Llalla-Beci, takime në Gjirokastër: Arrestoni të kërkuarit e italianëve

0
134

Dy prokurorët kombëtarë: Të normalizohet situata e Lazaratit dhe ndërtimet pa leje

 adriatik-llalla_1Pas situatës kritike me hashashin në Lazarat dhe ndërtimet pa leje në vijën bregdetare të jugut, prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, në shoqërinë e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, zbarkojnë në Gjirokastër dhe Sarandë në një vizitë “blic” të panjoftuar për vartësit e tyre. Dy drejtuesit më të lartë të hetimit në Shqipëri kanë zhvilluar me vartësit e tyre të Sarandës e Gjirokastrës takime me dyer të mbyllura ku kanë kërkuar që menjëherë të përfundojnë hetimet dhe personat e dyshuar të dalin para drejtësisë për veprimtarinë e paligjshme të kultivimit të hashashit si dhe ndërtimet pa leje në bregdetin e Jonit. Ata kanë siguruar mbështetje për prokurorët e rretheve që të mos stepen para çdo personi që duhet hetuar sado i pushtetshëm ekonomikisht apo politikisht. Njëherazi Llalla dhe Beci kanë dorëzuar për vartësit e tyre dhe listën e personave që duhet të prangosen në një bashkëpunim me policinë pasi, të dhënat e Guardia di Finanzia dorëzuar pak kohë më parë kanë dhe emrat konkret të personave që merren me kultivimin e bimës fitimprurëse.

Kapja selektive

Identifikimi i trafikuesve të kanabisit dhe zbulimi i lidhjeve të tyre kryesisht në Gjirokastër dhe Sarandë ka qenë tematika e kërkesave të kryeprokurorit Adriatik Llallës drejtuar krerëve lokalë të akuzës për këto rrethe. Vitet e fundit, operacionet e policisë për të kapur kanabisin kanë qenë vetëm selektive, dhe janë kapur vetëm korrierët e hashashit në kushtet e flagrancës, pa kryer më parë një hetim të mirëfilltë. Vizita është bërë në periudhën e korrjes në Lazarat, Gjirokastër dhe Sarandë dhe krahas prezantimit të drejtuesve të rinj, ka kërkuar më shumë punë për të identifikuar trafikantët, që veprojnë në këtë zonë. Në shoqërinë e Llallës ka qenë pikërisht drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, i cili mësohet se ka kërkuar bashkëpunim nga këto prokurori për të kryer një hetim sa më të mirë të këtij fenomeni. Burime konfidenciale thanë se në këto dy takime palët kanë diskutuar edhe për personat e dyshuar që veprojnë në zonë, pasi Policia Italiane ka sjellë në Shqipëri një material voluminoz për rreth 40 persona. Dosja po hetohet nga Krimet e Rënda, por në të do të bashkëpunojnë edhe prokuroritë e rretheve. Megjithëse nuk është një zhvillim i mirëfilltë për të luftuar kanabisin e Lazaratit, sërish drejtësia shqiptare ka filluar të lëvizë sadopak.

Mungesa e operacioneve

Vitet e fundit ka rënë ndjeshëm numri i operacioneve të policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për arrestimin e grupeve të strukturua kriminale. Ndërkohë që nga ana tjetër pala italiane ka sekuestruar qindra kilogramë drogë dhe ka vënë në pranga dhjetëra persona të shumë grupeve kriminale. Por, krejt e kundërta ndodh në Shqipëri, ku dy drejtuesit kryesorë të akuzës në Shqipëri kanë kryer një vizitë në Gjirokastër e Sarandë dhe kanë kërkuar bashkëpunim në këtë luftë, në të cilën duhet të marrin pjesë të gjitha hallkat, që nga SHISH, e deri tek policia e gjykata. Nisma më të mira duhet të ndërmerreshin nga drejtësia shqiptare, por edhe nga policia, e cila duhet të hartonte plane për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, apo të kërkuar në vendet fqinje. Por, në momentin që policia nuk kontrollon 100 përqind të territorit, atëherë ndodhin edhe këto situata, të cilat mund të quhen edhe qesharake.

 

 

Vëllai i pengut, ende nën mbrojtjen e policisë

 Familja e pengut në Londër: Nuk ka sajesë, policia të zbardhë ngjarjen

 

Ndërsa në media janë publikuar edhe dyshimet për një sajesë rreth pengmarrjes për 300 mijë USD në Londër, Ilir Hazizaj ka folur me të vëllanë e tij në Peshtan të Fierit. Diko Hazizaj tregon për bisedën telefonike dhe frikën që ka kapur familjen e tij. Peng ose jo në Londër, ai nuk e di. Por mbrëmjen e së enjtes, ka folur 3 minuta në telefon me të vëllanë, Diko Hazizaj, nuk është i qetë. Nuk i harron telefonatat kërcënuese dhe përjashton mundësinë që i vëllai të ketë sajuar pengmarrjen për t’i kërkuar para. Policia vazhdon të jetë në mbrojtje të shtëpisë ne Peshtan të Fierit. Familja Hazizaj pret vizita nga farefisi. Shqetësimi për 39-vjeçarin nuk ka kaluar. Ai rrëfen ngjarjen që prej telefonatës së parë kërcënuese. Edhe të afërm të tjerë besojnë se Ilir Hazizaj nuk ka sajuar pengmarrje. Për ta ngjarja nuk është zbardhur plotësisht. Pengmarrja për 300 mijë USD në Londër u publikua nga Policia e Shtetit javën e kaluar. Ishte i vëllai ai që bëri denoncimin në polici pas telefonatave kërcënuese nga një numër celulari shqiptar. Policia arrestoi 27-vjeçarin Aleks Lala pas gjurmimit të thirrjeve telefonike që bëheshin vazhdimisht në adresë të Diko Hazizajt, Lala u la në burg edhe nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Gjithashtu policia tha se ka identifikuar në bashkëpunim me policinë e Londrës dy shqiptarë si autorë të pengmarrjes. E gjithë pasuria e familjes Hazizaj në Peshtan të Fierit, është sipërfaqja prej 14 dynymë e fituar me ligjin 7501.

 

Ndryshimi

Ikën Brahaj, në vend të tij Avdia

Ndryshimet në Policinë e Shtetit përfshijnë edhe repartin “Shqiponja”. Në vijim të reformës në këtë sektor, Agron Brahaj largohet nga detyra si komandant i “Shqiponjave” dhe në vend të tij emërohet Engjëllush Avdia. Komandanti i ri Engjëllush Avdia deri më tani ka realizuar detyrën si specialist i Patrullës së Përgjithshme në komisariatin numër 3 në kryeqytet. Reforma, po kështu ka të bëjë edhe me një tjetër vendim që zhvesh “Shqiponjat” nga uniforma speciale dhe parashikon që në shërbim efektivët të jenë edhe me uniformën e zakonshme.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency