Tahiri-Lika-Llalla i japin besën njëri-tjetrit për krimin

0
125

Elton Qyno

Takimi 1 orë i tre njerëzve që kanë në dorë rendin dhe sigurinë në Shqipëri

Tahiri: Kam pak për të thënë dhe shumë punë për të bërë. Ja pikat e diskutimit

 

tahiri-llalla-visho3 muaj

Prokuroria e Tiranës shtyn edhe 3 muaj afatin hetimor për Bashkim Tahirin, babain e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Shtyrja e afatit hetimor për kryerjen e veprimeve hetimore shtesë ka ardhur pas provave që ka paraqitur Bashkim Tahiri javën që shkoi në prokurori. Aktualisht po verifikohet mënyra si merreshin në dorëzim ilaçet, kohëzgjatja e këtij aktiviteti dhe markat e ilaçeve, pasi ka disa medikamente që nuk njihen nga operatorët e tregut farmaceutik në Shqipëri.

Ka qenë një kafe pune mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kreut të SHISH-it Visho Ajazi Lika dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla. Për rreth 1 orë tre njerëzit që kanë në dorë gjendjen e sigurisë në vend, kanë diskutuar njëri me tjetrin për të qëndruar të bashkuar dhe të organizuar më shumë se çdo herë, me qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend. Takimi është kryer pa praninë e mediave, në ambientet e hotel “Tiranës”, ku Tahiri, Lika dhe Llalla duket se i kanë dhënë besën njëri-tjetrit për të bashkëpunuar me qëllim, luftimin e krimit, kryesisht atë të organizuar dhe korrupsionit. Mësohet se takimi është iniciuar nga ministri Tahiri, i cili gjatë bashkëbisedimit i ka kërkuar kryeprokurorit Llalla dhe kreut të SHISH, të risin rastet e luftimit të krimit të organizuar, kryesisht të grupeve kriminale që kryejnë, trafikun e drogës, prostitucionit, klandestinëve. Një ndër kërkesat e Tahirit ka qenë dhe hetimi pa kompromis i krimeve ekonomike, si korrupsioni. Tre njerëzit e sigurisë kanë rënë dakord të mbajnë marrëdhënie bashkëpunuese për çdo rast kriminal, ku institucionet të furnizojnë njëra-tjetrën me informacion, me qëllim hetimit të grupeve të organizuara.

“Kemi shumë për të bërë”

Pas përfundimit të takimit, të tre të pranishmit kanë shkëmbyer duart me njëri-tjetrin para kamerave, por që i vetmi që ka folur për kamerat ishte ministri Saimir Tahiri. “Nuk kemi shumë për të thënë, kemi shumë për të bërë. Fjala kyçe është bashkëpunimi institucional kundër krimit të organizuar”, – ka deklaruar Tahiri. Ky i fundit mësohet se gjatë diskutimit ka vënë në dijeni Visho Ajazin dhe kryeprokurorin Llalla, lidhur me reformat që ka në plan të kryejë me Policinë e Shtetit. Për të qenë në dijeni të kësaj reforme dhe për të mos krijuar boshllëqe apo mosrendim në punë, Tahiri u ka kërkuar dhe dy krerëve të institucioneve të tjera të shohin mundësinë e koordinimit të punës. Megjithëse nga ky takim nuk është dalë me një deklaratë të përbashkët për median, mësohet se tre të pranishmit kanë rënë dakord të thellojnë punën e tyre të përbashkët në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke i konsideruar këto të dyja si dy faktorë që cenojnë sigurinë publike, është vendosur të hetohet me imtësi çdo rast i dyshimtë, si dhe çdo person që mendohet se kryer korrupsion apo është i lidhur me grupe të caktuara kriminale. Për të arritur një gjë të tillë, pritet që në ditët në vijim të ketë një “shkundje” të strukturave të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe në Policinë e Shtetit, me qëllim furnizim me informacion dhe çështje, me prova konkrete Prokurorinë e Përgjithshme. Një ndër pikat që nuk ka shpëtuar pa u diskutuar në këtë takim ka qenë edhe hetimi i rasteve të pastrimit të parave, që në shumicën e rasteve kryhet nga anëtarë të bandave kriminale, që trafikojnë heroinë, kokainë dhe prostituta. Nga ana e ministrit është kërkuar, që SHISH, por edhe institucioni që ai drejton, të mbledhin të dhëna për këdo person të dyshuar me qëllim hetimin e pasurisë së tij, dhe familjarëve. Në çdo rast pasuria të hetohet dhe të merren masa për sekuestrimin e aseteve financiare, duke bërë kështu, goditjen e krimit, në pikën më të fortë të tij,paranë. Në këtë drejtim Shërbimi Informativ Shtetëror, duhet të bashkëpunojë dhe me shërbime të huaja, për të mësuar rreth aktiviteteve të ndryshme të personave të dyshuar, si të përfshirë në veprimtari kriminale.

Korrupsioni

Çështja e korrupsionit në vend, sidomos në administratën publike, nuk ka shpëtuar pa u diskutuar. Për të luftuar një fenomen të tillë që çdo ditë e më tepër po gjen përhapje në administratë, është diskutuar të bashkëpunohet më tepër me njësisë hetimore task-forcë, që janë ngritur në 7 prokurori. Për funksionimin e këtyre task-forcave është nënshkruar disa vite më parë një memorandum, nga Ministria e Brendshme, SHISH, prokuroria dhe shumë institucione të tjera, me qëllim luftimin e korrupsionit dhe veprave të tjera penale të karakterit financiar. Ky memorandum është ende në fuqi, dhe se pritet që në ditët në vijim, palët të rimblidhen sërish për t’i dhënë një ritëm të ri materialeve hetimore dhe nisjen e dosjeve të reja, që lidhen me afera të ndryshme korruptive.

 

 

 

Helikopteri u qëllua në Dukagjin

Policia shkon të asgjësojë drogë, goditet me kallashnikov

Një operacion i policisë kundër kultivimit të lëndëve narkotike në Komunën Shosh në zonën e Dukagjinit në Shkodër është shoqëruar me të shtëna armësh. Policia nisi aksionin mëngjesin e djeshëm, duke ndërhyrë me helikopter në Komunën e Shoshit për të pikasur parcelat e mbjella me hashash, por banorët e zonës mësohet se kanë qëlluar me armë në drejtim të helikopterit. Policia zyrtarisht nuk e konfirmon këtë lajm, por burime pranë policisë në Shkodër thonë se ka pasur të shtëna me armë. Nga vendngjarja mësohet se forcat e rendit dhe ajo e ndërhyrjes së shpejtë kishin nisur një operacion për asgjësimin e bimëve narkotike në zonën e thellë në malin e Shoshit në zonën e Dukagjinit. Një terren i vështirë ky si rezultat i të cilit policia përdori helikopterët për t’u futur në zonën e mbjellë me kanabis. Në këtë kohë, dyshohet se disa persona kanë qëlluar me breshëri plumbash automatiku në drejtim të forcave të policisë, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Raportohet se ndërkohë forca të shumta policie kanë krehur gjithë zonën dhe pavarësisht kërcënimit me armë helikopteri është ulur në zonë ku një pjesë e forcave të rendit ka nisur krehjen e zonës, ndërsa një pjesë tjetër është marrë me asgjësimin e bimëve narkotike. Mësohet se drejt vendit të ngjarjes në ndihmë të forcave të policisë janë nisur dhe dy grupe të gatshme të forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk janë identifikuar personat që qëlluan me armë në drejtim të forcave të rendit. Kjo ngjarje vjen një natë më pas plagosjes nga plumbat qorr që vinin nga Lazarati në fshatin Derviçan të Gjirokastrës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency