Paratë e pista, si raportohen nga institucionet private e shtetërore

0
130

Ervin Kaduku

Vendin e parë dhe peshën kryesore të raportimeve e zënë bankat, kjo shpjegon qartë edhe numrin e pakët të inspektimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave drejt këtyre institucioneve

 

euro-dollarsNë Republikën e Shqipërisë disa subjekte publike dhe private kanë detyrim të raportojnë pranë Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në rast se gjatë punës së tyre konstatohen aktivitete apo transaksione të dyshimta për burimin e tyre financiar. Pas raportimit, është Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave që referon mbi transaksionin, duke konstatuar nëse përbën rast të objektit “pastrim parash të pista”.

Subjektet raportuese të aktivitetit të dyshimtë të pastrimit të parasë janë: Institucionet Bankare; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave; Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; Zyrat Noteriale; Shoqëri të Transfertave; Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; Zyrat e Këmbimit Valutor; Shoqëri të Qiradhënies Financiare (Leasing) etj.
Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me raste të raportimit dhe referimit të transaksioneve në cilësinë e të dyshuara për burim jo të pastër financiar. Raportimet bëhen nga subjekte të sipërshënuara që kanë detyrim të evidentojnë transaksionet që duhen inspektuar. Ndërsa referimi bëhet nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Viti me raste më të shumta të aktiviteteve financiare të dyshimta është viti 2007 ku shënohen 748 raste.

Raporti mes rasteve të raportuara dhe atyre të referuara është tepër interesant. Teorikisht baza ligjore në vend krijon detyrim për raportim të çdo transaksioni me vlera të caktuara. Bankat dhe shoqëritë e transfertave monetare janë edhe institucionet me më shumë raste. Vendin e parë dhe peshën kryesore të raportimeve e zënë bankat, kjo shpjegon qartë dhe numrin e pakët të inspektimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave drejt këtyre institucioneve. Në tre vitet e fundit (2010-2012) duket qartë një rritje e ndёrgjegjësimit të institucioneve për të raportuar rastet e dyshimta. Nëse në vitin 2008 ishin 142 raste të raportuara nga Bankat, 5 raste nga DPD, 2 raste nga DPT dhe 3 raste nga Institucione te tjera jo subjekt i ligjit, në vitin 2012 Bankat kanë raportuar 352 raste, Doganat 30 raste, Tatimet 33 raste, Zyrat Noteriale 19 raste, Shoqёritё e Transfertave 73 raste, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme 29 raste, Zyrat e Këmbimit Valutor 14 raste, Shoqëritë e Leasing 1 rast, Përfaqësuesit Ligjor 1 rast dhe Institucione te tjera jo subjekt i ligjit 4 raste. Pra, ka një rritje me 3.66 herë më shumë raste të raportuara në harkun kohor të 5 viteve dhe nga 4 në 10 subjekte raportuese.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency