Banda e lirisë / Jani Dardha dhe tmerri për këngët shqipe

0

Speciale/ Ishte koha kur grekët i tmerronte kënga shqip; Jani Dardha, një shembull i mirë se si nuk duhet çuar jeta haram

Loading...

 

KORCA-EVJETER-FARENë qytetin e Korçës bëhej dasmë. Martohej Andrea Ilo Rrëmbeci. Shumë njerëz ishin mbledhur në shtëpinë e tij. Dasmorët pinin raki dhe këndonin. Tundej vendi. Korça po ngrihej pezull. Dukej sikur dikush po e mbante në pëllëmbë të dorës. Gjithçka po shpërthente në hare. Vetëm dikush, i mbështetur pas murit të avllisë, rrinte i heshtur dhe i zhytur në dëshpërim të plotë. “Si nuk po dëgjoj të këndohet një këngë në gjuhën greke”, ishte meraku i tij. Kishte gjithë ditën që rrinte aty, por nuk po dëgjonte asgjë në helenishte. “Shqip dhe vetëm shqip, shqip gjithë ditën dhe gjithë natën, si nuk po mërziten vallë me këtë gjuhë të mallkuar”, – mërmëriste ai. Kjo gjë kishte nisur ta nervozonte Jani Dardhën, njeriun që rrinte mbështetur pas avllisë në pritje për të dëgjuar qoftë edhe një fjalë të vetme në gjuhën greke. Do të pranonte edhe ta shanin, madje do të ishte i lumtur nëse sharjen do ta dëgjonte në greqisht. Nëse atë ditë nuk do të vdiste nga marazi, ishte i sigurt që nuk kishte për të vdekur kurrë, por asnjëherë nuk e kishte menduar se do të vinte një ditë që do ta shihte jetën në arrati të përjetshme e me frikën se një ditë do ta gjenin…

Banda e “Lirisë”

Vazhdonte të rrinte aty mbështetur pas avllisë, ulej dhe ngrihej dhe prehje nuk gjente. Shpresonte se atë natë do ta dëgjonte një këngë greke. Koha kalonte dhe shpresa e tij venitej. “Ufff si nuk po pëlcas”, – lëmëriste me vetë. Befas pa që nga shtëpia e Andrea Ilo Rrëmbecit po dilnin disa njerëz. “Pu pate?”, – i pyeti greqisht, por askush nuk ia vuri veshin. “Ku shkoni?”, – i pyeti sërish, por kësaj radhe tejet i hidhëruar, sepse ata e kishin detyruar që ai t’u fliste shqip. “Do të shkojmë të marrim bandën e “Lirisë” që të na këndojë në dasmë”, – kishte qenë përgjigjja e tyre. Si?… Bandën e Lirisë?… Banda do të vinte në shtëpinë e Rrëmbecit dhe të këndonte shqip? A nuk kishin kënduar shqip mjaft deri më tani? Jo, këtë gjë nuk mund ta duronte dot më, madje nuk kishte forca për ta përballuar. Ndoshta kishte qenë dita më e mallkuar për të. Pati përshtypjen se atë çast ai kishte filluar të ndihej si një kufomë që ende nuk e kishin vendosur në arkivol. Shkoi… Shkoi dhe mblodhi gjithë miqt e tij, të cilët gjithë mburrje i thoshin se edhe ata ashtu si ai Jani Dardha ishin grekë. Dëshironin që bandës së “Lirisë” t’i jepnin një dru të mirë që ta mbante mend sa të ishte gjallë e të rronte. Kjo bandë nuk duhej të shkonte nëpër dasma. Djemtë e saj nuk dinin gjë tjetër veçse të këndonin shqip. Po si t’ia bënin? A do të ishin të zot t’ia dilnin mbanë?  Po sikur të dilnin të humbur? Kjo nuk duhej të ndodhte. Humbja do të ishte e pariparueshme, rrënimi do të ishte i plotë. “Merrni edhe armë me vete!”, – dha porosi, Jani Dardha. Gjithkush prej tyre ishte i gatshëm të vihej nën urdhrat e tij

Jani Dardha

Për njerëzit e tij, Jani Dardha nuk ishte njeri sidokudo. Motoja e tij ishte: “Arpakse na eqis, klepse na zisis” (Rrëmbe që të kesh, vidh që të jetosh). Të paktën kështu e ka përshkruar karakterin e këtij njeriu shtypi i asaj kohe. Gazeta “Korça” dhe “Lidhja ortodokse”. Ata dinin gjithashtu që Dardha kishte shumë miq e të njohur edhe në Greqi. Jani Dardha kishte miqësi edhe Dragumin. Madje këtij të fundit pati guximin t’i kërkonte që t’i gjente vrasësin e kunatit sa më parë, pasi në të kundërt Greqia nuk do të puthte më në Korçë. Dardha u mburrej grekëve në Athinë se vetëm ai mund ta bënte Korçën të ishte e Greqisë dhe askush tjetër, madje nëse ai, Jani Dardha, nuk do të dëshironte ta bënte këtë gjë, grekët nuk do ta shihnin Korçën as me dylbi. Kjo ishte një arsye e mirë që ata, grekrit, duhej ta mbanin Jani Dardhën në pëllëmbë të dorës dhe të mos ia prishnin qejfin asnjëherë. Mbi të gjitha nuk duhej t’i mungonin kurrë as kafetë dhe as glikotë. Në një rast të tillë doktor Turtulli e ironizonte: “Po na xbulon lëkurën bre Jani dhe vdiqën glikotë dhe kafetë!” Kjo ishte edhe arsyeja pse miqt e tij vraponin pas Jani Dardhës Gjithnjë shpresonin se edhe ata do të fitonin diçka nga Jani Dardha, sepse vetëm Dardhës nuk i mbaroheshin lekët kurrë. Pasi u mblodhën të gjithë bashkë, vendosën të prisnin ardhjen e bandës së “Lirisë”.

 

***

Më në fund banda e “Lirisë” kishte mbërritur në shtëpinë e dhëndrit. Jani Dardha me njerëzit e tij lëvizën nga vendi ku ishin fshehur. Do të sulmonin në çastin kur të dëgjonin tingujt e muzikës. Një grimë më pas, ai çast kishte mbërritur. Kishte nisur të dëgjohej një këngë shqip që përsëriste vazhdimisht: “Unë e dua Shqipërinë”. Jani dardha nuk mund të duronte dot më. “Përpara!”, – dha urdhër ai, dhe ata bënë përpara. Do ta tregonin veten që ishin palikarë të vërtetë. Madje edhe ata e vetë ashtu e thërrisnin njëri tjetri: “Pu ise vre palikari!”, që do të thotë “Ku je o trim!” Filluan të godisnin fëmijët që gjeten në oborrin e shtëpisë. Disa prej tyre nisën të tregonin që kishin armë. Pas kësaj, me shkopinj në duar u turrën drejt djemve të bandës së “Lirisë” goditën atë që mundën dhe po ashtu siç kishin hyrë në shtëpi tinëzisht, ashtu dhe ishin larguar. Dasmorët kishin mbetur një çast të hutuar. Disa njerëz si hije me shkopinj dhe kobure në duar kishin hyrë dhe kishin dalë krejt papritur. Askush prej tyre nuk kishte ndërmend të linte dasmën dhe të shkonte për shkarpa. “Merrjani këngës!”- u dëgjua të thoshte i zoti i shtëpisë. Dhe kënga nisi. Banda e “Lirisë”, po i bënte dasmorët të ngriheshin peshë. “Të na trashëgohesh o Andrea Ilo Rrëmbeci e bëfsh një kompani me trima!”.

 

Trimat e Jani Dardhës

Jani Dardha dhe njerëzit e tij pasi u larguan nga shtëpia e dhendrit qëndruan në pritje të përleshjes me dasmorët, por kjo gjë nuk ndodhi. Priten një orë, dy, tri.. pritën deri sa u gdhi, por dasmorët vetëm këndonin… Mosdaljen e dasmorëve nga shtëpia e morën si shenjë dobësie. “Njerëzit e Andrea Ilo Rrëmbecit kanë frikë”, – mendonin ata. Kjo gjë i nxiste të mendonin se kishin lindur trima dhe do të vdisnin trima… E vërteta ishte krejt ndryshe. Shumëkush Jani Dardhën e konsideronte si të sëmurë psikik edhe pse ishte i zgjedhur si dhimogjerond. Madje në Korçë njerëz të ngjashëm me Janin kishte patur edhe më parë. Njerëz të tillë e kalonin natën te varret e Shën Marisë, ku me thikë në dorë luftonin me shpirtrat e të vdekurve. Sipas tyre, ata luftonin me hijet. Ishin ca hije, që siç e shpjegonin ata, i ndiqnin hap pas hapi, kudo që shkonin. Hijet ishin të frikshme. Gjithnjë shfaqeshin duke zgjatur duart për të mbytur atë që gjenin përpara. Përgjithësisht ata ishin endacak që lëviznin nëpër Korçë edhe gjatë orëve të vona të natës. Gjithsesi, kur Jani Dardha u bind se nuk do të kishte përleshje mes palëve, u kërkoi njerëzve të tij që të nesërmen të organizonin përsëri një sulm kundër djemve të bandës së “Lirisë”. “Vetëm kështu, tha Dardha gjithë bota do ta marrë vesh se çfarë po ndodh në Korçë. Lajmi do të përhapet në gjithë botën dhe të gjithë do ta kuptojnë se Korça është Greqi dhe jo Shqipëri. Heronjtë do të jemi ne,- vuri në duke dardha. Nesër të jeni të gjithë gati”.

Të nesërmen një grup njerëzisht po përpiqeshin të organizonin sulmin e radhës. Në krye të tyre tashmë ishin tre vetë: Jani Dardha, biri i Sugarit dhe një djalë nga Polena. Sipas gazetës Korça, “të tjerët qenë fshehur në farmaqio të Gaqi Fugës dhe në shkollën primare të grekomanëve, të cilat janë afër dhe përsëdrejti me shkollën e bandës së “Lirisë”. Prisnin daljen e djemve nga shkolla e bandës. Nuk vonoi shumë dhe ata dolën. Ishin zotërinjtë Fuat Dishnica, Ferid Frashëri, Nuçi Mborja, Jaup Dishnica etj Po atë çast Jani Dardha u doli përpara dhe nisi të qëllonte me armë. Ferid Frashëri mbeti i plagosur në këmbë. Breshëria e plumbave vinte edhe nga farmaqia e Fugës edhe nga shkolla primare e grekomanëve, por zotërinjtë sërish u turrën drejt Jani Dardhës. E harroi koburen Jani Palikari dhe deshi të ikte, por ikja e tij frikësoi edhe njerëzit që kishte sjellë me vete. Këta të fundit, në vend që të qëllonin mbi Dishnicarët e të tjerët, e humbën toruan dhe nisën të qëllonin mbi Jani Dardhën. Fati nuk qe tërësisht kundër Jani Dardhën, plumbat i kishin çpuar barkun, por mbetej jashtë rrezikut për jetën. Ishte 14 gusht i vitit 1909

Plagosjet

Sigurisht, plagosja e Ferid Frashërit dhe e Jani Dardhës u përhap me shpejtësi në të gjithë Korçën. fill pas kësaj ngjarjeje, i pari që doli në rrugë ishte dhespoti, i cili hyri krenar në çarshi të pazarit. Sipas shtypit të kohës, gjithë qëllimi i tij ishte që të nxiste të krishterët, megalidhotët e tij që t’i binin pas. Ai ecte gjithë qejf e kënaqësi. E kush mund t’i dilte tani më përpara? Cili ishte ai palikar që do t’i zinte rrugën? A nuk po e merrte vesh bota se nuk kishte më Korçë shqiptare?  Po nëse kishte mbetur ndonjë trim le ti delte përpara pse vononte? Këtë dëshironte edhe ai. Mundësisht të krijohej edhe një përplasje tjetër. Por… në të vërtetë nuk ndodhi asgjë. Dhespotit nuk po i binte pas askush pa disa herë mbrapa dhe ndjeu se ishte i vetëm. Jo ajo që priste ai, por një e keqe tjetër do ti dilte përpara. Puplat e krenarisë që i ishin ngritur përpjetë çmendurisht do të fillonin t’i binin të gjitha, një e nga një, sapo vuri re se nga ana tjeter e pazarit, po vinte drejt tij kryeqeveritari Galip Pasha. Dhespotit nuk po i mbetej gjë tjetër veçse të shtirej sikur kishte ardhur të qante hallin me Pashain, por ky i fundit ia ktheu: “Ti je dhespot, puna jote është vetëm për shërbim besoj, dhe kurrë për gjëra të këtilla, prandaj nxito dhe ec në mitropoli dhe mos të të shoh që të voziç nëpër rrugë”. Dhespoti, shkruan më tej gazeta Korça, si mori këtë përgjigje nga kryeqeveritari, kuptoi fajin e tij, unji kokën dhe mbajti udhën e mitropolisë”. Megjithatë Jani Dardha kishte mundur të ngrinte versionin se nuk ishte ai që kishte sulmuar djemt e bandës së “Lirisë”, por kishin qenë këta të fundit që e kishin plagosur atë.

Hetimet

U deshën pothuajse një muaj hetime deri sa të realizoheshin arrestimet e para. Asgjë nuk ishte e qartë për qeverinë. Të dy palët pretendonin në pafajsinë e tyre. Vetëm Korça e dinte që djemt e bandës së “Lirisë” ishin të pafajshëm. Shpresohej shumë që e vërteta të dilte në shesh. Që nga ajo ditë Jani Dardha nuk u pa më nëpër rrugët e Korçës. Nuk guxonte të voziste më as natën dhe as ditën. Gjykata e thërriste herëpashere për ta marrë në pyetje, por ai nuk pati kurajon të dilte qoftë edhe një herë të vetme nëpër rrugë. Më dt 21 shtator 1909, shtypi i kohës bëri të ditur se “për plagosjen e Jani Dardhës dhe të Ferid Frashërit ishin burgosur Hysen Dishnica, Fuat Dishnica, Jakup Dishnica, Jusuf Halit Kolonja, Shaban Frashëri, Kristaq Aristidhi, Arsllan Starja, Nuçi Dishnica dhe Dhori Lepçishti. Ndërsa një muaj më vonë, më 1 tetor të vitit 1909, gazeta e cituar më sipër do të vinte në dukje se nga ana e të të çmendurive grekomanë që u hodhën sipër djemve të bandës, pardje u burgosën 25 shpirt dhe tre nga djemtë e bandës duke i gjykuar si fajtorë”. Ende nuk dihej se ku do të gjykoheshin të arrestuarit në Korçë apo në Manastir. Gjithçka do të qartësohej ditë më pas, por deri atëherë ata do të qëndronin të burgosur. Mbi të gjitha ende nuk kishte një ide të qartë nëse do të fitonte e drejta apo mashtrimi.

Ankth dhe shpresë

Ditët kaloni njëra pas tjetrës. Herë lirohej dikush nga njerëzit e Jani Dardhës dhe herë nga pala tjetër. Më pas merrej vesh se ata që ishin liruar, ishin arrestuar prapë. Kështu ndodhi edhe më Hysen bej Dishnicën. Ai ishte një nga ata që ishte arrestuar që në fillim, u lirua më pas dhe sërish erdhën dhe e morën. Megjithatë, shumëkush mendonte se drejtësia po lëvizte dhe vërteta do ta thoshte fjalën e vet. Kur dikush nga të burgosurit lirohej, shpresat bëheshin edhe më të mëdha. Kështu ndodhi edhe kur u lirua Dishnica. “Ditën e diel që shkoi, banda e “Lirisë” bëri një shëtitje përjashta qytetit tonë për zbavitje, shkruante gazeta. Afro gysma e qytetit kishte dalë jashtë që të dëgjonte bandën edhe këngët shqip. Banda edhe kur po kthehej luajti një pjesë të bukur përjashta katundarisë, afër zyrës së gazetës “Korça”. Djemtë e bandës së lirisë gjithçka e organizonin për nder të shokëve të tyre tashmë të burgosur. Këngët e bandës nuk ishin i vetmi lajm i mirë. Pak ditë më vonë, sërish do të ishte gazeta e qytetit që do të njoftonte: “Ferid bej Frashëri, i cili qe plagosur nga grekomanët, u shërua dhe është mirë nga shëndeti. Gëzohemi”. Madje, së fundi u mësua lajmi se Gjyqi i Fuat dhe Ferid beut dhe i të tjerëve, të cilët ishin të pandehur si plagosësit e Jani Dardhës do të bëhej në Manastir (22 tetor 1909). Kur dita e gjykimit po afronte, banorët e Korçës panë se si erdhi policia dhe mori 9 vetë, të cilët qëndronin të burgosur në burgun e Korçës për çështjen e Jani Dardhës. Të gjithë ishin korçarë. I hipën me shpejtësi nëpër karroca dhe u nisën. Për çdo karrocë kishte nga dy xhandarë. Po i çonin në Manastir… “Jemi më shumë se të sigurtë, shkruante gazeta që gjykatorja e Manastirit do t’i lirojë këtë njerëz pa faj, të cilët dergjen në burg. Të mjerit Ferid beut si ishin mjaft plagët që mori po tani të rrijë edhe në burg. (Gazeta “Korça”, 2 nëntor 1909)

Vdes një nga grekomanët

Po atë ditë më 2 nëntor 1909, vdiq njëri nga grekomanët, i cili ishte nga Polena. Edhe ai ishte burgosur për ngjarjet e fundit në Korçë. “Prindërit i ngushëllojmë nga zemra për humbjen që i gjet, shkruante sërish gazeta. Varrimi iu bë me nder të madh nga ana e grekomanëve, me gjithë që vdiq prej një vdekjeje natyrale dhe jo prej gjësendi tjetër. Në fjalën që mbajti dhespoti tha se vdiq therror i kombit dhe se vdekje e tij do të zërë atë më të bukurën faqe të historisë kombëtare (!)” Përse?-pyeste gazeta e asaj kohe. Korça kishte filluar të ndiqte me ankth gjithçka që kishte të bënte me këtë ngjarje. Megjithatë nuk ishte e lehtë të merrje informacion as nga bugua dhe as nga gjykata. Dikush lirohej nga burgu për disa ditë, por si në të gjitha rastet vinin dhe e arrestonin përsëri Askush nuk e kishte të qartë se çafër po ndodhte. Jani Dardha dhe grekomanët e tjerë vazhdonin të mos delnin nëpër rrugët e Korçës. Gjithsesi gazeta Korça gjithnjë gjente mënyrën për të mësuar diçka më shumë: “Një letër që muarëm nga të burgosurit shqiptarë që janë në burg të Manastirit për plagosjen e Jani Dardhës na tregon se shqiptarët që ndodhen atje në Manastir i kanë kënaqur me të tepër. Kryesonjësi dhe nënkryesonjësi i klubit dhe gjithë atdhetarët e Manastirit kanë vajtur dhe përditë venë e i pyesin për shëndetin dhe duke u dhënë kurajo nuk i lënë të helmohen Qofshin të lavdëruar!”, përfundon gazeta. (12 nëntor 1909)

 

Tmerri i Jani Dardhës

Në shtëpinë e palikarit Jani Dardha kishte mbërritur njoftimi se gjykata do ta merrte sërish në pyetje. Sërish? Rimarrja në pyetje po e tmerronte. Kishte filluar ta parandjente se do ta arrestonin. Përpjekjet e tij për të fajsuar të tjerët nuk i kishin dhënë rezultat. As grekët që kishte njohur deri atëherë nuk e kishin ndihmuar dot. Kishte fillur të ndihej i vetmuar. Dëshironte të largohej nga Korça një orë e më parë, të ikte larg ku të mundej që askush të mos e gjente dot. Do të shkoj në Misir, kishte thënë, të afër të tij ishin emigrant atje. U nis për udhë krejt pa pritur dhe kujtuar, por gjykatorja e manastirit sikur ta kishte ditur vërtet mendjen e dardhës i kishte dalë në mes të udhës dhe e kishte çuar në manastir. Do të qëndronte atje për aq kohë sa do të merrej në pyetje. Më pas u mor vesh se Dardhën e lanë të lirë. Në përfundim të gjykimit të çështjes Jani dardha do të shpallej fajtor, por tashmë ai nuk gjendej më. Ja si e përshkruan gazeta në fjalë: “Në gjykatoren e Manastirit u vërtetua që Jani Dardha është plagosësi i Ferid bej Frashërit. Z Jani Dardha me të marrë vesh vendimin e Gjykatores për një herë u fsheh në Manastir dhe akoma nuk ka dalë në shesh. Shumë herë i kanë shkelur shtëpinë në Korçë po nuk e kanë gjetur. Siç flitet, Jani Dardha ndëroj fytyrën dhe kapërceu kufijtë e Turqisë dhe thonë se mbërriti në Misir, po nuku e besojmë, neve thomi që është fshehur më ndonjë vrimë të ndonjë manastirjoti ose për idenë e Eladhës do të jetë bashkuar me karavidhet e Greqisë”. Që nga ajo ditë për Jani Palikarin nuk u dëgjua të flitej më

19 nëntor 1909

 

Lirimi i të burgosurve

“Të burgosurit e Manastirit z Fuat Dishnica, Jakup Dishnica, Jusuf Taullau, Kristaq Aristidhi, Ferid bej Frashëri etj më së fundi urdhëruan në Korçë. Banda e “Lirisë” e një shumicë e madhe dualë edhe pritën atdhetarët e flaktë, të cilët ndenjën nga gjashtë muaj në burg (Gazeta “Korça”, 9 shkurt 1909). Vetëm Jani Dardha nuk po dukej më. Megjithatë ashtu siç ndodh në çdo qytet të madh apo të vogël, vendin e tij e zuri një tjetër i sëmurë psiqik, i cili në qytetin e Korçës njihej me emrin Anthropaqi. Ai nuk ishte grekoman, por kishte maninë e luftës me hijet. Gjithnjë kishte ndjesinë e frikës se dikush do ta mbyste me duar. Me sa duket njerëz të tillë të sëmurë do të ketë gjithnjë. Ata mund t’i falë vetëm Perëndia. Ja çfarë shkruan “Gazeta Korça” e cila nuk është e njëjtë me gazetën “Korça” për Anthropaqin e famshëm të Korçës: “Anthropaqi vdiq, thotë ajo. Cili nga Korçarët nuk e dinte Anthropaqin ose njeriun që luftonte me hijet. Ky një kohë ishte me famë dhe në kohët e fundit banues besnik (i varrezave) të “Shën Mërisë”. Ky dimër i verës, (gazeta e quan kështu “dimër i verës”, sepse bëhet fjalë për muajin mars, kur pranvera ka ardhur, por i ftohti ende nuk është larguar), e hëngri Lolon, njeriun e hanxharit ose luftëtarin e hijeve. Perëndia e ndjeftë”. (21 mars të vitit 1925) Sigurisht, Perëndia e ndjeftë

Vepror Hasani

Loading...