Procesi/ Dajti, akuza Arjan Muçës: Vrau Salih Tivarin për çështje pronash

0
244

Dritan-Dajti-320x240-1Sonja Caka

Kutia e Pandorës së Dritan Dajtit vijon të nxjerrë lumë akuzash ndaj Arjan Muçës, personit që drejtonte grupin e operacionit që do të realizonte arrestimin e tij në plazhin e Durrësit, por ndërkohë pati një bilanc tragjik, katër efektivë të vrarë dhe vetë objektivi i plagosur. Gjykata vazhdon të lejojë seancë pas seance përbaltjen e një prej drejtuesve të policisë nga i pandehuri, ku jo vetëm ai, por edhe të tjerë efektivë të grupit akuzohen për vrasje, si të katër policëve të vrarë, ashtu dhe të tjerë krimeve të pazbardhura në Tiranë apo rrethe të tjera të vendit. Kështu, sërish dje Arjan Muça do të ishte epiqendra e sulmeve dhe akuzave të Dritan Dajtit, kësaj radhe duke e akuzuar për vrasjen e ish-sekretarit të Komunitetit Mysliman, Salih Tivari, i cili u gjend të vrarë në zyrën e tij dhe për të cilën fillimisht u ndalua dhe më pas u lirua Artan Kristo. Në seancën e djeshme gjyqësore, i pandehuri ka përmendur emrin e Muçës si personi që ideoi dhe realizoi vrasjen e Salih Tivarit, ngjarje e ndodhur në 13 janar të vitit 2003. Sipas të pandehurit, efektivi Muça së bashku me babain e tij, Selim Muçën, kreu aktual i Komunitetit Mysliman, kanë pasur përfitime pronësie. Më pas, Dajti ka akuzuar gjykatën dhe prokurorinë se po mbrojnë Muçën dhe bandën e tij. Akuzat kanë ardhur pas kërkesës së tij për përjashtim të trupit gjykues, i cili rrëzoi kërkesën e Dajtit për vënien në dispozicionin të procesverbalit ku figurojnë armët pa leje të marra në dorëzim nga Muça. “Kërkoj përjashtimin e trupit gjykues, pasi ju po bëheni palë me prokurorinë duke manipuluar procesin tim. Ju po bëheni palë me Arjan Muçën dhe bandën e tij. Muça është autori i vrasjes së kreut të Komunitetit Mysliman dhe bashkë me babain e tij janë përfitues”, – ka reaguar Dajti.

Akuzat

Dritan Dajti është ndërprerë nga kryesuesi i trupës gjyqësore Idriz Mulkurti ndërsa lëshonte akuza për vrasje ndaj Arjan Muçës dhe babait të tij, kreut të Komunitetit Mysliman, ndërkohë që ai nuk ngurroi ta çonte deri në fund deklaratën e tij. “Është mungesë edukate të ndërpresësh dikë kur flet dhe më lini të mbaroj fjalinë. Nëse këto që unë po them janë mashtrime, atëherë prokuroria ose ju më procedoni penalisht. Për sa kohë ndaj meje nuk ka procedim, atëherë këto që unë them janë të vërteta. Kam prova që të vërtetoj këtë akuzë”, – ka vijuar i pandehuri, duke akuzuar gjykatën se po bëhet qesharake. Pavarësisht tentativës së gjyqtarit për t’i hequr të drejtën e shprehjes, Dritan Dajti e ka cilësuar trupin gjykues qesharak, pasi nuk e ka pyetur asnjëherë se kush është autori i plagosjes së tij. Ndërsa në sallën e gjyqit është përmendur edhe emri i kreut të Policisë së Shtetit. Dajti nuk ka kursyer ofendimet ndaj Hysni Burgajt, duke e cilësuar si një budalla që del dhe ia përmend emrin në media me deklaratat në ngarkim të tij. “E kuptoni se sa qesharakë po bëheni, pasi ju nuk më keni pyetur një herë mua se kush më plagosi. Vrasja që unë përmenda ka ndodhur para shumë vitesh dhe ende nuk është zbardhur. Madje del edhe ai budallai i Burgajt dhe thotë se unë mund të flas ç’të dua, pasi njësoj do dënohem. E kam unë gabim që merrem me ju, por më ka zënë rrota bishtin. Prokuroria e ka frikë Arjan Muçën, ndaj nuk i ka sekuestruar armët që ka pasur me vete”, – ka mbyllur fjalën e tij i pandehuri dhe ka kërkuar të largohet nga salla e gjyqit. Largimi i tij pasi tha çfarë deshi në seancë, solli edhe ndërprerjen e procesit gjyqësor, pasi mungonin edhe dy avokatet e thirrura kryesisht. Gjykata vendosi të ndërpresë seancën dhe ta caktojë ditën e sotme për vijimin e gjyqit, ndërsa njoftoi thirrjen e dy avokatëve të tjerë nga lista kryesisht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency