Studimet / Master shkencor dhe Master profesional, datat për aplikimet, ja si do të përzgjidhen fituesit

0
161

Shumë pak kohë në dispozicion të studentëve, pritet shtyrje e afatit

 

Studente-piketMinistria e Arsimit ka bërë publik udhëzimin për regjistrimet në ciklin e dytë. “Aplikimet për regjistrim në programet e studimit të ciklit të dytë, “Master profesional” dhe “Master shkencor/Master i arteve të bukura”, do të bëhen pranë sekretarive mësimore, deri në datën 27 shtator, prej orës 08:00 deri në orën 16:00”, – thuhet në udhëzimin e MASH. “Institucionet publike të arsimit të lartë të shpallin dhe të afishojnë listat e aplikantëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 16:00 të datës 5.10.2013, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve. Regjistrimi i aplikantëve në programet e studimit, ku janë shpallur fitues, të zhvillohet nga data 7.10 deri në datën 11:10, prej orës 08:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë. Dokumentet e aplikantëve jofitues t’u kthehen personave kundrejt kërkesës”- përmendet në udhëzim. Me mbylljen e regjistrimit përfundimtar, institucionet publike të arsimit të lartë të dorëzojnë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) listat përfundimtare në dy kopje, në formë të shkruar dhe elektronike, me regjistrimet e kryera për çdo program studimi të ciklit të dytë. Kandidatët që rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi të ciklit të parë ose të dytë, me kohë të plotë apo të pjesshme në IAL-të publike, nuk marrin numër matrikullimi. AKP-ja pas verifikimit i kërkon IAL-ve t’i çregjistrojë ata. Fituesit për master do të përzgjidhen në bazë të dy kritereve. Kriteri i parë do të jetë mesatarja, që është dhe kriteri më i rëndësishëm. Kriteri i dytë është, se nga cilët universitete vijnë aplikantët, publikë apo privatë. Ata që vijnë nga universitetet publike do të kenë përparësi.

Dokumentet

-Fotokopje të noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve, të shoqëruar me listën origjinale të notave

-Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre. Në dosje të mbahet fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës

-2 fotografi

-Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2.500 lekë, paguar në Postën Shqiptare

‑Deklaratë e kandidatit që vërteton se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë, “Master profesional” dhe “Master shkencor/ Master i arteve të bukura”, në institucionet publike të arsimit të lartë.

 

 

Hapet dege e re “Inxhinieria mekatronike” te Politekniku

Ndër vendimet e fundit të ish-ministrit Myqerem Tafaj ka qenë edhe hapja e një dege të re në Universitetin Politeknik. Dega e re do të quhet “Inxhinieri mekatronike” dhe do të zgjasë 1 vit e gjysmë. “Urdhëroj hapjen në Universitetin Politeknik të Tiranës të programit të studimeve të ciklit të dytë “Master profesional” në “Inxhinieri mekatronike” në përfundim të të cilit lëshohet diplomë universitare “Master profesional” në “Inxhinieri mekatronike”. Programi i studimeve të ciklit të dytë “Master profesional” realizohet me 90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 1.5 vite akademike. Programi i studimeve të fillojë në vitin akademik 2013- 2014”, – përcakton vendimi i MASH.

 

Më shumë infermierë se ç’kërkohen, Urdhri: Të reduktohen kuotat

Mbipopullimi i tregut të punës me infermierë tashmë është një fakt, pasi në listat e pritjes për t’u punësuar janë me mijëra të diplomuar në këtë degë. Kjo deklaratë vjen nga drejtuesi i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi, i cili shprehet se duhet të ketë një limit të kuotave të pranimeve, kjo në veçanti për universitetet private, të cilat marrin studentë pa fund. “Fakultetit privat i thuhet se ti ke marrë licencën, të nxjerrësh infermierë, por 60 për shembull ose 100. Në këtë mënyrë që atje të regjistrohen 150 dhe të bëjë një filtër që të pranohen 100. Të mos jetë një derë e hapur dhe për ata që mezi e marrin shkollën e mesme, dhe e merr me zvarritje shkollës dhe në këtë mënyrë kemi profesionistë të dobët”, – tha Sabri Skënderi. Nga ana tjetër Skënderi flet edhe për provimin e shtetit. Edhe këtë vit ai do të jetë gjatë muajit tetor, ndërkohë që regjistrimi i tyre pranë Urdhrit të Infermierëve ka përfunduar. “Javën e fundit të muajit tetor këtu fillon testimi i praktikës dhe ata që e kalojnë këtë test, kalojnë direkt tek Agjencia Kombëtare e Shtetit, për të dhënë provimin e shtetit. Ne kemi të regjistruar për 6 profesionet që janë rreth 1600 kandidatë”, – u shpreh Skënderi. Një shqetësim tjetër që ngre Skënderi është se pavarësisht se infermierët e rinj nuk duhet të punësohen pa kaluar provimin e shtetit në realitet ndodh krejt e kundërta. Ai thotë se ka shumë raste që nëpër institucionet shëndetësore publike e private punësohen infermierë pa kaluar në filtrat e kontrollit. Ai i kërkon ministrit të ri të shëndetësisë që të ngrejë një grup pune për evidentimin e këtyre rasteve, pasi kjo sjell dhe një shërbim jo cilësor dhe me pasoja në shëndetin e pacientëve.

 

Shqipëria, pjesë e Forumit Global për Çrregullimin e Spektrit Autik

Shqipëria bëhet pjesë e Forumit Global për Çrregullimin e Spektrit Autik, i cili u themelua nga mbi 30 shtete që morën pjesë në mbledhjen e parë të Nivelit të Lartë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë . Në këtë takim vendi ynë u përfaqësua nga presidentja e fondacionit “Fëmijët Shqiptare”, zonja Liri Berisha. Gjatë fjalës së saj, zonja Berisha u shpreh se për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të personave autikë, duhet të mbështeten individët joprofesionistë, siç janë prindërit dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor pranë komuniteteve. Ajo iu referua një projekti që po zbatohet në Shqipëri i profesores Deborah Fein dhe fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” për trajnimin e prindërve të fëmijëve autikë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency