Levandovski i thotë “jo” rinovimit, sezoni tjetër te Bajerni

0
198

Jurges Veizaj

Polaku është tepër i vendosur dhe nuk do ta rinovojë kontratën me Dortmundin. Pas problemeve që pati me ekipin duket se tashmë marrëdhëniet janë të mira, por kjo nuk nënkupton që Levandovski do të rinovojë. Kështu, ai bëhet lojtari i dytë që largohet drejt rivalëve bavarezë pas Gëtzes

 

levandovskiDuket se Borusia nuk është më i njëjti ekip pas Gëtzes dhe këtë e ka treguar në performancat e fundit. Por duket që pas ikjes së tij i ka ardhur radha edhe e një lojtari tjetër për të shkuar te Bajern Mynih. Bëhet fjalë për Levandovski. Në fillim të sezonit tjetër lojtari do të jetë pjesë e skuadrës së Pep Guardiolës. Por duket se marrëveshja do të bëhet zyrtare më shpejt se ç’mendohet. Ai që e deklaroi këtë ishte vetë lojtari. “Në fillim të 2014 mund të firmos kontratën e re. Tani është akoma shpejt dhe duhet pritur akoma edhe pak” u shpreh polaku për mediat.

Pritja për konfirmim

Sulmuesi tha që të gjitha janë në rregull, por duhet pritur qershori për t’u bërë edhe zyrtarizimi. Ai deklaroi: “Duhet të presim edhe pak, por mund të them që në qershor kontrata do të jetë e përfunduar”. Këtë deklaratë e dha pas fitores për Kupën e Gjermanisë kundër Monako 1860. Kur u pyet për të ardhmen e tij në lidhje me bavarezët, sulmuesi u përgjigj, edhe pse afër kishte një nga drejtuesit e Borusias. Me anë të një konfirmimi nga ai tashmë duket gjithçka e qartë për të ardhmen e tij. Duket se që nga qershori i 2014-ës ai do të jetë nën urdhrat e teknikut Guardiola.

Mospranimi i rinovimit

Sulmuesi polak pati një përplasje me strategun e ekipit Jurgen Klëp në verën e kaluar. Tashmë duket që raporti midis tyre nuk është më i njëjti. Marrëdhëniet dukeshin të ftohta dhe shumë larg njëri tjetrit. Këto tregues e bën pothuajse të pamundur qëndrimin e tij të skuadra e Dortmundit. Trajneri Klëp besonte se lojtari do të rinovonte kontratën që kishte nënshkruar në 2010. Mirëpo kjo nuk ndodhi dhe lojtari do të shkojë drejt Bajernit me parametër zero. Me fanellën verdh e zi Leva ka fituar Bundesligën e 2011 dhe 2012. Gjithashtu ka pasur mundësinë që të fitonte këtë verë Kupën e Gjermanisë duke mundur përballë skuadrën e bavarezëve. Skuadër që në maj mposhti ekipin e tij në ëndrrën e madhe për të qenë fitues të Ligës së Kampioneve. Lojtari nuk arriti që të përqafonte kupën e lavdishme dhe tashmë do të shkojë në Mynih për ta provuar shansin me ta.

 

Konte: Ndaj Realit provojmë muskujt

Antonio Konte e sheh si një ndër ndeshjet më të rëndësishme atë kundër galaktikëve të Realit. Tekniku italian do të ketë përballë italianin Ançeloti. Ai ka deklaruar se është një ndeshje tepër speciale për të, pasi përballet me një teknik të madh. “Ndeshja me Real Madridin do të na tregojë se në çfarë pike ka arritur progresi ynë”. Antonio Konte dëshiron që Juventusi t’i shkojë deri në fund aventurës së Champions League. Tekniku i “Zonjës së vjetër”, në një intervistë për “Champions Matchday”, revistë e UEFA-s, bëri një analizë që nga humbja e sezonit të shkuar kundër Bajern Mynihut dhe se çfarë do të bëjnë këtë sezon. “Pata thënë që duhet të kuptojmë se jemi në hapat e një pune që e nisëm dy vjet më parë, ndërsa ajo humbje na ka dhënë shumë përgjigje. Këtë vit skuadra është më eksperte dhe një faktor i rëndësishëm është fakti që sezonin e shkuar shumë lojtarë e kishin eksperiencën e parë në Champions League. Përballja me një formacion ambicioz si ai i Real Madrid do të jetë fantastike”, – është shprehur Konte

 

Usain Bolt: Mund ta bëj Bejlin më të shpejtin në botë

Njeriu më i shpejtë në botë ka thurur elozhe për lojtarin uellsian Gareth Bejl. “Mendoj se Bejl është futbollisti më i shpejtë në botë për momentin, por unë mund ta ndihmoj të bëhet edhe më i shpejtë”. Këtë koment ai e dha gjatë një intervistë për “Daily Mail”. “Nuk bëhet fjalë vetëm për shpejtësi, por të ruash edhe ekuilibrin teksa vrapon me topin në këmbë. Unë e kam ndihmuar edhe Kristiano Ronaldon”, – vijoi xhamajkani. Më pas Bolt i lëshon një mesazh Real Madridit dhe Karlo Ançelotit: “Unë kam një respekt të madh për Real Madridin dhe Garethin dhe nëse ata duan ndihmën time, unë mund të fluturoj për t’i dhënë disa leksione private Bejlit. Kam dëgjuar që ka të dhëna të përafërta me të miat, por teknika është gjithashtu shumë e rëndësishme”. Ai përfundoi deklaratën duke thënë se mund ta bëjë më mirë se ç’është lojtarin uellsian në këtë aspekt.

 

Morati mund të vazhdojë të jetë president i Interit

Simboli i skuadrës dhe drejtuesi gjatë gjithë këtyre viteve mund të vazhdojë të jetë në krye të Interit. Kjo ka ardhur pas deklaratës së Tohirit, i cili ka propozuar që Morati të qëndrojë në postin e tij. Morati më parë kishte deklaruar se nuk do të qëndronte president i klubit, por tani që Tohir po i kërkon që të vazhdojë të qëndrojë në postin e tij, gjërat mund edhe të ndryshojnë. “Ka kohë për ta menduar diçka të tillë. Konfirmoj sjelljen absolutisht miqësore të Tohirit. Jemi dy grupe, dy familje që mbështesim këtë klub. Nuk ka një grup që vjen dhe një tjetër që ikën. Kjo më pëlqen si mua ashtu dhe Tohir. Do të përballemi me problemet aktuale dhe do të japim qartësi për të ardhmen”, – u shpreh presidenti aktual i Interit. Morati analizoi më pas edhe momentin krejtësisht pozitiv të skuadrës zikaltër në fushën e lojës. “Janë vetëm ndeshjet e para por jemi të kënaqur pasi nisja ishte e mirë. Ka një klimë të mirë, trajneri dhe lojtarët kanë konfirmuar cilësitë e tyre. shpresojmë të rritemi gjithmonë e më tepër”.

 

Duka i dërgon letër Platinisë për çështjen “Kaçe”

FSHF ka nisur të reagojë për të mbrojtur lojtarin e kombëtares tonë Ergys Kaçe. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i ka nisur numrit një të UEFA-s, Mishel Platini, një letër ku i tregon shumë mirë arsyet dhe padrejtësinë që është bërë ndaj lojtarit.

Letra që Duka i ka nisur ka vetëm subjekt, Ergys Kaçen dhe problemet që ai po kalon aktualisht pas fotos së famshme të postuar në Facebook, me fanellën e UÇK-së. Që prej asaj dite, vetëm probleme të mëdha janë hapur për të, duke e kthyer në një situatë të politizuar. Dhe, pas ndërhyrjes së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe trajnerit të Shqipërisë, Xhani de Biazi, dje ka ardhur edhe ndërhyrja zyrtare e numrit një të futbollit shqiptar, i cili i është drejtuar Platinisë dhe UEFA-s, për të ndërhyrë në këtë çështje dhe të dalë në mbrojtje të futbollistit 20-vjeçar. Gjithashtu, një letër tjetër i është dërguar edhe homologut të tij në Greqi, Xhorxho Sarris. Ai i ka kërkuar kreut të UEFA-s që të merret me këtë çështje pasi është kryer një padrejtësi ndaj lojtarit. Gjithashtu duka i ka bërë thirrje edhe për shkak të politikës që ndjek vetë ky institucion kundra racizmit. Tashmë pritet një reagim zyrtar që do të reagojë pas përjashtimit të lojtarit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency