Vendimi/ Zëvendësohet portreti i Nishanit me atë të I. Qemalit në ceremonialin zyrtar

0
228

Ina Jano

Mbledhja e parë e qeverisë zgjati vetëm 30 minuta. Ja detajet e takimit të Ramës me ministrat

 

photo_jutta_benzenberg_mg_400000Pas betimit të qeverisë, Kryeministri Edi Rama zgjodhi që të mblidhte kabinetin e tij për herë të parë në mënyrë zyrtare. Ndryshe nga paraardhësi i tij kryesocialisti zgjodhi që ta zhvillonte këtë mbledhje qeverie me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias, ndërsa kurioziteti i të gjithëve ishte tejet i madh. Pas përfundimit të mbledhjes vëtë Kryeministria në faqen e saj zyrtare zbardhi tre vendimet e marra të ditës së djeshme. Ai që më së shumti ra në sy edhe për shkak të pjesës që dy vendimet e tjera ishin përmendur nga media edhe ditë më parë, ishte ai i zëvendësimit të portretit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishanit me atë të Ismail Qemalit në të gjitha ceremonialet zyrtare. Ndërsa dy vendimet e tjera lidheshin me ndalimin e importit të plehrave në Shqipëri. Në këtë vendim ajo që duket është se mazhoranca e majtë i cilëson si plehra, ndërsa të djathtët gjithnjë kanë përdorur termin mbetje. Kodi etik ministror është vendimi i tretë. “Sot, në datë 15 shtator 2013, Kryeministri Edi Rama drejtoi mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, në të cilën u morën këto vendime: 1. Zëvendësimin e portretit të Presidentit të Republikës në ceremonialin zyrtar me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit; 2. Miratimin e Kodit Etik Ministror; 3. Ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë”, – thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Detajet

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur për fotografe, bashkëshorten e një prej miqve të tij më të mirë që  tashmë nuk jeton më, publicistin Ardian Klosi. Gjermania Jutta Benzenberg mban autorësinë e fotos së parë zyrtare të dalë nga Këshilli i Ministrave, ndërsa besohet se ajo do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm pranë kabinetit ministor dhe figurës së Ramës. Po ashtu mbledhja zgjati vetëm 30 minuta dhe ajo mund të konsiderohet si normale duke pasur parasysh edhe numrin e vendimeve që kaluan në këtë mbledhje. Detaje të tjera ranë në sy. Kështu salla e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave nuk është më ajo e para, madje vetëm një abazhur në cep të sallës të kujton që aty ka mbajtur mbledhjet edhe kabineti Berisha. Tavolina nuk është më ajo që ishte, ose të paktën ngjyra ka ndryshuar dhe po ashtu janë shtuar disa pjesë xhami që më parë nuk kanë qenë. Ndryshime transformuese, duke filluar nga ngjyrat e përdorura, por edhe nga mënyra e vendosjes së ministrave. Kështu Kryeministri ka vendosur që të qëndrojë në krahun e djathtë të sallës, ndryshe nga paraardhësi i tij që gjithnjë ka ndenjur në krah të majtë. Rama qëndronte i ulur mes ministres së Integrimit Klajda Gjosha dhe numrit dy të qeverisë Niko Peleshi. Ngjyra e zgjedhure prej Ramës e tavolinës është e kuqja, ndërsa në mes të saj është vendosur një hartë e vjetër e Shqipërisë, dhe janë shtuar disa pjesë xhami, në cepat fundorë të saj. Foto e ofruar nga Këshilli i Ministrave e bën të pamundur të dallosh nëse në sallë është e vendosur foto e Presidentit Bujar Nishani apo jo, lidhur kjo edhe me vendimin e marrë ditën e djeshme, por ajo që është e sigurt është se portreti i Ismail Qemalit ndodhet në sallën e mbledhjeve të Ramës, fiks prapa shpinës së tij. Tapeti është përsëri i kuq, karriget nuk kanë ndryshuar vetëm se janë shtuar në numër për shkak të numrit të ministrave më të shumtë, dhe po ashtu laptopët e kabinetit Berisha nuk figurojnë më mbi përpara ministrave të majtë.

 

 

Prioriteti

Sot Rama në Bruksel, integrimi në krye të axhendës

Në vizitën e dytë pas vendit që pas marrjes së detyrës si Kryeministër zoti Edi Rama do të jetë sot në Bruksel. Ai do të takohet me disa prej shefave më të rëndësishëm të institucioneve ndërkombëtare. Në takimin që ai pati disa ditë më parë me zotin Sekui u zbardhën disa prej detajeve të vizitës së sotme të Ramës në kryeqytetin e Europës. “ “. Unë pata mundësinë që t’i prezantoja Kryeministrit të zgjedhur të gjitha ato takime që do të bëhen gjatë vizitës së ardhshme në Bruksel me të gjithë shefat e institucioneve evropiane, zotin Barroso, zotin Van Rompuy, zonjën Ashton, sigurisht edhe zotin Martin Schulz e komisionerin Fule. Kjo është një vizitë vërtet tejet e rëndësishme. Ne jemi vërtet shumë të kënaqur dhe shumë të lumtur, që kjo është nga vizitat e para që zoti Rama do të bëjë jashtë Shqipërie. Kjo është edhe prova që vërteton rëndësinë e madhe që i jep qeveria e re procesit të rëndësishëm të integrimit të vendit. Zoti Rama më foli pikërisht për mendimet e tij në këtë drejtim. Po ashtu, ai u shpreh fare qartë edhe për vendosmërinë dhe për angazhimin e kësaj qeverie për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, – tha Sequi disa ditë më parë. Po ashtu edhe Rama e cilësoi si tepër të rëndësishëm takimin që do të zhvillojë me krerët e BE-së në Bruksel, duke theksuar: “Diskutuam detajet e vizitës sonë të menjëhershme në Bruksel, ku praktikisht do takojmë të gjithë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve evropiane dhe ku pa asnjë dyshim do të diskutojmë për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit evropian, në funksion të një Shqipërie që duhet të jetë anëtare e denjë e Bashkimit Evropian. Por, edhe njëkohësisht një vend evropian, këtu në atdheun tonë, me ligjet e duhura, me institucionet e duhura, me shërbimet e duhura dhe me mundësitë e duhura për çdo vajzë e djalë, për çdo burrë dhe grua, për çdo shqiptar dhe shqiptare që të ndihen zot në vendin e tyre”.

 

 

 

 

Ndryshon faqja e Kryeministrisë, gabime në shkrimin e emrave të institucioneve

Sapo Kryeministri Rama ka marrë votëbesimin në Parlament në mënyrë të menjëhershme ka ndryshuar faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave. Modeli i vjetër i uebsajtit zyrtar tashmë nuk ekziston më dhe nga ana tjetër faqja e re, sjell risi të mëdha. Duket se Kryeministri Rama i pasionuar pas rrjeteve sociale ka zgjedhur që faqen zyrtare ta ketë të  lidhur edhe me faqet e tilla si Facebook, Twitter. Kategoritë po ashtu kanë ndryshuar duke përfshirë edhe newsroom, kontaktet, programi, multimedial etj. Duket se për shkak të kohës të madhe që kanë pasur në dispozicion për përgatitjen e faqes së re, ajo ka qenë që ditën e djeshme në funksion dhe e plotësuar në të gjitha kategoritë. Foto të mëdha që shfaqen nga aktivitetet e deri tanishme të Edi Ramës, dhe po ashtu një tablo me të gjitha emrat e ministrave dhe po ashtu jetëshkrimet e tyre janë hedhur menjëherë në faqen e ëebsajtit. Tashmë nga www.km.gov.al ku mund të klikoje, kjo adresë ka ndryshuar në www.kryeministria.al. Po ashtu edhe emri nga Këshilli i Ministrave në faqe, ka kaluar në Kryeministria, ndërsa lart ka kaluar Qeveria Shqiptare. Tek ngjyrat e përdorura nuk mund të mungonte ngjyra vjollcë, ngjyra që simbolizon Rilindjen. Megjithatë duket se pavarësissht kësaj kohe, nuk mund të mungojnë edhe gabimet në faqen e re të dizajnuar në shërbim të mazhorancës së re. Në kategorinë ku mund të behën lidhjet me institucionet e tjera të rëndësishme në vend, Presidencës i ka qëlluar që të jetë gabim. Ajo është shkruar Presindenti, duke pasur gabim drejtshkrimor dhe po ashtu logjik. Presidenti është personi ndërsa Presidenca është institucioni, ashtu siç vijon edhe me të tjerat Kuvendi i Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme etj. Ndërsa gabimi drejtshkrimor është mëse i dukshëm, Presindenti, në vend të Presidenti. Po ashtu gabime të tjera që vihen re me një vështrim të parë të faqes zyrtare janë edhe ngatërrimi i datave, për shembull “e diel, 14 shtator” ,ndërsa dje data shënonte 15 shtator.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency