Standard.al

Vonoi zbardhjen e vendimit për Ilir Xhaken, pafajësi gjyqtarit Neritan Tabaku

Sonja Caka

Gjykata: Nuk ka vepër penale ndaj të pandehurit, kemi të bëjmë me shkelje administrative nga ana e gjyqtarit

Vendimi: Konstatohet se në asnjë rast, gjyqtarët e ndëshkuar administrativisht nga KLD-ja për shkelje të kësaj natyre nuk janë bërë subjekt të procedimit penal

Reagimi i Tabakut: Pas vendimeve në tri shkallët e gjyqësorit, do të kërkoj 

rikthim si gjyqtar

 

tabakuGjykata e Tiranës shpall të pafajshëm ish-gjyqtarin e Durrësit, Neritan Tabaku, I akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, duke argumentuar se nuk ka vepër penale për të akuzuar të pandehurin. Në leximin e dispozitivit të vendimit, gjyqtari Bujar Krasniqi deklaroi se në rastin e gjyqtarit të pandehur kemi të bëjmë me shkelje administrative. Vetë gjyqtari i akuzuar Tabaku mungoi në seancën gjyqësore, por ai përfaqësohej nga avokati Fatmir Braka. Avokati i tij, Braka, në fjalën e mbrojtjes tha se “dënimet e kërkuara nga Prokuroria janë të pabazuara. Akuza për shpërdorim detyre nuk ekziston; klienti im nuk ka bërë shkelje administrative dhe asnjë vepër penale; asnjë gjyqtar s’është dënuar për moszbardhje të vendimeve gjyqësore. Kanë qenë tre gjyqtarë që nuk e kanë zbardhur vendimin, jo vetëm Tabaku.”Një seancë më parë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 3 vjet burg dhe të mos ushtronte funksione publike për 5 vite rresht. Neritan Tabaku u akuzua se kishte shkelur me dashje ligjin duke mos zbardhur për 1 vit e 7 muaj vendin e pafajësisë dhënë ndaj të pandehurit Ilir Xhakja, duke bërë që prokuroria të mos e apelonte dot vendimin që çoi më pas në lirimin e këtij të fundit, i cili më 13 shtator 2012 ekzekutoi kryekomisarin Adem Tahiraj.

Vendimi

Në vendimin e tij të djeshëm, gjyqtari Bujar Krasniqi deklaroi se “Neritan Tabaku i akuzuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” shpallet i pafajshëm pasi nuk provohet që ka kryer këtë vepër penale”. Gjykata shprehet se e gjen të drejtë pretendimin e mbrojtjes se moszbardhja e vendimit brenda një afati të arsyeshëm ligjor është një shkelje administrative dhe nuk mund të përbëjë shkak për përgjegjësi penale. Sipas gjykatës, kjo konstatohet edhe nga praktika ku në asnjë rast, ndonëse gjyqtarët janë ndëshkuar administrativisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për shkelje të kësaj natyre, ata nuk janë bërë ndonjëherë subjekt të procedimit penal. Gjykata thkeson se nuk ka dokumente se nga gjyqtari janë kryer veprime që bien ndesh me ligjin. Gjykata rrëzon edhe pretendimin tjetër të Prokurorisë, e cila këmbëngulte se me këtë çështje ishte dëmtuar imazhi i drejtësisë. Gjyqtari Krasniqi replikon se “procesi i dhënies së drejtësisë ka si qëllim dhënien e një vendimi të drejtë dhe të bazuar në ligj edhe pse ky mund të jetë një vendim që mund të bjerë ndesh me opinionin publik, pasi tjetër problem është imazhi, transparenca dhe besimi i publikut tek sistemi. Sipas gjyqtarit, në asnjë moment dhënia e një vendimi ose pjesë të saj, siç është edhe zbardhja, nuk përbëjnë vepër penale, thjesht dhe vetëm sepse ajo bie ndesh me opinionin publik. Sipas gjyqtarit Krasniqi, vendimi i arsyetuar do të zbardhet sot.

Reagimi

Pas vendimit të gjykatës, ka reaguar edhe vetë i pandehuri, ish-gjyqtari Neritan Tabaku, i cili në seancë nuk ka qenë i pranishëm dhe u përfaqësua vetëm nga avokati Braka. “Ndihem i lumtur për vendimin e gjyqësorit. U dha drejtësi. Unë nuk isha i vetmi që kisha vendime të pazbardhura në gjykatë, por kishte një numër të konsiderueshëm kolegësh të tre niveleve që kishin vendime të pazbardhura, por ndaj meje u ushtrua një standard tjetër. Fatmirësisht gjërat po shkojnë në vend. Shpresoj që dhe Apeli të jetë në të njëjtën linjë. Një nga objektivat është të punoj në avokati, por nëse të gjitha nivelet e gjyqësorit do të jenë njëlloj si vendimi i sotëm do të kërkoj prapë në KLD rishqyrtimin e vendimit për mua dhe të rikthehem në gjyqësor”, – ka thënë Tabaku i kontaktuar nga gazetarët.

Akuza

Ish-gjyqtari Tabaku akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre” në dëm të interesave të shtetit. Në kërkesën për gjykim për këtë të pandehur thuhet se ish-gjyqtari në momentin që nuk ka zbardhur brenda afatit të dhënë vendime të shkallës së parë, ka cenuar rëndë interesat e prokurorisë. Në argumentimin e organit të akuzës përmendet se ish-gjyqtari Neritan Tabaku në momentin që nuk ka zbardhur vendimin ndaj shtetasit Ilir Xhakja apo edhe Jordan Findikut, ka lënë për një kohë të gjatë pezull gjykimin në Apel të këtyre dy shtetasve. Prokuroria në kërkesën për gjykim argumenton se ish-gjyqtari ka dëmtuar gjithashtu imazhin e gjyqësorit, duke mos zbardhur brenda afateve të caktuara vendimin ndaj Ilir Xhakes, i akuzuar për vrasjen e ish-komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Mësohet se prokurori i çështjes, Julian Zonja, në kërkesën për gjykim e akuzon Tabakun se për më shumë se një vit vonoi zbardhjen e vendimit, ku akuzohej për vrasjen e Qerim Malokut. Por mbi ish-gjyqtarin Tabaku rëndon edhe një tjetër akuzë, siç është ajo e moszbardhjes së vendimit ndaj shtetasit që gjykohej për falsifikim, Jordan Findiku. Kjo çështje mbeti e pazbardhur për pothuajse dy vjet dhe një fakt të tillë prokuroria ia sjell në vëmendje gjykatës së kryeqytetit si një rrethanë rënduese ndaj ish-gjyqtarit Neritan Tabaku. Për prokurorin, gjyqtari Tabaku me vetëdije ka vonuar për rreth 20 muaj zbardhjen e vendimit të pafajësisë për Ilir Xhaken, tashmë i akuzuar për vrasjen e ish-shefit të Komisariatit të Policisë në Shijak, komisarit Adem Tahiraj. Për këtë vonesë, gjyqtari ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Sipas përfaqësuesit të akuzës, nga provat e mbledhura gjatë hetimit të kësaj çështjeje rezulton se i pandehuri Tabaku ka qenë gjyqtari kryesues që ka gjykuar të pandehurin Ilir Xhakja dhe si pasojë e veprimeve të tij pas përfundimit të këtij gjykimi u dëmtuan interesat e drejtësisë, duke mos u gjykuar i pandehuri Ilir Xhakja në të gjitha shkallët e gjykimit. Kjo erdhi si shkak se i pandehuri nuk dorëzoi vendimin penal dhe dosjen gjyqësore që kishte gjykuar, derisa i pandehuri Ilir Xhakja kreu një vepër tjetër penale, duke mos marrë parasysh faktin se ndaj këtij vendimi ishte bërë ankim.

Comments are closed.