Deputetët e PD-së: Qeveria, larg duart nga ligji për nëpunësin civil

0
150

Florenc Drizari

Ligji për nëpunësin civil përplas sërish pozitën me opozitën

Reagojnë deputetët Eduard Halimi dhe Dashamir Shehi

 

shtepia-qendrore-e-ushtriseOpozita akuzoi mazhorancën socialiste se po tenton ndërhyrjen në “Ligjin për nëpunësin civil”, duke shtyrë afatet e hyrjes së tij në fuqi, me qëllim për të bërë lëvizje në administratën publike. Më herët, drafti është miratuar me konsensusin e të dyja palëve në Kuvend, ndërkohë që ky ligj ishte edhe një nga tri kushtet e Brukselit për dhënin e statusit të kandidatit për Shqipërinë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, denoncoi një ditë më parë ndërhyrjet e mundshme në ligj nga ana e mazhorancës, duke thënë se data 1 tetor është afati kur ligji hyn në fuqi dhe qeverisja e majtë nuk duhet të cenojë marrëveshjen e vendosur më parë. Sipas tij, ka indice që qeveria po tenton ndryshime në ligjin e nëpunësit civil për të vazhduar pushimet nga puna në administratë.

“Ditët e fundit qeveria ka paralajmëruar ndërhyrjen tek ligji “Për statusin e nëpunësit civil”, që hyn në fuqi më 1 tetor 2013, me qëllim shtyrjen e këtij afati. Opozita dhe mbarë qytetarët e dinë se kjo lëvizje bëhet për t’i hapur rrugë përndjekjes së administratës publike, spastrimit politik të saj dhe zëvendësimit të stafeve profesionale me listat e militantëve politikë që kanë aplikuar në selinë e PS-së. Ne nuk mund të pajtohemi dhe nuk mund të japim pëlqimin tonë për këtë cenim të rëndë të shtetit ligjor, të statusit të nëpunësit publik dhe të kompromisit politik, që ka qenë bazë e reformës së sistemit për një administratë të pavarur dhe profesionale”, – tha ai.

Për ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, shkelja e ligjit të nëpunësit civil është kërcënim i hapur dhe brutal i bashkëpunimit politik dhe nëpërkëmbje dhe zhvlerësim i konsensusit politik. Ndërkaq, ai garantoi se opozita do t’i mbrojë me forcë arritjet e kompromisit, do t’i shërbejë deri në fund integrimit, shtetit ligjor dhe mirëqenies së shqiptarëve.

“Por, kjo tentativë është më shumë sesa kërcënim për nëpunësit e këtij vendi. Kjo tentativë, është kërcënim i hapur dhe brutal i bashkëpunimit politik dhe nëpërkëmbjes dhe zhvlerësim i konsensusit. Ligji për statusin e nëpunësit publik është produkt i bashkëpunimit mes palëve, është një nga 3 ligjet me të cilat Rama, e bllokoi integrimin për më shumë se 2 vjet dhe pengoi marrjen e statusit të vendit kandidat. Tentativa e paralajmëruar sot, dëshmon qartë, se për të mundësuar spastrimin politik të administratës, Rama është i gatshëm të zerojë konsensusin e arritur dhe të rikthejë konfliktin politik, tashmë si qeveritar kundër opozitës. Partia Demokratike, i bën thirrje publike Ramës! Larg duart nga 3 ligjet! Mos e nëpërkëmb konsensusin e arritur. Mos vazhdo rrugën e konfliktin politik. Mos shkelmo ëndrrën e shqiptarëve për mirëqenie dhe integrim. Opozita do t’i mbrojë me forcë arritjet e kompromisit, do t’i shërbejë deri në fund integrimit, shtetit ligjor dhe mirëqenies së shqiptarëve”, – deklaroi deputeti Halimi.

 

“Shtyrja e ligjit”, Dashamir Shehi: Rrezik për nëpunësin civil

Akuzat e opozitës kundrejt mazhorancës për moscenimin e ligjit të statusit të nëpunësit civil mbështeten edhe nga deputeti Dashamir Shehi. Z. Shehi e quan të rrezikshme ndërhyrjen në këtë ligj për të shtyrë afatet e hyrjes në fuqi. Në një prononcim për gazetën “Standard”, ai thotë se duhet të vijë një ditë që nëpunësi i administratës publike të ndihet i mbrojtur nga ligji ndaj ndërrimit të pushteteve dhe për këtë bën thirrje që të mos ndërhyhet në ligjin ekzistues; pacaka se sipas tij, drafti mund të mos jetë i plotë.

“Një ligj për shërbimin civil i duhet Shqipërisë dhe pavarësisht nga periudha transitore për sa i përket ndërrimit të pushteteve. Shtyrja e ligjit nuk ka logjikë. Ligji mund të mos jetë perfekt, por mund t’i nënshtrohet debatit parlamentare. Nëse kjo mazhorance ka objeksionet e veta, këto mund t’i shtrojë në seancë, numrat i ka për të bërë korrigjimet e nevojshme.

Por që të shtyhet ligji në mënyrë të vazhduar, unë gjykoj se kjo është e dëmshme për administratën publike, sepse një administratë që është jashtë mbrojtjes së shërbyesi shtetit që s’i del shteti për zot, sigurisht që nuk i shërben më shtetit.

Këto qëndrime i shoh si një rrezik ndaj nëpunësit civil dhe qeveria kërkon të vej njerëz të partisë. Unë nuk jam kundër. Edhe këto që janë të partitë që kanë qenë deri dje, sigurisht që duhen parë edhe duhen lëvizur, por duhet të vijë një ditë që Shqipëria duhet të vejë disa ligje për t’i mbrojtur nëpunësit, apo do të vazhdojmë që sa herë që ndërrohen partitë dhe të ndërrohen nëpunësit”, – deklaroi Dashamir Shehi.

 

 

Të larguarit dhe ndryshimet e reja në dikastere

Pas marrjes së pushtetit disa ditë më parë, qeveria e re ka nisur procedurat për zëvendësimin e personelit që do të bashkëpunojë me ministrat e kabinetit “Rama”. Fillimisht, ministrat kanë bërë zëvendësimet e stafit të ngushtë, zëvendësime të cilat kanë prekur kryesisht pjesën e këshilltarëve, sekretarëve të përgjithshëm dhe disa drejtori.

Pak ditë më parë, u konstatuan lëvizje në rang drejtorësh, lëvizje të cilat prekin disa institucione.

Më herët ministrja e re e Integrimit, Klajda Gjosha, ka firmosur shkarkimin e sekretares së Përgjithshme të këtij institucioni, Elda Kalaja, ndërkohë që sipas statusit të nëpunësit civil, pozicioni i sekretarit të Përgjithshëm të një ministrie emërohet me konkurs dhe shkarkohet pas evidentimit të shkeljeve në punë. Po kështu, pak ditë më parë janë prezantuar edhe dy drejtorë të rinj, për Qytetin Studenti dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë. Në krye të Qytetit Studenti vjen Anila Shehu, e cila do të zëvendësojë në këtë detyrë Bujar Brovinën. Ky i fundit ka mbajtur prej shumë vitesh postin e drejtorit në këtë zonë. Ndërkohë që, në krye të Metrologjisë vjen Petrit Rama, i cili zëvendëson drejtoren aktuale, Kozeta Mesiti.

Në fakt, kjo e fundit do të mbahet mend për kontrollet e ushtruara në pikat e karburanteve e për publikimin e skandalit të vjedhjes së qytetarëve si pasojë e manipulimeve në këto pika. Ndërkaq, në krye të Agjencisë së Trafikut Ajror është emëruar Belinda Balluku, një tjetër drejtore e rëndësishme në Bashkinë e Tiranës kur drejtohej nga Rama.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency