Blerjet online, shqiptarët “të fiksuar” pas rrobave dhe telefonave

0
161

Djemtë drejt teknologjisë duke blerë telefona dhe i-pad, ndërsa femrat blejnë rroba. Në disa raste ka pasur pakënaqësi, por përsëri blerjet nuk janë ndalur.

 

blerjeonlineNë të gjithë botën blerjet online janë kthyer në një model të ri për të shpenzuar paratë duke blerë rroba, bizhuteri, makina, medikamente mjekësore, piktura dhe shumë sende të tjera. Në vendin tonë është krejtësisht ndryshe. Ata pak persona të cilët blejnë online, pjesën më të madhe të parave e shpenzojnë për rroba dhe telefona. Këtë gjë na e garanton dhe Olgerti, 25, që deri tani ka blerë 3 telefona në “e-bay”. “Para një muaj mora “Samsung Galaxy S4”. E bleva në “e-bay”, 520 euro. Më parë kam blerë S3-shin dhe një telefon “Nokia”. Të gjithë më kanë dalë të mirë dhe me cilësi”, – tregon Olgerti i cili është i fiksuar pas blerjeve online. Olgerti tregon se nuk ka frikë nga mashtrimet dhe se faqja e-bay është shumë serioze. “Blej shumë pak gjëra në Tiranë, vetëm ato që më duhen shpejt, për të tjerat përdor faqen “e-bay”. Një herë madje kam blerë një kapak të telefonit tim për vetëm 3 dollarë dhe me transfertë 0 lekë. Kapakët më erdhën nga Hong-Kongu për 20 ditë dhe në Shqipëri duhet të paguaja 15 mijë lekë për ta blerë”, – përmend Olgerti.

Rrobat

Ndërsa djemtë janë të fiksuar pas telefonave dhe teknologjisë, duket se e kundërta ndodh me femrat. Çdo ditë në Postën Shqiptare shikon me dhjetëra klientë, të cilët tërheqin porositë e bëra në faqet online. Njëra prej tyre, Bruna, ka kohë që blen nga shtëpia dhe pjesën më të madhe të rrobave e blen në “e-bay”. “Blej online, se rrobat janë më të lira dhe mund të gjesh modele të ndryshme, për të cilat në Shqipëri duhet të paguash disa herë më shumë”, – përmend Bruna. Lidhur me pyetjen se a ka pasur ndonjëherë probleme me porositë, Bruna na thotë se ka pasur raste kur ka qenë e pakënaqur nga disa bluza dhe fustane, por gjithsesi nuk i largohet dëshirës së saj për të blerë nga kompjuteri.
Faqet më të famshme

“E-bay” dhe “Amazon” janë dy faqe që kanë revolucionarizuar konceptin e marketeve dhe dyqaneve virtuale. Janë dy prej emrave më të njohur në botën e internetit, ku mund të gjesh gjithçka dhe dy prej faqeve më të vizituara në botë. Të dhënat tregojnë se “E-bay.com” vizitohet në ditë nga rreth 2 milionë persona. Ndërsa “Amazon” përllogaritet se ka rreth 615 milionë vizitorë në vit. Nga sende të vogla, në dukje të parëndësishme deri në objekte dhe prona të patundshme. Por, njerëzit ofrohen të shesin gjëra të paimagjinuara mes tyre. “E-bay” dhe “Amazon” kanë arritur të kenë një sukses të jashtëzakonshëm, në gjithë këto vite dhe duhet thënë se krijuesit e tyre kanë qënë inovatorët e një marketi virtual me përmasa globale. Gjithkush mund të shesë e të blejë në to, nga çdo cep i botës. Muzikë, filma, veshje, aksesorë, elektroshtëpiake, makina, medikamente dhe shumë të tjera mund të përfitohen përmes blerjeve online. Por, sigurisht, bota virtuale është e hapur dhe faqet që shesin dhe blejnë përmes internetit duke ndjekur gjurmët e amazone dhe “e-bay” janë të pafund. Për shitjen e makinave të reja apo të përdorura shumë të njohura janë faqet “autotrader.com”, “Kelley blue bosk”, “kbb.com”, “progressive.com” etj. Për produkte të shëndetit dhe bukurisë mund të klikoni në faqet “drugstore.com”, “GNC”, “fragrance.net”. Dhe nëse do të bënim një listë të të gjitha faqeve sipas llojeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë, lista nuk do të mbaronte kurrë.

 

Nafta, 109 dollarë për fuçi

Nafta “Brent” e Londrës po qëndron pranë nivelit të 109 dollarëve për fuçi të hënën për këtë javë, pasi të dhënat e fuqishme mbi sektorin e manifakturës në Kinë kanë përmirësuar parashikimin mbi kërkesën për naftë bruto nga ekonomia e dytë më e madhe në botë. Indeksi manaxherial për Manifakturën, PMI u rrit në 51.2 në shtator, niveli më i lartë që nga marsi i këtij viti. Nafta Brent e Londrës për nëntorin ra me 7 cent në 109.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane për Nëntorin ra me 3 cent në 104.7 dollarë për fuçi. Në dy javët e kaluara çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm dhe kanë publikuar humbjet më të mëdha javore në gjashtë muaj.

 

Bonot e thesarit, interesi bie në 4 për qind

Interesi i letrave me vlerë të qeverisë shënoi dje një tjetër rënie në ankandin e fundit, duke arritur një rekord të ri minimal, çka do i lehtësojë barrën e borxhit qeverisë së re. Sipas rezultateve të publikuara nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore zbriti në 4.04%, nga 4.31% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Me bankat, që po i orientojnë pothuajse të gjitha likuiditetet në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, shuma e kërkuar për shitje për bonot 12 mujore ishte 11.6 miliardë lekë dhe ajo e pranuar 6.7 miliardë lekë. Për bonot 3-mujore yield-i zbriti në 3.44%, nga 3.69% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Shuma e kërkuar për shitje për bonot 12-mujore ishte 4.3 miliardë lekë dhe ajo e pranuar 2.3 miliardë lekë. Me kufirin e borxhit që pothuajse është ezauruar për tetë mujorin e parë të vitit, qeveria e re pritet ta rrisë atë me gati 100 milionë dollarë. Ndërkohë, kosto e borxhit është ulur vazhdimisht gjatë këtij viti, duke reflektuar dhe politikën lehtësuese monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila e ka zbritur normën bazë në 3.25%. Tkurrja e kredidhënies nga bankat dhe kanalizimi i fondeve të lira në blerjen e bonove të thesarit, është një tjetër arsye që ka ndikuar në rënien e yield-it të bonove gjatë vitit. Në ankandin e parë të janarit 2013, yield-et e bonove 12-mujore dhe 3-mujore ishin përkatësisht 6.6 dhe 5.02%.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency