Standard.al

Kodi Etik Ministror 41 nenet për sjelljen e ministrave

Gëzim Saliu

Çfarë u ndalohet ministrave të kabinetit “Rama”

Dhuratat josimbolike ndaj ministrave nuk pranohen, kalojnë në pronësi të shtetit. Ministrat nxiten që të përdorin transportin publik

 

big_oldZbardhet vendimi i qeverisë për Kodin Etik Ministror, i cili do të shërbejë si bazë kryesore për sjelljen e anëtarëve të kabinetit “Rama”. Kodi i qeverisë, i cili përmban gjithsej 41 nene, kërkon nga ministrat respektim të demokracisë; respektim të qytetarëve, duke e trajtuar çdo qytetar të barabartë përballë ligjit; integritet përballë interesit publik, duke mos avantazhuar veten për shkak të postit publik; përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve dhe detyrave publike; përmirësim të njohurive dhe dijeve të tyre profesionale, të cilat i zbatojnë në punën e përditshme; kujdesi për të krijuar frymë ekipi dhe pune në grup në kabinetin qeveritar etj.

Kodi

Në kreun e parë thuhet se kodi ka për qëllim të përcaktojë rregullat e etikës, që do të garantojnë sjelljen e anëtarit të Këshillit të Ministrave. Sipas këtij kodi, rregullat etike janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave. Ky kod përcakton parimet e përgjithshme mbi të cilat duhet të përmbushin ministrat në aktivitetin e përditshëm, të cilat kanë të bëjnë me: ligjshmërinë, besueshmërinë dhe solidarësinë, mosdiskriminimin, mosabuzimin me funksionin, paanshmërinë, ndershmërinë dhe pavarësinë, objektivitetin etj. Një pikë e veçantë e këtij kodi lidhet edhe me dhuratat ndaj ministrave, sipas të cilit është e ndaluar që një anëtar i Këshillit të Ministrave të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen, për shkak të pozicionit të tij, nga një person, fizik ose juridik, privat. “Anëtari i Këshillit të Ministrave, që ka dyshime nëse është në kushtet e ndalimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, duhet të kërkojë këshillën e Komisionit të Etikës dhe/ose ILDKPKI-së. Dhuratat, që i jepen anëtarit të Këshillit të Ministrave, në ushtrim të funksionit të tij ministror, kalojnë në pronësi të shtetit. Përjashtohen nga ky rregull dhuratat me karakter simbolik”, – thuhej në kod. Po ashtu në të janë të janë të përfshira edhe nenet që lidhen me përdorimin e makinave zyrtare, ku sipas Kodit, ndalohet përdorimi i automjeteve zyrtare për qëllime private, përveç rastit kur kjo lidhet me sigurinë personale dhe të familjes së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, kodi nxit ministrat që shpeshherë të përdorin edhe transportin publik. Ndërkohë lidhur me shpenzimet e udhëtimit për bashkëshortët apo bashkëjetuesit e ministrit/es, kodi përcakton se ato mund të mbulohen nga fondet publike, me kusht që të jetë e qartë se shoqërimi i ministrit nga ai/ajo është në interesin publik. Në çdo rast para udhëtimit, duhet të merret pëlqimi i Kryeministrit. Pjesë e Kodit të Etikës është edhe ajo që i ndalohet ministrit në ushtrimin e veprimtarisë së tij, ku përfshihet: “të kërkojë apo të pranojë shpërblim apo premtim shpërblimi lidhur me vendime të marra gjatë ushtrimit të funksionit; të fitojë ndonjë të drejtë apo të pranojë premtim për fitimin e saj, në rastet kur shkelet parimi i mosdiskriminimit; të kërkojë, të përvetësojë, të pranojë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, dhurata, sende me vlerë apo shërbime, në kompensim të votës së tij në vendimmarrjen kolegjiale apo në vendimmarrjen e tij individuale; të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit material personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta; të premtojë punësim apo ndonjë të drejtë tjetër, në këmbim për dhuratë apo premtim dhurate; të ndikojë në dhënien e pasurive apo të fondeve publike të tretëve, për interes personal etj. Po ashtu kodi përcakton edhe kufizimet për ministrat e kabinetit të majtë, ku thuhet se ata nuk duhet të jenë drejtues ose anëtarë të organeve drejtuese në organizata fitimprurëse dhe jofitimprurëse, sindikata ose organizata profesionale. “Nuk duhet: të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, si dhe profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a”, të këtij neni, si dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër; të zotërojë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj”, nënvizohet në kod.

 

Neni 12

Veprimet e ndaluara

Anëtarit të Këshillit të Ministrave, në ushtrimin e veprimtarisë së tij, i ndalohet:

a. të kërkojë apo të pranojë shpërblim apo premtim shpërblimi lidhur me vendime të marra gjatë ushtrimit të funksionit;

b. të fitojë ndonjë të drejtë apo të pranojë premtim për fitimin e saj, në rastet kur shkelet parimi i mosdiskriminimit;

c. të keqpërdorë autorizimet/delegimet të cilat rrjedhin nga ushtrimi i funksionit të tij publik;

ç. të kërkojë, të përvetësojë, të pranojë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, dhurata, sende me vlerë apo shërbime, në kompensim të votës së tij në vendimmarrjen kolegjiale apo në vendimmarrjen e tij individuale;

d. të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit material personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta;

dh. të premtojë punësim apo ndonjë të drejtë tjetër, në këmbim për dhuratë apo premtim dhurate;

e të ndikojë në dhënien e pasurive apo të fondeve publike të tretëve, për interes personal;

ë. të shfrytëzojë për interes personal informacione të cilat ai i posedon për shkak të funksionit;

f.  të ndikojë në vendimmarrjen e organeve legjislative, gjyqësore apo ekzekutive, duke shfrytëzuar postin e tyre me qëllim të përfitimit personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta;

g. të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i vijnë përshtat interesit të tij personal, interesit të familjarëve të tij apo personave të lidhur me ta;

gj. të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat do të ndihmonin apo do të favorizonin interesin privat të ndonjë personi tjetër, në dëm të interesit publik.

Neni 29

Dhuratat, favoret, premtimet dhe trajtimet preferenciale

1. Është e ndaluar që një anëtar i Këshillit të Ministrave të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen, për shkak të pozicionit të tij, nga një person, fizik ose juridik, privat.

2. Anëtari i Këshillit të Ministrave, që ka dyshime nëse është në kushtet e ndalimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, duhet të kërkojë këshillën e Komisionit të Etikës dhe/ose ILDKPKI-së.

3. Dhuratat, që i jepen anëtarit të Këshillit të Ministrave, në ushtrim të funksionit të tij ministror, kalojnë në pronësi të shtetit. Përjashtohen nga ky rregull dhuratat me karakter simbolik.

4. Anëtari i Këshillit të Ministrave mund të pranojë dhurata nga:

a) të afërmit dhe familjarët, përveç rasteve kur ato implikojnë një detyrim/obligim, qoftë edhe në dukje (prima facia);

b) vartësit dhe punonjësit e tjerë, për raste të veçanta dhe vetëm kur vlera e tyre është simbolike;

c) miqtë me kusht që dhënia e dhuratës qartësisht të mos lidhet me ofrimin e një favori për dhuruesin.

Në rastet kur anëtari i Këshillit të Ministrave ka dyshime nëse është në kushtet e lejimit të pranimit të dhuratës, ai duhet të konsultohet paraprakisht me Komisionin e Etikës dhe/ose ILDKPKI-në.

5. Dhurata, që i jepet anëtarit të Këshillit të Ministrave, regjistrohet në një regjistër, i cili mbahet nga sekretari i Përgjithshëm i ministrisë përkatëse

 

Neni 35

Përdorimi i makinave zyrtare

1. Ndalohet përdorimi i automjeteve zyrtare për qëllime private, përveç rastit kur kjo lidhet me sigurinë personale dhe të familjes së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Në këtë rast, kostot e përdorimit të automjetit paguhen nga anëtari i Këshillit të Ministrave.

2. Kur është e mundur, ministrat nxiten që të përdorin transportin publik.

Neni 36

Shpenzimet e udhëtimit për bashkëshortët/bashkëjetuesit

Shpenzimet për bashkëshortin/bashkëjetuesin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, kur ata shoqërojnë ministrin për detyrat zyrtare të këtij të fundit, mund të mbulohen nga fondet publike, me kusht që të jetë e qartë se shoqërimi i ministrit nga ai/ajo është në interesin publik. Pëlqimi i Kryeministrit duhet të merret në çdo rast para udhëtimit.

 

Parimet e Kodit Etik

Parimi i ligjshmërisë

Parimi i besueshmërisë dhe solidarësisë

Parimi i mosdiskriminimit

Mosabuzimi me funksionin

Paanshmëria

Ndershmëria dhe pavarësia

Objektiviteti

Transparenca dhe llogaridhënia

 

 

Besueshmëria, ministrat jo kundër vendimeve në publik

Neni 3- Parimi i besueshmërisë dhe solidarësisë- Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të respektojë vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të ofrojë mbështetjen e tij në publik për të gjitha vendimet e qeverisë, pavarësisht nëse ai ka marrë pjesë ose jo në mbledhje apo nëse ka votuar “pro” ose “kundër” këtij akti

Neni 5

Shfaqja e mendimit, konfidencialiteti dhe solidariteti

1. Për çështje të rëndësishme, ku gjen zbatim parimi i besueshmërisë dhe solidarësisë, çdo anëtar i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të shprehë lirisht mendimin dhe pikëpamjet e veta dhe të ushtrojë të drejtën e votës për projektaktet, objekt shqyrtimi.

2. Anëtari i Këshillit të Ministrave, pas marrjes së vendimit duhet të shmangë në publik çdo shprehje mospajtimi dhe të mbrojë ose të përkrahë vendimet e arritura, si dhe duhet të ruajë konfidencialitetin e mendimeve, vlerësimeve të debateve e të raportimeve, të shprehura në Këshillin e Ministrave dhe komitetet ndërministrore, si dhe nëpërmjet korrespondencës.

 

Kodi Etik kundër diskriminimit

Parimi i mosdiskriminimit- Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë ushtrimit të funksionit, me veprimet ose mosveprimet e tij, nuk duhet të favorizojë apo të diskriminojë një subjekt të caktuar për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjes politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzënisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, gjendjes shëndetësore, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë ose për ndonjë shkak tjetër të ngjashëm.

 

Deklaratat publike

Ministrat nuk duhet të bëjnë të ditur mendimin për çështje në shqyrtim

Neni 8

Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të bëjë publike mendimet në lidhje me çështje, të cilat paraprakisht janë ose mund të jenë objekt i shqyrtimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në mbledhjen e një komiteti ndërministror ose nga ndonjë organ tjetër në varësi të Këshillit të Ministrave.

 

Punësimet në ministri

Kodi: Zbatim të legjislacionit të shërbimit civil, jo pranime dhe largime partiake

1. Ministri, për ministrinë dhe institucionet që ka në varësi, garanton me përgjegjshmëri të lartë, nëpërmjet subjekteve të ngarkuara nga ligji, respektimin dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi në lidhje me parimet, kushtet dhe procedurat e pranimit në shërbimin civil.

2. Ministri duhet të nxitë ngritjen profesionale dhe sjelljen jopartiake të anëtarëve të shërbimit civil në ministrinë që ai drejton dhe në institucionet e varësisë.

3. Ministri duhet të sigurojë që, në çdo rast, në ministrinë që drejton dhe në institucionet në varësi, emërimi në shërbimin civil, ngritja në detyrë, transferimi, pezullimi, marrja e masave disiplinore apo lirimi i nëpunësit prej shërbimit civil të mos ndikohen, favorizohen apo diskriminohen për shkak të bindjeve politike apo përkatësisë partiake të nëpunësit civil.

Comments are closed.