Pronat, një muaj afat për rivlerësimin e pasurisë, hapat që duhet të ndjekin individët

0
146

Rivlerësimi mund të bëhet nga ZVRPP-ja ose nga ekspertët privatë

Kur rivlerësohen disa prona, paguhet tarifë më vete

 

pronat1Ka edhe një muaj kohë që individët të përfitojnë për të bërë rivlerësimin e pasurisë. 31 tetori është afati i fundit që pasuria të rivlerësohet vetëm me 1% nga 10% që ka qenë kohë më parë. Në vendin tonë një pjesë e madhe e pasurive nuk janë rivlerësuar ende dhe nëpërmjet aktit normativ të miratuar nga ish-qeveria Berisha, u është dhënë mundësi individëve të rivlerësojnë pronat e tyre, kundrejt një pagese të vogël. Fillimisht çdo i interesuar duhet të paraqitet pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij. Më pas nga ana e zyrtarëve të zyrës i jepet një formular të cilin duhet ta plotësojë. Lidhur me personat që do të bëjnë rivlerësimin e pasurisë ka dy mundësi. E para është që Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të bëjë rivlerësimin nëpërmjet zyrtarëve të saj ose të kontaktohet një ekspert rivlerësimi, me kushtin që të jetë i licencuar nga institucionet përkatëse.

1%-shi

“Tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet 1% e diferencës midis çmimit të rivlerësimit me çmimin e blerjes së pasurisë në kontratën paraardhëse të shitblerjes. Në rastet kur pasuria e paluajtshme e regjistruar në ZVRPP nuk ka një kontratë paraardhëse shitblerjeje, tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet sipas metodikës së vjetër”, – përcakton vendimi i qeverisë. Gjatë plotësimit të formularit të aplikimit për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme, zyra vendore e regjistrimit të pasurive llogarit masën e tatimit të rivlerësimit. Aplikuesi paguan në bankë, për llogari të Buxhetit të Shtetit të Ministrisë së Financave, tatimin 1% të rivlerësimit të pasurisë. Tatimi mbi rivlerësimin e pasurisë duhet të paguhet në momentin e kryerjes së aplikimit për rivlerësim. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të rivlerësimit të pasurisë. Në rast se individi do të bëjë kalimin e pronësisë së pasurisë së paluajtshme pas rivlerësimit, tatimi për kalimin e së drejtës së pronësisë llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të rivlerësuar të pasurisë. Në rast se kjo diferencë është negative, individi nuk paguan tatim. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën pasuri.

Të dhënat

Deri tani kanë përfituar nga ky akt normativ rreth 100 mijë individë dhe sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave në ditët në vazhdim pritet rritja e interesit nga ata që nuk e kanë rivlerësuar pasurinë e tyre. Problem mbeten qytete e vogla në të cilat nuk ka ende një interes në rritje, pavarësisht aktit normativ, ndërkohë që në qytete si Tirana, Durrësi dhe Fieri procesi pritet të mbyllet shumë shpejt.

 

 

Bashkia e Tiranës: Deri në fund të tetorit, sinjalistikë vertikale në 10 blloqe banimi

Për të rritur sigurinë rrugore, por edhe për të krijuar më shumë hapësira për parkime, Bashkia e Tiranës prej dy muajsh ka nisur vendosjen e sinjalistikës rrugore nëpër blloqet e banimit. Aktualisht, në 5 blloqe banimi ka përfunduar sinjalistika vertikale, nga 10 blloqe që janë parashikuar për fazën e parë të këtij projekti. Drejtorja e Transportit dhe Lëvizshmërisë, Nereida Hoxha, ka bërë të ditur se në këtë projekt përfshihen edhe disa rrugë kryesore ku mungon sinjalistika. “Ky projekt ka dy qëllime, e para krijon skemat e qarkullimit brenda blloqeve të banimit, duke synuar skemat me një sens të cilat çojnë në rritje të kapacitetit dhe shtimit të hapësirave për parkim, së dyti është rritja e sigurisë rrugore që është edhe në të njëjtën linjë me strategjitë që ka Bashkia e Tiranës për përmirësimin e sigurisë rrugore në qytet. Ky projekt shtrihet në 10 blloqe banimi, të cilat janë të përhapura në të gjithë Tiranën, këto janë blloqe që janë krijuar dhe ndërtuar para viteve ‘90 me shtesat e ndodhura mbas viteve ‘90, por që i mungon sinjalistika e nevojshme vertikale. Gjithashtu, përveç këtyre blloqeve të banimit kemi edhe disa prej rrugëve kryesore, siç është “Egnantia”, “Don Bosko” apo rruga “Siri Kodra”, – u shpreh drejtorja e Transportit dhe Lëvizshmërisë. Përveç sinjalistikës rrugore, ky projekt parashikon edhe vendosjen e elementëve të sigurisë pranë shkollave, në kuadër të angazhimit të Bashkisë së Tiranës për rritjen e sigurisë në shkolla. “Ky projekt është kompleks, pra përveç plotësimit me sinjalistikë vertikale, që siç mund të shikohet janë tabelat që po vendosen, ka edhe element të sigurisë në shkolla, të cilat vijnë në vijim të projektit të Bashkisë së Tiranës për rritjen e sigurisë në shkolla, kjo synon jo vetëm vendosjen e sinjalistikës vertikale, por edhe gominave që shërbejnë për ngadalësimin e shpejtësisë. Deri tani janë plotësuar 5 blloqe me sinjalistikë vertikale dhe deri në fund të tetorit parashikohet që të mbarojë i gjithë ky projekt”, – tha Hoxha.

 

ISHP: Shqiptarët nuk përdorin kontraceptivë

Në vendin tonë shumë pak njerëz përdorin kontraceptivë. Nga një studim i Shëndetit Publik, adoleshentët në vendin tonë kanë ende probleme me informimin e përdorimit të këtyre metodave të cilat janë një masë e sigurtë parandalues ndaj shtatzënive të padëshiruara por edhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Përballë kësaj situate specialistët e ISHP deklarojnë se Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit do të fillojnë rishikimin e kurrikulave në sistemin parauniversitar në lëndën e biologjisë dhe të shëndetit riprodhues. “Adoleshentët në disa raste kanë keq informimin e përdorimit të metodave kontraceptive dhe duke qenë kjo arsyeja Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit është duke punuar intensivisht. Ministria e Arsimit është duke shikuar kurikulat shkollore të fokusuara kryesisht tek shëndeti seksual dhe riprodhues. Është menduar që kjo të filloj që ne klasën e katërt. Ne do të dëshironim që të përdorej prezervativi si metoda më e mirë për të rinjtë që siguron një mbrojtje të dyfishtë jo vetëm për një shtatzëni të planifikuar, por edhe për infeksione seksualisht të transmetueshme. Por të rinjtë përdorin në masë të gjera nga sondazhet që kemi bëre neve kontraceptivin e urgjencës”, – thotë Lumturi Mërkuri, specialiste në ISHP.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency