Vizita në SHBA / Zbardhet axhenda, Kryeministri Rama, fjalim në samitin e OKB-së

0
156

Gëzim Saliu

Rama do të marrë pjesë në “Clinton Global Iniciative”, takime me Këshillin Shqiptaro-Amerikan

 

edi-rama-2Kryeministri Edi Rama ka nisur dje vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vizitën e parë në cilësinë e kreut të ekzekutivit, Rama do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të Përhershëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku pritet të mbajë edhe një fjalim. Po ashtu, pjesë e axhendës së Kryeministrit të vendit do të jenë edhe takimet me Këshillin Shqiptaro-Amerikan, si edhe pjesëmarrja me ftesë të ish-presidentit Bill Klinton në takimin “Clinton Global Iniciative”, i cili do të mbahet në Nju Jork në datat 23 – 26 shtator.

Vizita

Gjatë vizitës së tij në Nju Jork, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga ish-kryeministri britanik Tony Blair, ku gjithashtu pritet të jenë të ftuar liderë të ndryshme të botës. Ndërkohë, kreu i mazhorancës qeverisëse do të zhvillojë takime dhe me Këshillin Shqiptaro-Amerikan, ku e ftuar pritet të jetë ish-sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton. Një tjetër takim i përfshirë në axhendën e Kryeministrit është edhe ai i “Clinton Global Iniciative”, i organizuar nga ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton. Ndërkohë, pjesa më kryesore e vizitës së kreut të ekzekutivit ka të bëjë me pjesëmarrjen në punimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku pas fjalës së rastit, Rama pritet të zhvillojë takime edhe me kryetarë shtetesh të ndryshëm si dhe politikanë vendas amerikanë. Gjithashtu gjatë vizitës priten takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, senatorë dhe kongresmenë, ku gjithashtu pjesë e diskutimit do të jetë programi i qeverisë re dhe politika e jashtme e Shqipërisë.

Rama dhe Nishani

Në takimin e organizuar nga ish-presidenti amerikan, “Clinton Global Iniciative” do të marrin pjesë si Kryetari i Shtetit Bujar Nishani ashtu edhe Kryeministri i vendit Edi Rama. Pjesëmarrjen e Presidentit të vendit në këtë takim e konfirmoi dje zyra e shtypit pranë këtij institucioni, e cila në njoftimin e saj theksoi: “Ky aktivitet do të diskutojë rreth temës “Mobilizing for Impact”, e cila do të përqendrohet në përfshirjen e njerëzve dhe burimeve të duhura që të ndërmerren veprime të efektshme përkundrejt sfidave globale”. Ky takim i përvitshëm mbledh liderë dhe ish-liderë nga e gjithë bota dhe drejtues të korporatave dhe të organizatave të rëndësishme botërore. Kreu i shtetit do të marrë pjesë vetëm në aktivitetin e fondacionit të ish-presidenti Clinton, por nuk do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë. I pyetur një javë më parë për këtë çështje, Presidenti ka pohuar se i takonte Kryeministrit të ri të merrte pjesë në këtë aktivitet. “Unë e kam gjykuar si serioze dhe korrekte që pas zgjedhjeve parlamentare kushdo që do të ishte Kryeministër i vendit, qoftë vazhdimi, qoftë Kryeministri i ri, duhet të shkonte në këtë aktivitet për të prezantuar qeverinë dhe platformën e qeverisë që do të vinte. Është në dinjitetin e shtetit, është në dinjitetin e vendit, për më tepër që unë kisha qenë një vit më parë kështu që nuk ka asnjë lloj vendi për marrëveshje të veçanta. Unë besoj që është një qëndrim korrekt dhe normal”. Vizita e Ramës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e para në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë, ku më parë shefi i ri i qeverisë ka theksuar se aleanca me Uashingtonin mbetet strategjike për vendin.

 

 

Mbledhja

Grupi i PS-së miraton vendimet e kryesisë, zgjidhen 4 nënkryetarët, Ulqini sekretar

Partia Socialiste miratoi dje në grupin parlamentar propozimet e kryesisë për krerët e komisioneve parlamentare. Në mbledhjen që u zhvillua me dyer të mbyllura, grupi parlamentar vendosi që Fatmir Xhafaj të jetë kryetar i Komisionit të Ligjeve, Arta Dade kryetare e Komisionit të Jashtëm, Eduart Shalsi të jetë kreu i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Erion Braçe kryetari i Komisionit të Ekonomisë. Po ashtu grupi kuvendor socialist miratoi edhe një vendim tjetër të kryesisë që aleati i tyre në qeverisje, kryetari i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, të mbajë postin e nënkryetarit të Parlamentit. Ndërkohë, pritet që në një mbledhje tjetër të kryesisë të vendoset për kryetarin e Komisionit të Sigurisë, ku më i favorizuar për të marrë kryesimin duket deputeti Spartak Braho. Ndërkohë nënkryetarët të grupit parlamentar janë zgjedhur Vasilika Hysi, Taulant Balla, Erion Braçe, Eduard Shalsi, ndërsa në detyrën e sekretarit do të jetë Musa Ulqini. Nga ana tjetër Valentina Leskaj që në legjislaturën e kaluar kryesonte komisionin e medias, do të drejtoj delegacionin e parlamentit shqiptar pranë Këshillit të Evropës, kurse Taulant Balla do të drejtoj komitetin ndërparlamentar Shqipëri – Bashkimi Evropian.

 

Dy postet

Braçe: Do të bëj çmos që të mos ju zhgënjej

Deputet socialist Erion Braçe në bazë të vendimit të kryesisë dhe miratimit të grupit parlamentar do të mbajë dy funksione brenda partisë, atë të kryetarit të Komisionit të Ekonomisë së Financës së Kuvendit dhe të nënkryetarit të grupit kuvendor. Në një postim në rrjetin social Facebook, Braçe premtoi dje se do të bëjë çmos për të mos zhgënjyer shqiptarët që e votuan. “Kolegët e Kryesisë dje dhe kolegët e Grupit Parlamentar sot më besuan të bëj detyrën e nënkryetarit të grupit të deputeteve të PS në Kuvend dhe kryetarit të Komisionit të Ekonomisë së Financës së Kuvendit. Do bëj çmos të mos zhgënjej kurrkënd nga shqiptarët që na besuan”, – shkruante Braçe.

 

Deklarata për shqiptarët në Maqedoni, fshihet pjesa kritike e fjalës së Ramës me Ivanovin

Pas kritikave lidhur me fjalën e tij gjatë takimit me Presidentin e Maqedonisë, Gjeorgje Ivanov, prek ditës së djeshme është fshirë fjalia e shumëdebatueshme në deklaratën e Kryeministrit Rama për shqiptarët e Maqedonisë. Në videon e publikuar në sajtin e qeverisë shqiptare, mungon fjalia: “…por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët”. Kjo mund të vërehet menjëherë pas minutës së 04:00 në video, ku ka dhe një shkëputje, dhe mungojnë rreth 15 sekonda të fjalës së Ramës. Deklarata e kreut të ekzekutivit Rama u kritikua ashpër nga opozita e djathtë, e cila e cilësoi atë si gafë diplomatike. Sipas demokratëve, më deklaratën e tij, Kryeministri vuri barazimin mes pakicës maqedonase në Shqipëri dhe shqiptarëve në Maqedoni.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency