjitha defektet qeverisjeve socialiste, duke nisur nga ajo “Nano”, e cila caktoi administratorët e firmave mashtruese, që i shitën me kosto shumë të ulët asetet që ishin paguar me paratë e shqiptarëve. Shumica e atyre kanë rënë në duar të pushtetarëve socialistë ose tek njerëzit pranë tyre.

Pas pak ditësh, pritet të përzgjedhjet, me prokurim të drejtpërdrejtë, një nga këto dy kompani të njohura në tregun ndërkombëtar në fushën e auditimit dhe këshillimit. Por, mund të zgjidhen edhe të dyja, me detyra të veçanta, theksuan burime nga Financat.

Punonjës dhe drejtues të këtij dikasteri kanë nisur tashmë hartimin e projekt-kontratave, që do të lidhen me këto dy kompani, ku do të përcaktohet kostoja për shteti shqiptar dhe afatit që do të kenë ato për një pasqyrim real të financave publike.

Qeveria “Rama” ka vendosur të ngrejë një grup pune për Shërbimin e Auditimit të Borxhit të krijuar që institucionet shtetërore i kanë subjekteve vendase apo të huaja për shërbimet e kryera, si dhe për shërbimin e asistencës në fushën e doganave dhe tatimeve.

Edhe pse në vend ka disa struktura auditimi, duke nisur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ato nuk kanë kapacitetet dhe përvojën e duhur profesionale për të realizuar një proces të tillë. Ndërkohë, të huajt është thënë se merren në këtë detyrë, pasi mendohet se do të jenë më të paanshëm në këtë proces, ndryshe nga audituesit shqiptarë, që mund të ndikohen.

 

 

INSTAT: Shqiptarët ulin shpenzimet për udhëtime jashtë

 

Shqiptarët kanë vijuar që të rrudhin dorën kur vjen puna për të shpenzuar për udhëtime jashtë vendin edhe në tremujorin e dytë, ndonëse vihet re një përmirësim i lehtë në raport me tremujorin e parë të vitit, ndërsa situata mbetet e njëjtë më vitin e kaluar. Nga ana tjetër, ata po preferojnë të udhëtojnë vetë, duke shmangur agjencitë. Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT në statistikat afatshkurtra të tremujorit të dytë 2013.

Transporti ajror

Shifra e afarizmit në Transportin ajror vlerësuar me çmime korente ka shënuar rritje prej 0.4 për qind në tremujorin e dytë 2013 ndaj tremujorit të dytë2012. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës ky tregues është rritur 17.4 për qind.

Agjencitë e udhëtimit

Shifra e afarizmit në Agjencitë e udhëtimit është ulur me 11.7 për qind në tremujorin e dytë 2013 krahasuar me tremujorin e dytë 2012. Ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 9 për qind.

Transporti hekurudhor

Shifra e afarizmit në Transportin hekurudhor e vlerësuar me çmime korente ka shënuar rritje prej 6.5 për qind në tremujorin e dytë 2013 krahasuar me tremujorin e parë 2012 ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës ky tregues është rritur 15.3 për qind.

Transporti detar

Shifra e afarizmit në Transportin detare vlerësuar me çmime korente është rritur 6.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 2 për qind.

 

 

Thaçi: Pas Turqisë, marrëveshje për tregti të lirë edhe me Shqipërinë

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka thënë se qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar një mori suksesesh të reja në fushën e ekonomisë, sidomos në atë të tregtisë, investimeve në sektorin privat, infrastrukturës rrugore si dhe në atë të energjisë. “Si rezultat i negocimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Turqisë, qeveritë e të dy vendeve kanë nënshkruar marrëveshjen për tregti të lirë. Kjo marrëveshje pritet të hapë rrugë të reja për shkëmbime tregtare në mes të bizneseve të vendit tonë me ato të Turqisë, si dhe për rritjen e investimeve turke në Kosovë dhe anasjelltas. Me këtë marrëveshje është paraparë edhe mbrojtja e disa sektorëve të ndjeshëm prodhues”, – tha Thaçi në takimin e 12-të të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Kryeministri bëri të ditur se Republika e Kosovës ka filluar të përgatisë një marrëveshje të ngjashme edhe me Republikën e Shqipërisë dhe këtë e kemi diskutuar edhe në vizitën e fundit, në takimet që kemi zhvilluar me kryeministrin Rama, shtoi ai. “Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të nxitet dhe lehtësohet tregtia mes dy vendeve duke thjeshtësuar dhe harmonizuar rregulloret dhe kërkesat për transportin, tregtinë dhe doganat”, – tha Thaçi.

 

 

Telekom Sllovenia do të shesë operatorin Primo në Shqipëri

 

Në mbledhjen e fundit të bordit drejtues të kompanisë së telefonisë së Sllovenisë, Telekom Slovenije, është vendosur që të planifikohet shitja në të ardhmen e operatorit telefonik e të internetit, që tashmë është operativ në Shqipëri, Primo. Këtë njoftim e bënë të ditur burime nga kompania për gazetën e përditshme ekonomike të këtij vendi “Finance”.

Me sa duket, shkaku i një vendimi të tillë është rezultati i dobët i kompanisë sllovene në Shqipëri. Primo e mbylli vitin financiar 2012 me një humbje në masën 1.4 milion euro nga mbyllja e kontratave dhe një humbje në total me vlerë 5 milionë euro.

Nuk dihet ende çmimi i shitjes, me të cilin Telekom Slovenije mendon të dalë në treg për tjetërsimin e Primos. Po ashtu, nga kjo kompani ende nuk janë bërë të njohur emrat e ndonjë blerësi të mundshëm.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency