Deklarata / LZHK drejt shkrirjes me PD-në, me Bashën për t’u kthyer në mazhorancë

0
142

Duhet të bashkohemi përqark një programi, përqark ideve, nuk bashkohemi përqark individëve dhe për shkak të individëve. Kjo do të ndodhë vetëm me zotin Basha

 

largea_dashamir-shehi1371733392Opozita do të jetë edhe më e fortë, nëse është më e bashkuar dhe në funksion të këtij uniteti duket se do të vijë edhe shkrirja e Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e drejtuar nga zoti Dashamir Shehi me Partinë Demokratike. Së bashku me ristrukturimin e strukturave të Partisë Demokratike duket se ky do të jetë zhvillimi tjetër që do të ndodhë këta muaj me të djathtën shqiptare. Dashamir Shehi u shpreh ditën e djeshme se është i gatshëm që partia e tij dhe strukturat të bëhen një me Partinë Demokratike e kjo do të varet nga negociatat gjatë ditëve në vijim. Ai deklaron se me kreun e PD-së duhet nisur një fillim i ri për çuarjen e opozitës së djathtë drejt mazhorancës.“Në qoftë se do të bëjmë një platformë bashkimi rreth së djathtës, unë nuk jam kundër. Do të jepja me plot dëshirë kontributin tim, sepse në fund të fundit edhe unë nga Partia Demokratike dhe ajo lëvizje që filloi 23 vjet më parë vij. Nuk paragjykoj asnjë lloj taktike për t’i hapur rrugë qendrës së djathtë për rikthimin e vet në pushtet. Kjo është plotësisht e mundur vetëm se rregullat e lojës duhet të ndryshojnë. Duhet të bashkohemi përqark një programi, përqark ideve, nuk bashkohemi për qark individëve dhe për shkak të individëve. Kjo do të ndodhë vetëm me zotin Basha”, – pohoi ditën e djeshme kryetari i LZHK-së që tashmë është deputet i Parlamentit, duke qenë se u përfshi nga zoti Berisha në listat e deputetëve të Partisë Demokratike.

“Duhen bërë ndryshime kushtetuese”, – shprehet kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ndërsa i referohet jo vetëm pavarësisë së institucioneve dhe situatës së krijuar në parlament ku pjesa më e madhe e deputetëve janë preferencat e kryetarit të partisë dhe jo të elektoratit, por edhe për vendime të tilla siç ishte ai i qeverisë për heqjen e fotos së Presidentit nga institucionet. “Kjo punë fillon nga Kushtetuta, siç duam që çdo gjë të bëhet me ligj dhe me letra. Edhe çështja e fotos së Presidentit nëse do të ishte e fiksuar me Kushtetutë nuk do të kishim probleme të tilla. Edhe çështje të tilla si marrëdhënie e Presidentit me Parlamentin, roli i Presidentit është deformuar”, – sqaron zoti Shehi.

Ndërsa flet për ofertën e Kryeministrit Rama për të bashkëpunuar për çështjen e pronave, Shehi thotë se nuk ishte një mesazh që i drejtohej posaçërisht atij, por opozitës në tërësi, ndërsa pohon se duhet të ketë ndryshim të legjislacionit nëse do të ketë vullnet për të zgjidhur këtë çështje. Shehi thotë se opozita do të jetë e gatshme të bashkëpunojë në çdo kohë për sa i përket procesit integrues të Shqipërisë, pasi shumë vite ky proces është zvarritur më së shumti nga politika.

 

Zgjedhjet në Korçë

FRD prezanton Brikena Zenelin kandidate për bashkinë

Brikena Zeneli do të jetë kandidatja e Partisë Fryma e Re Demokratike për postin e kryetarit të Bashkisë së Korçës, pas dorëheqjes së Niko Peleshit. Prezantimi i kandidaturës së saj është bërë nga sekretari i përgjithshëm i FRD-së Gazmend Oketa i cili theksoi se FRD-ja do të vijojë të jetë besnike e parimeve të saj. “Kryesia e FRD-së pranoi propozimin e degës së FRD-së në Korçë për të pranuar zonjën Brikena Zeneli si kandidate për zgjedhjet e pjesshme vendore që zhvillohen për kryetarin e bashkisë së Korçës”, – tha Oketa. Ky i fundit theksoi më tej se FRD-ja nuk ka zhvilluar negociata me asnjë forcë politike për të bashkëpunuar për zgjedhjet e pjesshme në Korçë. Ndërkohë, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë përzgjedhur kandidatët e tyre për betejën elektorale që pritet të mbahet në tetor në Bashkinë e Korçës. PS-ja ka përcaktuar nënkryetarin e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, si kandidatin e saj për këtë garë, ndërsa PD-ja ka vendosur të kandidojë në qytetin më të madh të juglindjes, rektorin e Universitetit të Korçës, Gjergji Mero. Niko Peleshi dha dorëheqjen si kryetar i Bashkisë së Korçës pasi u zgjodh si zv.kryeministër në qeverinë “Rama”.

 

Rekomandimi

OSBE: Dekriminalizoni shpifjen

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, theksoi nevojën për ta dekriminalizuar plotësisht shpifjen në Shqipëri. Gjatë një vizite zyrtare dyditore në Tiranë ajo e nxiti qeverinë e re të vijojë reformimin e transmetuesit publik, të sigurojë aksesin në informacion dhe të bëjë përpara në dixhitalizimin e medias elektronike. “Transmetuesi publik RTSH duhet të reformohet plotësisht që t’u ofrojë qytetarëve lajme dhe informacione të balancuara, si dhe t’i edukojë e t’i zbavitë”, – tha Mijatoviç, pas takimit me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa u bëri thirrje autoriteteve të bëjnë përparim të qartë me dixhitalizimin, Mijatoviç tha: “Dixhitalizimi i medias elektronike është i rëndësishëm. Nëse zbatohet plotësisht, ai krijon mundësitë për një pluralizëm më të madh në media. Autoritetet rregulluese audiovizive të pavarura luajnë një rol kyç në këtë proces”. Mijatoviç theksoi edhe nevojën për të siguruar pavarësinë e autoritetit të mediave audiovizive, AMA, nga ndikimet politike dhe për të siguruar financimin e nevojshëm të tij. Ndër çështje të tjera që u diskutuan ishin edhe dekriminalizimi i shpifjes dhe masat për të siguruar aksesin e publikut në informacionet zyrtare. “Vjet, Shqipëria bëri një hap të rëndësishëm me heqjen e dënimit me burgim për shpifjen nga Kodi Penal. Unë ju nxis të bëni edhe hapin tjetër dhe ta dekriminalizoni plotësisht shpifjen”, – tha Mijatoviç. Po ashtu, ajo tha se nevoja për të siguruar që të gjithë qytetarët të kanë akses të plotë në informacionet zyrtare, sikundër garantohet nga legjislacioni shqiptar, është jetike: “Aksesi në informacion i lejon gazetarët të kryejnë detyrën si roje të publikut dhe të sigurojnë që të gjitha autoritetet të jenë të përgjegjshme e të punojnë në dobi të njerëzve”. Mijatoviç, gjithashtu, u ofroi autoriteteve mbështetjen e OSBE-së në reformimin e transmetuesit publik, kalimin në transmetimet numerike, sigurimin e pavarësisë së autoritetit rregullues dhe zbatimin e legjislacionit për lirinë e informimit. Gjatë vizitës së saj dyditore, Përfaqësuesja u takua edhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ministren për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Avokatin e Popullit, Igli Totozani, si dhe me deputetë të partive në qeveri dhe në opozitë. Mijatoviç dhe Ministri i Jashtëm Bushati do të hapin në Tiranë Konferencën e Tretë të OSBE-së për Median në Evropën Juglindore. Mbi 180 gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, qeverive dhe akademikë të rajonit, si dhe ekspertë ndërkombëtarë, do të diskutojnë gjendjen e transmetuesve publikë, autoriteteve rregulluese dhe kalimin në transmetimet numerike në Evropën Juglindore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency