Premtimi i Kryeministrit / Rama: Do të shlyejmë një orë e më parë borxhin ndaj privatit

0
168

Gëzim Saliu

Kreu i qeverisë: Auditim i huaj i financave të vendit, rimëkëmbje ekonomisë në afat të shkurtër

 

largea_rama1375965638

Do të shlyejmë me çdo kosto të gjitha borxhet e qeverisë së kaluar ndaj biznesit privat. Kështu ka premtuar dje Kryeministri i vendit, Edi Rama, në punimet e seminarit rajonal të nivelit të lartë me temë “Forcimi i lidhjeve në Evropën Juglindore-Ankorat politike dhe perspektivat e biznesit”. Për kreun e ekzekutivit, shlyerja e këtyre borxheve do të zgjidhë ngërçin aktual që ka kapur ekonominë e vendit dhe po asfikson bizneset. “Ne nuk mund dot të vazhdojmë të bashkëjetojmë me këtë ngërç të krijuar nga borxhi ndaj sektorit privat. Është një borxh që e ka futur të gjithë ekonominë në ngërç. Po përgatitemi që një orë e më parë ta shlyejmë këtë borxh. Nuk mund të bëjmë sikur ky borxh nuk ekziston, nuk mundet tua lemë kompanive që po asfiksohen. Ne do ta shlyejmë këtë borxh me çfarëdo kosto”, – deklaroi Rama. Në të njëjtën linjë me Kryeministrin, shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Nadeem Ilahi, tha se dokumentimi i këtij borxhi si pjesë e borxhit kombëtar është hapi i parë për të vazhduar më pas me marrjen e masave për uljen e tij. “Një çështje e rëndësishme, të cilën e preku edhe Kryeministri, është ajo e borxhit të padokumentuar që duhet të dokumentohet. Të dhënat t’i jepen sektorit privat dhe pasi të bëhet pjesë e borxhit kombëtar, që në fakt i tillë është, pastaj duhet marrë vendimi se si niveli i këtij borxhi duhet të ulet”, – pohoi ai.

Financat

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama shprehu angazhimin e qeverisë që drejton për të nisur menjëherë auditimin e administrimit të parasë dhe shpenzimeve të kryera deri më tani, proces ky që do të kryhet nga një prej katër kompanive të mëdha ndërkombëtare të auditimit. “Ne kemi marrë një angazhim dhe do të jemi besnik të këtij angazhimi për të filluar menjëherë auditimin e financave, që do të bëhet nga një prej 4 kompanive të mëdha të auditimit. Sot ne gjendemi në një situatë në të cilën e kemi ndarë ekonominë në dysh, në ekonominë e buxhetit për të cilin shteti është i interesuar dhe ajo e sektorit privat. Modeli ekonomik në vetvete ka sot domosdoshmërinë për tu transformuar nga një ekonomi tranzicioni në një model të një ekonomie të së nesërmes. Sot më shumë se për gjithçka tjetër ne kemi nevojë për një ndryshim të strukturës dhe të burimeve të rritjes ekonomike dhe të kontributit të sektorëve të ndryshëm në sektorët e brendshëm”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu i ekzekutivit pohoi se mazhoranca e re në mënyrë të menjëhershme do të adresojë disa çështje kyçe për të nisur një proces rimëkëmbje të ekonomisë në afat të shkurtër. Sipas Ramës është tepër e rëndësishme të kthehet besimi tek ekonomia e vendit, në mënyrë që Shqipëria të bëhet një vend me ekonomi atraktive për investimet e huaja. “Shembujt duhet ti gjejmë këtu dhe ti ndërtojmë këtu mes veti së pari. Për këtë po përgatisim një serë masash që do ti ndajmë me vetë sipërmarrjen me bankat, institucionet ndërkombëtare duke ripozicionuar shtetin dhe qeverinë si një nga protagonistët dhe jo si protagonistin që bën ditën dhe natën në raport me të tjerët”, – deklaroi Rama, duke ritheksuar edhe një herë se qeveria e re do të arrijë të krijojë 300 mijë vendet e premtuara të punës. Gjithashtu, Kryeministri i vendit bëri të ditur edhe nismën e re të mazhorancës qeverisëse Rama për krijimin e një Këshilli Ekonomik Kombëtar, i cili sipas tij do të ulë bashkë Kryeministrin, ministrin e ekonomisë, financave, guvernatorët, përfaqësues të bankave, përfaqësues të investitorëve të huaj, biznesin, “Muajin e ardhshëm do të ngremë dhe do të vëmë në punë Këshillin ekonomik kombëtar, që do të ulë të gjithë protagonistët. Kryeministri, ministri i Financave, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, guvernatorin i Bankës, përfaqësues të sektorit bankar, sipërmarrës, investitorë të huaj dhe një numër këshilltarësh të nivelit botëror e në mënyrë sistematike do të diskutojnë për mbarëvajtjen e strategjisë tonë të re të zhvillimit. Të garantojë se epoka e marrjes peng nga drejtorë doganash, e tatimesh të marrë fund duke hapur një epokë ku njeriu që merret me biznes të vendoset në piedestal si njeriu që merret me sport e muzikë”, – u shpreh kreu i ekzekutivit Edi Rama.

 

 

Plani i qeverisë

Rama: 1000 sipërmarrës të mëdhenj, pa kontrolle tatimore

Në seminarin e djeshëm të organizuar nga Banka e Shqipërisë, Kryeministri Rama foli dhe për një plan, aktualisht vetëm ide për vetëkontrollin e sipërmarrësve të mëdhenj. ”Po përgatisim një plan. Mund ta them si ide se kur ta artikulojmë do t’ua prezantojmë sipërmarrësve. Duam të çlirojmë sipërmarrjen e madhe. Të paktën 1000 tatimpaguesit më të mëdhenj nga kontrollet tatimore. Nuk duam të kontrollojmë më sipërmarrjen e madhe, duam që sipërmarrja e madhe të vetë kontrollohet përmes auditit nga 4 kompanitë e mëdha dhe kontrolli të bëhet në përputhshmëri të plotë me respektin e sipërmarrësve”, – tha ai.

 

Takimi me ambasadorin amerikan

Bushati: Ekspertët amerikanë për zhvillimet strategjike të Ministrisë së Jashtme

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka kërkuar atashimin e ekspertëve amerikanë pranë dikasterit që ai drejton. Në takimin e zhvilluar me ambasadorin amerikan në vend Alexander Arvizu, Bushati ka theksuar rëndësinë e përvojës së SHBA-së për zhvillimet në këtë dikaster. “Në kuadër të konsultimeve që qeveria e re ka vendosur t’i ketë në mënyrë të strukturuar me SHBA dhe BE i kam kërkuar ambasadorit nevojën për ekspertize amerikane për t’u atashuar apo bashkëpunuar me Ministrinë e Jashtme për të projektuar një ndikim më të mirë të Shqipërisë në rajon, ku ka pasur zhvillime politike si marrëveshja Kosovë-Serbi anëtarësimi i Kroacisë në BE, dhe kalimi i projektit të gazsjellësit TAP”, – theksoi Bushati. Ndërkohë nga ana e tij, kryediplomati amerikan në vend bëri të ditur: “Ndava me ministrin faktin se SHBA kanë qenë të kënaqur nga iniciativat aktive që janë ushtruar nga ministri dhe Kryeministri ndaj partnerëve të tjerë dhe miqve, si Italia, Franca dhe Greqia, e gjithë kjo është pjesë e Evropës së bashkuar. Dëshiroj të them se u ndjemë të nderuar që morëm kërkesën nga ana e ministrit për zhvillimet strategjike. Shqipëria është histori e lajmit të mirë dhe ka histori të shkëlqyer për ta ndarë me të tjerët dhe me të vërtetë ndihemi mirë që të ndihmojmë të përhapim këtë lajm të mirë”. Po ashtu ditën e djeshme, ministri i Jashtëm zhvilloi një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në vend Ettore Sequi, i cili shprehu besimin se statusi i vendit kandidat është i arritshëm dhe i mundshëm brenda këtij viti. “Rruga drejt BE-së është po ashtu rruga drejt gjithëpërfshirjes, bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë faktorëve në vend, për ta kthyer murin në urë. Fjalët e presidentit Barroso ishin tepër të qarta. Është vërtet fakt që kjo arritje historike është e mundshme dhe e arritshme. Është angazhimi dhe përkushtimi i të gjithëve që kjo të bëhet e vërtetë”, – deklaroi ambasadori. Ndërkohë Bushati shprehu vendosmërinë e qeverisë së re për plotësimin e standardeve dhe kritereve të mbetura, në bashkëpunim me opozitën, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. “Për qeverinë në të cilën unë shërbej çështja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim përbën një ndër prioritetet kryesore”.

 

Lulishte para Kryeministrisë, kangjellat e hequra do të dërgohen në Parkun e Butrintit

Pjesa përpara Kryeministrisë, e cila ishte rrethuar me kangjella deri dy ditë më parë, do të kthehet në një lulishte funksionale për qytetarët e Tiranës. Të njëjtin fat do të ketë edhe parkingu në pjesën e pasme të kësaj godine. “Pjesa përballë Kryeministrisë do të bëhet sipas projektit italian të 1941, qoftë për sa i përket gjelbërimit, qoftë për sa i përket sistemimeve që janë masakruar në këto 10-vjeçare. Ndërsa gjithë pjesa prapa ndërmjet Kryeministrisë dhe Ministrisë së Integrimit do të shndërrohet në një park, i cili në varësi të kushteve që do të ofrohen dhe nga forcat e sigurisë, do të kthehet në një park publik për qytetarët”, – tha Artan Shkreli, këshilltar i Kryeministrit Rama, për “TCH”. Më tej ai pohoi se nuk do të jetë vetëm Kryeministria e cila është përfshirë nga këto ndryshime por do të shikohet mundësia e shtimit të hapësirave të gjelbra edhe pranë institucioneve te tjera, nëse do të ekzistojnë mundësitë. Ndërkohë, kangjellat që rrethonin të gjithë perimetrin e Kryeministrisë do të dërgohen për përdorim në Parkun Kombëtar të Butrintit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency