Standard.al

Vendimi: Më 4 nëntor nis punën Gjykata Administrative

Sonja Caka

Nishani në mbledhje: Jo transferim gjyqtarësh pa vlerësim profesional

Vendimi: Aplikimet e reja duhet të dorëzohen brenda datës 30 shtator

 

presidenti-nishani-mbledhja-e-kld1Gjykata Administrative do të nisë nga puna më 4 nëntor. Po kështu, KLD miratoi që do të merren parasysh aplikimet për gjyqtarë në këtë gjykatë të re, ato aplikime që do të dorëzohen brenda datës 30 shtator. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i mbledhur për herë të parë pas pushimeve të verës. Ky vendim unanim erdhi pas debateve mes anëtarëve të këshillit, për mënyrën e përzgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve në Gjykatat Administrative të Vlorës, Shkodrës, Korçës dhe Gjirokastrës. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço, që është edhe anëtari më ri i këtij këshilli, kërkoi nga kolegët shtyrjen e përzgjedhjes së 4 gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në Vlorë, kërkesë kjo që u miratua, pavarësisht votës kundër të gjyqtarit Artan Broci. Më pas, me kërkesë të zëvendëskryetarit të KLD-së, Elvis Cefa, anëtarët e këshillit diskutuan në lidhje me gjyqtarët e angazhuar në mësimdhënie. Në përfundim të diskutimit, rezultoi se shumë gjyqtarë të gjykatave të ndryshme janë angazhuar në universitete private si pedagogë, pa marrë më parë miratimin nga KLD-ja. Ky konstatim bëri që të urdhërohet inspektimi për këta gjyqtarë, që sipas zv.kryetarit Cefa do të dërgohen për masa disiplinore.

Transferimet

Gjithashtu, kreu i KLD-së, z. Bujar Nishani, garantoi se nuk do të ketë transferim të gjyqtarëve pa u bërë më parë vlerësimi i tyre profesional. “KLD ka vendosur se nuk do të ketë transferim gjyqtarësh pa bërë më parë vlerësimin profesional të tyre. KLD me vullnetin e hekurt për të promovuar gjyqtarët më të mirë në më pak se një vit kohë zgjidhi ngërçin e vlerësimit të gjyqtarëve të trashëguar gjatë viteve. Çdo transferim është bërë duke u vlerësuar profesionalisht shumë mirë. KLD ka vetëm një pakt, atë të respektimit të ligjit dhe duke mos bërë kompromis me askënd dhe nën kurrizin e askujt”. Sipas kreut të shtetit, KLD në transparencë të plotë, në bashkëpunim me ekspertizën më të mirë evropiane, e duke vepruar si organ i pavarur e profesional ka arritur që në një vit kohë të adaptojë praktikat më të mira, që në mënyrë direkte rrisin respektin e gjyqtareve dhe besimin publik. “Në më pak se një vit kohë KLD zgjidhi ngërçin e vlerësimit profesional, atë të gjyqtarëve të trashëguar prej vitesh”, – tha Nishani. Presidenti garantoi se KLD do të bëjë gjithçka për transparencë në punën e gjyqtarëve. “Kontrolli dhe balanca janë themelet e drejtësisë dhe KLD do bëjë gjithçka që gjyqtarët të bëjnë diçka të tillë nëpërmjet vendimeve të tyre transparente”. Gjithashtu, kryetari i KLD-së vlerësoi edhe punën e bërë nga ky institucion sezonin e kaluar duke theksuar se një prej prioriteteve të tij do të jetë mbrojtja e gjyqtarëve nga ndërhyrjet dhe presionet. “KLD në rolin e tij si instrument kryesor për organizimin, kontrollin dhe garantimin e gjykatave të Shkallës së Parë ka rritur prekshëm performancën e vet. I përkushtuar në përmbushjen e detyrave funksionale KLD bën transparencë të plotë në bashkëpunim edhe me ekspertizën ndërkombëtare duke vepruar si një organ i pavarur dhe profesional ka arritur të adoptojë praktikat më të mira që në mënyrë të drejtpërdrejtë rrisin respektin e gjyqtarëve dhe besimin ndaj publikut. KLD gjatë këtij vitit ka shqyrtuar 12 raste të procedimeve disiplinore, të cilat kanë çuar në shkarkimin e 2 gjyqtarëve. KLD-ja do të bëjë gjithçka që gjyqtarët të rrisin besimin e publikut përmes vendimmarrjeve të tyre transparente dhe profesionale”, – ka shtuar Nishani. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme, Presidenti Bujar Nishani kërkoi edhe shkrirjen e Inspektoratit të Kontrollit pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Comments are closed.