Sherri me kunatën, çobani qëllon me sëpatë në kokë vëllain dhe gruan

0
225

Elton Qyno

Krimi në familje, në Seman të Fierit. Arrestohet 66-vjeçari Llazi Shqepa për vrasje mbetur në tentativë

Konflikti lindi duke biseduar dhe duke pirë raki në verandën e shtëpisë së çiftit Kozma dhe Kristina Shqepa

 

sopate-foto-ilustrueseNjë krim brenda një familjeje është regjistruar në zonën e Fierit, ku një 66-vjeçar ka qëlluar me sëpatë vëllain dhe kunatën e tij, pasi konfliktit me të shoqen. Ngjarja e rëndë është shënuar në familjen Shqepa dhe si motiv, sipas policisë së Fierit, ka shërbyer një zënkë për probleme financiare që më pas ka degjeneruar në sharje dhe ofendime të rënda mes autorit të krimit dhe gruas së vëllait të tij. Krimi ka ndodhur në mbrëmjen e ditës së premte, ku pas kthimit nga puna, dy vëllezërit Kozma de Llazi Shqepa janë takuar në banesë dhe janë ulur të pinë kafe shoqëruar me raki. Si temë e bisedës kanë qenë problemet financuare, ndërkohë që gjatë kësaj kohe ka ndërhyrë në bisedë edhe shtetasja Kristina Shqepa, e cila ka filluar të debatojë me kunatin e saj, shtetasin Llazi Shqepa. Në debat e sipër, ky i fundit është nxehur duke e qëlluar në kokë kunatën e tij, me sëpatën që mbante me vete. Pas këtyre veprimeve, ai ka qëlluar edhe vëllain, duke i shkaktuar dëmtime serioze. Pas këtij veprimi Llazi Shqepa është larguar nga vendi i krimit, duke u arrestuar disa orë më parë nga policia e Fierit.

Konflikti

Krimi i rëndë është regjistruar rreth orës 21:30 në fshatin Seman të Fierit, kur 66-vjeçari Llazi Shqepa ka humbur logjikën, duke sjellë plagosjen e rëndë të Kozma dhe Kristina Shqepës, burrë e grua, përkatësisht 63 dhe 52 vjeç. Duke iu referuar dëshmive që banorë të zonës kanë dhënë në policinë e Fierit, mësohet se rreth orës 21:30, Llazi Shqepa është kthyer në shtëpi dhe pasi ka mbyllur në vathë bagëtitë, ka shkuar për vizitë tek banesa e të vëllait, Kozma Shqepa, që ndodhej pranë të tijës. Ata kanë qëndruar për disa minuta në verandën e shtëpisë, ndërkohë që 66-vjeçari, me vete kishte edhe një sëpatë të vogël, që e mbante gjithmonë. Kur janë ulur në karrige, kunata e 66-vjeçarit, Kristina Shqepa ka nxjerrë kafetë dhe rakinë për bashkëshortin dhe kunatin, të cilët po bisedonin lidhur me problemet financiare. Sipas banorëve, në këtë bisedë mësohet të ketë ndërhyrë edhe kunata e të arrestuarit, e cila ka pretenduar se mendimet e kunatit të ishin të pavlera e të pabaza. Ky qëndrim i saj duket se e ka irrituar 66-vjeçarin Llazi Shqepa, i cili ka nisur të debatojë ashpër me kunatën. Në debat e sipër, ata janë fyer me njëri-tjetrin, kështu që ka ndërhyrë edhe vëllai i 66-vjeçarit. Në këto kushte, Llazi Shqepa ka humbur kontrollin duke e goditur me sëpatë në kokë kunatën. Ai e ka goditur edhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar asaj plagë të rënda e duke e lëndë të shtrirë në dysheme pa ndjenja. Në këtë moment ka ndërhyrë bashkëshorti i të plagosurës, por 66-vjeçari nuk ka kursyer as vëllain, duke e lënduar edhe atë në pjesë të ndryshme të trupit.

Ndërhyrja e familjarëve

Pasi ka parë se kunata ka mbetur e shtrirë në tokë dhe kur kanë ndërhyrë edhe familjarët e tjerë, 66-vjeçari Shqepa është tërhequr duke bërë të mundur shmangien e tragjedisë për familjen e të vëllait. Pas ngjarjes, familjarët i kanë shoqëruar menjëherë për në spitalin rajonal të Fierit të plagosurit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve, e plagosura fatmirësisht nuk ka marrë plagë vdekjeprurëse, pasi ka shmangur kokën dhe sëpata nuk e ka kapur pingul, duke mos arritur t’i bëjë plagë të thellë. Ndërsa vëllai i agresorit ka marrë vetëm plagë në trup, pa ndonjë rrezik për jetën. Pas ngjarjes është bërë menjëherë edhe arrestimi në flagrancë i 66-vjeçarit Llazi Shqepa për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentative”. Gjatë marrjes në pyetje, ai e ka pranuar krimin dhe mësohet të jetë shprehur se gjithçka e kishte kryer në gjaknxehtësi e sipër, pasi ishte ndjerë i ofenduar nga kunata. Nga verifikimet e policisë ka rezultuar se edhe më parë, kunatat kanë pasur debate e konflikte me njëra-tjetrën, që për pasojë, kanë sjellë tensionim të marrëdhënieve mes vëllezërve. Aktualisht lidhur me këtë çështje materiali hetimor i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Fierit.

 

Marjo Ramaj tentoi të grabiste të moshuarin

Vrau greken në 2010-ën, kapet në Vlorë njeriu që i shpëtoi policisë helene

Operacioni i koduar “Transferimi”, organizuar nga efektivët e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, ka vënë në pranga shtetasin Marjo Ramaj, 28 vjeç, nga fshati Picar, Komuna Armen në po këtë rreth. Sipas informacioneve, bëhet me dije se ky person ka vrarë me një mjet prerës shtetasin grek me inicialet J. L. Ngjarja është shënuar në Petralona të Greqisë, në banesën e viktimës më datë 6 shkurt të vitit 2010. Sipas hetimeve të kryera nga autoritet greke, Marjo Ramaj ka hynë në banesën e shtetasit grek për të grabitur, por pasi është ndier nga viktima, mes tyre ka pasur një përplasje fizike dhe në këtë moment greku është qëlluar disa herë me thikë, duke humbur jetën. Procedimi ndaj këtij shtetasi ka nisur në Greqi dhe është transferuar më pas në vendin tonë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 28-vjeçarin Marjo Ramaj. Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë janë duke shkëmbyer informacione me agjencitë ligjzbatuese në Greqi, pasi dyshohet se ky shtetas të jetë autor edhe i disa ngjarjeve të tjera kriminale në këtë shtet. Marjo Ramaj ka qenë person i shumëkërkuar nga autoritetet greke, por në të gjitha tentativat për arrestimin e tij ai ka mundur t’u shpëtojë forcave të policisë helene. Njëkohësisht, strukturat kundër krimit ekonomik në po këtë drejtori kanë arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim Vilson Lushaj, 45 vjeç, për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale si dhe falsifikim dokumentesh. Ky shtetas ka mundur të përvetësojë një truall rreth 22 mijë metra katrorë me një vlerë 3 milionë euro.

 

Parandalohet vrasja

Ngriti pritë tek pallati, kapet me armë

Një konflikt mes dy personave, i nisur në Sarandë në datën 17 gusht, ka vijuar gjatë mbrëmjes së djeshme në kryeqytet. Burime nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se kanë vënë në pranga shtetasin Edmond Abazi, i cili po përpiqej të qëllonte me armë zjarri Pëllumb Alushin, me të cilin ishte konfliktuar një muaj më parë. Efektivët e komisariatit nr. 2 kanë kapur në flagrancë Edmond Abazin, me një pistoletë pa leje, teksa priste që Alushi të dilte nga banesa në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”, për ta qëlluar me armë. Sipas policisë, i arrestuari është konfliktuar me thika në Sarandë me Pëllumb Alushin, për arsye ende të panjohura. Pas këtij konflikti, Alushi ishte transferuar në Tiranë, për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme me Abazin. Por ky i fundit pasi ka mësuar vendndodhjen e tij, ka udhëtuar drejt Tiranës me qëllimin për ta vrarë.

 

Aksidenti, Shkodër

Makina bie në lumë, vdes 19-vjeçari

Një i ri 19-vjeçar ka humbur jetën në një aksident automobilistik në aksin rrugor Shkodër – Muriqan paraditen e së shtunës. Mësohet se pas përplasjes së dy automjeteve, mjeti me targa SH 4160 D ka përfunduar në ujërat e lumit Buna në fshatin Zues të Shkodrës. Policia thotë se automjeti tip “BMW” i rënë në lumë fillimisht u përplas me një mjet tip “Mercedes-Benz”. 19-vjeçari Shujap Gradeci ishte pasagjer në automjetin e përfunduar në lumë, teksa shoferi i makinës Simon Mjeda, 54 vjeç, ka mundur të dalë nga uji dhe ndodhet duke u trajtuar në spitalin e Shkodrës. Mësohet se në automjet nuk kishte persona të tjerë. Policia tha se po heton për shkakun e aksidentit tragjik, teksa nga hetimet e para dyshohet se aksidenti ndodhi si pasojë e një parakalimi të gabuar. Uniformat blu kanë shoqëruar dy drejtuesit e automjeteve të përfshira në aksident.

 

Ndërtimi pa leje

Pezullohen punimet tek shtesa dykatëshe

Policia e komisariatit nr. 1 në kryeqytet bëri dje pezullimin e ndërtimit të një shtese prej dy katesh që po ngrihej pa leje mbi një pallat ekzistues në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë. Strukturat e policisë kanë bërë bllokimin e objektit që po ndërtohej në mënyrë të paligjshme ndërkohë janë shoqëruar në stacionin e policisë dy punonjës që gjatë kohës së bllokimit të objektit janë gjetur duke punuar në objekt. Po ashtu policia ka filluar procedimin penal për shtetasin Eduard Helmësi, për veprën penale të parashikuar nga neni 199 i Kodit Penal. Ky shtetas është pronari i dy kateve pa leje që po ndërtoheshin mbi pallatin 6-katësh në kryqëzimin e rrugës “Liqeni i Thatë” me rrugën “Eduard Mano”. Materialet procedurale për rastin në fjalë do t’i referohen prokurorisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency