Policia po bën show me ndërtimet pa leje

0
134

Kryebashkiaku i Vlorës, kritika mënyrës së hetimit të rasteve të ndërtimeve pa leje

Vlorë, procedohen penalisht 9 inspektorë. Gjika: Policia po merr kompetenca që s’i takojnë

 

vlcsnap-2013-09-25-13h51m24s252-640x340Fushata e ndërmarrë nga Policia e Shtetit, pas urdhrit të ministrit Tahiri lidhur me fillimin e procedimeve penale për cilindo inspektor ndërtimi që nuk ka kryer detyrën për të penguar ndërtesat pa leje, ka sjellë edhe reagimin e parë të kryebashkiakëve në vend. Si për çudi, reagimi nuk ka ardhur nga ndonjë kryebashkiak që përfaqëson Partinë Demokratike, por nga përfaqësuesi i PS-së në Vlorë, Shpëtim Gjika. Ndjekja penale për nëntë inspektorë ndërtimorë të Bashkisë së Vlorës ka bërë që kryetari Shpëtim Gjika të reagojë ashpër. Ai akuzoi policinë për show mediatik dhe i cilësoi ndërtimet pa leje një fenomen i krijuar pas një kompromisi parlamentar midis dy forcave politike. Gjika u ka shpallur luftë të gjithëve. Ndjekja penale nga policia lokale për 9 vartësit e tij ka provokuar një reagim të ashpër të Gjikës. Ndërtimet pa leje, për Gjikën, flenë në dosjen e prokurorisë. Nëse ndërtimet pa leje kanë lulëzuar në Vlorë a në zona të tjera, Gjika e di pse kjo ka ndodhur. Por ndërsa për Kryeministrin Edi Rama në bregdetin e Jugut është bërë një masakër, kryetari i Bashkisë së Vlorës ka një tjetër panoramë. Gjika është i bindur që shumë shpejt do të fillojë aksioni i ndërmarrë me iniciativën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe i mbështetur fuqimisht nga ana e Bashkisë Vlorë dhe nga ai vetë. Ndërkaq, Drejtoria e Policisë së Vlorës njoftoi për fillimin e 9 procedimeve penale në ngarkim të punonjësve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Vlorë dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

12 inspektorë

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë punën intensive për evidentimin e ndërtimeve abuzive, bllokimin e tyre dhe procedimin e personave të cilët duke abuzuar me ligjin i ndërtojnë ato. Njëkohësisht po merren masa dhe ndaj të gjithë atyre punonjësve të cilët nuk kanë përmbushur detyrën që u ngarkon ligji për monitorimin e parandalimin e ndërtimeve të paligjshme. Gjatë ditës së djeshme, janë proceduar 12 punonjës të agjencive ligjzbatuese, të cilët kanë detyrë funksionale monitorimin, evidentimin e marrjen e masave ligjore në rastet e ndërtimeve abuzive. Po ashtu janë proceduar 26 persona, si dhe nga shërbimet e policisë janë bllokuar dhe objektet që po ndërtoheshin pa leje në rrethet Fier, Lushnjë, Korçë, Pogradec, Devoll, Tiranë, Peqin, Dibër, Lezhë dhe Shkodër. Në Fier, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për 6 persona, ndërkohë janë proceduar dhe 2 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Levan. Nga këto struktura në Fier filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit Trifon Metushi dhe Shefqet Hazizi, me detyrë Inspektor në INUV Levan, të cilët nuk kanë monitoruar e marrë masa në përmbushje të detyrës së tyre për ndalimin e ndërtimeve pa leje. Materialet në ngarkim të tyre i janë referuar prokurorisë për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Po ashtu ka filluar procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Skënder B., vjeç 57, pasi në Levan, ka ndërtuar një objekt pa leje.

 

Një i ri plagoset në Elbasan

Sherri në kazino, plagosen tre persona tek “21 Dhjetori”

Tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e djeshme në dy ngjarje të ndryshme brenda një harku të shkurtër kohor. Një 22 dhe 25-vjeçar mbetën të plagosur rëndë në lagjen “21 Dhjetori” në kryeqytet me armë zjarri. Policia e Tiranës bën me dije se ngjarja ka ndodhur pas një grindje në një kazino. Të plagosurit ndodhen në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë për jetën. Policia në vendngjarje nisi hetimin për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes. Sakaq një 25-vjeçar i identifikuar nga policia si Lejdi Duro u plagos me armë të ftohtë thikë në qendër të qytetit të Elbasanit mbrëmjen e djeshme. Sipas policisë, Duro është qëlluar në kokë dhe ndodhet për mjekim në spitalin Kirurgjik të qytetit në gjendje të rëndë për jetën. Sipas dëshmitarëve, 25-vjeçari ka qenë duke ecur në rrugë i shoqëruar nga një e afërme e tij kur është goditur nga pas me thikë. Nuk dihen ende autorët dhe shkaqet e ngjarjes teksa policia ka nisur hetimet. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 në lagjen “Luigj Gurakuqi”.

 

Adlei Likmeta u arrestua në zyrën e tij

I dënuar me 9 vite burg në Itali kapet arkitekti i Bashkisë Durrës

Kishte shkuar në zyrë si çdo ditë, por pak minuta më pas, Adlei Likmeta, arkitekt në Bashkinë e Durrësit prej 4 vjetësh, ka dalë i prangosur. Policia e arrestoi pas një urdhri ndërkombëtar, të lëshuar 8 ditë më parë, nga drejtësia italiane. Gjykata e Apelit në Ankona e kishte dënuar në mungesë më 31 tetor të vitit 2010, me 9 vjet e 3 muaj heqje lirie, nën akuzën për trafikim të lëndëve narkotike. Veprën penale, siç mësohet nga policia e Durrësit, ai e kishte kryer në vitin 2006. 3 vjet me vonë, 34-vjeçari ishte punësuar në Bashkinë e Durrësit, ku sipas Drejtorisë së Personelit, kishte paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Sipas drejtësisë italiane, Likmeta bënte pjesë në një organizatë kriminale që e shtrinte aktivitetin e saj në Itali e Shqipëri. Në atë kohë, ai përdorte një anije tregtare, në pronësi të tij, për të transportuar drogën drejt vendit fqinj. Bashkëpunëtor i tij në këtë trafik, gjithnjë sipas autoriteteve italiane, ka qenë Besnik Ajdini, një 49-vjeçar që në atë kohë ishte kapiten i anijes. Ajdini u arrestua pak ditë më parë nga policia e Durrësit, pasi Gjykata e Apelit në Ankona e kishte dënuar me 10 vjet burg.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency