Ish-koordinatori i grevës së urisë, Patrioti, 1 vit në burg

0
257

Elton Qyno

Gjykata e Tiranës jep vendimin për Asllan Patriotin. I mori 700 euro një shtetasi italian

 

Asllan-Patrioti-para-arestimit-nga-policia-320x226Ish-koordinatori i grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë, Asllan Patrioti, është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm” tek shefi i komisariatit nr. 4 në Tiranë. Vendimi i gjykatës është marrë të premten e kaluar dhe se masa e dënimit ka qenë e njëjtë me atë që ka kërkuar përfaqësuesja e Prokurorisë së Tiranës. Gjatë gjykimit, Patrioti mësohet se nuk e ka pranuar akuzën, duke pretenduar se shumën e parave prej 700 mijë lekësh ia kishte marrë italianit, për shkak se ai ia kishte borxh, dhe jo për t’ia dhënë shefit të komisariatit nr. 4. Gjithçka flitet për një makinë tip “Jaguar”, e cila ishte bllokuar nga ana e policisë së Tiranës dhe se Patrioti garantonte shtetasin italian Massimiliano Nicolini se kundrejt shumës prej 700 eurosh automjeti do të dilte jashtë ambienteve të policisë.

Takimi me Patriotin

Massimiliano Nicolini është prezantuar me personin nën hetim, Asllan Patrioti, i cili i kishte ofruar ndihmën e tij për gjetjen e makinës, për shkak të njohjeve të shumta në polici. Kjo ndihmë do të konsistonte në ndikimin e Patriotit te forcat e policisë, në këmbim të një “kafeje” që duhej të jepte kallëzuesi. Massimiliano Nicolini në kallëzimin e tij ka deklaruar: “E kam takuar përsëri Asllanin tek bari “Eden” në Durrës dhe më tha që të nesërmen, unë dhe Asllani të shkonim në Tiranë për të takuar mikun e tij që do të më ndihmonte për zgjidhjen e problemit të automjetit. Sikurse e biseduam, Asllani më telefonoi në mëngjes për t’u takuar në një kafe tek qendra tregtare. Ne u takuam në një bar, në katin e fundit të qendrës. Fillimisht kemi bërë biseda të përgjithshme, më vonë Asllani më kërkoi që të shkonim në Tiranë për të takuar shefin Luli, për t’i dhënë një kafe, me qëllim gjetjen e automjetit tim. Unë fillimisht mendova një kafe normale dhe i thashë që një kafe më duket pak dhe se po të gjenim automjetin do t’i ofroja një darkë në shenjë mirënjohjeje. Në këtë moment, Asllani qeshi dhe më sqaroi se në zhargonin e tyre, kafja nënkuptonte 500 euro dhe se në telefon, ai nuk mund t’i përmendte Lulit para”. Sipas deklarimeve të kallëzuesit, ata kanë ardhur më vonë në Tiranë dhe kanë takuar shefin e policisë së komisariatit nr. 4. Ky i fundit ka deklaruar se e njihte mirë ngjarjen e vjedhjes së makinës dhe se do bënin përpjekje për t’ia gjetur makinën dhe për t’ia dorëzuar.

Përgjimet

Asllan Patrioti është pyetur nga prokuroria ka deklaruar se nuk ka folur në telefon me Massimiliano Nicolinin. Nga këqyrja e telefonit të tij rezultoi se në datën 10 tetor ai i ka dërguar një mesazh në italisht me tekst: “Ku je, dua të takoj? Ti je mafioz”. Duke u ndier i kërcënuar, italiani u është drejtuar zyrave të SHKB-së, ku ka denoncuar rastin. Më pas, i ka telefonuar Asllan Patriotit që të takoheshin në një lokal. Personi nën hetim i ka kërkuar kallëzuesit që t’i jepte 700 euro për punën e bërë. Fillimisht, i ka dhënë 100 euro, pasi nuk kishte të tjera ndërsa pjesën e mbetur do t’ia jepte pasdite. Në orën 17:00, kallëzuesi takohet përsëri me Asllan Patriotin dhe i jep edhe 600 euro të tjera( para me numër serie të regjistruar nga oficerët). Sipas procesverbalit të përgjimit ambiental, Asllan Patrioti po i merrte këto para si garant i shefit të komisariatit nr. 4. Në këto kushte u krye arrestimi në flagrancë i Asllan Patriotit dhe u sekuestruan 700 euro. I pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore, ai ka deklaruar se paratë ishin të tijat dhe kishte 2-3 që i mbante në xhep.

 

Tek Liqeni

Tritol makinës së biznesmenit Andrea D.

Automjeti i një biznesmeni është përshirë nga flakët mbrëmjen e së hënës si pasojë e një shpërthimi të ndodhur pranë Kodrave të Liqenit Artificial, në Tiranë. Burime nga policia e Tiranë bëjnë me dije se automjeti tip “BMW X6”, në pronësi të biznesmenit Andrea D. ishte parkuar pranë një lavazhi që prej mëngjesit të djeshëm, në një ndër zonat më të frekuentuara nga kryeqytetasit. Fatmirësisht, nga shpërthimi i automjetit nuk ka të lënduar, ndërkohë që janë dëmtuar dy automjete të tjera, një “X6”, AA888DY, dhe një “Audi”, AA919GF, në pronësi të Aleksandër Xhaferajt dhe Edmond Ndojit. Policia po heton për shkaqet e shpërthimit dhe llojin e lëndës plasëse së përdorur. Nga hetimet paraprake mësohet se objektiv i autorëve të shpërthimit të ketë qenë automjeti i biznesmenit Andrea D.

 

Ngjarja në Tiranë

Kapet gjermani, vidhte qytetarët

Një 37-vjeçar gjerman, banues në Preshevë, është vënë në prangat e policisë së kryeqytetit si i dyshuar për një sërë grabitjesh në Tiranë. 37-vjeçari Fazli Skënder Ismaili, lindur në Singen, Gjermani, banues në Preshevë, Serbi, mësohet se u arrestua pas operacionit të koduar “Qerosi” dhe dyshohet se ka kryer këto grabitje: Më dt. 12.9.2013, ora 14:30, në rrugën “Abdyl Frashëri”, te lokali “Goodis” dyshohet se ka vjedhur çantën në pronësi të një shtetasi. Më datë 18.9.2013, rreth orës 13:00, në rrugën “Brigada e tetë” lokal “Sheksber” i ka vjedhur çantën një shtetasi me kombësi e shtetësi italiane, duke i vjedhur një shumë prej 7.000 lekë dhe 650 euro. Më datë 9.9.2013, në rrugën “Gjon Pali i Dytë” te piceri “Era”, i ka vjedhur çantën një shtetasi ku në çantë kishte 3000 euro 700 mijë lekë. Më date 26.5.2013, në rrugën “Gjon Pali i Dytë” tek piceri “Era” i ka vjedhur çantën e një shtetasi, duke vjedhur shumën prej 1000 euro dhe 700 dollarë”, – sipas njoftimit të policisë. Blutë e kryeqytetit deklaruan se në momentin e shoqërimit, 37-vjeçarit iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.500 lekë dhe 950 euro.

 

Operacioni

Pukë, shkatërrohen katër parcela me drogë

Policia e Pukës ka ndërmarrë dje një aksion kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe në këtë mënyrë u bë sekuestrimi i rreth tre mijë rrënjë kanabis sativa. Mësohet se lënda narkotike ishte mbjellë në katër parcela të ndryshme në fshatrat Lajthizë e Flet. Operacioni udhëhiqej nga kreu i policisë në Pukë Adriatik Huti, ndërsa po punohet për kapjen e autorëve. Por pavarësisht se zhvillohen të tilla aksione trafiku i drogës vijon. Dje në Vlorë u gjetën 350 kg kanabis në një gomone të braktisur pranë zonës së Kodrës së Radarit në Zvërnec. Droga ndodhej në 11 çanta dhe nuk dihen poseduesit e saj. Policia po punon për kapjen e tyre. Ndërkohë dje policia ka arrestuar kryeplakun e një fshati të Komunës Sllovë, të Dibrës pasi akuzohet për moskallëzim krimi. Ndalimi i Islam Gjuzit, 56 vjeç, u bë sepse ai nuk ka informuar.

 

 

Prokurori me karrierë të gjatë, u prezantua ditën e djeshme

Llalla komandon në krye të Vlorës Kosta Belurin

nga Krimet e Rënda, e nis të hetojë shtesat pa leje

Me një vendim të beftë, kryeprokurori Adriatik Llalla ka transferuar në Vlorë zv.drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Kosta Belurin. Ky i fundit është komanduar në këtë rreth si drejtues i Prokurorisë së Vlorës, ku përgjatë 4 muajve do të ushtrojë ndjekje penale për persona të ndryshëm në Vlorë, që kryejnë aktivitet kriminal. Beluri vjen në këtë post drejtues pas disa vitesh qëndrimi si zv.drejtues i Krimeve të Rënda dhe si shef i Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme, ku gjatë funksionit të tij në këtë zyrë, janë organizuar dhjetëra operacione, ku janë vënë në pranga shumë persona me rrezikshmëri të lartë në shoqërinë shqiptare, por jo vetëm. Dërgimi i Kosta Belurit në Vlorë vjen në një situatë kur prokuroria dhe Policia e Shtetit kanë intensifikuar punën për ndërtimet pa leje, por jo vetëm kaq, pasi kohët e fundit janë kapur në zonën e Vlorës dhjetëra ngarkesa të mëdha me lëndë narkotike, që ishin përgatitur për t’i dërguar në drejtim të Italisë. Gjatë prezantimit të Kosta Belurit, kryeprokurori Llalla ritheksoi vendosmërinë për evidentimin dhe ndëshkimin e abuzuesve me hapësirat publike. “Organi i prokurorisë ka nisur dhe do të vijojë me intensitet të lartë veprimet hetimore për të zbuluar dhe dërguar para drejtësisë të gjithë personat që kanë pushtuar hapësirat publike me ndërtime pa leje. Gjithashtu, paralelisht do të vendosen para përgjegjësisë ligjore të gjithë zyrtarët e pushtetit lokal që janë të angazhuar me ruajtjen e trojeve publike, të cilët nuk kanë raportuar dhe kallëzuar penalisht personat përgjegjës për ndërtimet e paligjshme”. Duke u përqendruar në situatën në qytetin e Vlorës, kryeprokurori Llalla u shpreh: “Po komandohet në prokurorinë e rrethit gjyqësor Vlorë z. Beluri, i cili është një prokuror që ka karrierë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Besoj se eksperienca e tij është e nevojshme për të forcuar luftën kundër krimeve të rënda dhe informalitetit në këtë qytet”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency