Ministri e Drejtësisë / Denoncimi i korrupsionit në drejtësi, lançohet portali i Ankesave Online

0
344

Sonja Caka

Nisma “Stop korrupsionit në drejtësi”, denoncim jo vetëm për gjyqësorin

Antikorrupsioni zgjeron fushën e ankesave në të gjithë sektorët në varësi

 

logoNjë nismë e rëndësishme është lançuar në Ministrinë e Drejtësisë, faqja e Ankesave Online, ku qytetarët shqiptarë do kenë mundësinë të denoncojnë shkelje apo akte korruptive për të gjithë sektorët në varësi të këtij institucioni. Kjo ndërmarrje e rëndësishme e emërtuar “Stop Korrupsionit në drejtësi” pritet të grumbullojë ankesa ndaj punonjësve të të gjitha niveleve në 13 institucionet në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa adresa është Ankesa Online http://ankesa.justice.gov.al/. Burime zyrtare pranë këtij institucioni bëjnë me dije se “në kuadër nismës antikorrupsion në sistemin e drejtësisë, Ministria e Drejtësisë ka përfunduar punën mbi një nga nismat më të rëndësishme, siç është aksesi i publikut në denoncimin e korrupsionit”. Arsyeja pse grupi i punës bëri ndryshimin e këtij portali, sipas burimeve nga ky dikaster, është që monitorimi i sistemit të drejtësisë të jetë sa më transparent dhe më i efiçent. Ky projekt, që deri më sot ka pasur si qëllim denoncimin e rasteve të shkeljeve vetëm ndaj gjyqtarëve në të gjitha shkallët e gjyqësorit, tashmë zgjeron fushën e ankesave deri tek çdo nëpunës që ushtron detyrën në zyrat e Përmbarimit shtetëror ose privat, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale, Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Shërbimin e Provës, Noteri, Avokaturën e Shtetit dhe zyrat vendore, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Shtetëror të Ndihmës Juridike, Komitetin Shqiptar të Birësimit, Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Qendrën e Botimeve Zyrtare, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Falimentit dhe administratorëve të falimentit.

Denoncimet

Përveç gjyqësorit, denoncimet online përfshijnë tashmë edhe 13 sektorët në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo do të thotë se qytetarët mund të postojnë ankesa për çdo rast të shkeljes së etikës profesionale, të fshehjes së pasurive, të korrupsionit të kujtdo që punon në institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë. Qytetarët mund të denoncojnë me foto dhe video, si dhe tekst shpjegues, ku çdo e dhënë do të verifikohet, duke siguruar ruajtjen e privatësisë së të dhënave të aplikuesve të ankesës. Ndryshimi i portalit të ankesave dhe shtimi i institucioneve në varësi të Ministrisë së Drejtësisë u bë pasi, sipas burimeve zyrtare, deri më sot, kjo nismë nuk ka dhënë efektet e duhura, pasi fusha e ankimimit ishte e fokusuar vetëm tek gjyqtarët. Për këtë arsye, ekipi i këshilltarëve dhe specialistëve përkatës kanë punuar për ta zgjeruar fushën e ankimimeve dhe për ta thjeshtuar teknikisht portalin. Ndryshimet në Portal kanë për qëllim bërjen sa më efiçente të punës së Ministrisë së Drejtësisë në ndjekjen e rasteve të denoncuara sipas institucioneve përkatëse, marrjen e masave, deri në zgjidhjen e problematikave. “Ministria e Drejtësisë është e vendosur të dëgjojë qytetarët dhe të ndjekë gjithë procedurat e nevojshme për të ndëshkuar çdo shkelje të rasteve të sipërpërmendura” sqarojnë për median burime zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Cilat institucione përfshihen

Zyrat e përmbarimit shtetëror ose privat

Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve dhe Institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave

Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Shërbimi i Provës

Noteri

Avokatura e Shtetit dhe zyrat vendore

Instituti i Mjekësisë Ligjore

Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike

Komiteti Shqiptar i Birësimit

Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë

Qendra e Botimeve Zyrtare

Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit dhe Administratorëve të Falimentit

 

Takimi

Ministri Naço dhe ambasadori Aşan, forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit në drejtësi

Me marrjen e detyrës në krye të Ministrisë së Drejtësisë, z. Nasip Naço priti dje në një takim kortezie ambasadorin e Turqisë, Hasan Aşan. Ambasadori turk shprehu urimet e rastit për emërimin e z. Naço në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, nga ana e tij, pas falënderimeve të rastit, nënvizoi faktin se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me Republikën e Turqisë kanë qenë të frytshme dhe janë konkretizuar në shkëmbim të informacionit ndërmjet autoriteteve tona, për vënien e elementëve kriminalë përpara drejtësisë së shteteve respektive. Më tej, biseda u përqendrua tek hapat që do të ndërmarrë Ministria e Drejtësisë në lidhje me reformën e sistemit të drejtësisë, bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe mbi disa iniciativa që synojnë rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë në të gjitha aspektet e tij.

 

Gjykatë

Dritan Dajti kërkon fletë-daljen e armës së efektivit Fatos Xhani

Dritan Dajti surprizon gjykatën nga seanca në seancë me kërkesat e tij. Pas deklarimeve të bëra në seanca për vrasjen e efektivit Saimir Duçkollari, ku akuzoi një tjetër koleg të policit të vrarë për vrasjen e tij, tashmë fokusi i të pandehurit ka kaluar te vrasja e policit tjetër, Fatos Xhani. Kjo ka qenë arsyeja pse edhe dje seanca u shty, pasi kërkesat e tij detyruan trupën gjyqësore ta shtyjë seancën për në një datë tjetër. Seanca e djeshme ka nisur në orën 10:00 në një nga sallat e Gjykatës së Krimeve të Rënda, por nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta. Gjatë seancës, Dajti ka kërkuar që t’i vihej në dispozicion fletë-dalja e armës së oficerit të policisë, Fatos Xhani, i cili humbi jetën në gjatë përplasjes me të akuzuarin. Ky i fundit, pretendon se fletë-dalja është me firmë të falsifikuar. Kërkesa e të pandehurit është rrëzuar nga trupi gjykues, duke bërë që i pandehuri Dajti të largohej në mes të seancës. Veç kërkesave të bëra nga Dajti, në seancë mungonte edhe avokatja e tij mbrojtëse, Krenare Sheqerukaj e cila u zëvendësua nga Ledia Muraka. Gjatë seancës i akuzuari për vrasjen e katër efektivëve të policisë në gusht të vitit 2009, ka akuzuar prokurorinë dhe policinë se janë të një anshëm. Seanca e radhës ndaj Dritan Dajtit do të zhvillohet në datën 27 shtator 2013. Dritan Dajti akuzohet për vrasjen e katër efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët kishin shkuar për ta arrestuar. Por, gjyqi i tij është shndërruar në një telenovelë, pasi çdo seancë shtyhet për arsye nga më të ndryshmet, ndërsa avokatët refuzojnë mbrojtjen e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency