Basha me ambasadorët “Qëllimi i ndryshimit të ligjit, spastrimi politik i administratës dhe zëvendësimi me militantë”

0
133

Florenc Drizari

bashaaaaaaaaa1Ligji për nëpunësit civilë, Basha informon ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe KE-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, informoi ambasadorët e vendeve të BE-së dhe KE-së lidhur me shtyrjen e mundshme të afateve për hyrjen në fuqi të ligjit për shërbimin civil. Ky draft është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë me konsensusin e të gjitha forcave politike më datën 30 maj. Atëherë marrëveshja mes forcave politike ishte që ligji të hynte në fuqi më datën 1 tetor të këtij viti, për faktin se vendi ndodhej para fushatës elektorale të 23 qershorit. Ndërkaq, prej disa ditësh PD ka ngritur shqetësimin, duke informuar opinionin publik, por edhe atë ndërkombëtar, se qeverisja e majtë po përpiqet të shtyjë afatet kohore të hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Gjatë një tryezë që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, organizoi me ambasadorët e vendeve evropiane të akredituar në Shqipëri, informoi ata për lëvizjet e fundit të mazhorancës, dukë thënë se ndryshimi i këtij ligji prish marrëveshjen mes palëve dhe vë në rrezik marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor.

Sipas zotit Basha, qëllimi i vetëm i ndërmarrjes së këtij akti jotransparent dhe tinëzar nga Edi Rama është spastrimi politik i administratës publike.

Lulzim Basha

“Në mënyrë krejtësisht jotransparente, larg vëmendjes së publikut, palëve të interesuara, faktorëve bashkëpunues në këtë ligj, mësojmë, përsëri jo zyrtarisht, se ka një përpjekje për të ndryshuar përmbajtjen e këtij ligji konsensual, të votuar me votë unanime, në Kuvendin e Shqipërisë më 30 maj. Kjo përpjekje ka një dhe vetëm një motiv, për të intensifikuar spastrimin e administratës publike dhe të shërbimit civil dhe zëvendësimin e tyre me militantë partiak. Ky është një hap prapa për vendin tonë, është një hap i kushtueshëm për taksapaguesit shqiptarë dhe evropianë të cilët kanë investuar në këtë aset të vyeshëm të shtetit, që është shërbimi civil, sikundër është një shkelmim dhe një shkallmim i konceptit të konsensusit politik, pra bashkëpunimit midis partive politike për qëllime të përbashkëta”, – u shpreh z. Basha.

Kryetari i partisë më të madhe në opozitë ka bërë të qartë se PD nuk do të ketë asnjë mirëkuptim për ndryshimin e këtij ligji konsensual, i cili shkatërron administratën publike dhe vë në rrezik aspiratën për avancim sa më të shpejtë në rrugën e integrimit evropian të vendit.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë mirëkuptim për këtë hap, përgjegjësia do të jetë e tëra e Kryeministrit dhe e të tijve. Ligji i miratuar me konsensus që po tentohet të ndryshohet apo të shtyhet në mënyrë tinëzare dhe pa asnjë kriter transparence, është faktikisht një shpallje lufte e hapur ndaj aspiratës sonë për integrimit në Bashkimin Evropian, ndaj kritereve profesionale të rekrutimit dhe avancimit të shërbimit civil në bazë të meritës dhe ndaj frymës së domosdoshme të konsensusit dhe të bashkëpunimit midis forcave politike në vend”, – deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.

Prononcimi i plotë i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, pas takimit me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe KE-së

“Patëm një takim me përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Tiranë, për të shprehur shqetësimin tonë në raport me një përpjekje jo transparente, madje do të thosha tinëzare për të shkelmuar konsensusin mbi tre ligjet, mes të cilëve edhe ligjit “Për nëpunësin civil”, ligj i cili hyn në fuqi në datën 1 tetor. Në mënyrë krejtësisht jo transparente, larg vëmendjes së publikut, palëve të interesuara, faktorëve bashkëpunues në këtë ligj, mësojmë, përsëri jo zyrtarisht, se ka një përpjekje për të ndryshuar përmbajtjen e këtij ligji konsensual, të votuar me votë unanime, në Kuvendin e Shqipërisë më 30 maj. Kjo përpjekje ka një dhe vetëm një motiv, për të intensifikuar spastrimin e administratës publike dhe të shërbimit civil dhe zëvendësimin e tyre me militantë partiak. Ky është një hap prapa për vendin tonë, është një hap i kushtueshëm për taksapaguesit shqiptarë dhe evropianë të cilët kanë investuar në këtë aset të vyeshëm të shtetit, që është shërbimi civil, sikundër është një shkelmim dhe një shkallmim i konceptit të konsensusit politik, pra bashkëpunimit midis partive politike për qëllime të përbashkëta”, – deklaroi Basha.

 

Basha për “Zërin e Amerikës”: Nuk pranojmë shtyrjen e Ligjit

Kryetari i opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha, gjatë një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës tha se opozita nuk do të pranojë asnjë shtyrje të hyrjes në fuqi të ligjit për Shërbimin civil. Opozita, deklaron Basha, është e gatshme të ulet të bisedojë me shumicën nëse në të ardhmen do të shfaqen probleme me zbatimin e ligjit

Opozita e djathtë është e vendosur të mos tolerojë shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Kjo çështje ka provokuar polemika të forta, ndërsa qeveria shpjegon se bëhet fjalë për probleme tekniko ligjore, pasi ligji do të mbetej i pazbatueshëm për sa kohë nuk janë miratuar aktet nënligjore. Por në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari partisë demokratike Lulzim Basha e cilëson këtë thjesht si një alibi: “Ky është një pretekst absurd. Ligji hyn në fuqi më 1 tetor dhe ai vetë parashikon që aktet nënligjore hartohen brenda tre muajve të ardhshme. Ky ligj është hartuar nga ekspertët e BE dhe është miratuar me konsensus të plotë në parlament më 30 maj. Nuk ka asnjë vakuum për sa i përket mbrojtjes që ligji i bën administratës publike dhe detyrimeve që ajo ka në kryerjen e detyrave të përditshme. Të gjitha çështjet e tjera trajtohen nga rregullore apo akte nënligjore si dhe vendime të Këshillit të ministrave ekzistuese, të cilat për sa kohë nuk bien në kundërshtim me frymën e ligjit mund të vazhdojnë të përdoren deri në hartimin e akteve të tjera, për të cilat vetë ligji parashikon një afat tremujor”.

 

Ministri Celibashi: Ligji i shërbimit civil kërkon që të shoqërohet me akte nënligjore

Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, deklaroi dy ditë më parë se ligji “Për nëpunësin civil” është i pazbatueshëm dhe nisur nga kjo ai duhet të shtyhet për një periudhë kohorë nga 3 deri në 6 muaj. Sipas tij, ligji që pritet të hyjë në fuqi më 1 tetor, ka domosdoshmërinë e disa ndërhyrjeve. “Ligji kërkon që të shoqërohet me akte nënligjore që duhet të miratohen nga Këshilli i Ministrave që ky ligj të bëhet i zbatueshëm. Edhe nëse ne do të ishim marrë që ditën që jemi konstituuar si qeveri nuk kishim të drejtë ligjore. Detyrimi për të miratuar aktet nënligjore të kësaj qeverie fillon nga data 1 tetor. Kjo është një çështje që ka të bëjë me zbatueshmërinë e këtij ligji. Dhe kemi konkluduar që ky ligj nuk është i zbatueshëm të paktën për një periudhe të caktuar kohore. Sa kohë që qeveria do miratojë aktet nënligjore, ligji ka thënë që brenda një periudhe tremujore, dhe jo më vonë se 6 muaj këto akte nënligjore do hyjnë në fuqi”, – deklaroi ministri.

 

 

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti ambasadorin e Spanjës, “mbështetje për në BE”

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti dje në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Rafael Tormo Pérez.

Ambasadori Pérez e uroi Metën me rastin e marrjes së detyrës së Kryetarit të Kuvendit dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë të Spanjës në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Ambasadori u shpreh se Shqipëria ka sfida të mëdha përpara dhe se roli i Kryetarit të Kuvendit do të jetë tepër i rëndësishëm në këtë drejtim.

Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria ka ndjenja të forta miqësie ndaj Spanjës dhe vlerësoi njëkohësisht mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës në kuadër të strukturave të Bashkimit Evropian.

Z. Meta theksoi se në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Kuvendit, roli i tij do të fokusohet në normalizimin e bashkëpunimit politik, duke rritur marrëdhëniet ndërpartiake në funksion të ecurisë më të shpejtë të procesit të integrimit evropian të vendit. Në këtë kuadër, “marrëdhëniet dypalëshe dhe veçanërisht ato ndërparlamentare mes dy vendeve do të forcohen edhe më tej”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency