Golem, niset në ceremoni mortore komunari zbulon tritolin në makinë

0
123

Elton Qyno

Agron Agalliu, kryekomunari i Golemit, i ka shpëtuar një atentati me lëndë shpërthyese në makinën e tij

 

GOLEM-TRITOL--MBULIM-24_12

Ishte nisur për të shkuar në një ceremoni varrimi në Berat, por nuk kishte mësuar se në makinën e tij, persona ende të paidentifikuar kishin vendosur rreth 200 gr tritol. Lënda shpërthyese është vendosur në automjetin e kryetarit të Komunës Golem, por që fatmirësisht nuk ka shpërthyer dhe kryekomunari ka vijuar rrugën i qetë për në Berat. Kanë qenë komshinjtë e Agron Agalliut, të cilët kanë konstatuar në rrugë lëndën shpërthyese dhe më pas kanë njoftuar policinë e Kavajës. Vetë kryekomunari është marrë në telefon, ku është njoftuar lidhur me rastin, ndërkohë që pasi është kthyer nga rruga, është marrë ne pyetje nga policia e Kavajës, ku ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri. Lidhur me këtë ngjarje, policia e Kavajës në bashkëpunim me atë të Durrësit janë duke kryer hetime, në pistën e konflikteve për shkak të detyrës.

Tritoli me celular

Kryekomunari nuk i ka vënë rëndësi objektit që i ka rënë nga mjeti dhe ka vijuar rrugën për në Berat, ndërkohë personat që e kanë konstatuar, fqinjë të Agalliut, kanë njoftuar policinë. Forca të shumta policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe bërë rrethimin e saj në një perimetër të gjerë deri në momentin e mbërritjes së specialistëve antieksploziv të cilët kanë vënë nën kontroll situatën, duke mbledhur pjesët dhe larguar rrezikshmërinë që paraqiste prania e lëndës plasëse në rrugë. Burime nga policia e Kavajës bënë të ditur se lënda plasëse, afro 200 gramë tritol që ishte vendosur në makinë, ishte e pajisur me celular përmes të cilit synohej aktivizimi i shpërthimit. Lënda shpërthyese është vendosur gjatë orëve të natës dhe po punohet për të gjetur autorët e këtij akti, ndërkohë që Agalliu nuk ka dhënë informacione që mund të çojnë paraprakisht në ngushtimin e rrethit të të dyshuarve.

“Nuk dëshiroj mbrojtje”

Pas rënies nga automjeti i Agalliut, një automjet tjetër e ka shkelur duke përhapur në rrugë pjesë të mekanizmit aktivizues, celularit dhe të tritolit. Sipas burimeve policore lokale, lënda plasëse nuk është vendosur mirë dhe ka rënë në tokë sapo automjeti është ndezur dhe ka lëvizur. Kjo për shkak të pakujdesisë në vendosje nga ana e autorit, ose e qëllimtë duke dashur ta paralajmërojë kreun e komunës, por jo ta dëmtojnë atë. Vetë Agalliu ka mbetur i befasuar nga ajo që kishte ndodhur dhe se gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se nuk i ka dhënë rëndësi kësaj ngjarjeje dhe nuk mendon se është në kushtet e kërkimit të mbrojtjes nga policia, për derisa nuk ka konflikte me persona të tjerë. “Nuk kam konflikte me askënd, në të kundërt do t’i kushtoja rëndësi qeses që më thanë se kishte rënë nga makina. Mendova se ishte ndonjë nga ato qeset që rëndom ngecin në gomat e mjetit kur lëvizim dhe vazhdova rrugën. Që në mëngjes u nisa për në Berat, në një vdekje, dhe nuk i kushtova asnjë rëndësi deri në momentin që më telefonuan për të më pyetur rreth kësaj. Nuk kam asnjë konflikt të kësaj natyre me ndokënd, konflikt që mund të çojë në vendosjen e eksplozivit. Nuk di të them më shumë se kaq”. Në zgjedhjet e majit të vitit 2011, Agron Agalliu fitoi mandatin e dytë në krye të Komunës së Golemit si përfaqësues i Partisë Socialiste, ndërsa përballë kishte kandidatin Engjëll Murrizi. Aktualisht, policia e Kavajës është duke e hetuar rastin në pistën për shkak të detyrës së kryekomunarit. Në polici janë shoqëruar disa persona, punonjës të komunës të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë sërish të lirë.

 

Sarandë – Elbasan, regjistrohen procedime penale

Nuk vepruan për ndërtimet pa leje nën hetim dy kryeinspektorë ndërtimorë

Mosveprimi për të ndaluar ndërtimet pa leje apo për t’i prishur ato, ka sjellë regjistrimin e të tjerëve procedime penale nga ana e prokurorisë. Këtë herë është Prokuroria e Sarandës, e cila nisi hetimet për kreun e Inspektoratit Ndërtimor të Ksamilit, i akuzuar për shpërdorim detyre. Mësohet se ky institucion ka lejuar ndërtimin e objekteve pa leje në këtë zonë, ndërsa shumë shpejt pritet arrestimi edhe i tre personave si përgjegjës për këto ndërtime. Ndërkohë, masa janë marrë edhe nga Prokuroria e Elbasanit, e cila ka çuar për gjykim ish-kryeinspektorin e bashkisë, Neritan Zotaj. Kjo, pasi, sipas organit të akuzës, ai nuk ka marrë masa për të ndalur ndërtimin e objekteve pa leje. “Pesë raste të mosmarrjes së masave administrative “Gjobë dhe pezullim punimesh”. Pesë raste të mosreferimit “Kallëzim penal” në organin e prokurorisë. Nëntë raste të mosmarrjes së masave “Gjobë dhe prishje të objekteve të paligjshme”. Një rast të mosmarrjes së masave për prishje objekti”, – janë akuzat që rendit prokuroria. Një ditë më parë, kreu i organit të akuzës shqiptare, Adriatik Llalla, deklaroi nga qyteti i Vlorës se do të ngarkojë me përgjegjësi, jo vetëm ndërtuesit pa leje, por edhe institucionet, që ndërtojnë në mënyrë abuzive.

 

Largimet në polici

Lezhë, largohen 23 efektivë policie

Largimet nga puna në radhët e pPolicisë së Shtetit janë shtrirë jo vetëm në Tiranë, por edhe në komisariatin e Lezhës. Siç mësohet, me një vendim të ministrit Sajmir Tahiri, janë shkarkuar gjatë këtyre ditëve rreth 23 efektivë policie, të cilët, sipas një raporti të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, janë kapur me shkelje. Veç shkeljeve në drejtim të disa prej efektivave të policisë, janë bërë shumë ankesa edhe nga qytetarë të ndryshëm, ku pas verifikimit është vendosur largimi nga puna të 23 efektivave të policisë. Dy ditë më parë, ministri Tahiri vendosi të shkarkonte 88 punonjës të Policisë Rrugore në policinë e Tiranës. Vendimi sërish ka ardhur pas ankesave për korrupsion dhe abuzime të rënda gjatë ushtrimit të detyrës.

 

Katër kriteret

Policët rrugorë, me shkollë të lartë

Një ditë pas lirimit nga detyra të 88 efektivëve dhe oficerëve të Policisë Rrugore, Ministria e Brendshme ka sqaruar edhe procedurat për punësimin e policëve të rinj rrugorë. Përmes një komunikate për mediat, MB sqaron se përzgjedhja e punonjësve të rinj në shërbimin e Policisë Rrugore të Tiranës është bërë nga një komision i përbërë nga drejtues të lartë dhe me eksperiencë të Policisë Rrugore, duke pasur parasysh 4 kritere kryesore: Arsimin dhe përgatitjen profesionale, vlerësimet e treguesve të punës, përgatitjen fizike dhe moshën e re dhe barazia gjinore. Me ndryshimet e bëra, mosha mesatare e këtij komisariati është ulur nga 47.4 vjeç që ishte deri dje, në 33.2 vjeç. Për nga arsimimi, oficerët e Rolit të Parë Drejtues janë të gjithë me arsim të lartë në Akademinë e Rendit Publik dhe disa me arsim të lartë jopolicor në degë, si: Inxhinieri mekanike, Juridik, Psikologji etj. Sipas zyrës së shtypit të MB, deri tani efektivi i Komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet është rinovuar me 6 oficerë të Rolit të Parë Drejtues dhe me 53 oficerë të Rolit të Parë Zbatues.

 

Aksidenti

Makina plagos rëndë çiftin e moshuar

Një çift të moshuarish kanë mbetur të plagosur rëndë, pasi u përplasen nga një automjet pranë stadiumit “Dinamo” në kryeqytet. Aksidenti ka ndodhur në rrugën “Sulejman Delvina”, ku sipas policisë çifti është përplasur, teksa po kalonin rrugën në kahun tjetër të rrugës. Të plagosurit janë dërguar në spital në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë policia bën me dije se ka ndaluar drejtuesin e mjetit dhe thotë se po punon për zbardhjen e aksidentit. Ndaj drejtuesit të mjetit është ngritur akuza e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe se ai është duke u mbajtur i izoluar në dhomat e paraburgimit deri në sqarimin e plotë të rrethanave të këtij krimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency