Përrallë nga e tashmja

0
132

Elis Buba

 Opinion

Interesi i jashtëzakonshëm për një vend pune, por sidomos për ndonjë vend të mirë pune, përngjan me një faj personal, që u vishet lypsarëve. Ai shërben si forcë shtytëse për një aktivitet, nëse mund ta quajmë kështu, jo fort të ligjshëm, për të mos thënë kriminal. Që në rininë e tij të hershme ky pak popull në këtë ballkon perëndimor të Ballkanit, ka vuajtur nga një shqetësim i thellë moral, i cili popujt e tjerë të këtij gadishulli i ka çuar në një kërkim mijëra vjeçar për urtësinë e vërtetë dhe paqen shpirtërore.

Kam menduar disa ditë bashkë, për një histori gati anekdotë për dikë, sa edhe fatalitet për dikë tjetër. Kam reflektuar për jetën e një prindi mbetur vetëm, me detyrën jo gjithnjë të kënaqshme për të rritur një foshnjë. Në ditë feste e pune, në ditë me shtëpinë plot me miq, në ditë gazi e morti, meraku i kësaj femre, ishte edhe pipëtima më e vogël e vajzës së saj, jo më e qara e netëve të ftohtit a sëmundjes, që ja paloste mamasë shpirtin në katërsh nga pezmi. Rrinte përball një djepi të vuajtur sikur të mendonte zi. Por me të arritur në të thellin thelb të gjumit, kur kolla dhe lotët përtypen e heshten. Gishtat si të pafrymë të mamasë, shëtisnin për fare pak sekonda para gjumit, pllajën bukuroshe të ballit, ku mes lëndinash fort pjellore, do të zgjateshin një ditë flokë dendësisht të bukur e matufepsës…

Mamatë kështu janë. Mjafton hiçgjë dhe në mos shpërthejnë në lot, i gëlltisin ato. Nënat e vërteta çmojnë atë që u mungon, që pas lindjes në barkun e tyre. Bijtë. I çmojnë për hiçgjë. Qoftë edhe më i pakuptimti i bijve ose bijave, mbetet gjithnjë thesar për nënën e tij.

Më pas, nënës i mbetet vetëm të lavdërohet si e mençmja kujdestare plakë e shtëpisë.

M’u kujtua një nektar nga virtuozi Gëte; ‘Duhet parë si ndeshet bukuria me arin, perlat dhe margaritarët…’ Vitet janë një fjalë goje pasi jetohen, sado reminishenca e përdëllime edhe vuajtjet më të mëdha harrohen në sy të ditëve të bardha e pozitive. Pas pak mbushen tre dekada nga 1984 e largët e lindjes së vajzës në fjalë. Ajo shkëlqen në derë, bashkë me disa rreze shtatori në këtë behar të vonë. Ende pa hyrë në pallatin pirgjelartë, ku vulosen me të mirë e me të keq punë me rëndësi shtetërore, fjala për ardhjen e saj kishte zënë kryet e pirgjeve të larta. Një natë më parë, në mbrëmje të herët, vajza i kishte këqyrur edhe një herë një për një sendet e shpirtit dhe e kishte ndarë mendjen me një thikë të mprehtë e të zjarrtë vetëmohimi. I duhej puna. Ditët para kësaj kishin qenë të ngarkuara me telefonata e mesazhe, kafe e dreka të fëlliqta pune. Politesa e flirte. Ndoshta më shumë flirte që ngjajnë me politesa se sa e kundërta në ç’do tryezë banale. -Se çfarë do ngjasë, mos e mendo! – i tha vetes – Të mirat vijnë pas të këqijave.-

Një derë e rëndë u hap sakaq, e pa shkuar në fund të harkut të saj 90-gradësh, u shkelmua nga brenda, prej këmbës së thatë të një barkmadhi. Ai përveç syve këndelli shpirtin me bukurinë e asaj, të cilën edhe imagjinata e tij kubike, e kish të pamundur tja lejonte ta ëndërronte. Këndelli vrerin e xhanit që e mban gjallë me reskun e pasur. Stoli gjerdani, gjoks i flijuar dhe pohë e kurorës së gushës, u prehën edhe pse krenarë, të thyera ndër gishtat e tij. Një nëndetëse e flashkët, si zverku i një kafshe të kërrusur, që para pak, mezi prekte majën e baticës brigjeve, tani lundron në abiset e ngrohta të mjaltit e dehjes, si ati i ç’do pasurie oqeanike. Mes vetes, sytë shkëndijnë mburrje për gjeç janë. Me t’i hyrë brenda, ja shporri shijen vajzërore e i mbolli përbuzjen, dhunti e një fati të pandritur.

Më lini të hyj! – janë fjalë që i thuhen një dere që prej ditësh po e lë pas vetes, gjithçka të bukur e të shëmtuar që mban me vete trupi i kësaj vajze. U bënë javë tashmë që kryeneçi burrë i përkul shpirtin duke mos i dalë në telefon u duke mos i dhënë përgjigje mesazheve të saj. Fjalëve të madhërishme plot zotnillëk u doli tymi dhe premtimit të famshëm ju shtua fama e ju thur përralla.

Ajo tani është si e shpërndarë, xanxare me këdo dhe e pafjalë. E tmerruar nga sy që dikur i quante miklues të zorshëm e sot i depërtojnë në mish, përtej bojës së dalë.

Mbas ç’do Helene ka një Menela, që turpëron të dy. Zgjedhjet bëhen për zgjidhje, por e kotë të flitet për zgjidhje aty ku edhe ai pak vullnet provincial mungon. Qëllimi në këtë qerthull pushteti dhe pushtetarësh, është bërë paraja dhe seksi. Nëse do diçka, ka tre zgjidhje, miku, “mikesha”, ose paraja. Nuk vihet fare të taraf opinioni i femrës, nuk diskutohen fare vendimet e saj. Gjithmonë merret për bazë mendimi predominant i mashkullit që qëndron pas kësaj femre, megjithëse në fronet ministrore dhe ato parlamentare menyja me emra femëror është shtuar ndjeshëm. Kjo gjë shket më shumë si marketing i mirë elektoral se sa si balancim politiko-gjinor. Unë jam i stërsekëlldisur prej kësaj masakre, kësaj farse të shpifur, që luhet mbi fatet tona, mbi fatet e vendit dhe njerëzve tanë. Jo më kotë administrata publike e gjen shpesh këmbë përmbi këmbë, për 700 palë qejfe kafeneve të xhiros. Domosdo, pse të lodhen edhe me punë disa hanko të rënda, kur djersët i bien gjetiu. Përderisa shefat e mëdhenj, kokat e vendit e ushqejnë sejmanë e sundimit me shkëmbime inatçore portretesh, pse të tjerët të mos merren me palaçollëqe?! Pse të mos tallaviten? Njëri heq portretin e Bamirit, andej, tjetri heq portretin e Bujarit këtej. Mileti bën sehir dhe plazmon rryma idiote mendimi mbi vlerën e njërit dhe të tjetrit. Kur ka një kushtetutë që përgjigjet saktësisht për këtë.

Dua t’i rikthehemi paksa përrallës, në një tjetër kuadër tashmë. Domosdoshmëria e njërit prej tre ligjeve të stërdebatuara prej shumë muajsh tashmë, është e jashtëzakonshme në krijimin e ekuilibrave mes elektorateve të të dyja palëve dhe konsolidimin e pozicioneve të partive, të të dyja poleve, karshi popullit. E kam fjalën për ligjin që sanksionon statusin e nëpunësit civil. Mjaft më partitë funksionuan si zyra pune, mjaft më me përfitime e allishverishe votash në shkëmbim të pozicioneve të ndryshme në administratë. Cili është fati i të shkarkuarve? Mos vallë askush nga ata nuk vlen më?! Mos vallë askush nga ata nuk i përmbushka më kriteret për të punuar tek e fundit siç ka punuar për vite me radhë? Mos vallë asnjë nga këta nuk ka më fëmijë për të ushqyer?

Lind pyetja a na lejohet të shushkaviteti me imtësira të pakuptimta për muaj të tërë derisa të sheshohet pluhuri i rotacionit, derisa të merren vendimet e gjykatave, për gjyqe mbi shkarkime arbitrare. A ka resurse ky vend për këtë lloj kalbjeje, që revan po merr përpara breza të tërë, të cilët mezi presin ardhjen në pushtet të mamave dhe baballarëve, tezeve, dajave, që të fillojnë punëra të rehatshme, në të cilat as që do lodhen për më tepër, por do shëllehen në poltron para kompjuterit dhe do shtypin butona derisa dikush t’i kërkojë llogari dhe këta t’i tregojnë portretin e babit, mamit, tezes, hallës, gjyshit, që e ka mbi skrivani. Mos vallë të bërit politikë, është të shkosh në shtrat me të gjitha femrat e bukura që të trokasin në derë. Mos vallë vendimmarrja ka të bëjë me sekserët që t’i shurdhojnë telefonat ç’do sekondë? Ç’janë këta që për hir të pushtetit, do t’i binin hënës dy herë vërdallë? Mos vallë e meritojnë pushtetin ata që i pëllasin pa pushim në vesh nevojës për ta pasur atë?

Jo më kot, hyrja në fuqi, efektiviteti i ligjit për të cilin fola më lart, kërkohet me ngulm të shtyhet, minimalisht edhe për nja 6 muaj të mirë. Sepse edhe pas këtyre 6 muajve me siguri do ketë ende ndonjë emërim të minutës së fundit, i cili nuk mund të lihet mënjanë sepse është nipi, mbesa, biri, bija, dashnorja, konkubina, zonja e filan fistekut.

Në këtë sistem të mbajtur në këmbë nga shtytka pas prapanice, të duket sikur përdridhesh të gjesh shkallët e zbritjes nga një kështjellë letrash. Tufane të mëdha krizash parashikohen në të gjithë Evropën. Ndërkaq në Shqipëri plaçkën më të madhe e kanë përfshirë ata që duhet t’i shërbejnë popullit. Për më tepër afrojnë pas vetes të tyret me anë të shtytkave në prapanicë dhe institucionet e dikasteret i shndërrojnë në kuplara e shtëpi publike për sahanlëpirësit burokratë. Që këtu njerëzia duhet ta kuptojnë me nuhatje indiferencën që kaplon gurmazet e etura të pushtetmëdhenjve. Atyre që evropianët e vërtetë e të denjë, nuk i qasin as në derë të halesë, por i përcjellin duke u thënë të nxjerrin nga prapanica gjithë ato shtytka që i kanë ndjekur deri këtu. Të rrafshojnë rrëmetet e nevojat e popullit, pastaj ti qasen shtytkës së madhe që i duhet Shqipërisë sonë të batërdisur politikash zuzare, për të hyrë në Evropë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency