Gjoba 300 mijë USD familjes Hazizaj, ngel në burg Aleks Lala

0
180

Sonja Caka

Hetimi, 27-vjeçari ndërmjetës për gjobën në Shqipëri, iniciues i pengmarrës së Ilir Hazizajt në Londër

Familja Hazizaj në Peshtan të Fierit merret në mbrojtje nga policia, policia britanike në kërkim të pengut 32-vjeçar

 

shtepite_e_vellezerve_Hazizaj_395957836Vendosja e gjobës 300 mijë euro dhe pengmarrja e një emigranti shqiptar e kanë lënë në burg për një kohë të pacaktuar një 27-vjeçar nga Shkodra, i cili dyshohet të jetë udhëheqësi i kësaj ngjarjeje të shtrirë në dy shtete. Dje ai ka dalë para togave të zeza të Krimeve të Rënda, por nuk ka folur më tepër se dhënia e gjeneraliteteve, ndërsa avokati i tij ka mohuar përfshirjen e klientit të tij në këtë ngjarje. Seanca e drejtuar nga gjyqtari Bardhyl Dhama është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa në fund të masës, i riu i akuzuar është lënë në “Burg pa afat” deri në përfundim të plotë të hetimeve. Para gjykatës, në prani gjyqtarit të gatshëm, avokatit dhe të akuzuarit, prokurori Ervin Kondili ka treguar rrethanat e ngjarjes, përfshirjen e 27-vjeçarit Aleks Lala, si dhe vijimësinë e mbajtjes peng të të riut fierak në Londër, si dhe angazhimin e policisë britanike për lirimin e tij. Akuza që rëndon mbi të riun është ajo e “Shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie”. “Aleks Lala është identifikuar nga bisedat virtuale me rrëmbyesit e vëllait të të kërcënuarit. I pandehuri ka qenë në cilësinë e ndërmjetësit dhe ai ka kontaktuar me rrëmbyesit duke u treguar vendndodhjen e vëllait të pengut, me familjen e të cilit kishte njohje. Arrestimi i tij është i ligjshëm dhe kërkoj caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg””, – është shprehur dje para gjykatës prokurori Kondili. Nga hetimet, sipas burimeve, mësohet se roli i të riut Lala nuk ka qenë vetëm ndërmjetës për komunikimin me vëllezërit e pengut në Shqipëri dhe kërkesën për 300 mijë USD, por edhe si udhëheqës i grupit pengmarrës për të marrë peng të riun Ilir Hazizaj. Vetë i akuzuari ka mohuar përmes avokatit mbrojtës akuzat ndaj tij apo dhe pretendimet e prokurorit, duke mohuar përfshirjen. Por, sipas burimeve, organi i akuzës disponon prova dhe përgjime që përfshijnë të riun nga Shkodra, ndërsa dyshohet se bisedat me miqtë e tij në Londër i ka bërë përmes internetit. Edhe këto biseda mësohet se janë administruar në dosjen hetimore paraprake, ndërsa në dijeni për këtë pengmarrje janë vënë edhe autoritetet britanike, të cilat po punojnë për gjetjen e pengut. Ditën e djeshme, nga ana e Prokurorisë së krimeve të Rënda është dërguar një letërporosi shtetit anglez, drejtuar autoriteteve të policisë për nisjen e kërkimeve për dy rrëmbyesit.

Mbrojtja

Familja Hazizaj nga fshati Peshtan i Fierit prej ditës së hënë është marrë në mbrojtje. Shkak janë bërë kërcënimet që ata kanë marrë përmes telefonit pas arrestimit të Aleks Lalës, duke detyruar Policinë e Shtetit të vendosë një patrullë policie pranë banesës së tyre. Pranë shtëpisë së familjes Hazizaj në fshatin Peshtan është stacionuar një patrullë e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, e cila ruan përgjatë 24 orëve të afërmit e pengut. Të afërmit e Ilir Hazizajt, të marrë peng në Londër, janë ngujuar, ndërsa kanë frikë nga hakmarrja dhe kërcënimet e pengmarrësve. Dy vëllezërit Hazizaj jetojnë në fshatin Peshtan, ndërsa si ata, ashtu dhe banorët e këtij fshati, mohojnë që ndonjëri prej tyre të jetë biznesmen. Sipas banorëve por edhe vetë të ngujuarave, pasuria e tyre është vetëm toka dhe dy lopë, me të cilat ushqehen. Të afërmit e Ilir Hazizaj në Peshtan të Fierit presin lirimin e njeriut të afërt të tyre, duke e parë policinë si shpëtimtarin e tij dhe të vetë atyre. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor edhe patrullimi i policisë behet me makina dhe agjentë civilë.

Dëshmia

Diko Hazizaj ka denoncuar në polici gjobën marramendëse të vendosur nga i riu Aleks Lala, i cili i kërkonte shitjen e pronave dhe tokës për të siguruar shumën që i kërkohej në këmbim të lirimit të vëllait, i marrë peng në Londër. Pas marrjes së disa sms-ve kërcënuese dhe kërkesave të vazhdueshme për shumën 300 mijë USD, 36-vjeçari Diko Hazizaj i është drejtuar policisë me një kallëzim. Para hetuesve ai ka dëshmuar se rrëmbyesit e kanë telefonuar dhe për t’ia bërë sa më të besueshme ngjarjen, i kanë kaluar në celular vëllain. Pengu i është lutur Diko Hazizajt që të gjente sa më parë lekët që kërkonin rrëmbyesit dhe t’i paguante ato, qoftë edhe duke shitur tokën në pronësi. Sipas dëshmisë së 36-vjeçarit, vëllai e ka udhëzuar që lekët t’ia japë djalit që kishin caktuar rrëmbyesit, të arrestuarit Aleks Lala. Vetë vëllai i pengut ka rrëfyer se ai ndodhet në një gjendje të mjerueshme ekonomike dhe me shumë pak të ardhura dhe nuk është e vërtetë se është biznesmen. Ai ka treguar se pasuria e tij e vetme janë vetëm dy lopë, ndërsa ka pohuar se vëllai i tij prej shumë vitesh është emigrant në Angli dhe e ka ndihmuar herë pas herë me lekë.

Operacioni

Mesnatën e së dielës, policia arrestoi 27-vjeçarin nga Shkodra dhe me banim në Tiranë, Aleks Lala, si të dyshuar për gjobëvënien. Policia e Shtetit njoftoi arrestimin, i cili ishte bërë pas denoncimit të Diko Hazizajt se Lala i kërkonte 300 mijë dollarë në këmbim të lirimit të vëllait të tij, Ilirit, i marrë peng në Londër. Aleks Lala u zbulua fill pas përgjimit të komunikimeve elektronike mes rrëmbyesve dhe denoncimit të Hazizaj. Policia arriri ta identifikonte Lalën dhe me një urdhër arresti lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka rrethuar në banesën e tij në orët e vona të natës. I pandehuri mësohet se banonte te zona e Unazës së Re. Policia ka identifikuar edhe dy shqiptarë si autorë të pengmarrjes dhe po heton për kapjen e tyre, ndërsa ka vënë në dijeni edhe autoritete policore në Londër. Lirimi shëndoshë e mirë i 32-vjeçarit, Ilir Hazizaj është prioritet i policisë britanike e cila mësohet se ka rënë në gjurmë të pengmarrësve. Sipas burimeve policore, 32-vjeçari Hazizaj jeton prej 12 vjetësh në emigracion, fillimisht në Greqi e më pas në Londër.

 

Takimi

Naço – Cannon, mbështetje për vijimin e projekteve në drejtësi

“Është objektiv strategjik i Mbretërisë së Bashkuar që ta shohë Shqipërinë në BE. Për të arritur këtë, ka punë për të bërë në aspektin e ligjeve. Në këtë këndvështrim, puna juaj është tepër sfiduese”. Kjo ka qenë një ndër deklaratat më të rëndësishme që ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Cannon bëri dje në atkimin që pati me ministrin e Drejtësisë z. Nasip Naço. Ambasadori e uroi ministrin për detyrën e re, duke theksuar se sfida të mëdha e presin përpara. Ndërsa nga ana e tij, Ministri Naço falënderoi ambasadorin për kontributin e deri më tanishëm të Britanisë së madhe në projektet në fushën e drejtësisë, ndërsa e vuri në dijeni mbi projektet që ai ka në vijimësi për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe të tjera reforma të rëndësishme në drejtësi. “Shërbimi i provës ka qenë një projekt që i ka kursyer shtetit shqiptar 15 milionë euro. Po ashtu, projekti-pilot i Mbikëqyrjes Elektronike do të dëshironim, me ndihmën tuaj, që të zgjerohej në të gjithë Shqipërinë. Ministria e Drejtësisë po bën shumë punë në aspektin e strategjisë antikorrupsion, pasi së fundmi ne kemi publikuar portalin “Stop korrupsionit në Drejtësi!”, – ku vetëm në një ditë kanë ardhur rreth 10 raste denoncimesh nga qytetarët. Ky portal është bërë me qëllim që të tregojmë vullnetin e kësaj qeverie kundër korrupsionit”, – theksoi Ministri Naço. “Së shpejti, pritet të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, si një organ për të hetuar korrupsionin në nivelet më të larta. Deri më sot, lufta ndaj korrupsionit nuk ka funksionuar siç duhet, prandaj ne kemi nevojë për mjetet e duhura që ta luftojmë korrupsionin”- nënvizoi Ministri i Drejtësisë. Ambasadori Cannon e përgëzoi Ministrin për punën e bërë deri më tani dhe e siguroi atë se mbështetja e tij personale dhe e Mbretërisë së Bashkuar do të jetë maksimale, si në asistencë teknike, ashtu edhe në mbështetje konkrete me grante të projekteve në fushën e drejtësisë. Sipas ambasadorit britanik, shërbimi i provës ka qenë një histori suksesi dhe u shpreh i kënaqur për faktin se Britania ishte pjesë e këtij projekti, prandaj do të ishte me interes të vazhdohej më tej. Sa i përket marrëveshjes për kthimin e të burgosurve shqiptarë në Britaninë e Madhe, ambasadori tha se ky proces është drejt përfundimit. “Ju do të njiheni nga afër me detajet e këtij procesi kur të kryeni vizitën tuaj në Angli së shpejti, por unë po ju informoj paraprakisht se në muajin nëntor presim të kthehet grupi i parë i të dënuarve. Gjithashtu, do të ishim të gatshëm të ndanim me ju eksperiencën angleze të Agjencisë së Krimeve të Rënda, e cila deri më sot ka mbajtur raporte të shkëlqyera me disa institucione të drejtësisë në Shqipëri, si me Prokurorinë, Shërbimin Informativ Shtetëror etj.”, – përfundoi Ambasadori. Ministri Naço e informoi më tej Ambasadorin Cannon se reforma në drejtësi do të jetë transparente, duke prekur legjislacionin dhe gjyqësorin. Ambasadori e ftoi ministrin Naço për konsulencë në çdo rast të nevojshëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency