Tremujori i dytë, rigjallërohet Prodhimi i Brendshëm Bruto

0
120

Ervin Kaduku

ndertimiEkonomia shqiptare duket se është rigjallëruar në tremujorin dytë të vitit, e ndihmuar dhe nga shtimi i shpenzimeve kapitale në periudhën para zgjedhore, që ka nxitur sidomos ndërtimin. Sipas Statistikave afatshkurtra të INSTAT, indekset e shifrës së afarizimit të deflatuara në tremujorin e dytë në ekonominë gjithsej, në fushat e mbulimit të vrojtimit paraqesin një rritje prej 4.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tremujorin paraardhës rritja është 13.9%.

Pothuajse të gjithë sektorët rezultojnë me rritje të shifrës së afarizimit në raport me tremujorin dytë të një viti më parë, me përjashtim të tregtisë me shumicë, që ka shënuar ulje, duke reflektuar konsumin ende të tkurrur. Në rritje të ndjeshme ka qenë madje edhe sektori i ndërtimit, i cili prej vitesh po vuante tkurrjen nga rënia e kërkesës dhe frenimi i lejeve të ndërtimit. Megjithatë në këtë gjallërim duket se ka ndikuar shtimi i shpenzimeve kapitale në muajt përpara zgjedhjeve të qershorit.

Industria

Shifra e afarizmit në volum, vlerësuar me çmime fikse, me vit bazë 2005=100, në tremujorin e dytë 2013, krahasuar me tremujorin e parë 2013 ka një rritje prej 2.7 për qind. Krahasuar me tremujorin e dytë 2012 ka një rënie prej 0.4 për qind. Volumi i prodhimit industrial ka një rritje 21.2 për qind në tremujorin e dytë 2013 ndaj tremujorit të parë 2013, ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të mëparshëm ka rritje me 58.2 për qind.

Numri i të punësuarve në Industri ulet me 0.7 për qind në tremujorin e dytë 2013 krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm numri i punonjësve ka rritje me 4.8 për qind.

Në tremujorin e dytë 2013 ka një rritje të pagave prej 2.2 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm rritja e pagave është 13.4 për qind.

Ndërtimi

Shifra e afarizmit në Ndërtim e vlerësuar me çmime fikse, deflatuar me Indeksin e Kushtimit në Ndërtim, 2005=100, është rritur 24.1 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2013 është rritur 52.3 për qind.

Volumi i prodhimit është rritur 27.8 për qind krahasuar me tremujorin e dytë 2012. Numri i të punësuarve në Ndërtim është ulur me 3.1 për qind në tremujorin e dytë 2013 krahasuar me tremujorin e dytë 2012, ndërsa pagat janë ulur me 7.3 për qind gjatë të njëjtës periudhë.

Tregtia me shumicë

Shifra e afarizmit e vlerësuar me çmime fikse, deflatuar me Indeksin e Çmimeve të Prodhimit, 2005=100, në sektorin e Tregtisë me shumicë është ulur 1.1 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës paraqet rritje prej 13.5 për qind.

Numri të punësuarve është rritur 11.2 për qind në tremujorin e dytë 2013 krahasuar me tremujorin e dytë 2012, ndërsa pagat janë rritur 2.8 për qind gjatë së njëjtës periudhë.

 Hotele

Shifra e afarizmit në volum, vlerësuar me çmime fikse, deflatuar me Indeksin e Çmimeve të Konsumit, me vit bazë 2005=100, në tremujorin e dytë 2013, është rritur 17.8 për qind krahasuar me tremujorin e pare 2013. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2012 është ulur 10.3 për qind. Numri i të punësuarve në Hotele është ulur 3.7 për qind në tremujorin e dytë 2013 krahasuar me tremujorin e parë 2013, ndërsa pagat e paguara janë ulur 3 për qind gjatë të njëjtës periudhë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i të punësuarve është rritur 1 për qind ndërsa pagat janë ulur 1.4 për qind.

 Posta dhe Komunikacioni

Shifra e afarizmit vlerësuar me çmime korente në aktivitetin postar ulet me 5.1 për qind në tremujorin e dytë 2013 në krahasim me tremujorin e dytë 2012, ndërsa në komunikacion ky tregues është rritur 1.8 për qind për të njëjtën periudhë. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues në aktivitetin postar paraqitet rritet 2.6 për qind, ndërsa në Komunikacion paraqitet me rritje 4.7 për qind.

Numri i të punësuarve në aktivitetin postar rritet 8.2 për qind dhe pagat e paguara nga ndërmarrja rriten me 10.2 për qind, ndërsa në komunikacion, numri i të punësuarve ulet 3.8 për qind dhe pagat ulen me 17.9 për qind, gjatë periudhës së tremujorit të dytë 2013 krahasuar me tremujorin e dytë 2012.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency