Standard.al

Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA janë të shkëlqyera!


BerishaProf. Dr. Sali Berisha

Para nisjes për në New York, në kuadrin e “marrjes fund të epokës së rrënimit”, siç e ka shpallur Rama epokën 1992-2013 të pas etërve të tij në tërësi dhe vitet 2005-2013 në veçanti, ai deklaroi se një ndër qëllimet kryesore të udhëtimit të tij është përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA-në. Dy ditë më parë zoti Donald Lu, ambasadori i ri i SHBA në Shqipëri, do të deklaronte në Senatin Amerikan së Shqipëria është një aleat i shkëlqyer i SHBA. Jam i sigurt së kjo deklaratë nuk ishte një reagim ndaj deklaratës qesharake të Ramës. Por e vërteta është se për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo që jetojnë, SHBA janë miku dhe aleati strategjik më kryesor. SHBA si vendi më i fuqishëm e me kontribute më të mëdha në lirinë e kombeve perëndimore dhe mbi të gjitha si përgjegjësi kryesor sot për paqen dhe sigurinë në botë, janë aleati strategjik kryesor i çdo vendi të lirë. Por për në shqiptarët aleanca strategjike me vendin e madh të lirisë është më jetike, më e shtrenjtë se për çdo komb tjetër.

Me angazhimin direkt për çlirimin e Kosovës, SHBA-të bën të mundur që edhe ne, më së fundi, të mund të këndojmë këngën e lirisë. Shqipëria është një vend i vogël me një peshë globale mëse modeste. Por ajo dhe shqiptarët kanë pasur mbështetjen më të jashtëzakonshme të këtij vendi të madh dhe kjo jo se ne jemi një komb i zgjedhur por vetëm e vetëm se kombi i madh amerikan, qeveria e tij, besojnë se shqiptarët meritojnë dhe duhet të gëzojnë lirinë dhe se ne duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë bazuar në vlerat dhe parimet e lirisë, paqes dhe prosperitetit. Për të gjitha këto, SHBA-të kanë qenë, janë dhe do të mbeten miku, aleati më i çmuar, më kryesor e më strategjik i Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

E vërteta është se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA këto 8 vitet e fundit kanë qenë të shkëlqyera, të ngushta dhe kanë njohur zhvillimet e tyre më kulmore. Dëshmi e kësaj janë mbështetja e fuqishme, e gjithanshme, përcaktuese e SHBA për ftesën dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunimi në Afganistan, bashkëpunimi i shkëlqyer i agjencive tona të sigurisë në çështje shumë të rëndësishme, dhjetëra e qindra projekte të USAID të financuara nga qeveria amerikane, histori të vërteta suksesi në mbarë vendin, mbështetja e qeverisë amerikane për integrimin e Shqipërisë në BE etj etj. Momenti më kulmor i marrëdhënieve midis dy vendeve tona ishte vizita e parë dhe historike e presidentit të SHBA Georg W Bush në Shqipëri më dt. 10 qershor 2007 dhe mesazhet e tij po kaq historike dhënë në Tiranë për shqiptarët dhe botën. Presidenti i SHBA Georg W Bush do zgjidhte Tiranën për të shpallur para Europës dhe Botës më të famshmen “time is now”, qëndrimin, mbështetjen e një rëndësie vendimtare të SHBA për pavarësinë e Kosovës si dhe mbështetjen e plotë të qeverisë së tij për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancen e Atlantikut të Veriut. Në një hark kohor të shkurtër këto ëndrra kombëtare u bënë të vërteta. Një moment tjetër kulmor historik në marrëdhëniet shqiptaro- amerikane ishte vizita e Sekretares Klinton me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë vizitë, që ishte dhe diamanti në kurorën e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, Sekretarja e Shtetit Klinton do t’u drejtonte shqiptareve dhe miqve tanë në mbarë botën nga salla e parlamentit të Shqipërisë, mesazhin e saj historik “cilido që do të shoh demokracinë në veprim të shkojë në Shqipëri”. Dua të theksoj këtu se vizita e sekretares Klinton dhe mesazhi i saj jehuan dhe më fuqishëm mbasi erdhën pas përpjekjeve antishqiptare të Edi Ramës dhe të ndonjë miku të tij simpatizant i faqezinjve që u përpoqën me grevë urie dhe akte makabre të djegies për së gjalli të sëmurëve psiqik për të penguar ardhjen e sekretares Klinton në Tiranë. Të frutshme, miqësore e të shkëlqyera kanë qenë edhe dy takimet e mia neë Washington me sekretaren Klinton dhe spikerin e Kongresit amerikan Boehner dhe miq e zyrtarë të tjerë të larteë të qeverisë dhe Kongresit të SHBA.

Në aleancen dhe bashkepunimin strategjik me SHBA, Shqipëria këto vite është përpjekur dhe nuk ka kursyer asgjë në mundësitë e saj modeste për të dhënë të gjithë ndihmesën e saj. Ne kemi mbështetur vendosmërisht në kuadrin e NATOS, OKB etj, qëndrimet e qeverisë amerikane për paqen dhe sigurine në botë. Ne nuk kemi çeduar nga asnjë lloj presioni apo interesi afat shkurtër në qëndrimet tona në mbështetje të qëndrimeve strategjike të SHBA për sigurinë. Ne nuk jemi ndikuar nga miq apo të tjerë për votën tonë në OKB siç bëri Rama për një pritje elektorale ende pa ardhur në pushtet duke siguruar kryeministrin Erdogan, mik i shquar i Shqipërise dhe shqiptareve, se ai do të votonte pro rezolutës për statusin e Palestinës në OKB. Ne nuk votuam për rezolutën jo se jemi kundër statusit të Palestinës por sepse ajo anashkalonte SHBA, pa të cilat konflikti i Lindjes së Mesme nuk mund të zgjidhet. Në mbështesim plotësisht zgjidhjen e problemit midis Izraelit dhe Palestinës bazuar në dy shtete të pavarura në atë rajon por shumica e sponsorizueseve të rezolutës nuk njohin Izraelin, një vend mik për Shqipërinë. Në marrëdhëniet bilaterale midis Shqipërisë dhe SHBA pavarësisht nga mundësitë tona tejet modeste, në çdo rast qeveria shqiptare është përpjekur të bëjë maksimumin madje në disa çështje sensitive problematike për SHBA si ajo e Guantanamos apo e Kampit te Lirisë ( refugjateve iranian) në Irak ne pa ngurim kemi bërë më shumë së çdo aleat tjetër i tyre. Por mbi të gjitha marrëdhëniet tona me SHBA janë karakterizuar nga një dialog i hapur, miqësor, konstruktiv e i pandërprerë.

Në të gjitha takimet bilaterale apo në bisedat në samitet multilaterale me zyrtarët më të lartë të SHBA, me presidentin George W Bush, zëvendës presidentin Chaney, Presidentin Obama, zëvendës presidentin Joe Biden, Sekretaren Rice, Sekretarin Ramsfeld, Sekretaren Klinton dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës dhe Kongresit të SHBA, kam qenë dëshmitar i dashamirsisë, sinqeritetit, çiltërsisë dhe ndjenjave më miqësore të tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj mund të themi se realisht marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA janë të shkëlqyera. Këto marrëdhënie nuk u lëkunden nga asnjë lloj përpjekje, ndikimi direkt apo indirekt nga kushdo qoftë. Aq më pak mund të ndikoheshin ato nga zërat e thatë në shkretëtirë të Ramës që organizonte mitingun e protestës të nesërmen e marrjes së ftesës për anëtaresim në NATO apo të ndonjë miku të tij që për verbëri lë karrierën në malet e Ballkanit dhe me papërgjegjshmëri të plotë iu deklaronin shqiptarëve se Senati amerikan nuk do miratojë anëtarësinë e Shqipërisë në NATO apo së fundi iu beri thirrje atyre të mos dëgjojnë Washingtonin por ndonjë mikun e tij dhe të Edi Ramës.

 

Megjithë këto duhet të pranoj se deklarata e Ramës se ai po nisej në SHBA për të përmiresuar marrëdhëniet me këtë vend ka një të vërtetë të vogël personale. Kjo e vërtetë e vogël, të cilën Rama ka ende në memorjë, lidhet më dt. 28 janar te vitit 2011, kur vetëm disa ore para nisjes në Washington ai u detyrua të anuloj udhëtimin e të kthente baulet nga aeroporti për shkaqe që ai i di mirë por që në këtë udhëtim u kapërcyen.

Si përfundim mund të thuhet se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA janë vërtetë të shkëlqyera, zhvillimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i tyre ka si kusht themelor konsolidimin në Shqipëri të demokracisë së bazuar në vlerat e tregut. SHBA janë aleati strategjik kryesor i Shqipërisë dhe kombit shqiptar dhe së çdo luhatje në këtë drejtim është në kundërshtim të hapur me interesat jetike të kombit shqiptar.

 

Comments are closed.