Reforma/ Tahiri vendos të shkrijë Gardën, e kthen në drejtori për policinë

0
129

Elton Qyno

Ministri i Brendshëm, ndëshkim për efektivët që u kthyen në tifozë të gjyqit dhe fshehën provat e 21 Janarit

sajmir-tahiri-e1364556150129Garda e Republikës, e krijuar 85 vite më parë, nuk do të ketë më këtë emër dhe shumë shpejt ajo do të kthehet në një Drejtori të Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, që do të varet direkt nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Reforma drastike është vendosur të bëhet publike nga vetë ministri Saimir Tahiri, i cili paralajmëroi strukturimin drastik të këtij institucioni dhe shkurtimin e ndjeshëm të stafit. Kjo reformë do të kryhet brenda 100 ditëve të para të qeverisjes Rama, duke i dhënë fund kështu 85 vite histori të repartit “Elitë” që disa herë ka qenë në varësi të ushtrisë dhe herë Ministrisë së Brendshme. Gjatë fjalës së mbajtur para drejtuesve të këtij reparti, Tahiri urdhëroi Gramoz Sakon, oficer me një karrierë të gjatë dhe të vlerësuar në strukturat e Policisë së Shtetit, për mbarëvajtjen e kësaj reforme.

Garda e politizuar

Tahiri tha se në Gardë ka amatorë që prishin imazhin e saj dhe se duhet në mënyrë emergjente ta shndërrojë këtë institucion sa më efektiv dhe profesional. “Garda e Republikës nuk do të ekzistojë më si e tillë dhe brenda 100 ditëve do të ketë përfunduar procesi i reformimit dhe modernizimit për t’i dhënë jetë Drejtorisë së Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, e cila nuk do të varet më nga ministri i Brendshëm, siç është deri më sot Garda, por do të jetë nën zinxhirin e kompetencës dhe përgjegjësisë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ky institucion padrejtësisht është deformuar gjatë këtyre viteve, jo vetëm në funksion, por edhe në përmbushje të detyre, në efektivitet dhe mbi të gjitha në politizim dhe faturë financiare të pamerituar nga taksat e qytetarëve shqiptarë”, – tha Tahiri.

Për 21 Janarin

Por Tahiri nuk mund të anashkalonte ngjarjen e 21 Janarit. Ashpër ai tha se do të bëjë gjithçka në kapacitetin e tij ligjor të ndihmojë drejtësinë për të çuar para ligjit përgjegjësit e vërtetë, ata që vranë, urdhëruan, ndihmuan dhe fshehën provat. “Kjo vlen për atë pakicë që 21 Janarin e ktheu në masakër, por edhe për atë pakicë që procesin gjyqësor e ktheu tifozllëk. Është në vullnetin e qeverisë dhe Kryeministrit Rama, por edhe në insistimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të bërë drejtësi për 21 Janarin. Jam më shumë se i vendosur të bëj gjithçka në kapacitetin tim ligjor për të ndihmuar drejtësinë në një proces që duhet të përfundojë me nxjerrjen e përgjegjësive konkrete dhe përgjegjësve konkrete, për të gjithë ata që vranë, urdhëruan, ndihmuan, fshehën provat dhe ata që penguan drejtësinë të bënte drejtësi. Kam besim që çekiçi i drejtësisë nuk do të vonojë edhe pse sot rri pezull rri mbi kokat e atyre që vranë bashkëqytetarë të pafajshëm”, – tha Tahiri. Pas 21 Janarit, Garda e Republikës u përfshi në debate dhe akuza të forta politike për vrasjen e katër protestuesve, por edhe në një konflikt jo vetëm me opozitën dhe institucionet e tjera të shtetit, si edhe prokurorinë. Kjo e fundit e akuzoi Gardën e Republikës për pengesa në hetimin e 21 Janarit, ndërkohë që opozita e asaj kohe deklaroi se ishte një instrument politik i pushtetit. Në krye të Gardës u komandua përkohësisht Gramoz Sako.

 

 

Vijon operacioni për ndërtimet pa leje, nën hetim 7 inspektorë, bllokohen objekte

Në të gjitha rastet, hetimet në gjendje të lirë

Ministria e Brendshme bën me dije se ka nisur procedimi penal për 7 punonjës ligjzbatues nën akuzën e mosmarrjes së masave ligjore në rastet e ndërtimeve abuzive. Gjithashtu, Policia e Shtetit bën me dije se ka nisur procedimi edhe për 37 persona të tjerë, përgjegjës për ndërtime të paligjshme. Ndërkohë që, shërbimet e policisë kanë bllokuar edhe objektet që po ndërtoheshin pa leje në Tiranë, Shkodër, Pukë, Bulqizë, Përmet, Mirditë, Librazhd, Sarandë dhe Durrës. Ministria e Brendshme njofton se policia e Shkodrës filloi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 17 personave për ndërtime abuzive, si dhe për inspektorin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik në Komunën Velipojë, Arben Cesaj, vjeç 40, pasi ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar të kryhen ndërtime pa leje. Në Pukë, policia ka filluar procedimin penal për ndërtime abuzive për 3 shtetas. Drejtoria e Policisë së Korçës në Devoll filloi procedimi në gjendje të lirë për 6 persona për ndërtime abuzive. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka filluar procedimin për 5 persona për ndërtime abuzive, të cilët kanë filluar apo kanë ndërtuar objekte pa lejet përkatëse. Policia e Vlorës ka filluar edhe 4 procedime të tjera penale për “Shpërdorim detyre” në ngarkim të punonjësve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Vlorë. Ndërkohë, në Sarandë filloi procedimi penal në gjendje të lirë për 2 shtetas, Drejtoria e Policisë së Durrësit filloi procedimi në gjendje të lirë për ndërtim të paligjshëm për 2 shtetas. Po ashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit Elvis Fatos Muço dhe Elvis Hysen Kotri, me detyrë inspektorë në Inspektoratin Ndërtimor në Bashkinë Durrës, pasi duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar ndërtimet e paligjshme. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër filloi procedimi penal në gjendje të lirë për 2 persona, përkatësisht: nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër është proceduar e ndiqen në gjendje të lirë për ndërtime abuzive, shtetasi Adriatik K., vjeç 42, banues në Përmet, pasi në Lagjen e Re, po ndërton një objekt pa lejet përkatëse. Policia e Lezhës filloi procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin Bardhok Gj., vjeç 56, banues në Tiranë, pasi në Rrëshen, po ndërton një objekt pa lejet përkatëse. Policia e Elbasanit filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Sami Ç., vjeç 67, banues në Librazhd, pasi në lagjen nr. 2, ka ndërtuar një objekt pa lejet përkatëse. Ministria e Brendshme njofton se po merren masa dhe ndaj të gjithë atyre punonjësve të cilët nuk kanë përmbushur detyrën që u ngarkon ligji për monitorimin e parandalimin e ndërtimeve të paligjshme.

 

Aksidenti

 Gjergj Guca plagoset rëndë

Si pasojë e një aksidenti rrugor, një 30-vjeçar, drejtues i një motori, ka mbetur i plagosur rëndë pasditen e djeshme. Ngjarja u shënua tek Unaza e Re në Tiranë, kur motori është përplasur nga një automjet. Forcat e policisë bëjnë me dije se i lënduari është shtetasi i identifikuar si Gjergj Guca. Ai është dërguar menjëherë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Sakaq, policia ka nisur hetimet për rrethanat e aksidentit, mësohet se shkak është bërë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency