Urdhri / Kryeprokurori Llalla, njësi speciale task-forcë për drogën e Lazaratit

0
140

Sonja Caka

Kreu i Policisë së Shtetit, Burgaj, dorëzon një dosje me materiale për kultivimin e drogës në fshatin Lazarat. Materialet, gjatë bashkëpunimit me Guardia Di Finanzia

 

llalla-adriatik-fq-1Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit nisin punën për ta hequr Lazaratin nga harta e kultivimit të drogës, të shndërruar në një njollë të zezë në hartë si vendi që prodhon sasinë më të madhe të marijuanës në Shqipëri. Burime pranë akuzës bëjnë me dije se në fillim muajit shtator, me urdhër të kryeprokurorit, Adriatik Llalla kanë nisur diskutimet për ngritjen e një njësie speciale task-forcë që do të hetojë kultivimin e kanabisit, në mënyrë të veçantë në fshatin Lazarat. Të njëjtat burime bëjnë me dije se funksionimi i kësaj njësie task-forcë ka mundësi të konkretizohet në fund të këtij muaji, në një kohë që nuk bëhet e ditur se kush do të jenë prokurorët që pritet të jenë pjesë e saj. Bëhet me dije se urdhri i prokurorit të Përgjithshëm është përcjellë menjëherë pas deklaratave nga pala italiane për identifikimin e sipërfaqeve të konsiderueshme të mbjella me kanabis ne Lazarat. Megjithatë, hetimi nuk do të fokusohet vetëm për zonën e Lazaratit, por më gjerë, pasi Guardia Di Finanzia ka konstatuar se të paktën gjashtë janë konstatuar si zonat më problematike disa qarqe. Njësia Task-Forcë Antidrogë do të shtrohet edhe në disa nga rrethet që njihen si kultivuese, si Vlora, Durrësi, Tirana, Kruja dhe Shkodra. Antidroga është sektor më vete në Policinë e Shtetit, dhe nëse njësia Task-Forcë Antidrogë e Prokurorisë së Përgjithshme finalizohet brenda kësaj periudhe, ka gjasa që të ketë një rikonceptim të kësaj strukture edhe për policinë.

Dosja

Një dosje voluminoze mësohet të jetë dorëzuar nga Policia e Shtetit në Prokurorinë e Përgjithshme, me materiale shkresore, fotot e video nga zonat më problematike ku kultivohet kanabis në vend. Nga burime pranë policisë bëhet me dije se Policia e Shtetit dhe Guardia Di Finanza kanë gati një dosje voluminoze prej më shumë se 1 mijë faqesh, mbi prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në këtë zonë. Për këtë pritet të prangosen mbi 45 persona të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal ndërsa burime pranë Prokurorisë shprehen se të dyshuar janë që nga kreu i kësaj komune e deri te persona të cilët bëjnë transportin e lëndës. Për këtë qëllim, 10 ditë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme u organizua një takim mes krerëve të lartë të policisë dhe përfaqësuesve të Guardia Di Finanzia ku mësohet se u pasqyruan të gjitha provat, mes tyre regjistrimet filmike të marrë nga avionët si dhe bisedat telefonike të cilat dyshohet se zbardhin tregtinë e lëndës narkotike. Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se grupi i punës kryesohet nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i cili ka përzgjedhur dhe disa nga oficerët e policisë gjyqësore pranë drejtorisë së policisë Tiranë. Dosja e deleguar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj është një nga dosjet më të mëdha të 10 viteve të fundit mbi trafikun e lëndëve narkotike, e cila i është vënë në dispozicion prokurorisë. Lazarati renditet si një ndër zonat me sipërfaqen më të madhe të mbjellë me kanabis, vlera e të cilit në tregun evropian në një vit sipas autoriteteve italiane kap shifrën e 4.5 miliardë eurove.

 

Prokurori e Përgjithshme

Këshilli përzgjedh kandidaturat për krerët e disa prokurorive në vend

Këshilli i Prokurorisë ka përzgjedhur kandidaturat që do t’i propozohen Prokurorit të Përgjithshëm për pozicionet drejtuese vakante në prokuroritë e rretheve Elbasan, Kavajë dhe Sarandë, si edhe të prokurorive të Apelit në Durrës dhe Gjirokastër. Kështu, sipas buri8meve zyrtare pranë organit qendror të akuzës, propozimet parashikojnë caktimin e Ferdinand Elezit në gjykatën e Apelit në Durrës, Alfred Agollin në Gjirokastër, Gentian Osmanin në Elbasan, Petrit Canon në Sarandë si dhe Enklid Gjinin në Fier. Brenda pak ditëve, Prokurori i Përgjithshëm do të shqyrtojë propozimet e Këshillit të Prokurorisë dhe do të vendosë për emrat që do të emërohen si drejtues në këto prokurori dhe me pas emrat i kalojnë Presidentit Bujar Nishani i cili përmes dekreteve emëron zyrtarisht gjyqtarët.

 

Elbasan

E zë gjumi, përplaset me urën e humb jetën kamionisti

Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e drejtuesit të një kamioni u regjistrua në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Ngjarja ndodhi në afërsi të fshatit Mirakë. Një kamion triler me targë kamioni “AA701 CU” dhe me targë trajleri “AA855” u përplas me këmbët e urës së mbikalimit në këtë vend. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i automjetit, Ilir Prokopi, 52 vjeç nga Tirana i cili gjeti vdekjen gjatë transportit për në spital. Në vendin e ngjarjes shkuan policia dhe ekspertët. Nga hetimet paraprake rezulton se aksidenti ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit të drejtimit të automjetit nga shoferi. Dyshohet se shkak ka qenë pagjumësia e drejtuesit të trajlerit.

 

Fushë-Krujë

Plagoset 55-vjeçari, identifikohet autori Xhaja

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e djeshme në qendër të qytetit të Fushë-Krujës. Sipas të dhënave nga policia e këtij qyteti, i plagosur ka mbetur 55-vjeçari Nikollë Gjini, i cili punonte në një dyqan të një kompanie celulare. Mësohet se autori i plagosjes ka ndaluar përballë me një automjet tip “BMW” me targa të huaja dhe pasi ka hyrë në ambientet e dyqanit të rimbushjeve celulare, duke qëlluar me armë në drejtim të punonjësit dhe lënë të plagosur rëndë. Menjëherë, autori, i cili sipas policisë është identifikuar si Ermir Xhaja, 43 vjeç, është larguar nga vendngjarja, por policia është vënë në kërkim të tij. 55-vjeçari i plagosur është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes. Pritet që pas marrjes në pyetje të të dëmtuarit të mësohen shkaqet e kësaj plagosjeje. Nga hetimet e para dyshohet se përplasja mes tyre ka nisur për një rimbushje telefonike dhe nuk dihen arsyet pse situata ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency