Integrimi / Porositë e Brukselit për qeverinë e re. Kukan: Na ndihmoni t’ju ndihmojmë

0
145

Gëzim Saliu

Pack: Bëni punën tuaj dhe mos u ktheni mbrapa, s’do jemi mësuesit tuaj

 

Parlamenti-Europian1Parlamenti Evropian shpreh mbështetjen për qeverinë e re në kuadër të integrimit në BE, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit politik mes palëve politike si edhe përmbushjen e reformave të domosdoshme. Pas raportimit të Kryeministrit Rama para eurodeputetëve të Komisionit të Jashtëm të PE-së, këta të fundit shprehën pikëpamjet e tyre se si mund të ecet përpara për të bërë të mundur aspiratën evropiane të Shqipërisë. Kreu i delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan, theksoi se zgjedhjet e 23 qershorit ishin një test i kaluar për demokracinë e Shqipërisë. “Pa dialog të vërtetë politik do të jetë e vështirë shumë që të ecim përpara. Zhvillimet e deritanishme kanë treguar se qeveria e re është e gatshme ta bëjë këtë. Unë uroj qe në të ardhmen të shikojmë fakte dhe prova për këtë. Mesazhi im është që të themi se Parlamenti Evropian ka qenë gjithmonë mbështetës për zhvillimet në vendin tuaj, ndaj ju lutemi të na lejoni t’ju ndihmojmë sa më shumë të kemi mundësi”, – tha Kukan. Nga ana tjetër, eurodeputeti theksoi se vlerësimi i punës së qeverisë paraardhëse është i duhur dhe se sipas tij tani është me rëndësi të veçantë bashkëpunimi mes palëve. “Është e ndershme për të vlerësuar punën e qeverisë që është larguar sa i takon integrimit në BE. Situata politike ka qenë për një kohë të gjatë në vëmendjen e institucioneve evropiane dhe mendoj se qeveria e re do të sjelle ndryshime pozitive. Ka pasur anëtarë të parlamentit që kanë treguar përgjegjshmëri dhe kemi parë që integrimi ka qenë në axhendën e fushatës zgjedhore, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Zgjedhjet në përgjithësi kanë qenë kompetitive, dhe me e rëndësishmja, tranzicioni shkoi mirë që të humburit pranuan rezultatin dhe Kryeministri ishte korrekt në deklaratat e tij të para. Dhe ne këtë duam të shohim në të ardhmen”, – u shpreh Kukan.

Eurodeputetët

Eurodeputetja Doris Pack theksoi se fjalimi i mbajtur nga Kryeministri Rama në Komisionin e Jashtëm të PE-së tregoi mençuri dhe theksoi se është e rëndësishme që të vazhdohet në të njëjtën linjë. “Në punën tuaj mos u mbështesni vetëm tek ne, pasi nuk jemi mësuesit tuaj, por bëni punën tuaj pa na pyetur shumë”, – tha eurodeputetja gjermane Doris Pack duke iu drejtuar Kryeministrit shqiptar. Ndërkohë, eurodeputeti rumun Boshtinaru shprehu mbështetjen e shtetit të tij për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Rumania ofron mbështetjen për Qeverinë tuaj në integrimin në BE”, – deklaroi ai. Po ashtu eurodeputetë drejtuan pyetje ndaj kreut të ekzekutivit Rama lidhur me tema të ndryshme, ku përfshiheshin marrëdhëniet me fqinjët, lufta ndaj korrupsionit si edhe reformat për integrimin. Pyetjes së Tanja Fajon se cila do të jetë strategjia e luftës kundër korrupsionit, Rama tha: “Mendoj se korrupsioni dhe krimi i organizuar është diçka ndërkombëtare. Është publicitet që bashkon njerëzit, ndaj për ta luftuar duhet të ndërlidhim dhe modernizojmë. Përgjigja e duhur është modernizimi i shteti, agjencive dhe shërbimeve. Korrupsioni epidemik i shoqërisë ndodh se mungon shteti në termat për të qenë më afër me popullin”. Dje ishte dita e parë e vizitës së Kryeministrit Rama në Bruksel, ku pas raportimit në Komisionin e Jashtëm të PE-së dhe takimin me Presidentin Martin Schultz, sot ai do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmusen dhe me Kryekomisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule.

 

Piketat kryesore të qeverisë të prezantuara nga Rama në Bruksel

Reformat

“Besoj se ka një erë të re në politikën shqiptare dhe qëllimi ynë është që t’i japim fund traditës politike të së kaluarës. Përparësitë tona kryesore janë prezantimi dhe miratimi i reformave të nevojshme në shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”

Nacionalizmi

“Më 23 qershor, ne i fituam zgjedhjet me një aleancë që është LSI dhe morëm 1 milion vota me ASHE, dhe nacionalizmi nuk mori asnjë votë. Forcat nacionaliste që dolën në skenë dhe shqetësuan partnerët tanë, nuk arritën të futeshin në Parlament dhe mendimi është se PD mori këtë rezultat të keq sepse kalimi në disa retorika nacionaliste të papranueshme për pozicionin e Shqipërisë me fqinjët dhe qëndrueshmërinë e rajonit. Ne jemi të bindur se kufijtë do të jenë atje, por nuk do jenë pengesë për të punuar mes shqiptarëve dhe serbëve apo maqedonasve, malazezëve, kroatëve, grekëve, italianët apo turqit”

Fqinjësia

“Politika jonë e jashtme zero probleme me fqinjët dhe instrumentet e vetme për të zgjidhur problemet nga e kaluara. Shqipëria është vend që ka thesar të jashtëzakonshëm tolerancën fetare, me probleme zero sa i jeton bashkëjetesës fetare. Rajoni po vuan shumë duke i parë njerëzit si myslimanë dhe të krishterë, por këtë duhet të zgjidhnin njerëzit para Zotit. Ne nuk shohim problem në përfshirjen e Turqisë, Italisë dhe Greqisë si partner strategjik. Ne mendojmë se përmbushim një nga problemet e marrëdhënieve tona në politikën e jashtme. Ne mendojmë se me këta partnerë Shqipëria do jetë e vendosur mirë në rajon”

Kosova

“Mendoj se nuk ka problem që qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës të kenë takime të përbashkëta. Nëse kjo ndodh mes grekëve dhe turqve nuk ka pse të mos ndodhe me ne. Të mos njohësh Kosovën është non sens. Një njohje e Kosovës është gjëja e drejtë, por dhe e duhur për rajonin dhe Evropën”

Korrupsioni

“Mendoj se korrupsioni dhe krimi i organizuar është diçka ndërkombëtare. Është publicitet që bashkon njerëzit, ndaj për ta luftuar duhet të ndërlidhim dhe modernizojmë. Përgjigja e duhur është modernizimi i shtetit, agjencive dhe shërbimeve. Korrupsioni epidemik i shoqërisë ndodh se mungon shteti në termat për të qenë më afër me popullin”

Opozita

“Politika jonë ka vuajtur shumë pas rënies së komunizmit nga përpjekja për të luftuar njëri-tjetrin dhe jo për idetë. Prova e parë e programit tonë qeverisës nuk do jetë thjesht një fillim euforik, por një instrument për të vijuar në parlament për t’i dhënë opozitës çdo gjë që ne nuk e morëm si opozitë. Ministrja e Integrimit do ketë mbështetjen tonë për dialog mes qeverisë dhe partive dhe shoqërisë, që do të nxisë procesin e integrimit. Duke mos i dhënë shansin opozitës për të marrë pjesë do të dëmtonte përpjekjet tona për integrim”

 

Presidenti i PE-së

Schulz: E vështirë për të përcaktuar një afat për statusin, mbështesim Shqipërinë

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, u shpreh optimist lidhur me marrjen e statusit kandidat, por edhe hapjen e negociatave, duke theksuar nga ana tjetër se është e vështirë të përcaktohet një afat për këtë proces. Në takimin e zhvilluar me Kryeministrin Rama, Schultz tha se qeveria e re ka premisa të mira për të realizuar objektivat e saj në rrugën e integrimit. “Komisioneri Stefan Fule është duke bërë të pamundurën, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm. Është e vështirë për të përcaktuar një afat, unë jam në favor për ta përshpejtuar procesin. Por qeveria e re ka zgjedhur një titull, Aleanca për Shqipërinë Evropiane dhe mendoj se është një titull i zgjedhur. Jemi të kënaqur me ato që dëgjuam, dhe na duken mjaft inkurajuese”, – tha Schultz në konferencën e përbashkët me Ramën. Më tej, kreu i Parlamentit Evropian bëri të ditur se shumë shpejt ai do të vizitojë Shqipërinë. “Folëm për zhvillimet ekonomike dhe politike në rajon. Dëgjuam Edi Ramën për situatën në rajon për zhvillimet politike në Kosovë dhe ndamë pikëpamjet për ndërtimin e paqes në rajon. U kënaqëm për ato që dëgjuam dhe na u dukën inkurajuese. Si president i PE-së, ramë dakord që të kryejmë një vizitë në Shqipëri në kohën më të duhur. E falënderoj zotin Rama”, – deklaroi Schultz. Nga ana e tij, Kryeministrit Rama shprehu bindjen se Shqipëria brenda dhjetorit do të marrë statusin e vendit kandidat. “Kam besim se filozofia jonë e qeverisjes është e drejta bazuar jo vetëm në atë çka bëjmë që evropiane të njohë progresin tonë, por që progresi ta bëjë Shqipërinë vend evropian. Integrimi evropian nuk është një udhëtim për në Bruksel, por udhëtim në veten tonë për të zbuluar energjinë pozitive dhe për të shndërruar Shqipërinë në vend me standardet evropiane dhe sapo ta bëjmë do të njihet nga Brukseli. Jam i bindur që do të marrim statusin e vendit kandidat brenda dhjetorit”, – u përgjigj Rama pyetjes së gazetarëve.

 

Engjëll Agaçi, sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë

Kreu i ekzekutivit Edi Rama ka prezantuar dje Engjëll Agaçin si sekretarin e ri të përgjithshëm të Kryeministrisë. Duke vlerësuar lart profilin e tij, Kryeministri theksoi se puna me draftet e reformave e të ligjeve do të njohë një cilësi të re dhe fryma e skuadrës vetëm do të fuqizohet falë kulturës së profesionale e qytetare të Agaçit. “Historia e Engjëll Agaçit është një histori suksesi nga ato në rrugën e emigracionit, ku djem e vajza të dalë nga shtëpitë e varfra shqiptare të viteve ‘90 u nisën drejt ëndrrash në dukje të pamundura dhe i bënë ato të mundura. Me forcën e madhe të ambicies, me vullnetin e fortë të njeriut në një betejë për të ardhmen, me talentin e me përulësinë e kujt s’ka asgjë tjetër veç fuqive të veta në tokë të huaj, madje përballë paragjykimesh tejet penguese, shumë prej tyre ia dolën. Dhe një prej atyre që ia dolën të bëjnë rrugë e karrierë, është edhe Engjëll Agaçi. I shkëlqyer në studime, i pandalur në punë, i papërtuar për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në Itali, i respektuar në mjedisin profesional të Romës, ai la studion e tij të avokatisë në kryeqytetin italian për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës sime që të jetë sekretari i ri i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Duke falënderuar për mirësjelljen e korrektesën në dorëzimin e detyrës paraardhësin e vet, kam bindjen se falë Engjëll Agaçit, puna me draftet e reformave e të ligjeve do të njohë një cilësi të re dhe fryma e skuadrës vetëm do të fuqizohet falë kulturës së tij të jashtëzakonshme profesionale e qytetare”, – bëri të ditur dje Rama në rrjetin social Facebook.

 

Ndryshimet

Hiqen hekurat rrethues të Kryeministrisë, u vendosën nga qeveria “Nano” në protestat e 2004-ës

Pasa ndryshimeve në sallën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Rama ka menduar të ndryshojë edhe pjesën e jashtme të godinës ku do të ushtrojë aktivitetin e tij për katër vitet e ardhshme. Dje në mesdite, disa punëtorë hoqën gardhin rrethues të Kryeministrisë, duke i dhënë më shumë hapësirë bulevardit përpara objektit. Kangjellat u vunë për herë të parë më 21 shkurt 2004, kur opozita në atë kohë e drejtuar nga Berisha organizoi një protestë të madhe me rastin e përvjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Gjatë protestës nën moton “Nano ik” u qëllua me gurë dhe Kryeministri i atëhershëm Nano mori vendimin menjëherë pas protestës për të ndërtuar gardhin rrethues. Opozita e asaj kohe akuzoi ish-kryeministrin socialist se po e kthen Kryeministrinë në bunker.

 

Zëvendëskryeministri: Do të anulojmë vendimin e SHQUP

Zv.kryeministri i kabinetit “Rama”, Niko Peleshi, deklaroi dje se qeveria e re do të anulojë çdo vendim të marrë nga ekzekutivi paraardhës pas 23 qershorit, duke përfshirë edhe atë për SHQUP-in. I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Peleshi i pyetur nëse qeveria do të zmbrapset për vendimin e SHQUP-it nisur nga fakti se ai tashmë është certifikuar tha: “Ku shikoni se jemi zmbrapsur? Interesat e qytetarëve u prekën keqas në mënyrë të paprinciptë pas 23 qershorit. Ne do marrim vendime etik; do prekim çdo vendim pas 23 qershorit. Mund të jenë marrë vendime që nuk bien ndesh me interesa madhore. Por për etikë do t’i zhbëjmë të gjitha. Ky është qëndrimi ynë në të cilin do qëndrojmë dhe pasi të jemi përpara zgjedhësve pas 4vjetësh. Ne do anulojmë çdo vendim”. Insistimit të gazetarit Babaramo se nëse kjo praktikë anulimi do të përfshijë edhe SHQUP-in, Peleshi iu përgjigj duke thënë: “Çdo vendim”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency