Qëndrimi i mazhorancës: Është i pazbatueshëm, duhet shtyrë 3 deri në 6 muaj

0
116

Gëzim Saliu

Ministri Celibashi: Ligji kërkon që të shoqërohet me akte nënligjore

“Qeveria do të rishikojë 14 projektligje të miratuara nga ekzekutivi i mëparshëm”

 

celibashiLigji për nëpunësin civil është i pazbatueshëm dhe nisur nga kjo ai duhet të shtyhet për një periudhë kohorë nga 3 deri në 6 muaj. Kështu bëri të ditur dje qëndrimin e mazhorancës qeverisës, ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirian Celibashi, duke theksuar se ligji që pritet të hyjë në fuqi më 1 tetor, ka domosdoshmërinë e disa ndërhyrjeve. “Ligji kërkon që të shoqërohet me akte nënligjore që duhet të miratohen nga Këshilli i Ministrave që ky ligj të bëhet i zbatueshëm. Edhe nëse ne do të ishim marrë që ditën që jemi konstituuar si qeveri nuk kishim të drejtë ligjore. Detyrimi për të miratuar aktet nënligjore të kësaj qeverie fillon nga data 1 tetor. Kjo është një çështje që k  a të bëjë me zbatueshmërinë e këtij ligji. Dhe kemi konkluduar që ky ligj nuk është i zbatueshëm të paktën për një periudhe të caktuar kohore. Sa kohë që qeveria do miratojë aktet nënligjore, ligji ka thënë që brenda një periudhe tremujore, dhe jo më vonë se 6 muaj këto akte nënligjore do hyjnë në fuqi”, – deklaroi ministri.

Reagimi

Në reagimin e parë zyrtar të mazhorancës qeverisëse lidhur me ligjin për nëpunësin civil, pjesë e tri kushteve të Brukselit për marrjen e statusit të vendit kandidat, ministri i marrëdhënieve me Parlamentin Ilirian Celibashi theksoi se ky ligj ka nevojë për ndryshime dhe se për këto do të kërkohet konsensusi i opozitës. “Ky ligj në momentin që hyn në fuqi është i pazbatueshëm. Ne duam ta bëjmë objekt te diskutimit patjetër këtë çështje pasi ky është një ligj që ka kaluar me konsensusin e të gjithë spektrit politik. Është një ligj që ka gjetur pëlqimin edhe nga institucione ndërkombëtare, por ka çështje që ne mendojmë që nga pikëpamja juridike të rishikohen, me qëllim që ligji të bëhet i zbatueshëm. Askush nuk kërkon që të hiqen ato garanci që ky ligj i sanksionon në momentin kur ai hyn në fuqi për gjithë korpusin e shërbimit civil dhe nëpunësit civil. Mendoj se ka argumente juridike. Shpresoj që ta debatojmë këtë çështje duke gjetur konsensus me të gjitha palët. Ne nuk jemi ulur për ta diskutuar. Ndoshta duke u ulur do të kuptojmë që është një çështje e thjeshtë që këtu s’ka qëllime politike për të bërë lëvizje në administratë etj. Ka nevojë për rregullime që ligji të bëhet i aplikueshëm në 1 tetor”, – theksoi ministri. Sipas Celibashit, ligji i Nëpunësit Civil nuk mund të zbatohet drejtpërsëdrejti duke nisur nga 1 tetori. “Mund të ndodhi që në 1 tetor 2, 3 apo 4 tetor apo për një periudhe kohe të caktuar do të duhen të zhvillohen procedura të caktuara në këtë ligj por ato nuk mund të zhvillohen për sa kohë nuk kemi akte nënligjore të miratuara. Ligji obligon Këshillin e Ministrave që të fillojë miratimin e akteve nën ligjore nga data 1 tetor, jo tani”, – nënvizoi ministri. Më tej ai bëri të ditur se do të rishikohen dhe 14 projektligje të miratuara nga qeveria e mëparshme. “Ne si Këshill i Ministrave, si qeveri, po konsiderojmë se cilat janë ato projektligje të cilat janë në axhendën ose që janë dërguar për t’u shqyrtuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe meritojnë të rikonsiderohen, parë kjo në frymën e programit dhe projektit të ri politik që ka kjo qeveri. Për ato për të cilat nuk ka nevojë të marrin dhe një rikonsiderim tjetër nga kjo qeveri, ne do të kërkojmë që të vazhdojë procedura parlamentare normalisht. Mund të rikthehen projektligjet. Ekziston mundësia dhe është e përcaktuar në rregullore kjo e drejte dhe procedurat për tërheqjen e tyre për sa kohë ato s’janë votuar nga Këshilli i Ministrave. Në mos gaboj duhet të jenë 14 projektligje, por ndërkohë jemi duke komunikuar me administratën e Kuvendit për t’i parë të gjitha ato që nuk janë futur në axhendën e punimeve të Kuvendit”, – tha ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi.

 

Zbardhen vendimet

Si do të funksionojnë ministritë e reja, forma e financimit

Zbardhen vendimet e fundit të qeverisë “Rama” lidhur me funksionimin dhe financimin e ministrive të reja, të krijuara si pasojë e reformës qeveritare. Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes si edhe ministri i Shtetit për marrëdhënien me Parlamentin janë dikasteret të cilat janë prekur nga vendimi i qeverisë. Sipas vendimit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë harton dhe zbaton politika që synojnë garantimin e furnizimit me energji të vendit, shfrytëzimin e burimeve energjetike e minerare në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe dobishmërisë publike, si dhe nxitjen e zhvillimit industrial me standarde sa më miqësore për mjedisin. Kjo ministri do të ushtrojë veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës: Sektorin e energjisë elektrike; Sektorin e hidrokarbureve (naftë dhe gaz); Sektorin e minierave dhe gjeologjisë dhe Sektorin e industrisë joushqimore. Ndërkohë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes harton dhe zbaton strategjitë dhe politika për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, programimit strategjik dhe monitorimit të investimeve publike për të gjitha institucionet qendrore në vend. Po ashtu pjesë e kompetencave të kësaj ministrie do të jetë edhe bashkërendimi i politikave sektoriale për mënyrën e administrimit të pronës publike shtetërore, si dhe të kuadrit, ligjor e nënligjor, përkatës, për rastet kur ky bashkërendim kërkon bashkëpunimin e ministrive të linjës. “Krijimi i një klime dhe mjedisi legjislativo-institucional mbështetës për sipërmarrjen, nëpërmjet nxitjes së biznesit dhe liberalizimit të tregut, duke reduktuar pengesat administrative dhe kostot e biznesit për eliminimin e informalitetit dhe korrupsionit, duke u mbështetur në partneritetin e vazhdueshëm publik-privat; Zhvillimi i politikave në favor të biznesit të vogël dhe të mesëm në përputhje me politikën përkatëse evropiane në bashkëpunim me dhomat e tregtisë, shoqatat e biznesit dhe shoqërinë civile”. Ndërkohë Ministri i Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore. “1. Në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, ndjek dhe bashkërendon veprimtarinë e qeverisë me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (në vijim Kuvendi), për: a) hartimin dhe miratimin e programit të punës e të kalendarit të punimeve të Kuvendit; b) procesin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave, si dhe dërgimin e të dhënave apo të informacioneve gjatë procesit ligjbërës të Kuvendit; c) seancat e pyetjeve, interpelancat, peticionet, si dhe kontrollin që ushtrojnë komisionet e përhershme parlamentare mbi ministritë përgjegjëse apo autoritetet shtetërore përgjegjëse”. Gjithashtu ministri për marrëdhëniet me Parlamentin ka disa kompetenca ku përfshihen: bashkërendimi i programit dhe kalendarit të punimeve të Kuvendit me programin politik të Këshillit të Ministrave, informimi vazhdimisht dhe në kohë i Kryeministrit, kur është rasti edhe Këshillin e Ministrave, për programin dhe kalendarin e procesit ligjbërës të Kuvendit, si dhe për aktivitetet e tjera të tij, përfaqësim i Këshillit të Ministrave në institucionet e ndryshme për paraqitjen e programit e të kalendarit të punimeve të Kuvendit, si dhe të përparësive të politikave të qeverisë…” Shpenzimet më të domosdoshme për funksionimin e kabineteve të institucioneve të reja do të përballohen nga buxheti i aparatit të Kryeministrisë, miratuar për këtë vit. Fondet për shpenzimet e domosdoshme do të përdoren për “shpenzime personeli” për stafin shtesë të kabineteve, gjithsej 22 veta, të cilët do të dallohen nga numri i punonjësve rezervë të Këshillit të Ministrave dhe për shpenzime të tjera operative.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency