Gjykata i jep pafajësi ish-boses së Gjallicës

0
165

Sonja Caka

Prokuroria më 18 qershor: Mashtroi 3 gra, 12 vite burg për Shemsie Kadrinë

Sjellja e dosjes në gjyq, pas vendimit të gjykatës për rifillim të hetimeve

 

Shemsie_KadriaKëmbëngulën në të gjitha mënyrat që Shemsie Kadria të përgjigjej para drejtësisë për mashtrimin që u kishte bërë dhe sapo dosja erdhi në gjykatë, denoncueset tërhiqen, marrin një apartament dhe e shpëtojë ish-bosen e Gjallicës nga burgu. Shemsie Kadria shpallet e pafajshme nga gjyqtari Kreshnik Omari me argumentin se nuk ka konsumuar veprën penale të “Mashtrimit” më shumë se një herë. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i Gjykatës së Tiranës, vendim që vjen pas kërkesës së prokurorit për dënimin e saj me 12 vite burg dhe tërheqjes së kallëzimit dhe ndryshimit të dëshmive nga ana e grave të dëmtuara dhe kallëzuese. E pandehura i ka shpëtuar burgut këtë herë, falë tërheqjes nga akuza e dy prej grave që denoncuan atë në polici e prokurori, me argumentin se e kanë përfituar apartamentin për të cilin kishin paguar. Por, një seancë më parë, më 18 qershor të këtij viti, prokurori i çështjes ka argumentuar që në fillimin të paraqitjes së konkluzioneve se për nisjen e këtij hetimi dhe dërgimin e çështjes në gjyq ka qenë insistimi i vetë të dëmtuarave që pas pushimit në vitin 2010 të kësaj çështjeje, ato i ka kërkuar gjykatës të urdhërojë rifillimin e hetimeve. Dosja u rihetua dhe u soll në gjyq, ndërsa gjatë procesit, dy prej të dëmtuarave deklaruan se e kanë marrë apartamentin e premtuar nga e pandehura Shemsie Kadria. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, prokurori Gjergji Tako i kërkoi gjykatës deklarimin fajtore për veprën penale të “Mashtrimit më shumë se një herë, me pasoja të rënda” për të pandehurën dhe dënimin e saj me 12 vite burg. Pas shpalljes së saj të pafajshme nga gjykata, prokurori deklaroi në fund të gjyqit se do ta apelojë çështjen.

Hetimi

Para gjykatës, prokurori i çështjes shpjegoi se kanë qenë të dëmtuarat Esma Kapllani dhe Firdes Sulkollari që kanë vënë në lëvizje organin e akuzës së kryeqytetit. Gjatë kallëzimit të tyre, këto shtetase shpjegojnë se gjatë vitit 2008 janë njohur me të pandehurën, e cila ka qenë e shoqëruar me të ndjerën Violeta Qalliu. Dy të dëmtuarat kanë marrë oferta për të blerë apartamente në një pallat që do ndërtohej në zonën e Shkozës nga shoqëria “A and E ALBTUR”. Për të realizuar këto blerje, gratë kanë paguar, Kapllani 21.5 milionë lekë dhe Sulkollari 22.9 milionë lekë dhe 2700 dollarë amerikanë. Të dy grave u është lëshuar mandat nga Shemsie Kadria që mbajnë data e 7 qershorit dhe 28 tetorit të vitit 2008. Madje, sipas dy të dëmtuarave, këto mandate janë nënshkruar edhe nga e ndjera Qalliu në funksionin e financieres. Por, me kalimin e kohës, gratë nuk morën as apartamentet dhe as paratë dhe për këtë arsye iu drejtuan Prokurorisë. Shemsie Kadria dhe e ndjera Violeta Qalliu kanë kryer në bashkëpunim veprën penale të “Mashtrimit më shumë se një herë me pasoja të rënda, në bashkëpunim”. E dëmtuara e tretë është Flutura Kambolli. Shemsie Kadria ka hyrë në kontakt me këtë shtetase, duke i kërkuara para në këmbim të një apartamenti dhe më pas me premtimin se do ia kthejë me fajde. E dëmtuara ja ka dhënë paratë dhe nuk i janë kthyer as paratë dhe as ka përfituar ndonjë interes prej tyre. Edhe kësaj të dëmtuare, e pandehura i ka thënë se paratë i duheshin për nipin e saj pronar i shoqërisë “A and E ALBTUR”, me të cilët u vërtetua gjatë hetimit se nuk kishte asnjë lidhje profesionale, por që Kadria ishte realisht tezja e Artan Shllakut, pronarit të kësaj shoqërie. Por, sipas prokurorit, dy gratë e para të dëmtuara Kapllani dhe Sulkollari kanë ndryshuar qëndrim gjatë gjykimit, duke u shprehur se apartamenti u është dhënë dhe i janë shoqërisë së ndërtimit 1 milionë lekë borxh. Ky apartament u është dhënë dy grave nga kompania “Kotorri S.L”. Ndërkohë që dy gratë kanë marrë apartamentin, e dëmtuara e tretë Flutura Kambolli nuk ka marrë as paratë, as interesat dhe as ndonjë apartament në këmbim të kësaj shume.

 

Athinë

Ish-konsulli grek në Korçë dhe dy vartësit e tij dënohen me 3 vite burg nga gjykata

Ish-konsulli grek në Korçë, Teodoros Ikonomu Kamarinos, dhe 2 ish-punonjës të konsullatës Elias Vlachopoulos dhe Panajotis Politopoulos, janë dënuar me nga një vit burg secili nga Gjykata e Faktit e Athinës. Theodhoros Ikonomu Kamarinos u dënua me një vit burg, tre vjet liri me kusht dhe një gjobë prej 5.000 eurosh, pasi u shpall fajtor për “Sjellje të pahijshme gjatë qëndrimit të tij në Korçë”, akuzë që lidhet me procedurat e dhënies së vizave greke për qytetarët shqiptarë. Sipas “Newsbomb.gr” në dëshminë e tij, ish-konsulli i akuzuar argumentoi se “Gjykata nuk mund të gjykojë objektivisht një shërbim që është subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare”. Ikonomu ka pretenduar se gjithçka ndaj tij është shpifje dhe e pabazë, madje ai është viktimë e situatave politike. “Akuzat janë inekzistente. Unë kam marrë madje edhe kërcënime nga deputetë, avokatë dhe prodhues të frutave, sepse nuk jepja viza afatshkurtra për shtetasit shqiptarë, të cilët donin të vinin në Greqi për të punuar”, – tha ndër të tjera diplomati grek, duke shtuar se akuza kundër tij bazohet në një letër anonime, dhe si e tillë nuk është serioze. Ikonomu përmendi një protestë të çamëve të organizuar ditën e largimit të tij nga konsullata, në një kohë kur, siç tha, për largimin e tij kishte dijeni vetëm ish-ambasadori grek, Nikolas Pazios. Ndërkaq, një tjetër ish diplomat grek, Jorgos Aifantis, që kishte punuar me Kamarinos në Konsullatën greke në Bukuresht, dëshmoi në favor të ish konsullit në gjyqin që po zhvillohej. Gjithmonë sipas “Newsbomb.gr”, Aifantis ka thënë se arsyeja e vërtetë e këtij dënimi, është ngjarja në Korçë, ku u diskutua mbi pjesëmarrjen ose jo të grekëve në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Shqipëri në vitin 2011, regjistrim që do të përfshinte pyetje mbi etninë dhe fenë. Aifantis iu referua deklaratës së ish konsullit Ikonomu, i cili tha në atë takim duke iu drejtuar qytetarëve korçarë: “Shkoni të shihni varret e gjyshërve në çfarë gjuhe janë shkruar dhe pastaj vendosni si të veproni”. Krahas kësaj, Aifantis tha se ish-konsulli ka shqetësuar burokratët e Athinës, sepse në dokumentet në Ministrinë e Jashtme, në vend të termit “Shqipëria jugore”, ka përdorur termin “Epiri i Veriut”. Po sipas “Newsbomb.gr” në këtë moment ka ndërhyrë prokurori i çështjes, ka ndërprerë diplomatin në pension, duke thënë se “Kjo zonë (Epiri i Veriut) nuk është më e jona. Ne duhet të përdorim termin “Shqipëria jugore”, dhe jo ashtu siç na pëlqen”. Në përfundim gjykata greke shqiptoi dënimin për ish konsullin dhe 2 ish punonjësit, vendim që u apelua nga avokatët, pasi sipas tyre, akuzat janë bazuar në ankesa anonime dhe që nuk kanë asnjë vërtetësi.

 

Tiranë

Unioni i Gjyqtarëve reagon: Apel për urtësi në trajtimin e çështjeve të drejtësisë

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, duke mbështetur nevojën për vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë thekson se “retorika me të cilën po paraprihet, shfaq mungesë të plotë respekti ndaj punës së gjyqësorit”. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, bordi i këtij unioni bën apel për urtësi në trajtimin e çështjeve të drejtësisë. “Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, plotësisht i ndërgjegjshëm për nevojën e vazhdimit të reformave për një gjyqësor më të përgjegjshëm e të pavarur, vlerëson se ky proces kërkon një klimë bashkëpunuese, gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese. Retorika që po i paraprin kësaj pritshmërie, në disa raste shfaqet në mungesë të plotë respekti për punën e pjesës më të madhe të gjyqtarëve dhe gjyqësorit. Kjo jo vetëm që nuk përbën premisën e duhur dhe vizionare për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia, por frymëzon refuzimin e autoritetit të vendimeve gjyqësore, element jetik për shtetin e së drejtës. Në këto rrethana Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë bën apel për urtësi në trajtimin e çështjeve të drejtësisë”, – thuhet në deklaratë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency