Krijimi i një hapësire tip Beneluks, mundësi reale

0
159

Ervin Kaduku

 Hapet në Tiranë seminari për bashkëpunimin ekonomik rajonal në Ballkan; si t’i përgjigjesh krizës ekonomike me tregjet e hapura

 

pike-kufitareMundësitë për tregje të hapura dhe integrimin e tyre sipas modelit Beneluks në Ballkan do të diskutohen sot në Tiranë në seminarin “Tregjet e hapura për Beneluksin e Ballkanit”, të organizuar nga Qendra Austriake për Ekonominë, Instituti i Liberalëve Shqiptarë dhe AGREEI (Grupi i Veprimit për Integrimin Ekonomik dhe Evropian).

Burime nga Qendra austriake njoftojnë se seminari do të ketë në fokus problemet e integrimit rajonal ekonomik në përgjigje ndaj krizës ekonomike, ku do të marrin pjesë ekspertë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, vende që krijojnë një treg me 8 milionë konsumatorë.
Në seminar pritet të diskutohen rrugët për t’u dhënë zgjidhje problemeve që kanë të bëjnë me tregun e lirë në shkëmbimet e mallrave, etj në Ballkanin Jugor.
Për të nxitur tregtinë rajonale, AGREEI, (Grupi i Veprimit për Integrimin Ekonomik dhe Evropian), propozon që të zhvillohet Beneluksi i Ballkanit, një treg i përbashkët për 8 milionë njerëz, bazuar në modelet Beneluks dhe Visegrad që zbatohen në Evropën Perëndimore dhe Qendrore. Krijimi i një tregu të tillë të përbashkët rrit volumin, tejkalon kufijtë dhe mund të tërheqë më shumë investitorë.
Rajoni me qendrat portuale në Bari, Durrës dhe Vlorë mund të jetë një nyje e re evropiane si dhe shërben si një bazë e lirë prodhuese dhe logjistike për tregtinë me Kinën, Indinë, por edhe pjesën tjetër të botës me akses në tregjet italiane, gjermane dhe vendet e Evropës Lindore.
Në seminar pritet të debatohet mbi rrugët e realizimit të këtij lloj tregu në Ballkan sikurse janë promovime të vazhdueshme të bashkëpunimit dhe konkurrencës mes shteteve, praktikave më të mira të portofolave të tregjeve të lira etj.

 

A do të ketë rikthim të eurokrizës?

Prej javësh debatohet për një tjetër paketë ndihme për Greqinë. Ministrat e Financave të BE-së kanë renditur një sërë problemesh të tjera

Për një kohë të gjatë u duk sikur në Evropë po kthehej me ngadalë qetësia dhe se ekonomia po e merr veten gradualisht, Greqia po i bën detyrat e shtëpisë dhe po konsolidon buxhetin.Por Jërg Krämer, kryeekonomist i Commerzbank, është i kujdesshëm në vlerësime: “Ne shohim disa përparime si për shembull në Spanjë, në Portugali, Irlandë”, thotë Krämer për radion Deutsche Welle. Këto vende e kanë rifituar aftësinë konkurruese përmes reformave. “Por akoma nuk mund të shënojnë suksese. Sidomos në vendin më të madh të krizës në Itali.” Italia po humbet vazhdimisht aftësinë për të konkurruar. Por sikur të mos mjaftonte kjo: në takimin e fundit të ministrave të Financave të BE në Vilnius të Lituanisë edhe Franca, ekonomia e dytë për nga rëndësia në Evropë, u qortua për shkak të mungesës së vullnetit për t’u reformuar.

Vende të tjera problematike

Përveç kësaj Sllovenia mund të jetë një vend i ri problematik, sepse në bilancet e bankave ka mungesë milionash. Përveç kësaj që këtë vjeshtë përfundojnë programet e ndihmës për Irlandën, Spanjën, dhe Portugalinë. Dhe që Greqisë i duhen më shumë para, është e qartë edhe para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani: “Njëmbëdhjetë miliardë për dy vitet e ardhshme”, vlerëson Johannes Mayr, ekspert i euros në bankën Bayern LB. “Dhe pastaj do të jetë i nevojshëm një program i mëtejshëm, ndoshta në vlerën e dhjetë miliardë eurove, për t’ia lehtësuar këtij vendi kalimin në tregun e kapitalit privat”, thotë Mayr për DW.

A ekziston rreziku i një vjeshte të nxehtë, i një versioni të ri të krizës së euros? Ekonomisti i bankës Commerzbank, Jërg Krämer, nuk do ta përjashtojë një gjë të tillë, sepse për të shkaqet e krizës nuk janë kapërcyer ende: “Ne nuk kemi arritur ende suksesin me reforma, por kemi në sfond Bankën Qendrore Evropiane, e cila përmes politikës së parasë së lirë e fsheh këtë krizë.”

A është i dëmshëm diktati i kursimit?

Mungesë e aftësisë konkurruese, deficite të mëdha buxhetore, mangësi në kontrollin bankar, në të gjitha këto fusha problematike nuk është punuar sa duhet. Dhe përsa i përket reformave strukturore dhe konsolidimit të buxhetit evropianët e veriut e shohin veten të konfrontuar me akuzën, se u imponojnë shteteve jugore kursime pa fund.

Një argument, që nuk vlen për ekonomistin e Commerzbank, Jërg Krämer: “Nuk ka alternativë tjetër, që të jetë ekonomikisht e arsyeshme, përveç kursimeve.” Që në fund të tunelit ka përsëri dritë, e kanë treguar vendet balltike: “Ata ka disa vite që bëjnë kursime shumë të rrepta, të cilat kanë qenë të dhimbshme, por tani kriza ka kaluar dhe këto vende po shënojnë përsëri rritje.”

 

Ekspertët: Nuk ka problem me 20-lekëshin

Ekspertë të monedhave kanë sqaruar dje se shqetësimet e ngritura kohët e fundit, madje edhe në media, për qarkullimin e monedhave 20-lekëshe të falsifikuara, nuk rezultojnë të bazuara. Kjo është verifikuar edhe nga organet e specializuara të Policisë së Shtetit, theksojnë ata, duke shtuar se nuk rezulton qarkullimi në treg i monedhave të falsifikuara.

Aktualisht, është hedhur në qarkullim një seri e re monedhash me këtë prerje, duke filluar nga fundi i qershorit, emetim i vitit 2012. Monedhat e reja ndryshojnë nga lënda e parë, që kalon, nga aliazh me përbërje bakri, alumini e nikeli, në çelik të veshur.

Banka e Shqipërisë sqaron se monedhat e reja kanë më shumë shkelim se të vjetrat, duke qenë se sapo janë prodhuar dhe mund të krijojnë dyshime, krahasuar me të vjetrat që kanë qenë në kontakt me agjentët e ndryshëm për shumë vite.

Gjithashtu, edhe konturi rrethues i kësaj prerjeje është lehtësisht më i gjerë në pjesën e brendshme të saj, pa ndryshuar diametrin apo trashësinë e monedhës, që i jep monedhës më tepër kontrast.

Sipas statistikave zyrtare, nga viti 1992 e deri sot, për prerjen e monedhës metalike 20 lekë, me kurs ligjor, nuk ka pasur asnjë rast falsifikimi. Vlera e ulët nominale e monedhës nuk do të justifikonte koston e falsifikimit dhe rrezikun e konsumimit të një vepre penale për keqbërësit.

 

Afishim Publik i Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale nr. 8120, Tiranë

Në vijim të ndërtimit të Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njofton se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale nr. 8120, Tiranë. Ky afishim bëhet në territorin e Zonës Kadastrale nr. 8120, saktësisht në adresën, rruga “Gaqo Tashko” (kryqëzimi rrugës “Niko Avrami”), pranë shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”, Tiranë. Periudha e Afishimit Publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike. Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale nr. 8120, janë të ftuar të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre.

Në këtë fazë të këtij procesi, është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara.

Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.

Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së Afishimit Publik.

Procesi i Regjistrimit Fillestar është FALAS për të gjithë pronarët dhe personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency