Ylljet Aliçkaj: Pse nuk e përkthejnë të huajt letërsinë shqipe?!

0
156

Intervistoi: Violeta Murati

Shkrimtari Ylljet Aliçkaj nesër në qytetin Wroclaw si përfaqësues i letërsisë bashkëkohore në Evropë. Është projekt i Bashkimit Evropian: “10 shkrimtarë bashkëkohorë prezantojnë arritjet e letërsisë së sotme evropiane”. Por në fakt, në kontekst më politik, motoja artikulohet si njohje më e mirë e Evropës përmes letërsisë; a ka ndodhur ky nivel maturimi për letërsinë shqipe? Në intervistën për “standard”, Aliçkaj hedh një vështrim të shkurtër në raportet e shkrimtarit me realitetin, sa ndihet kultura shqiptare evropiane

 

Wroclaw_krasnal_Syzyfek

Nesër, më 21 shtator, shkrimtarët më përfaqësues të Evropës do të mblidhen për të prezantuar arritjet e letërsisë së sotme evropiane, ku është përfshirë edhe letërsia shqipe.

Nga Shqipëria, i ftuar është shkrimtari Ylljet Aliçkaj. Ndërsa projekti është “10 shkrimtarë bashkëkohorë prezantojnë arritjet e letërsisë së sotme evropiane”. Por në fakt, në kontekst më politik,  motoja artikulohet si njohje më e mirë e Evropës përmes letërsisë.

Shkrimtarët janë pjesë e një projekti ndërkombëtar të Bashkimit Evropian, “Net të letërsisë evropiane 2012-2014”, që mbahen në qytetin e Wroclaw për të ndaluar më pas në Bukuresht, Dublin, Lisbonë, Vilnius dhe Pragë, të cilët gjatë kësaj periudhe trevjeçare do të alternojnë mes tyre emblemën “Kryeqyteti evropian i letërsisë”.

“Netët e Letërsisë Evropiane” janë konceptuar mbi idenë se letërsia mbetet medium i vetëm krijues që përqafon zërat e shkrimtarëve bashkëkohorë me vlerat e shoqërive ku ata jetojnë. Qyteti i Wroclaw-it do të marrë më 21 shtator dhe statusin “Porta hyrëse e letërsisë së sotme evropiane”.

Në komunikatën përkatëse të shtypit thuhet se “10 shkrimtarë të njohur bashkëkohorë nga vende të ndryshme evropiane, ardhur nga gjuhë e stile të ndryshme, nëpërmjet leximeve të tyre publike si dhe veprimtarive të tjera promovuese do mundësojnë audiencën të udhëtojë nëpër Evropë si dhe të njihet në një formë të re me vlerat e letërsisë së sotme evropiane”.

10 shkrimtarët e përzgjedhur janë: Ingo Schulze nga Gjermania, Zadie Smith nga Mbretëria e Bashkuar, David Soares nga Portugalia, Ylljet Aliçkaj nga Shqipëria, Harkaitz Cano nga Spanja, Philippe Claudel nga Franca, Herkus Kuncius nga Lituania, Borislav Pekić nga Serbia, Petr Sabach nga Republika Çeke dhe Colm Tóibin nga Irlanda.

Shkrimtari Ylljet Aliçkaj e largon modestinë për ta perceptuar pjesëmarrjen e tij jo rastësi. Një zë ironik në letrat shqipe, paraqitja e Aliçkajt ka tërhequr vëmendjen për daljen jashtë klisheve të lëndës letrare që na ka përcjellë pothuaj tradita socrealiste.

Por në rastin konkret, përfshirja e Aliçkajt si zë nga më të njohurit në letrat shqipe e tejkalon modestinë e tij, kur shprehet: Të udhëtosh e promovosh letërsinë tënde krah nja dhjetë shkrimtarëve të njohur bashkëkohorë evropianë për një periudhë trevjeçare nëpër ato që do quhen kryeqytete evropiane të letërsisë për çdo shkrimtar është një aventurë joshëse”.

Diplomat për disa kohë, Ylljet Aliçkaj na jep një “kontakt” komunikimi të brishtë të letërsisë shqipe në qarqet letrare evropiane. Pse ndodh kjo? Është një mendim se klishetë ekzotike mbajnë “peng” fantazinë e prirjet e shkrimtarëve, mbi perceptimet e të cilave e kanë vështirë si botuesi dhe lexuesi i huaj të orientohet.

A besoni vërtet se letërsia mbetet mediumi i vetëm krijues që përqafon zërat e shkrimtarëve?

I vetëm ndoshta jo, por është një pistë e privilegjuar për t’u njohur më thellë dhe më me vërtetësi me realitetet, historinë apo shpirtin e popujve e vendeve të botës.

Gjithsesi fakti që BE dhe një duzinë qytetesh evropiane do alternojnë statusin “Kryeqytet evropian i letërsisë” dëshmon për një ndjeshmëri në rritje të institucioneve ndaj letërsisë, gjë që nuk ndodh shpesh.

 Ju përfaqësoni “zërin” shqiptar në letërsinë bashkëkohore, si ka ardhur kjo përzgjedhje? Në Shqipëri ka shumë zëra bashkëkohorë.

E kuptoj nëntekstin e pyetjes suaj, pra që s’jam unë më i miri, dhe unë këtë e di mirë, jashtë çdo lloj modestie. Zanafilla e ftesës ndaj meje mund të ketë qenë një botim imi në Poloni, i përkthyer dhe prezantuar mjeshtërisht nga Dorota Horodyskaja, që u prit mirë nga media. Mendoj kështu sepse nisma e parë e këtij ptojekti nis nga qyteti polak Wroclaw, “Kryeqytet evropian i kulturës – 2016”.

Nga ana tjetër them se secili ka yllin e vet, që folur sinqerisht nuk është se mbërrin vetvetiu….

Të udhëtosh e promovosh letërsinë tënde krah nja dhjetë shkrimtarëve të njohur bashkëkohorë evropianë për një periudhë trevjeçare nëpër ato që do quhen kryeqytete evropiane te letërsisë për çdo shkrimtar është një aventurë joshëse.

 

 

A mendoni se letërsia shqiptare është në akordin e duhur për t’u partnerizuar me letërsinë evropiane?

Pa asnjë dyshim, por i mungojnë levat e promovimit, nisur këtu nga mbështetja ndaj përkthyesve.

 

Ju për një kohë të gjatë keni qenë diplomat dhe e dini se si përcillet atmosfera kulturore shqiptare jashtë. Konkretisht, për letërsinë si është puna e botimeve në gjuhë të huaj?

Ajo zë vendin që i përkon vlerës dhe peshës së saj specifike. Normalisht pranohet se një vepër e mirë letrare është e mirë si për lexuesin shqiptar ashtu dhe për atë të huaj dhe se vepra e mirë ka vlera universal, të cilat mbështeten në referencat shpirtërore e material të një populli në raport me kohën.

Mund të them, se njohja dhe vlerësimi nuk përkon me vlerat reale të saj. Përveç fenomenit Kadare, një referencë e fuqishme letrare botërore, një lexues apo botues i huaj, që nuk i njeh mirë pikorientimet me Shqipërinë, apo në të shumtën e herëve i njeh si klishe ekzotike (gjakmarrja, gratë e shndërruara në burra, bunkerët apo prostitucioni… Është kjo një ndër arsyet, sidomos në këto kohë krizash lexuesi apo botuesi i huajt me të cilët ne përplasemi për t’u botuar të mirorientohet me vlerat apo antivlerat, të kuptojë se ku fillon fantazia e shkrimtarit apo realiteti apo ku mbizotëron prirja për t’iu përshtatur perceptimit të mësipërm klishe.

Ndaj letërsisë shqipe ka një vigjilencë të ndjeshme në nivel studiuesish apo nga, përkthyesit kryesorë Elsie, Horodyska, komisioni i çmimit “Ballkanika”… dhe kaq.

 

Në çfarë beson sot letërsia bashkëkohore, jo vetëm si e thamë më lart “zë” intelektual?

Mund të them se është më pranë jetës reale dhe sfidave të ekzistencës, kryesisht në rrafshin shpirtëror, tema këto gjithsesi klasike, por të trajtuara me një gjuhë a formë më të mprehtë, ironike, gati deri cinike.

 

A i njihni shkrimtarët e tjerë pjesëmarrës në këtë projekt evropian? Keni lexuar gjësendi prej tyre?

Jo, veç francezit, i cili në Francë është aktualisht tepër i njohur. Nuk e njihja, kam dëgjuar vetëm për Philippe Claudel i cili është mjaft i njohur në Francë dhe laureat i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare si pjesa më e madhe e grupit të të dhjetëve.

 

Po nga letërsia bashkëkohore shqiptare, çfarë lexoni? Keni në mendjen tuaj ndonjë befasi letrare, zëra të rinj?

Nuk dua të bëj ndonjë hierarki vlerash sipas shijeve të mia, përpiqem ta ndjek letërsinë shqipe dhe më pëlqen.

 

Të flasim pak për letërsinë tuaj. Çfarë e shqetëson një shkrimtar, në rastin tuaj? 

Instrumentalizimi i ideologjisë, politikës apo dhe fesë si një platformë apo alibi vetëjustifikimi e qenies njerëzore për të vënë në jetë interesat private, egoiste apo që kanë lidhje me protagonizmin, deri dhe instinktet negative, të dhunimit të dinjitetit të njeriut apo zotërimit të jetës së tjetrit.

Kjo sepse njeriu shpesh ja fsheh vetes, se pse ai krijon simpati apo tifozllëk për një lëvizje politike apo antipati për tjetrën, duke u përpjekur t’i veshë, përligjë apo interpretojë këto preferenca me argumente objektive, të moralit të mirë e të pranueshme për një opinion të gjerë, si p.sh lufta ndaj padrejtësive, imoralitetit.

Më thoni një rast në planin individual apo dhe atë kolektiv kur individi apo një grupim politik, pse jo dhe institucional, kryen një intrigë apo padrejtësi ndaj dikujt, apo një komuniteti dhe nuk e vesh atë me argumente e pranueshme të moralit të sotëm njerëzor.

Duhet të jetë ky niveli i maturimit të një individi apo shoqërie, pra raporti midis faktorëve objektivë të përqafimit të një partie politike me atë që lidhen me interesat apo egon e ngushtë të individit.

 

Ylljet Aliçkaj:

Padrejtësitë ndaj dikujt sot fshihen pas argumentit të Moralit

“Më thoni një rast në planin individual apo dhe atë kolektiv kur individi apo një grupim politik, pse jo dhe institucional, kryen një intrigë apo padrejtësi ndaj dikujt, apo një komuniteti dhe nuk e vesh atë me argumente e pranueshme të moralit të sotëm njerëzor.

Duhet të jetë ky niveli i maturimit të një individi apo shoqërie, pra raporti midis faktorëve objektivë të përqafimit të një partie politike me atë që lidhen me interesat apo egon e ngushtë të individit”.

 

Bio

Shkrimtari shqiptar, Ylljet Aliçkaj, ka nisur të botojë letërsi në vitin 1996. Libri i tij i parë është një përmbledhje me tregime. Më vitin 2000 ai botoi romanin “Kompromisi”, i cili do ta rendiste ndër autorët interesantë në letrat shqipe pas viteve ‘90. Aliçkaj ka botuar librat “Parullat me gurë” (2003) i cili do të ekranizohej më pas nga regjisori Gjergj Xhuvani, “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” (2006”. Librat e tij janë përkthyer në frëngjisht, polonisht, anglisht, italisht, e së fundi në gjuhën esperanto. Ai është autor i disa skenarëve me të cilët është vlerësuar dhe me çmime. Çmimin e parë Aliçkaj do ta merrte në një konkurs të tregimit ndërkombëtar në Itali në 2000-shin, më pas do të vlerësohej me çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar “Arts et Lettres de France”, Francë, 2000; medalje bronzi nga “Academie Internationale de Lutece”, Francë, 2001; “Pena e Argjendtë”, në prozë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, 2001; çmimi i parë, si skenari më i mirë, “Festivali i filmit shqiptar”, 2006, libri më i mirë artistik i vitit, “Akademia Kult”, 2006.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency