Procesi/ Dajti kërkon gjykim të shkurtuar, gjykata rrëzon kërkesën

0
120

Sonja Caka

Kërkesa e dytë, i pandehuri kërkon pavlefshmëri dokumentesh, rrëzohet sërish kërkesa. Dajti largohet nga salla e gjyqit

 

Dritan-Dajti-320x240-1Dritan Dajti bën një tjetër tentativë për t’i shpëtuar burgimit përjetë, duke i kërkuar gjykatës të procedohet me gjykim të shkurtuar pas 4 vjetësh proces gjyqësor. Kërkesa e tij u rrëzua nga gjykata, ashtu siç është vepruar edhe herën e parë kur e parashtroi atë. Një kërkesë e dytë e paraqitur nga i pandehuri ishte edhe pavlefshmëria e disa dokumenteve të paraqitura nga organi i akuzës, e cila, ashtu si dhe kërkesa për gjykim të shkurtuar, u rrëzua. Pas rrëzimit të njëpasnjëshëm të kërkesave, i pandehuri vijoi reagimin e tij të njëjtë, si në çdo seancë ku nuk i pranohen kërkesat, duke u larguar nga salla e gjyqit dhe duke akuzuar ndërkohë trupin gjykues për mungesë drejtësie dhe njëanshmëri në proces. I gjendur përballë kësaj situate, kur i pandehuri mungonte dhe nuk ishte paraqitur avokati i caktuar kryesisht në seancën e mëparshme, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, vendosi shtyrjen e seancës dhe njoftimin e një tjetër avokati për në seancën e radhës. I pandehuri Dritan Dajti akuzohet se më 7 gusht 2009 në plazhin e Durrësit, ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, pjesë e skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan ta arrestonin.

Kërkesat

Qysh në fillim të seancës, i pandehuri parashtroi një kërkesë për trupin gjykues. “I nderuar kryetar i trupit gjykues, kam një kërkesë me shkrim për të lexuar, është prej shtatë faqesh. Objekti i saj është pavlefshmëri e akteve të gjykimit dhe gjykimi i shkurtuar. Në lidhje me kërkesën e parë, ndodhemi në kushtet kur nuk më është mundësuar një avokat dhe procesi gjyqësor po zgjatet prej shuam seancash. Pra, ky proces gjyqësor është zhvilluar në kushtet e shkeljes së të drejtave të të pandehurit dhe pavlefshmëria e akteve do të ishte e drejtë. Këtu mund të përmend edhe vendimin e Gjykatës së Lartë për të ilustruar argumentet pse duhet të paraqitet kjo kërkesë. Gjithashtu, kërkoj nga trupi gjykues që të pranohet gjykimi i shkurtuar. Duke u pranuar kjo kërkesë, i pandehuri heq dorë nga disa të drejta të tij, pasi gjykohet me fashikujt aktualë të provave, pa pasur nevojë për hetime të mëtejshme. Gjithashtu, procesi gjyqësor zhvillohet brenda një periudhe më të shkurtër kohore dhe brenda afateve. Për sa kohë kjo heqje dorë e të pandehurit nga disa të drejta bëhet në favor të disa përfitimeve, mendoj se është e drejtë. Për këtë kërkesë do të parashtroj edhe disa raste vendimesh nga gjykatat italiane, ku në favor të pandehurve është lejuar dhënia e gjykimit të shkurtuar, duke thjeshtuar dhe mundësuar një proces gjyqësor të shpejtë dhe të drejtë. Gjithashtu, jashtë kërkesës sime dua të shtoj se pretendimet e mia lidhen me thelbin e këtij gjykimi dhe jo me aktet procedurale, dhe besoj se ju i nderuar trup gjykues do të jepni një vendim të drejtë. Nëse i pranoni kërkesat e mia, unë premtoj se ky proces gjyqësor do të mbyllet brenda 2 seancash gjyqësore”, – përfundoi së lexuari kërkesat e tij për gjykatën i pandehuri. Menjëherë ka reaguar prokurori i çështjes, i cili pasi ka ironizuar të pandehurin për njohuritë e tij në legjislacionin italian, ka kërkuar nga gjykata rrëzimin e dy kërkesave. Pas gjysmë ore pushimi në dhomën e këshillimit, trupi gjykues vendosi të rrëzonte dy kërkesat e Dajtit.

Gjyqi

Çdo seancë, i pandehuri paraqet nga një kërkesë për trupën gjyqësore, të cilat edhe vetë ai e di që nuk do i plotësohen dhe gjen një shkak për ta shtyrë gjyqin pafundësisht. Një seancë më parë, Dajti kërkoi nga trupi gjykues t’i vihej në dispozicion fletë-dalja e marrjes në dorëzim të armës nga efektivi Fatos Xhani, ndërsa ngrinte dyshimin se firma është hedhur dy muaj pas vdekjes së këtij të fundit. Por, kjo kërkesë e Dajtit nuk u pranua nga trupi gjykues, duke passjellë edhe braktisjen e sallës së gjyqit nga ana e të pandehurit dhe për pasojë shtyrjen e seancës për ditën e djeshme. Gjatë asaj seance, Dajti ka akuzuar prokurorinë dhe policinë për falsifikim dokumentesh, duke aluduar se kjo armë mund të jetë ajo nga e cila u plagos vetë i pandehuri. “Një ndër provat shkresore të prokurorisë është edhe libri i armatimit dhe dua që me anë të këtij dokumenti të tregoj nëse është i falsifikuar 2 muaj pas vdekjes apo Fatos Xhani nuk është vrarë me 7 gusht të viti 2009 dhe ka firmosur”, – është shprehur Dajti në sallën e gjyqit. Por, kërkesa është rrëzuar nga ana e gjykatës, e cila është shprehur se kjo kërkesë mund të bëhet vetëm në momentin kur të nisi shqyrtimi i provave gjyqësore. Ky vendim ka sjellë edhe reagimin e të pandehurit Dritan Dajti, i cili ka kërkuar përjashtimin e trupi gjykues duke i akuzuar për gjykim të njëanshëm.

 

Durrës

Tentoi vrasjen e një shtetasi, “Burg pa afat” për Mamaqin

Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit caktoi dy ditë më parë masën e arrestit “Burg pa afat” për Aldo Mamaqin, 23 vjeç, i akuzuar për veprën penale “Tentativë vrasjeje”. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë Mamaqi ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim ta vriste pronarin e lokalit, por vetëm ta trembte. “Nuk doja ta vrisja. Doja vetëm ta trembja”, – mësohet të ketë thënë para togave të zeza Mamaqi. Pasi ka dëgjuar pretendimet e prokurorit, avokatit Gramoz Lika, gjyqtarja Shpëtime Pitaku vendosi të pranonte kërkesën e prokurorit Kujtim Basha për të lënë në fuqi vendimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”. Mamaqi, djalë daje i ish-ministrit Sokol Olldashi, qëlloi me pistoletë brenda një lokali në Durrës në datën 22 shtator pronarin e një lokali. Në fakt, sipas burimeve, shënjestra ishte nipi i pronarit të lokalit, “Zoe Bar”. Shkak dyshohet të jetë bërë sherri për një femër. Në momentet e të shtënave në lokal ndodheshin dhe klientë, të cilët fatmirësisht u shpëtuan plumbave. Shërbimet e policisë kanë qenë shumë pranë ngjarjes dhe kanë ndërhyrë me shpejtësi duke vënë në pranga të riun. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilat bënë të mundur arrestimin e autorit të ngjarjes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency