Basha: Po rrezikohet konsensusi dhe po shkelmohet statusi, pasojat do të bien mbi Ramën

0
115

Florenc Drizari

Basha: Rama të mos shtyjë ligjin, po shkelni konsensusin

 

basha-grupiKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama që të mos shtyjë hyrjen në fuqi të ligjit për statusin e nëpunësit civil. Kreu i PD-së tha se ligji është miratuar me konsensus në Kuvend dhe është pjesë e kushteve që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Pak minuta para fillimit të seancës plenare, z. Basha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, tha gjithashtu se lëvizjet e fundit të qeverisë socialistë rrezikojnë statusin e kandidatit në muajin dhjetor dhe për këtë çështje mazhoranca e majtë duhet të reflektojë.

Lulzim Basha

“Pasi e bllokuan sa deshën marrjen e statusit kandidat në opozitë, Rama me të tijtë nuk kanë asnjë punë tjetër tani që kanë ardhur në pushtet, përveç se të shkojnë në Bruksel e ta marrin këtë status në emër të Shqipërisë. Ua kemi lënë gati ne, ua kemi lënë punët të kryera të gjitha, po t’i thërrasin mendjes sepse po rrezikon me këto që ka në mendje për administratën publike. Ky do ishte një ekzekutim i pafalshëm i konsensusit”, – tha Basha.

Sipas kreut të PD-së, nëse shtyhet ligji i miratuar me konsensus, atëherë prishet edhe konsumi i gjetur me mazhorancës dhe opozitës në katër maj të këtij viti. Ai iu drejtua Kryeministrit Rama duke thënë se shtyhet ligji, mazhoranca do të ketë pasoja.

“Në emër të PD, të aleatëve tanë, dua ti them 2 gjëra të thjeshta, e para hiqe nga mendja mos e tento. Konsensusi është një vlerë e veçantë të cilën duhet ta ruajmë fort si nyje për ecjen përpara të vendit. Vendi do të ketë nevojë për konsensusin ndërpartiak po aq sa për debatin, nëse shkelmohet ky konsensus përgjegjësia dhe pasojat do të bien mbi Ramën dhe qeverinë e tij. Ky akt do çojë në shkallmimin e Shërbimit Civil. Së dyti, nëse shkelmohet konsensusi për ligjin për nëpunësin civil, pasoja do bien mbi Ramën qeverinë e tij. Nëse shkelmohet pasojat do bien mbi nëpunësin civil, ndaj përpjekjeve të qindra ekspertëve për hartimin e tij, shkelmohen përpjekjet e viteve të tëra në ngritjen e nëpunësit civil”, – u shpreh Basha.

Nga ana tjetër, kabineti qeverisës ka paralajmëruar shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit, duke filluar nga data 1 tetor e në vazhdim, duke mos përcaktuar afate kohore sesa do të jetë periudha në të cilën do të hyjë në fuqi drafti.

Disa ditë më parë grupi parlamentar i PD-së paralajmëroi se mazhoranca socialiste po tenton të shtyjë hyrjen në fuqi të ligjit për shërbimin civil. Grupi kuvendor i PD-së e bëri publike këtë shqetësim me anë të ish-ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili tha se mazhoranca socialiste po përgatitet të shtyjë ligjin për të shkarkuar një pjesë të administratës publike. Më tej deklaratat e PD-së, u pasuan me iniciativën për hapjen e një profili online në faqen e PD-së në internet, për denoncimet e atyre që janë shkarkuar nga administrata publike. Debatet mes opozitës dhe pozitës vazhduan edhe një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë.

 

 

“Ligjit për shërbimin civil”, PD hap faqe online për të pushuarit nga puna në administratë

Partia Demokratike dy ditë më parë hapi në faqen e saj zyrtare një profil të ri, ku të gjithë të larguarit nga puna në administratë mund të denoncojnë padrejtësitë ndaj tyre. Nisma e PD-së vjen pas akuzave të bëra në media nga përfaqësues të së djathtës kundrejt mazhorancës socialiste, për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin (shërbimin) civil. Demokratët thonë se qeveria po përgatit shtyrjen e ligjit që hyn në fuqi më datën 1 tetor të këtij viti, për të justifikuar shkarkimet nga puna në administratën publike. Pas akuzave publike, PD ndërmori dje nismën për pritjen denoncimeve online dhe deklaroi se faqja do të jetë e aksesueshme në çdo kohë.

“Partia Demokratike fton çdo nëpunës që të denoncojë rastet e presionit apo largimit dhe i garanton ata se do ndërmarrë të gjitha masat për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që përdorin pushtetin për të dhunuar të drejtat e nëpunësve, ushtrojnë presion e ndikim të paligjshëm ndaj tyre dhe abuzojnë me pushtetin për të larguar nga puna stafet profesioniste duke i zëvendësuar me listat e militantëve politikë”, – deklaroi Vorpsi.

 

 

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Paloka: Në tetor zgjidhen forumet drejtuese

Kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka, deklaroi se zgjedhjet brenda strukturave të PD-së do të fillojnë në muajin tetor.

“Besoj deri në muajin dhjetor, siç është thënë, sepse procesi ende nuk ka filluar, besoj tani nga fillimi i tetorit do të fillojë edhe procesi i rikonstruktimit i të gjithave strukturave duke filluar nga seksionet që janë struktura më e vogël e Partisë Demokratike duke arritur pastaj deri në të gjithë institucionet e tjera të Partisë Demokratike që janë ato më kryesoret kryesia dhe me radhë”, – tha Edi Paloka për “AS”.

Ky proces do të shoqërohet edhe me analizën për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ndërsa vetë Edi Paloka radhit disa arsye për humbjen.

“Disa njerëzve nuk duhet t’i liheshin aq funksione sa ishin lënë mendoj unë nuk duhet të kishin disa fuqi. Nuk duhet të kishin abuzuar me fuqinë që i’u dha apo morën më tepër sesa iu dha. Ministrat duhet të kishin ndryshuar marrëdhëniet me njerëzit. Për mua ishte problem sepse duke qëndruar për vite me radhë krijuan edhe ata njëlloj arrogance në marrëdhënie me njerëzit kur e krijuan marrëdhëniet me deputetët e partisë demokratike imagjino çfarë mund të ketë ndodhur me qytetarin. Përveç se ishin vet këta krijuan një grup drejtorësh rrotull vetes që u bën po kaq të pa prekshëm, po kaq arrogantë me deputetët imagjino me qytetarët”, – u shpreh Edi Paloka.

 

 

Nishani takohet me Reeker-in në SHBA, “bashkëpunim luajal institucional me qeverinë e re”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u takua me zv.ndihmëssekretarin për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Philip T. Reeker.

Në takim u shkëmbyen mendime për situatën në Shqipëri dhe vazhdimin e reformave për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, me synim integrimin evropian, ku stacioni i radhës u konsiderua marrja nga Shqipëria këtë fundvit të statusit të vendit kandidat.

Presidenti Nishani e garantoi bashkëbiseduesin në ruajtjen e vizionit të Shqipërisë për reformat dhe procesin e integrimit, politikën rajonale dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.

Zoti Reeker, pasi uroi për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas standardeve evropiane, shprehu mbështetjen e tij për vazhdimin e reformave, procesin e integrimit evropian, konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese.

Presidenti Nishani shprehu besimin se shumica, që sapo ka marrë në dorë ekzekutivin, do të punojë fort për realizimin e programit të saj, që synon vazhdimin e reformave dhe integrimin evropian dhe shtoi se do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim luajal institucional me qeverinë dhe se do të jetë mbrojtës pa ekuivokë i institucioneve të pavarura dhe kushtetuese.

 

 

Berisha zbardh letrën e dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha ka bërë publike letrën e cila i ka mbërritur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Andres Fogh Rasmussen.

Berisha ka vendosur ta ndajë letrën me miqtë e tij në rrjetin social “Facebook”, ku i ka bashkangjitur dhe foto të Samitit 2012 ku ishte i pranishëm edhe Presidenti Barack Obama. Rasmussen, ndër të tjera, i ka shprehur mirënjohjen e tij ish-kryeministrit shqiptar për përpjekjet e tij në procesin e anëtarësimit të vendit në NATO.

“I dashur Sali,

Pas largimit Tuaj nga posti i Kryeministrit të Shqipërisë, më lejoni t’Ju shpreh mirënjohjen time për dedikimin Tuaj dhe mbështetjen e vazhdueshme për çuarjen përpara të axhendës politike të Aleancës.

Ndërkohë që Shqipëria i afrohet vitit të pestë të anëtarësisë në NATO, vendi Juaj e ka pozicionuar veten si një aleat i vendosur dhe me vlera. Lidershipi Juaj në procesin e anëtarësimit dhe pas tij, ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe dëshiroj t’Ju falënderoj për kontributet e rëndësishme të vëndit Tuaj në suksesin e Aleancës. Ju uroj suksese në përpjekjet Tuaja të ardhshme.

Sinqerisht Juaji Andres Fogh Rasmussen”, – përfundon letra.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency