Milani pëson një tjetër humbje, Baloteli pezullohet me tri ndeshje

0
139

Jurges Veizaj

Duket se nuk kanë të sosur problemet te Milani përveç humbjes ndaj Napolit tashmë duhet të bëjë edhe pa sulmuesin më të mirë të saj. Baloteli u dënua me tri ndeshje jashtë pas irritimit në përfundimin e ndeshjes me Napolin

 

AC Milan v SSC Napoli - Serie AMilani duket se hyn prapë në batak. Skuadra milaneze pas humbjes me Napolin pëson edhe një humbje tjetër. Mario Baloteli është dënuar me tri ndeshje. Lojtari do të jetë larg fushës në tri ndeshje të Serisë A. Një situatë, e cila e përkeqëson gjendjen e Milanit që tashmë do të duhet të bëjë pa sulmuesin e saj kryesor. Skuadra nuk po jep frytet e duhura dhe kjo gjë po vihet re edhe ne lojë. Ardhja e Kakasë duket sikur e ngriti lart moralin e skuadrës, por nuk ka mjaftuar vetëm kaq. Skuadra e Alegrit vuan nga mungesat e mëdha që ka në skuadër, për shkak të dëmtimeve. Me një mbrojtje të plagosur duket se gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet, pasi tashmë do të kenë vështirësi edhe në sulm. Ajo çka është e rëndësishme është se sulmuesi italian do të mungojë përsëri në sfidën ndaj Juventusit. Mungoi sezonin e kaluar dhe tashmë do ta lëri përsëri skuadrën të vetme. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme sepse kanë të bëjnë me një rival direkt me kreun dhe mungesa e Marios i vështirëson punët për shokët e skuadrës. Alegri deklaroi dje për Balon se ai duhet të heshte dhe nuk duhet të nxehej, por siç dihet lojtari është paksa grindavec dhe këtë e shpreh shumë mirë edhe në fushën e lojës. Fati i keq duket se e ndjek lojtarin që tashmë do të duhet ta shohë nga pankina edhe një herë përballjen e ekipit të tij me Juven. Sikur të mos mjaftonin problemet në shtëpinë e Milanit që e shikon veten në kuotën e 4 pikëve pas disfatës me Napolin që tani i distancuar plot 8 pikë nga kreu, Mario merr një ndëshkim për protestat e ekzagjeruara në drejtim të arbitrit Banti në përfundim të sfidës së San Siros të cilat i kushtojnë shtrenjtë, plot 3 ndeshje. Pas vërshëllimës së trefishtë Baloteli iu drejtua arbitrit që pas një shkëmbimi fjalësh i tregoi kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuqin. Gjest pas të cilit Mario u irritua akoma dhe më tepër dhe u desh ndërhyrja e shokëve të skuadrës për ta mbajtur ndërsa tentonte t’i afrohej gjyqtarit. Tashmë është e sigurt se Mario nuk do të jetë të mërkurën në Bolonja dhe në ndeshjen me Sampdorian. Disa muaj më parë Baloteli u skualifikua për tri takime për një ofendim ndaj gjyqtarit anësor Doveri në përfundim të ndeshjes me Fiorentinën kur po grindej me Vivianon. Humbja e penalltisë nga ana e Reinës duket se e acaroi lojtarin që deri para dy ditësh mbante rekord në shënimin e tyre. Tashmë pritet që Alegri të përgatisë skuadrën me Bolonjën. Një ndeshje tepër e vështirë kundra një Bolonjës që në fushën e saj nuk fal dhe që do mundohet të dali me pikë na sfida. Edhe pozicioni i skuadrës me 4 pikë është shumë i disfavorshëm. Tashmë Milani gjendet në pozicionin e 11-të shumë larg Romës dhe Napolit që gjenden në kuotën e 12 pikëve. Pritet nga skuadra kuq e zi që të bëjë diçka në merkaton e janarit dhe të ndryshojë diçka në skuadër pasi i mungon efektiviteti në lojë dhe në rezultat. Një përforcim në mbrojtje dhe një në sulm do t’i jepnin frymëmarrje Balotelit dhe Kaka me shokë që duhet të punojnë shumë për t’u ringritur.

 

Andrea Prilo, problemi i madh i Juves

Duket se mesfushori italian Andrea Pirlo ka hedhur mënjanë temperamentin e tij të qetë dhe është kthyer në një problem. Çështja kryesore që shqetëson kampionët e Italisë është Andrea Pirlo. Mesfushori i kombëtares italiane në këtë sezon është zëvendësuar në katër ndeshje nga Antonio Konte, më tepër nga sa u zëvendësua gjithë kampionatin e kaluar dhe duke dalë nga fusha në Verona nuk e fshehu aspak pakënaqësinë. Futbollisti në fakt dyshon se Juventus ka gjetur këtë mënyrë për ta vënë në presion për rinovimin e kontratës që por ndoshta e vërteta është më komplekse. Në sezonin 2012-2013 në kampionat Pirlo u zëvendësua vetëm një herë, ndërsa në këtë aktualin e ka thërritur në stol dy herë, mund të ishin vetëm detaje nëse në sfond nuk do të ishte çështja e kontratës, Pirlos i skadon në fund të këtij sezoni dhe Xhuzepe Marota dëshiron të gjejë një akord për zgjatjen e bashkëpunimit para qershorit. Tashmë fantazisti mendon se “Zonja e vjetër” po i kujton të nxitohet duke i dhënë herë pas herë paralajmërimin nëpërmjet zëvendësimit gjatë ndeshjeve. Pirlo nuk është më i pazëvendësueshëm dhe pozicioni i tij nuk është aq i salduar sa njëherë e një kohë. Paul Pogba, i cili përfaqëson të ardhmen në Torino, po punon shumë për ti zënë vendin dhe rrogën e nivelit të parë. Klaudio Markizio i rikuperuar nga dëmtimin sigurisht që nuk është një lojtar stoli ashtu si dhe Vidal i cili me golat e tij ka rezultuar shpeshherë lideri i bardhjezinjve. Katër futbollistë për dy vende në fushë, me pak fjalë dikush në stol duhet të shkojë. Ndoshta organizatori i duhet që të mendohet dhe ta rishikojë pozicionin e tij te torinezët.

Ronaldo: Kasijas gjendet në një situatë tepër të vështirë

Fenomeni Ronaldo ka deklaruar për ish-shokun e tij të skuadrës Iker Kasijas se ai gjendet në një situatë të vështirë, për faktin se duhet të durojë edhe rivalitetin me Diego Lopez te Real Madridi. 32-vjeçari po vuan një situatë që ka filluar që sezonin e kaluar kur humbi vendin në formacionin bazë të “Los Blancos” që nga koha kur Hoze Murinjo ishte trajner, ndërsa braziliani thotë se konkurrenca ka bërë që spanjolli të mbetet në pankinë. “Kasijas është në një situatë të vështirë. Ai nuk ka pasur një konkurrent si tani, por ai mbetet njëri nga portierët më të mirë në histori”. “Edhe Diego është stërvitur me mua dhe është shumë i mirë, prandaj Ançeloti nuk ka problem në zgjedhje”, – ka deklaruar Ronaldo për “AS”.

Insinja paralajmëron kundërshtarët për forcën e Napolit

Duket se gjithçka është magjike për skuadrën e Napolit dhe për Lorenco Insinjën. Triumfi i dyfishtë i kësaj jave duket ka ekzaltuar gjërat brenda ekipit. Viktima e parë ishte Borusia të cilën e mundi me rezultatin 2 me 1 dhe e dyta ajo ndaj Milanit para dy ditësh. Lojtari ka deklaruar: “Kemi marrë një rezultat të madh kundra dy skuadrave të mëdha. Tani të gjithë e dine se kush jemi ne. Tashmë duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të përqendrohemi për sfidën kundër Sasulos”.

 

Shvajni: Shpresoj të vazhdojmë me Guardiolën

Shvajnshtajger duket se është tepër i lumtur me prezencën e Pepit dhe dëshiron që kjo të vazhdojë gjatë. Ai ndihet i lumtur me ndryshimet që kanë ndodhur te klubi bavarez dhe shpreson që tekniku spanjoll të qëndrojë sa më gjatë. Rezultatet e arritura me Guardiolën, në fakt flasin qartë, kampionët e Gjermanisë kanë humbur vetëm 2 pikë në 6 takime, ndonëse kritikat nga tifozët për stilin e lojës nuk kanë munguar. Gjithsesi, mesfushori shpreson që ish trajneri i Barcelonës të ardhmen e tij ta ketë në Bavari. “Gjithçka duket shumë mirë. Jemi fleksibël në fushë dhe kjo e bën të vështirë lojën për çdo skuadër që vjen përballë nesh. Kemi variacion dhe uroj që kombinimi Bayern-Guardiola të rezultojë i suksesshëm për shumë kohë”, – ka thënë mesfushori gjerman. Shvajnshtajger e shikon veten në një pozicion jo shumë familjar për të këtë sezon, por gjithsesi ai ndjen se është përshtatur dhe nuk ka asnjë rezervë në drejtim të trajnerit. Ndryshe nga roli që ka pasur nën drejtimin e Hejnkes, futbollisti 29-vjeçar ndodhet më i tërhequr në mesfushë, ndryshim që ai e konsideron të pranueshëm për të mirën e skuadrës. “Tigri” bavarez ka deklaruar gjithashtu se pozicioni që i ka dhënë tekniku katalanas e ndihmon atë që të integrohet si në sulm por edhe në mbrojtje.

 

Tiago Silva, larg fushave për gjashtë javë

Te Paris Sen Zhërmen telashet nuk kanë të sosur. Përveç se barazi me Monakon në Paris, tashmë do t’i duhet të përballet edhe me mungesën e Tiago Silvës. Braziliani pritet që të mungojë në gjashtë javët e ardhshme. Qendërmbrojtësi i cili e mbylli përpara kohe sfidën për shkak të problemit muskular, do të vuajë mungesën 6 javore në një moment tepër të rëndësishëm. Kampionët e Francës kanë përpara sfida si ajo ndaj Benfikës në Champions League por edhe në kampionat ndaj Marsejë. Parashikimi që bëjnë mjekët e skuadrës pariziene e lënë jashtë tre ndeshjeve të kampionatit 29-vjeçarin si dhe në atë ndaj Benfikës, në një duel direkt për kreun e grupit në Champions League. Në këtë mënyrë PSG jo vetëm që ul shanset për të zbritur nga kreu Monakon në sfidën e të dielës, por humbi edhe shërbimet e kapitenit, që është dhe lideri i padiskutueshëm i skuadrës. Për më tepër situata vështirësohet kur sheh që në infermieri është edhe qendërmbrojtësi tjetër Aleks, edhe ky në fazën e rikuperimit pas dëmtimit të marrë në sfidën ndaj Bordosë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency