Zbardhet përgjimi, si merren paratë për ndërtimet pa leje

0
199

Elton Qyno

Dy punonjësit e Bashkisë së Tiranës kërkuan 3.5 milionë lekë, por më pas morën 500 mijë lekë

 

89235Zbardhen përgjimet e punonjësve të Bashkisë së Tiranës dhe Inspektoratit Ndërtimor, të cilët negociojnë me një qytetar në Tiranë, duke i marrë 3.5 milionë lekë në këmbim të një ndërtimi pa leje. Përgjimet janë kryer nga vetë kallëzuesi, shtetasi Romeo Mataj, i cili ka komunikuar me punonjësin e Policisë Bashkiake, Shpëtim Azuni, dhe punonjësin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, Altin Lami. Fillimisht, qytetari ka pranuar të japë 500 mijë lekë, por më pas këto para i janë rikthyer sërish, pas presionit që kanë bërë punonjësit e Inspektoratit të Ndërtimit, duke pretenduar se ata ishin kompetentë në dhënien e autorizimit për ndërtimin ose jo të objekteve. Sipas hetimeve të kryera, kallëzuesi ka blerë bazën materiale dhe ka nisur ndërtimin e kësaj strehe, por pas rreth dy orësh nga fillimi i punimeve, aty kanë shkuar dy punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët e kanë pyetur nëse kishte leje ndërtimi për strehën që kallëzuesi po ndërtonte. Kallëzuesi është përgjigjur se nuk kishte leje ndërtimi, pasi streha nuk ishte objekt banimi dhe se nuk e dinte që kishte nevojë për leje në këtë rast dhe punonjësit e Policisë Bashkiake i janë përgjigjur se do të flisnin me shefat, në mënyrë që ta lejonin të vazhdonte punimet kundrejt pagesës së ndonjë shume parash si shpërblim i kundërligjshëm.

Përgjimet

Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave të përgjuara dhe nga deklarimet e dhëna në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit nga shtetasit Romeo Mataj dhe Arben Mullolli rezulton se këta shtetas janë takuar me punonjësin e policisë bashkiake Shpëtim Azuni në datën 6.7.2013, rreth orës 19:00 dhe i kanë thënë atij se u ka marrë lekët për të vazhduar punimet por Shpëtim Azuni u ka thënë se ai mbante përgjegjësi vetëm për grupin e Policisë Bashkiake dhe jo për grupin e Policisë Ndërtimore dhe se të tjerët japin nga 300.000 – 400.000 lekë ndërsa ata nuk kanë paguar asgjë pasi 50.000 lekë janë shumë pak. Ata i kanë kërkuar t’u kthejë mbrapsht shumën prej 50.000 lekësh dhe Shpëtim Azuni u ka thënë se po ua ktheu mbrapsht lekët ai nuk mban më përgjegjësi dhe se streha do u prishej. Të nesërmen, rreth orës 13:00, ata janë takuar sërish dhe Shpëtim Azuni u ka kthyer mbrapsht shumën prej 50.000 lekësh duke u thënë se streha do u prishej tani që u ktheu lekët. Nga procesverbali i transkrpitimit të bisedës së datës 6.7.2013, ora 19:00, rezulton se Shpëtim Azuni u ka thënë Romeo Matajt dhe Arben Mullollit se ua ka marrë 50.000 lekë për të mos e bërë problem çështjen e ndërtimit të strehës dhe se ata nuk e kanë bërë problem. Ata i kanë thënë se lekët i kanë dhënë për të vazhduar punimet dhe i kanë kërkuar që t’ua kthejë mbrapsht dhe Shpëtim Azuni u ka thënë se do i kthejë lekët duke i thënë se nëse u kthen lekët mbrapsht streha do prishet. Shpëtimi u ka thënë se dy inspektorate janë dhe se 50.000 lekët ai i ka marrë me qëllim që Policia Bashkiake të mos u nxirrte pengesa ndërsa me Policinë Ndërtimore ata duhet të merreshin vesh vetë.

“Të qetësohen ujërat”

Më pas, meqenëse nga ana e punonjësve të Policisë Bashkiake i është thënë të mos vazhdojë punimet për strehën derisa “të qetësohen ujërat”, shtetasi Romeo Mataj ka biseduar me një mikun e tij që kishte njohje tek Policia Ndërtimore. Në datën 23.7.2013 Romeo Mataj është takuar me mikun e tij të quajtur “Bake” dhe punonjësin e Policisë Ndërtimore Altin Lami. Ky takim është realizuar pranë banesës së kallëzuesit në automjetin e shtetasit Altin Lami. Kallëzuesi i ka shpjeguar çfarë kishte ndodhur Altin Lamit dhe ai i ka thënë se e mbyllte këtë punë dhe se do e rregullonte që Romeo Mataj të vazhdonte punimet dhe se për këtë punë duhet t’i jepte atij 2.500 euro dhe 50.000 lekë për punonjësin e policisë bashkiake. Altin Lami i ka thënë kallëzuesit se do e takojë ai punonjësin e policisë bashkiake dhe do ia japë shumën prej 50.000 lekësh ndërsa ai vetë ka kërkuar 2.500 euro me qëllim që Policia Ndërtimore të mos e pengonte për të prishur strehën.

 

Baza u zbulua në zonën e Kodrës së Priftit

Operacioni policor, shkatërrohet punishtja e falsifikimit në Tiranë

Shkatërrohet punishtja e falsifikimit të dokumenteve në kryeqytet. Vetëm pak ditë pas një operacioni të kësaj natyre të zhvilluar edhe në Greqi ku u arrestuan 3 shqiptarë, njësia e Antikrimit Ekonomik në Tiranë ka shkatërruar një bazë të falsifikimit të dokumenteve në zonën e njohur si Kodra e Priftit në kryeqytet, në ambientet e shtetasit Azem Tahiri, nga ku në garazhin e tij u gjetën dhe u sekuestruan 16 makineri shtypshkronje, që shërbenin për stampime të ndryshme dhe njëra prej tyre lazer print ofset, që të gjitha pajisje profesionale. Po ashtu u gjetën dhe sekuestruan dhe tre paleta me letra format A4 dhe A3 e plastifikuar, si dhe plastikë. Policia bën me dije se shtetasi Azem Tahiri është arrestuar në Greqi, më datë 12 shtator 2013, së bashku me shtetasit Panajot Bilbil Bare, vjeç 46, banues në Berat dhe Eduard Zeneli, vjeç 46, banues në Ksamil të Sarandës. Falsifikatorët kishin gjetur treg në Shqipëri, por edhe në Greqi, sa i takon dokumenteve zyrtare të falsifikuara. Ndërkaq, Antikrimi Ekonomik në bashkëpunim me forcat speciale Shqiponja, kanë zhvilluar një tjetër operacion policor tek zona e ish-restorant “Durrësit” në Tiranë, ku gjatë operacionit, policia gjeti dhe sekuestroi një punishte që falsifikonte detergjente. Gjatë operacionit u sekuestruan 400 litra detergjente dhe u arrestua shtetasi Arben Dragoni, 43 vjeç. Ndërkohë, nga ana e policisë vazhdojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve.

 

Iu plagos gruaja

Gardisti, armë pa leje, shkarkohet

Garda e Republikës ka liruar nga detyra efektivin Azem Huta, bashkëshortja e të cilit, Rexhina Daja, është vetëplagosur mesditën e djeshme në banesën e çiftit në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Nga hetimet e zhvilluara lidhur me këtë ngjarje ka rezultuar se arma me të cilën është vetëplagosur gruaja ka qenë pa leje. Pasi janë marrë në analizë ngjarja dhe rezultatet e hetimit është nxjerrë përfundimi se Azem Liman Huta ka ezauruar elementët e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, e parashikuar në nenin 278 të Kodit Penal. Në këto kushte ndaj efektivit të Gardës është marrë masa ndëshkimore “Lirim para kohe nga detyra dhe përjashtim nga strukturat e Gardës së Republikës”.

 

Ndërtime pa leje

Nën hetim shefi i ALUIZNI-t Korçë

Policia e Korçës ka nisur procedim penal ndaj drejtorit të ALUIZNI-t në Korçë, Ermir Petriti, për shpërdorim detyre. Nga hetimet paraprake të policisë mësohet se Petriti ka shkelur detyrën duke legalizuar një ndërtim pa leje nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara. Po sipas bluve Ermir Petriti, 37 vjeç, banues në Korçë, me arsim të lartë, drejtor i ALUIZNI-t, ka legalizuar një ndërtim pa leje në lagjen nr. 14, me dokumente të falsifikuara, vepër penale kjo e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Ndërkaq materiale në ngarkim të drejtorit të ALUIZNI-t në Korçë do t’i kalojnë prokurorisë për hetime të mëtejshme.

 

Aksidenti

Goditet patrulla e Presidentit Nishani

Një nga automjetet e shoqërimit të Presidentit të Republikës është aksidentuar paraditen e djeshme në zonën e Plazhit në qytetin e Durrësit. Rreth orës 08:25, mjeti tip “Skoda Oktavia”, me targë MB007 AA, i cili ndodhej në krye të eskortës së Presidentit, teksa po dilte nga zona e rezidencave qeveritare në aksin rrugor në drejtim të Tiranës, është goditur në mënyrë aksidentale nga mjeti “Mercedes-Benz”, ngjyrë gri, me targë të huaj LU TR 320 me drejtues shtetasin Shpëtim Suma, 36 vjeç, lindur në Tropojë e rezident në Gjermani. Drejtuesi i automjetit të eskortës është dëmtuar lehtë (tronditje) dhe gjendet në ambientet e spitalit të Durrësit. Në vendin e ngjarjes po kryhen veprimet procedurale për rastin nga një grup i përbashkët me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Nga hetimet paraprake rezulton se drejtuesi i mjetit Shpëtim Suma ka qenë i pajisur me leje drejtimi të klasit B.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency