Standard.al

Opozita kundër Kryeministrit / PD: Rama po dëmton fqinjësinë e mirë dhe stabilitetin e rajonit

Ina Jano

Ish-ministrat Bumçi dhe Bregu reagojnë për gafat e Ramës. Topalli: Deklarata e Ramës është e rrezikshme, të kërkojë falje

 

shtepia-e-ushtrisePartia Demokratike ka reaguar dje në lidhje me deklaratat e Ramës gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e Maqedonisë George Ivanov. Demokratët në qëndrimet e tyre zyrtare e kanë cilësuar si të papranueshëm shprehjen dhe krahasimin e Kryeministrit në lidhje me minoritetin dhe pakicat etnike dhe po ashtu të papranueshëm edhe faktin se Rama nuk e ka përmendur fare Marrëveshjen e Ohrit gjatë takimit zyrtar. Ish-ministri i Jashtëm, zoti Aldo Bumçi, e ka akuzuar Ramën se është duke dëmtuar themelet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë. Për demokratët kjo tregon edhe më shumë gafat dhe gabimet që Kryeministri Rama ka bërë në pak ditë në krye të qeverisë. “Rama nuk përmendi në mënyrë specifike Marrëveshjen e Ohrit, që është dokumenti më i rëndësishëm bazë për marrëdhëniet ndëretnike. Bëri një deklaratë të paprecedentë, kur vuri shenjën e barazimit mes pakicës së maqedonasve në Shqipëri dhe shqiptarëve në Maqedoni. Nuk mund të vendoset shenja e barazisë mes një pakice këtu dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Në të gjitha raportet e BE-së thuhet se Shqipëria respekton të drejtat e pakicës maqedonase. Rama defaktorizon Tiranën si një faktor tepër i rëndësishëm. Shqiptarët e Maqedonisë do të thonë se Tirana ka ndryshuar një qëndrim që është mbajtur prej 23 vitesh sa i takon stabilitetit të rajonit. Rama të shpjegojë çfarë është kjo politikë e cila zhbën themelet ku u bazua politika jonë e jashtme”, – tha Bumçi.

Po ashtu, edhe ish-kryetarja e Kuvendit e ka quajtur si një deklaratë të rrezikshme atë të Ramës dhe në qëndrimin e saj zyrtar ka pohuar shqetësimin për ndryshimin e kursit të politikës sonë të jashtme. “Sot e kishin radhën shqiptarët e Maqedonisë. Rama në takimin me Presidentin e Maqedonisë në zyrën e KM nuk artikuloi Marrëveshjen e Ohrit. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, barazoi pakicën maqedonase në Shqipëri me shqiptarët në Maqedoni. Ai tha: “Ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerë”. As në realitet, e në asnjë raport ndërkombëtar nuk ka asnjë problem të shtruar për pakicat maqedonase në Shqipëri, të cilët gëzojnë gjithë të drejtat e liritë e njeriut si çdo qytetar shqiptar”, – sqaron Topalli. Kjo e fundit nënvizon se është tejet negativ qëndrimi i Ramës dhe po ashtu pohoi se lufta e shqiptarëve në Maqedoni fyen përpjekjet e shqiptarëve për liritë dhe të drejtat themelore. “Gjatë këtyre 20 viteve, në politikën e jashtme në tërësi, në Shqipëri nuk ka pasur diferenca mes partive e qeverive. Sot, dëgjuam nga KM një qëndrim krejt të huaj, jo shqiptar, për shqiptarët!!!!. Deklarata e Ramës është e rrezikshme. Ajo fyen luftën e shqiptarëve në Maqedoni, fyen përpjekjet e tyre për liritë e të drejtat themelore. Ato sot ishin të tradhtuar nga Tirana zyrtare. Dhe kjo vetëm 4 ditë pas fjalimit përçarës që bëri para Kuvendit të Kosovës! Rama duhet të kërkojë falje!”

Për ish-ministren e Integrimit, mediokritet është pak të quhet qëndrimi i Ramës për këtë çështje. Ajo ka vijuar më tej duke e quajtur një mesazh antishqiptar. “Uauuauua. Ta quash mediokritet, qasjen e shprehjen e Kryeministrit rilindas, për politikën e jashtme është më e pakta që mund t’ i thuash! A e dëgjuat sot? “Nuk i kërkojmë tjetrit çfarë nuk jemi në gjendje t’i ofrojmë”, i tha Presidentit maqedonas, duke barazuar minoritetin maqedonas në Shqipëri i cili është vetëm 0,2% me shqiptarët e Maqedonisë që NUK JANË MINORITET, janë 25%, në disa komuna edhe 50% dhe etni shtetformuese! Edhe ju shqiptarë që nuk jetoni në Shqipëri, vini veshin e dëgjojeni. Mesazh më antishqiptar për shqiptarët dhe rolin e tyre në rajon, e Maqedoni nuk do të gjeni, as nga fillestarët në politikë e as nga ata që nuk na duan. Në asnjë moment nuk përmendi Marrëveshjen e Ohrit, e cila ka 12 vjet që është nënshkruar e i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni. Pas turpit që bëri në Parlamentin e Kosovës me shpërfilljen ndaj figurës se Ibrahim Rugovës e sot të shqiptarëve të Maqedonisë, na ka ngelur të dëgjojmë se ç’do të thotë për shqiptarët e Malit të Zi!”, – pohon zonja Bregu.

 

 

Maqedoni

Reagime për deklaratën e Ramës

Shqiptarët në Maqedoni kanë reaguar duke shprehur habinë e tyre nga deklarata e Kryeministrit Edi Rama, me të cilën 600 mijë shqiptarët e Maqedonisë i vendosi në rang të njëjtë me 3-4 mijë maqedonasit e deklaruar në Shqipëri. Partitë politike tani për tani përmbahen nga komentet. Mirëpo veprimtarë të njohur shqiptarë, si dhe analistët vlerësojnë se kjo deklaratë është dëshpëruese për shqiptarët e Maqedonisë. Ish-nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Hysni Shaqiri, i cili ishte deputeti i vetëm që në vitin 2001 lëshoi Kuvendin dhe iu bashkëngjit Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, thotë se paralelizmi që ka bërë Rama nuk ka kurrfarë baze. Edhe analisti Blerim Hyseni shprehet i habitur nga deklarata e Kryeministrit të ri të Shqipërisë. Ai thotë se lidhur me ndërtimin e politikës ndaj shqiptarëve në rajon, Kryeministri i ri Rama duhet të marrë shembull nga paraardhësi i tij Sali Berisha. Hyseni thotë se askush nuk mundet dhe nuk guxon të vendosë paralele mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe maqedonasve të Shqipërisë, sepse janë dy çështje të pakrahasueshme
Deklarata e Kryeministrit Edi Rama, pas takimit me Presidentin maqedonas, është transmetuar në të gjitha mediat në Maqedoni, njësoj sikurse edhe reagimi i Partisë Demokratike ndaj kësaj deklarate. Opinioni maqedonas është në dilemë nëse bëhet fjalë vetëm për një gafë të Kryeministrit Rama apo për paralajmërim të ndryshimit të kursit pozitiv të politikës së jashtme të Shqipërisë, që gjatë tetë viteve të kaluara aq shumë afroi mes vete shqiptarët e rajonit. 

 

 

Takimi

Rama-Ivanov: Harmonizim i bashkëjetesës etnike

Për Kryeministrin shqiptar Edi Rama, zbatimi i marrëveshjeve për harmonizimin e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve është mjaft i rëndësishëm për bashkëpunimin mes dy vendeve. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin maqedonas George Ivanov, Kryeministri Rama tha se qeveria shqiptare mbetet e shqetësuar për zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara më parë mes dy shteteve për harmonizimin e bashkëjetesës etnike. “Ne mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakordësuara lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni. Nga ana e tij Zoti president shprehu shqetësim që të ketë më shumë vëmendje dhe hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e marr këtë mesazh jo thjeshtë si një detyrim i shtetit ndaj pakicave por edhe si shprehje e një pakti të thjeshtë pasi ne nuk mund ti kërkojmë të tjerëve atë që ne nuk mund ta plotësojmë vetë. Unë shpresoj që fqinj dhe si miq do të çojmë përpara një proces bashkëpunimi ku implementimi i marrëveshjeve për të harmonizuar bashkëjetesën do të jetë i patjetërsueshëm”, – u shpreh Rama. Kreu i qeverisë gjithashtu theksoi se për Shqipërinë, integriteti i Maqedonisë është shumë i rëndësishëm. “Kjo jo vetëm se atje jeton një pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare”, – tha Rama por Maqedonia është e rëndësishme për të mbajtur të gjithë ekuilibrin e rajonit. Sipas tij, me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi shënohet edhe një kohë e re për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë si dhe për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. “Sigurisht që ne kemi qenë dhe do të mbetemi shumë të interesuar për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe dy fqinjëve. Pa dyshim që kjo është një kohë e re që ka nisur me marrëveshjen Serbi-Kosovë dhe padyshim do të jetë edhe një kohë e re edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në mënyrë të të dyja shtetet të shohin përpara me vizion të ri dhe projekte të reja”, – shtoi Rama. Gjithashtu, Kryeministri shqiptar theksoi se me presidentin maqedonas shkëmbeu edhe pikëpamjet lidhur me rrugën e përbashkët të të dyja vendeve në Bashkimin Europian. Ndërsa Presidenti i Maqedonisë George Ivanov theksoi se mes tij dhe Kryeministrit Rama u zhvillua një bisedë konstruktive ku kryesore ishte tema e integrimit.

 

 

 

 

 

Comments are closed.