Vendimi për 21 Janarin / Apeli ndryshon kualifikimin e akuzës, dënon me 4 vjet burg Prendin e Llupon

0
146

Sonja Caka

Trupi gjykues lexon vetëm dispozitivin: Ndrea Prendi e Agim Llupo, fajtorë për “Vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt e Ziver Veizit, pafajësi për vrasjen e Hekuran Dedës

Avokatët pas vendimit: Vendimi i gjykatës, i padrejtë, klientët tanë janë të pafajshëm. Do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë për pafajësi

 

gjykata-simboletVetëm 5 minuta seancë dhe leximi i dispozitivit. “Gjykata ndryshon kualifikimin e akuzës për të pandehurin Ndrea Prendi, nga “Vrasje në rrethana cilësuese” në “Vrasje nga pakujdesia” dhe e dënon atë me 1 vit burg. Gjykata ndryshon kualifikimin e veprës penale për të pandehurin Agim Llupo, nga “Vrasje në rrethana cilësuese” në “Vrasje nga pakujdesia” dhe e dënon atë me 3 vjet burg. Për akuzat e tjera mbetet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë. Vendimi i zbardhur do vihet në dispozicion në ditët në vijim në sekretari gjyqësore”, – ishin fjalitë e vetme të shqiptuara dje me shpejtësi, ndërsa shpallte vendimin nga relatori Ervin Metalla, ndërsa anëtarja e trupit gjykues, Evgjeni Sinoimeri, iu drejtua me fjalë kërcënuese gazetarëve që bënin foto: “Ju nuk duhet të bënit foto, në gjyqet e tjera do t’ju mbahen celularët që para seancës”. Më pas, në përfundim të seancës, mediat pyetën edhe dy avokatët e të pandehurve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo lidhur me vendimin e gjykatës, të cilët u shprehën se nuk ishin dakord me këtë vendim. Gjykata e Apelit, sipas avokatit Genc Gjokutaj, ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë duke e kthyer në “Vrasje nga pakujdesia”. “Ky ndryshim i vendimit është në kundërshtim me praktikat e gjykatave perëndimore, – tha ai, – ndaj ne do të ndjekim shkallët supreme të gjykimit. Periudha e qëndrimit në “Arrest shtëpie” nuk është thelbi i problemit, thelbi është se vendimi është i pabazuar”. Po ashtu, edhe Besnik Çerekja – avokati i gardistit Llupo – tha për klientin e tij: “Do të presim që gjykata të zbardhë motivacionin dhe pastaj do t’i drejtohemi Gjykatës ë Lartë”. Me anë të vendimit të djeshëm, dy të pandehurit u akuzuan për vrasje nga pakujdesia të Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, ndërsa u shpallën të pafajshëm për vrasjen e Hukran Dedës, duke e lënë pa autor këtë vrasje dhe atë të Aleks Nikës. Në seancën e djeshme kanë qenë të pranishëm vetëm mediat dhe përfaqësues nga OSBE-ja, Avokati i Popullit dhe Ambasada Amerikane, ndërsa të pandehurit apo familjarët e viktimave nuk kanë qenë të pranishëm në asnjë nga seancat e zhvilluara në Apel.

Kërkesa

Pas zgjedhjes së trupit gjykues, me kryesues gjyqtarin Agim Bendo, relator Ervin Metallën dhe anëtare Evgjeni Sinoimerin, dy ditë më parë, prokuroria ka vijuar për gati 2 orë me leximin e dinamikës së ngjarjes dhe paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare nga prokurorët e çështjes, Shkëlqim Hajdari e Altin Dumani, duke kërkuar lënien në fuqi të masave të dënimit të kërkuara në Shkallën e Parë. Njëri nga prokurorët e çështjes, Shkëlqim Hajdari deklaroi se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për 21 Janarit nuk ishte i drejtë, pasi sipas tij, demonstruesit nuk ishin të armatosur dhe Garda ka qëlluar drejt tyre, në organet jetësore çka është vërtetuar nga ekspertiza mjekoligjore. Prokuroria në konkluzionet e dhëna kërkoi dënimin me 23 vjet burg të ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo. Prokuroria apeloi vendimin e 3 pafajësive të dhëna për 21 Janarin nga trupa gjyqësore e Shkallës së Parë. Në vendimin e saj, gjykata argumentoi në 13 shkurt të këtij viti se akuza e “Vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj dy të akuzuarve të prokurorisë nuk qëndron, për shkak se nga ana e të pandehurve nuk ka pasur dashje për të vrarë demonstruesit. Prokuroria apeloi vendimin pak ditë pas zbardhjes së tij, duke i qëndruar akuzave se Prendi dhe Llupo janë autorët e vrasjes së tre demonstruesve, Faik Myrtaj, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Vrasja e Aleks Nikës vijon të mbetet ende e pazbardhur edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit. Sipas prokurorëve ekzistojnë prova balistike që provojnë se ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi vrau Faik Myrtajn, sepse një copë predhë e gjetur në trupin e Myrtajt përkonte me plumbin që ka qëlluar nga pistoleta e Prendit. Ndërsa gardisti Agim Llupo, sipas prokurorisë vrau protestuesit, Ziver Veizin dhe Hekuran Dedën. Prokurori u shpreh se gjykimi i çështjes në Shkallën e Parë të gjykatës ka qenë i paplotë dhe nuk janë marrë parasysh provat. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë i nxori të pafajshëm gardistët për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011. Madje, në kohën e vendimit, prokuroria lëshoi akuza të forta ndaj trupës gjyqësore, duke deklaruar se “Gjykata në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente dhe në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre sipas kërkesave të neneve 152 e 380 të Kodit të Procedurës Penale, ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo, për këto shkaqe e “argumente” të paraqitura në vendim”. Prokuroria argumentonte në akniminin e Apelit pse kundërshton dy pafajësitë, provat ku mbështet akuzën ndaj të pandehurve, kundërshtitë për analogjinë me vendimin Strasburgut, si dhe akuzuat për manipulime të ekspertizës nga ana e ekspertit Ndoc Çardaku.

Dispozitivi

“Gjykata ndryshon kualifikimin e akuzës për të pandehurin Ndrea Prendi, nga “Vrasje me dashje” në “Vrasje nga pakujdesia” dhe e dënon atë me 1 vit burg. Gjykata ndryshon kualifikimin e veprës penale për të pandehurin Agim Llupo, nga “Vrasje me dashje” në “Vrasje nga pakujdesia” dhe e dënon atë me 3 vjet burg. Për akuzat e tjera mbetet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë. Vendimi i zbardhur do të vihet në dispozicion në ditët në vijim në sekretari gjyqësore”, – lexoi dispozitivin relatori i trupës gjyqësore, Ervin Metalla.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency